Bujar Kaloshi nderohet me titullin "Dëshmor i Atdheut"
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i dorëzoi titullin "Dëshmor i
Atdheut" familjarëve të Bujar Kaloshit, ish-drejtorit të Përgjithshëm të
Burgjeve, i vrarë me armë zjarri më 26 korrik 1996 në Tiranë. Pjesëmarrës në
ceremoninë e organizuar mbrëmje e djeshme në Shtëpinë e Oficerëve në Tiranë,
ishin kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kreu i Bashkisë së Tiranës,
Lulzim Basha, anëtarë të kabinetit qeveritar etj. Në fjalën e tij, ministri
Halimi u shpreh se, "data e sotme mban mbi vete një kujtim tejet të
trishtuar. Jo vetëm largimin nga jeta të një prej njerëzve më të devotshëm dhe më të
përkushtuar të sistemit të drejtësisë, por dhe të një prej themeluesve të
shoqatës antikomuniste në Shqipëri dhe Partisë Demokratike në Lushnjë".
"Kjo datë mban mbi vete dhe peshën e rëndë të aktit më të rëndë kriminal, atë
të ekzekutimit nga krimi i organizuar të shtetarit, i cili qëllim të jetës
së tij pati detyrën e lartë shtetërore të drejtorit të Përgjithshëm të
Burgjeve. Ndaj edhe sot, pas 15 vjetësh është e vështirë të pajtohesh me
ndarjen nga jeta të Bujar Kaloshit", u shpreh Halimi. Duke vlerësuar lart
figurën e Bujar Kaloshit, ministri Halimi tha se, "Ne jemi mbledhur këtu për të
nderuar pikërisht jo vetëm shtetarin dinjitoz që dha jetën në emër të
detyrës së lartë, por edhe atë punë që i ka dhënë atij titullin 'Nderi i
Kombit', atë përkushtim të tijin prej martiri demokracie". Ish-drejtori i
Përgjithshëm i Burgjeve, Bujar Kaloshi, mbeti i vrarë më 26 korrik 1996 në Tiranë,
në një atentat me armë zjarri ndaj tij.
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not
affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for
the content of articles, which is written by their respective authors.