Muhammedi a.s. midis njerëzve si xhevahiri midis gurëve

ajni sinani <[email protected]>
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <[email protected]>

Muhammedi a.s. 
midis njerëzve si xhevahiri
midis gurëve

 

“Vërtet, Allahu e bekon të dërguarin dhe
engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me ‘selam’!”
(El Ahazb: 56).    

 

Ajni Sinani

I Dërguari i
Zotit, Muhammedi a.s., është krijesa më e përsosur që meriton respektin e çdo
njeriu të ndershëm e objektiv. Ai është pejgamberi dhe njeriu me ndikimin më të
madh në gjithë historinë njerëzore. Ka qenë udhëheqës shteti i urtë, komandant
i paparë, gjykues i drejtë, bashkëshort i shkëlqyer dhe prind i mëshirshëm. Ka
qenë falës, guximtar, trim, mik i ndershëm dhe fqinj besnik. U emërua me emrin
Muhammed/i lavdëruar sepse atë e lavdërojnë banorët e qiellit dhe të tokës. Një
personalitet i tillë është paraqitur vetëm një herë në historinë njerëzore dhe
asnjëherë më nuk do të paraqitet një i ngjashëm me të. Allahu e veçoi me
dhënien e mesazhit të pejgamberisë dhe e pajisi me virtyte të larta të cilat
nuk mund të shprehen me gjuhë dhe as të shkruhen me penë.  

 

Lindja 

Në kohën kur bota
ishte zhytur në errësirën e politeizmit dhe padijes, kur morali kishte rënë në
shkallën më të ultë, në vitin 571, më 12 Rebiul Evvel, të Vitit të Elefantit,
pak javë pasi që Zoti kishte shkatërruar Ebrahanë dhe ushtrinë e tij idhujtare,
lindi krijesa më e mirë e Zotit në këtë gjithësi. Në një familje me zë, në
qytetin më të shenjtë të botës, në Mekë, lindi Pejgamberi i të gjitha kohëve,
Muhammedi a.s., vula e pejgamberëve. Me ardhjen e tij u ndriçua gjithësia dhe u
gëzuan të gjitha krijesat në tokë e në qiej. Pas kësaj dite njerëzimi nuk do të
ishte më kurrë sikurse kishte qenë më herët.

Kur robëresha ia
dha Ebu Lehebit lajmin për lindjen e Muhammedit a.s., ai e liroi atë. Prandaj
shkatërrimi i ushtrisë idhujtare në vitin kur lindi Muhammedi a.s. dhe lirimi i
robëreshës ditën e lindjes së Muhammedit a.s., padyshim se ishin paralajmërim
se tashmë po afrohej koha që politeizmi dhe skllavëria ndaj njerëzve t’ia
lëshonin vendin besimit ndaj Allahut dhe robërisë vetëm ndaj Krijuesit të
gjithësisë. 

Muhammedit a.s. i
vdiq babai, Abdullahu, para se të lindte. Në moshën gjashtëvjeçare i vdiq e
ëma, Eminja, kurse në moshën tetëvjeçare atij i vdiq edhe gjyshi, Abdul
Mutalibi, që përkujdesej për të. Caktimi i Zotit ishte që Muhammedi a.s. të
edukohej dhe të pajisej me moral e etikë nga vetë Krijuesi dhe askush
nga njerëzit të mos kishte ndikim tek ai, sikurse kishte ndodhur edhe me Musain
a.s. Prandaj, Muhamedi a.s. thotë: “Zoti im më ka edukuar me edukimin më të
mirë.” 

Ai asnjëherë nuk u
ishte lutur dhe nuk i kishte adhuruar idhujt dhe putat që i adhuronin
kurejshët. Ai i kishte vlerësuar ata si jo të denjë për t’u adhuruar, pasi ata
nuk shihnin, nuk dëgjonin dhe nuk mund të sillnin as dëm e as
dobi.    

I dërguari i Zotit
ishte madhështor. Ai ishte gërshetim i virtyteve të ndritshme dhe pasqyrë e
shëmbëlltyrës së lartë. Fytyra e tij shndriste si hëna e plotë. Ai kishte një pamje
të bukur dhe buzëqeshja asnjëherë nuk i hiqej nga buzët. Zoti e kishte pajisur
me mençuri e urtësi hyjnore. Ndonëse nuk dinte shkrim e lexim, ai e mësoi
gjithë botën dhe, me lejen e Krijuesit të gjithësisë, i nxori njerëzit nga
errësira në dritë. Nga një shoqëri e vrazhdë nxori sahabët, gjeneratën më të
mirë që njeh historia njerëzore, që e shkruan historinë me shkronja prej drite
si të ishin yje. 

Pejgamberi a.s. qe
posedues i moralit më të lartë. Ai ka thënë: “Allahu më ka dërguar për
ta plotësuar moralin e bukur”. Aishja r. a., kur është pyetur për moralin e
Pejgamberit a.s., ka thënë: “Morali i tij ishte Kur’ani". Pejgamberi
kishte arritur shkallën më të lartë të dashurisë ndaj Krijuesit. Zemra e tij
ishte e lidhur vazhdimisht me Allahun. Kjo ngase gjatë tërë jetës së tij nuk
vërejmë gjë tjetër përveç adhurimit të Zotit. Dhe kjo nuk është për t’u çuditur
kur të kujtojmë fjalët e Krijuesit: “Thuaj: ‘Në të vërtetë namazi im,
kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të
botëve.” (El Ena’m: 162).

Muhammedi a.s. nuk
ka qenë i motivuar nga të mirat materiale të kësaj bote, apo nga fama dhe
lartësimi i emrit të tij, sepse edhe para se të bëhej pejgamber, por edhe pasi
e çliroi Mekën, edhe pse kishte mundësi të jetonte në pasuri, ai jetoi në
mënyrë modeste. Madje edhe pse i ishin falur mëkatet e shkuara dhe të ardhshme,
ai falej dhe lutej duke i kaluar netët në adhurim aq sa i ënjteshin këmbët. Kur
Aishja ia kishte përmendur këtë fakt, ai i kishte thënë: “O Aishe, a nuk duhet
të jem rob mirënjohës ndaj Allahut?!” Kur kurejshitët i ofruan pushtet e
pasuri, me kusht që të hiqte dorë nga misioni i besuar, ai tha: “Sikur të më
jepnin diellin në dorën e djathtë, kurse hënën në dorën e majtë, që të heq dorë
nga misioni im, unë nuk do ta bëja këtë”. 

 

Mëshirë e dhuruar për botët 

Muhammedi a.s.
është dritë dhe mëshirë e dërguar. Ai është dërguar mëshirë për mbarë
njerëzimin:  وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِلْعَالَمِينَ
“Dhe Ne nuk të dërguam ty (Muhammed) veçse si mëshirë për botët.” (El Enbija:
107). Allahu e bëri Muhammedin a.s. krijesën më të përsosur dhe shembullin më
të bukur për njerëzimin: (El Ahzab: 21). E zgjodhi të jetë përgëzues dhe
qortues, e zgjodhi pishtar drite në
rrugën e Zotit: (El Ahzab: 46). 

Gjatë jetës së
vet, Muhammedi a.s. ka disponuar një sjellje dhe moral që e kishte mahnitur
edhe armikun më të përbetuar të tij dhe e kishte bërë mikun e tij më të dashur.
Ai ishte cilësuar me epitetin “El Emin”, i besueshmi dhe i drejti. Ai solli nga
Allahu dritën e fesë islame. E këshilloi ummetin dhe e kreu me ndershmëri
misionin që i ishte besuar. Me fjalët e tij të ëmbla dhe me stilin tërheqës, ai
e sqaroi me hollësi fjalën e Zotit dhe nuk la vend për dyshim dhe paqartësi. Ai
na la, sikurse na thotë: “Ju kam lënë në rrugën e qartë dhe të ndritshme, në
të cilën edhe nata është sikurse dita dhe askush nuk devijon nga ajo
përveç atij që është i humbur.” 

 

Butësia dhe mëshira e tij ndaj besimtarëve

Rreth butësisë dhe
mëshirës së tij ndaj besimtarëve, Allahu i madhërishëm thotë: "فَبِمَا رَحْمَةٍ مِنَ اللَّهِ لِنْتَ لَهُمْ وَلَوْ كُنْتَ
فَظّاً غَلِيظَ الْقَلْبِ لَانْفَضُّوا مِنْ حَوْلِكَ  “Në saj të
mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhammed). Sikur të ishe i
ashpër dhe i vrazhdë, ata do largoheshin prej teje.” (Ali Imran: 159); لَقَدْ جَاءَكُمْ رَسُولٌ مِنْ أَنْفُسِكُمْ عَزِيزٌ عَلَيْهِ
مَا عَنِتُّمْ حَرِيصٌ عَلَيْكُمْ بِالْمُؤْمِنِينَ رَؤُوفٌ رَحِيمٌ
“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për
gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni
rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Et Tevbe:
128).

 

Dhembshuria e tij për njerëzimin

Muhammedi a.s.
ishte ngarkuar me shpalljen më madhështore për të gjithë njerëzit, prandaj ai nuk
ishte hakmarrës. Dëshira e tij ishte që t’i largonte nga mendjet dhe zemrat e njerëzve
pengesat dhe drynat, që t’i shpëtonte të humburit dhe të hutuarit, prandaj agresorit
i përgjigjej me falje, së keqes me të mirë. 

Kur ishte kërkuar
nga i dashuri i Allahut që të mallkonte, ai kishte thënë: “Unë nuk jam dërguar
për të mallkuar. Unë jam pejgamber i mëshirës”. Në betejën e Uhudit, sahabët i
thanë: O i Dërguar i Allahut, a s’po i mallkon idhujtarët? Ai u qe përgjigjur:
“Unë nuk jam dërguar si një mallkues, por si një thirrës dhe mëshirë! O Zoti
im! Fale popullin tim se nuk di se ç’bën!”  

Kur i Dërguari i
Allahut kishte shkuar në Taif, për ta thirrur popullin e tij në fenë islame,
ata kishin nxitur fëmijët e tyre që ta goditnin me gurë. Xhebraili a.s., më
pas, i thotë Muhammedit a.s.: “A ta shkatërroj këtë popull, duke i bashkuar
këto dy bjeshkë njëra me tjetrën“? Ai thotë: “Unë nuk jam dërguar për ndëshkim,
po për mëshirë”. Madje, Pejgamberi a.s. lutet duke thënë: “O Zoti Im! Bjere në
rrugë të vërtetë këtë popull. Unë shpresoj që nga ata të dalë një brez
besimtarësh.” Edhe me rastin e çlirimit të Mekës, ai, me zemërgjerësi, ua fali
banorëve të saj të gjitha veprimet armiqësore duke u thënë: “Shkoni, jeni të
lirë!” 

 

Sjellja e tij me hipokritët

Pejgamberi a.s.
nuk përdori forcën, pavarësisht nga provokimet e munafikëve. Nuk i urdhëroi muslimanët
që t’i luftonin apo t’i vrisnin munafikët/hipokritët, apo prijësit e tyre. Ai nuk
ua konfiskoi atyre pasurinë dhe as nuk u mohoi atyre ndonjë të drejtë. Ata
gëzonin të drejta të plota si shtetas, siç i gëzonin të gjithë muslimanët e
tjerë. Ata merrnin pjesë në xhami, jepnin opinionet e tyre për çështjet e
bashkësisë dhe merrnin pjesën e tyre të presë së luftës nga arka shtetërore. Madje
i Dërguari i Zotit sillej ndaj tyre me bamirësi dhe i trajtonte ata me një
sjellje fisnike. Me tolerancën, humanitetin, thjeshtësinë dhe çiltërsinë e tij,
ai arriti të bënte për vete edhe armiqtë më të përbetuar. 

 

Mëshira e tij ndaj fëmijëve

Kur Pejgamberi
a.s. hyri te biri i tij Ibrahimi, ndërkohë që ai po jepte shpirt, ai e mori atë
dhe e puthi. Sytë e Pejgamberit a.s. u përlotën. Në atë rast, Abdurahman Ibn
Aufi i tha: “O Pejgamber i Allahut, po qan?!” Kurse Pejgamberi a.s. tha: “O Ibn
Auf, kjo është mëshirë. Syri loton, zemra pikëllohet, por nuk themi gjë tjetër,
vetëm atë me çka është i kënaqur Zoti ynë. Ne jemi të mërzitur për ndarjen
tënde, o Ibrahim”. 

Enes ibn Maliku
thotë se nuk kishte parë njeri më të mëshirshëm me të vegjlit se Pejgamberi
a.s. Ai tregon se kishte një vëlla të vogël që quhej Umejr, i cili kishte një
zog të vogël të sëmurë që quhej Nugejr. Pejgamberi a.s., sa herë e shihte atë,
e pyeste për Nugejrin. Një ditë Umejri po qante dhe Pejgamberi e pyeti: “Çfarë
ke, o Umejr, që po qan?” Ai iu përgjigj: “Ka ngordhur Nugejri (zogu), o i
Dërguar i Allahut...” Pejgamberi a.s. filloi të luante me të. Sahabët u çuditën
kur panë se i Dërguari i Zotit po luante me një fëmijë dhe e pyetën: “Si është
puna, o i Dërguar i Allahut”? Ai iu përgjigj: “Ka ngordhur Nugejri dhe unë
desha që ta bëj Umejrin të luajë”.

 

Pasimi i tij

Misioni i
Muhamedit a.s. ka qenë sikurse misioni i Ibrahimit a.s. dhe i gjithë
pejgamberëve të tjerë: t’i largonte njerëzit nga adhurimi i idhujve dhe t’i
udhëzonte në besimin e një Zoti të vetëm. Lumturia nuk mund të
realizohet përveçse me njohjen e Krijuesit dhe pasimin e të dërguarit të Tij,
prandaj Allahu e ka shoqëruar bindjen ndaj Pejgamberit me bindjen ndaj Tij,
duke thënë: قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي
يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ
“Thuaju (o Muhamed): ‘Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua që Allahu
t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe
Mëshirëplotë’.” (Ali Imran: 31). 

 

Dashuria ndaj tij

Prej të drejtave
të Pejgamberit a.s. ndaj ummetit është dashuria ndaj tij. Pejgamberi a.s. ka
thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, askush prej jush nuk
beson derisa unë të mos jem më i dashur tek ai se babai i tij dhe djali i tij,
dhe të gjithë njerëzit.” (Buhariu). Omeri r.a. kishte thënë: “O i Dërguari i
Allahut! Ti je më i dashur për mua se gjithçka tjetër, përveç vetes sime.”
Pejgamberi a.s. i thotë: “Jo, pasha Atë që ka shpirtin tim në dorën e Tij,
derisa të jem më i dashur për ty se vetja jote.” Omeri më pas thotë: “Tani ti
je më i dashur për mua se vetja ime.” Pejgamberi a.s. i thotë: “Tani po, o
Omer.”

Një person shkoi
tek i Dërguari i Allahut dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Kur është
Kiameti?" Pejgamberi a.s. i tha: “Çfarë ke përgatitur për të?!” Ai iu
përgjigj: “Nuk kam përgatitur shumë vepra, veçse unë e dua Allahun dhe të
Dërguarin e Tij.” Pejgamberi a.s. i tha: “Robi do të jetë me atë që e do.”
Enesi, treguesi i kësaj ngjarjeje, ka thënë: “Nuk jemi gëzuar kurrë aq shumë me
diçka, sesa u gëzuam me ato fjalë të Pejgamberit a.s. Çdo musliman i sinqertë,
i ngazëllyer nga këto fjalë të Pejgamberit a.s., deklaron se e do Allahun dhe
të Dërguarin e Tij më shumë se vetja dhe se çdo gjë tjetër.  

Prej të drejtave
të Pejgamberit a.s. ndaj ummetit është edhe respekti ndaj të afërmve të tij,
grave të tij dhe familjes së tij, të cilët Allahu xh.sh. i ka nderuar dhe i
ka pastruar: (El Ahazb: 33). 

 

Ata që e njohën atë

Të gjithë ata
qindra e mijëra njerëz që e pranojnë Islamin çdo ditë anekënd botës tregojnë se
një prej arsyeve pse bëhen muslimanë është fakti se ata janë mahnitur nga njeriu
më i përkryer. Sa më shumë që lexojmë dhe mësojmë për Muhamedin a.s., - thonë
ata, - aq më shumë na shtohet respekti, mirënjohja dhe dashuria ndaj tij. Prandaj,
nuk është rastësi që në vende të ndryshme evropiane, emri Muhammed radhitet i
pari në ranglistën e emrave. 

Askush nuk duhet
të çuditet kur sheh se si muslimanët në çdo gjë, madje edhe në sjelljet e tyre,
mundohen të imitojnë Pejgamberin a.s. Kjo është kështu sepse përmes Muhamedit
a.s. Allahu i madhërishëm na bëri ummetin më të mirë dhe na ngarkoi me misionin
që t’i ftojmë njerëzit në adhurimin e Allahut, ashtu sikurse i tha sahabiu
Reb'i kur iu drejtua Rustemit, komandantit dhe mbretit të persianëve, me këto
fjalë: “Allahu na ka dërguar që t’i nxjerrim robërit nga adhurimi i njerëzve në
adhurimin e Allahut... nga padrejtësia e feve të devijuara në drejtësinë e
Islamit, nga ngushtësia e dynjasë në gjerësinë e ahiretit”.

Nëse Muhammedi
a.s. do të kishte qenë vetëm një gjeni, filozof apo reformator, ai nuk do të
mund ta arrinte atë që ka arritur në histori. Vepra dhe ndikimi i tij nuk do të
vazhdonte për 14 shekuj sikur ai të mos ishte i Dërguar i Zotit.  
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.