Me 4 janar vdiq muzikanti shkodran Tonin Zadeja
Paul Tedeschini <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
Me 4 janar vdiq muzikanti shkodran Tonin Zadeja Mbas nji semundje te gjate, u shue me 4 janar 2011, muzikologu dhe studiuesi i apasionuem i historise se muzikes shqiptare, Tonin Zadeja. Në veremoninë mortore, në emnin e miqve dhe kolegëve të të ndjerit, foli drejtori i shkolles se mesme te muzikës “P. Jakova”, Sokol Marku. Po japim fjalën e tij të plotë. I dashtun Profesor Tonini, Sot familja, kolegët e shumë nxanës të tu të japin me dhimbje të thellë lamtumiren e fundit. Tonin Zadeja lindi me 11 maj 1926 nga nji familje e nderueme shkodrane me tradita patriotike e kulturore. Edukimin bazë e mori në Liceun e eterve françeskanë ku si nxanës i kompozitorit At Martin Gjoka u shque edhe në aktivitetet muzikore të Shoqnisë Antoniane. Nga kjo voter kulture e arti Tonin Zadeja së bashku me shumë të tjerë si Prek Jakova, Çesk Zadeja, Tonin Daija etj do të luenin ma vonë nji rol të madh në zhvillimin e muzikës shkodrane e shqiptare. I paisun me nji kulturë të gjanë humanitare dhe muzikore, gjithnji modest e puntor i palodhun, Tonin Zadeja shoqnoi për gati 50 vite zhvillimin e muzikës në Shkodër me pjesëmarrjen e tij direkte e shpesh herë edhe si drejtues i veprimtarive dhe formacioneve, posaçrisht i grupeve korale. Mësues muzike Tonin Zadeja ishte edhe nji pikë referimi jo vetëm për nxanësit, por edhe për kolegët që e kishin gjithnji të gatshem për të marrë nga ai nji gjykim të pjekun, një këshillë miqsore apo nji vlerësim serjoz profesional. Por Tonin Zadeja, perveç punës si pedagog u shque edhe si nji studiues serjoz i historisë së muzikës shqiptare. Randësi e vlerë të veçantë ka sidomos studimi që ai i bani rolit dhe zhvillimit të lëvizjes muzikore të qytetit Shkodres që nga fillimet e saj deri në vitet -40 të shekullit të kaluem. Në kohen e diktaturës duhej shumë kujdes për të nxjerrë nga harresa e qellimshme figurat e së kaluemes. Por Profesor Tonini shfrytëzonte çdo rast për t’ja ba të njohun publikut ata figura. Kështu ai në artikullin për “Bandat muzikore…”, gjeti rastin për të folë edhe për françeskanin e madh, kompozitorin At Martin Gjoka, muzikantin ma të shquem profesionist të përjudhës fill pas Pavarësisë. Në shumë artikuj sidomos në studimin, “Lëvizja muzikore amatore dhe roli saj përparimtar e demokratik gjatë viteve 1878-1939”,(që fitoi dhe çmim në konkursin kombëtar të kritikës) e në të tjerë shkrime, ai vazhdonte të nxirte në dritë figura që e tregonin Shkodren si djepin e vertetë të artit dhe kulturës. Nderkaq T. Zadeja publikonte studime edhe për muzikantin Frano Ndoja, kompozitorin e mirënjohur Palokë Kurti e figura të tjera. Në vitin 1983, mundi të botojë vetëm një ekstrat të studimit ma të dashtun të tij me titullin : “Martin Gjoka”(1890-1940). Por studimi i vertete i plotë për këte figurë mundi ta shohë driten vetëm në vitin 1995. Tonin Zadeja, tue qenë për ma se 30 vite mësues muzike, u shque edhe në lamin e botimeve muzikore me karakter shkollor, tue bashkëpunue shpesh herë edhe me kolegë të tjerë, deri tek kontributi i tij si bashkautor në vepren “Historia e Muzikës Shqiptare”. (Ne foto muzikantet Robert Prendushi dhe Tonin Zadeja) Mbas daljes në pension, e sidomos me frymen e re të krijuar mbas shembjes së diktaturës, veprimtaria studimore e Tonin Zadejës u shtue edhe ma shumë. Pa u lodhë rimerr në dorë punimet e maparshme, i shton elemente të rinjë ose opinione që nuk mund t’i jepte në botimet e para dhe të gjithë këto materjale i riboton. Në njëzet vitet e fundit T. Zadeja boton më shumë se asnjë herë. Dhe fushat e studimit të tij shkojnë nga analiza e veprave dhe figurave si “Prenkë Jakova….” , “Tish Daija…”, “In memoriam. “Lukë Kaçaj”, “Muzikologu Gjon Kujxhia…”, e studime te tjera historike etj. Në vitin 2000, në bashkëpunim me muzikantin Tonin Daija, boton vëllimin “250 Këngë Qytetare Shkodrane”, një kontribut shumë i vlefshëm për kulturën kombëtare muzikore. Prej vitesh Tonin Zadeja ishte Kryetari i Shoqatës: “Dashamirët e këngës shkodrane”. Vlerësimi që i asht ba këti studiuesi të apasionuar të artit e kulturës me titullin e nderit “Mirënjohja e Qytetit” dëshmon për emnin e mirë që profesor Tonin Zadeja i la familjes, qytetit e vendit tonë, kjo figurë e paster dhe shqueme. I përjetshëm qoftë kujtimi i Tonin Zadejes!