Kur trishtimi të kap larg, larg, shumë larg nga Sh qipëria!
Ajet Nuro <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <AANLkTik4u5WFPiEbZ6AD20gG3es09ZLOxGoGomX62Avt__13169.361514929$1287429833$gmane$org@mail.gmail.com> |
Përshëndetje! Po iu përcjell një shkrim pak të trishtueshëm por edhe trishtimi është pjesë e jetës sonë. Ju lutem gazetave të shtypyra ta botojnë nëse e konsiderojnë të denjë për mediat e tyre. Ajet _________________________________________________ Nga Ajet Nuro TribunaShqiptare.com Nga natyra jam një njeri entuziast dhe është vështirë të dekurajohem. Për më tepër që jetoj në Kanada ku nëse më pyesin për cilësinë e saj kryesore kjo do të ishte liria, liria në të gjithë kuptimin e fjalës. Por, unë jam shqiptar dhe si i till jetoj me çka ndodh në Shqipëri, me lajmet që na dërgojnë të afërmit tanë atje. Muajin e kaluar isha në Shqipëri dhe mund të them pa frikë se personalisht kalova pushime të këndëshme. Takova shumë miq, takova familjen, pushova disa ditë … çfarë mund të presësh më shumë nga një udhëtim në Shqipëri. Madje jam duke shkruar disa nga përshtypjet e mia. Por…ka dhe momente si ai i djeshmi … Për shkak të ndryshimit të orës nuk jemi në të njëjtën orë në internet dhe kështu njerëzit e mi që jetojnë në Europë, kur shohin kompiuterin tim që pothuajse është i ndezur gjithmonë, më thërresin në skype ose më lenë mesazhe. Kështu pardje, Gramozi, shoku im që jeton në Athinë, pasi nuk iu përgjigja në SKYPE më kish lënë një mesazh « Isha në Shqipëri për një hall të madh… » Unë ngaqë nuk kam kohë të analizoj çdo fjalë thash po e thërras nesër. Dhe kështu dje e pash në skype dhe ai me të parën më kërkon nëse i kisha lexuar mesazhet e tij. Pa pritur përgjigjen time më lëshon lajmin : « Isha në Shqipëri se Luanit iu mbyt vajza në det » Si? Sigurisht që unë e dëgjova lajmin por ai ishte nga ata lajme që veshi tenton ti hedhi tej si ai malli jashtë standartit. -Cila vajzë? Çfarë po thua? Po vajza e madhe, 14 vjeçe… Luani, ishte shoku im i shkollës. Gjithmonë i qeshur me një talent natyral për të treguar histori gazmore dhe sjellshëm, ai ishte një nga shokët e mi më të ngushtë. Kur ishim në shkollën e mesme, nuk linim temë pa diskutuar, bënim planet e së ardhmes. Sigurisht që koha na ndau. Ai prej mëse 20 vjetësh jeton në Ksamil, ku u martua dhe punon. Dy nga të tri herët që kam qenë në Shqipëri e kam takuar. Edhe muajin e kaluar e takova në Sarandë dhe në Ksamil. Gjithmonë po ai i viteve më parë, gazmor dhe i qeshur. Por… Para një jave kishte marr vajzën dhe një nga kushërirat dhe kishin shkuar në det për të kaluar disa orë në plazh. Vajza luante në det ndërsa vetë Luani ishte ulur tek çadra. Si duket ai ka dremitur ndërsa vajzës i ka rënë infrakt dhe është përmbysur në ujë. Kur është vënë re nga plazhistët që vajza nuk luante është dhënë alarmi. Menjëherë kanë filluar manovrat me frymëmarrje artificiale për ta rikthyer por ishte shumë vonë, shumë vonë. Laura, vajza e Luanit shkoi. Ndërsa Luani është mbyllur në vet-vete dhe veç dhibjes prindërore ndihet dhe fajtor që vajza i iku para syve të tij. Si mund të ndihesh kur dëgjon lajme të tilla? Do të doja ti thoshia një fjalë sepse ndonëse dhimbja është e madhe, ai ka nevojë për një fjalë, për një njeri më shumë. Por, ai nuk përgjigjet në telefon… I dërgova një mesazh tekst në telefon por deri sa ai nuk e hap telefonin nuk ka si ta lexoj. Do të doja ti thosha se zoti e mori pranë tij engjëllushen e tij të vogël, Laurën. Do të doja ti thosha se jeta vazhdon, se ai është babai i dy vajzave të tjera që presin prej tij, që…do të doja ti thosha shumë, shumë, me shpresê se ai do të qetësohej sado pak aq sa mund të qetësohet një baba që përjeton ikjen e fëmijës 14 vjeç… Kur je larg, kur të ndan një oqean dhe disa shtete të tjerë, lajme të tilla sepse duken edhe më të zinjë edhe më të hidhur. Dhe ngaqë Ksamili është larg dhe jam i sigurt që këto fjalë Luani nuk i lexon dot, këto fjalë i shkruaj për vehten time, për të shprehur dufin, për të vrarë shqetësimin që na ka kapluar, për tu ngushëlluar sado pak. Dhe në fund kthehem tek filozofia jonë dhe tek ai urim që ne shqiptarëve u bëjmë njerëzve « Shëndeti mbi të gjitha » dhe « Mos të paftë syri keq ». Prandaj duhet ta jetojmë çdo çast të jetës sonë sepse nuk e dimë çfarë na rezervon e nesërmja. Ajet Nuro *[email protected]* Montreal, 22 gusht 2010 Botuar në Trbuna Shqiptare http://tribunashqiptare.com/news/129/ARTICLE/4579/2010-08-22.html -- http://www.albemigrant.com Faqja e emigrantëve shqiptarë në NET http://tribunashqiptare.com/kanuni/ http://tribunashqiptare.com/autoret/ http://www.facebook.com/group.php?gid=6918065431