[AlbClub] Armiqtë hapin zemrat - vazhdim

"Pellumb Kulla" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <[email protected]>
                  *** AlbClub Discussion List ***



    Ndërkohë që ju të gjithë miqtë e mi të Albclubit merreshit me
fillimin e botës, ju lexoja me admirim e prisja nga ju fillin, që ta
ndiqja e të ndalesha jo në fillim të gjithësisë por në fund të ferrit
komunist të Shqipërisë, në gjyqin e Kadri Azbiut e në procesverbalet
nga ato séanca oreuelliane.
    Unë ju a drejtova vemendjen  nga tema e rrëfimeve të kryekrerëve,
por ju të zënë me gjëegjëzën që thamë, nuk shfaqët asnjë interes. Unë
ngul këmbë!
     Mëkatë! Për nder është mëkatë. Aty nuk ka fiction. Tentativa ime
për fiction ishte e mjerë. Shumë e zbetë përpara procesverbaleve që
boton "Panorama"
      Dhe nuk e bëj, siç thashë, për zbavitje. Dakord që ato të
zbavisin edhe po të mos duash ti, por në radhe të parë ata karaktere
duhen studjuar me imtësi, për ta kuptuar më së miri atë botë që "nuk
filloi nga hiçi", por më 1941 e kur u përmbys  nuk shkoi në hiç. Po ta
vesh re e sheh se tërë gjurmët, na i la pas në klasën aktuale politike
që dëshmon boshllëqe karakteriale, mungesë humanizmi, një dobësim,
(për të mos thënë asgjësim) të frikshëm të ndjenjaës kombëtare. Dhe në
konstaton sot, pabesi, mashtrim, lënie në baltë, tradhëti shokësh,
silurime postesh, në jetën dhe përplasjet e sotme politike për
pushtet, fillesat do t'i gjesh në atë palo edukim të stërzgjatur
politik enverian, në kudhrën e të cilit u gatuan pjesa më e madhe e
atyre që lozin sot me fatet e kombit arbëror. Tek më të rinjtë duket e
madhe influenca e prindërve të tyre,  kuadro të Enverit dhe ata.
       Në përgjigjet e Feçorr Shehut shikon se si zbatohet gjithë
kërkesa mizore që u bëhej  vdekatarëve të thjeshtë, punëtorëve
fshatarëve. Në terren kërkohej që bijtë pionerë të denonconin
prindërit, gratë të shisnin burrat, vëllezërit e barkut t'i hanin
kokën njëri tjetrit. Dhe ja, lart fare, në majë të piramidës: Fiqreti
ngarkon Mehmetin me akuzën se desh të helmonte të parin; Mihallaq
Ziçishti godet të vëllanë Llambin; Aranit Çela i kërkon shokut të
reparteve partizane të Vlorës, Kadri Azbiut, qimen në vezë. Pale kur
vjen puna për më shumë:
-	Nashti lidhur me atë çështjen e Sinës të Peshkopisë që ti ke folur e ku e di
unë. Ky fshat u dogj Kadri Hazbiu, apo s'u dogj?…- (Panorama 9 janar
08) Gjëmon në akuzën pas 40 vjetësh të kësaj ngjarje, Aranit Çela. E
krimineli Çela, nuk ia kish kërkuar këtë llogari më parë kriminelit
Azbiu.
Kurse Rrapi Mino, Kryeprokurori  i nxjerr Feçorr Shehut një mëkat që nuk do t'ia
nxirrte kurrë po të qe se Biri i Aneve nuk do të kish vendosur të
hante dhe ca koka të tjera para se të ndahej nga ne.
-	Feçorr Shehu ka përdhunuar vajzën e instruktorit të Komitetit Qendror! A
mund të tolerohet kjo?! (Rrapi Mino, 7 janar 08).
Unë mendoj se deri atë ditë kjo lejohej…
Të gjithë fajësojnë njëri tjetrin. Edhe janë groteskë, komikë!…Kanë rreshtur
së përmenduri udhëheqësin e tyre me parashtesën "shoku"  dhe i
drejtohen si "Sekretari  i  Parë". Dhe sa herë u duhet të zenë në gojë
Mehmet Shehun, nuk e harrojnë versionin e ri  që zëvëndëson
parashtesën e deriatëherëshme. I thonë herë "armik", herë "poliagjent"
dhe herë "tradhëtar"  Hera herës, ia thonë të tria bashkë!
-	Për këtë njoftova tradhëtarin, armikun Mehmet Shehu! (M. Ziçishti, Panorama 19
janar).
-	Kisha urdhër nga poliagjenti Mehmet Shehu. (F. Shehu, Panorama, 26 dhjetor
07)
-	Nuk mund të mos zbatoja porosinë e armikut…! (Gani Kodra, 13 dhjetor 07)
Është e trishtueshme, se si nuk gjen te këta burra një tharm heroizmi edhe pse
patën pare gjithata filma e lexuar libra plot, mbi Matrazovin e Vojo
Kushin, mbi qëndrimin burrëror nëpër gjyqe të Pavel Vllasovit, të
Dimitrovit e Qemal Stafës! E kur i krahason këta me klerikët e famshëm
katolikë në gjyqet e pasçlirimit! O Zot ku është katandisur raca
shqiptare! Fare mirë mund të themi se nuk na ha meraku për
perversitetin e 10-15 lolove, por nuk duhet të harrojmë se këta lolo,
ishin personat më publikë të atyre dhjetëvjeçarëve, ishin më të njohur
e më të parë se çdo artist, se çdo këngëtar, se çdo futbollist, se çdo
shkrimtar. Ishin portrete që na zunë muret e zyrave, dhomave dhe janë
mbajtur përmbi krye në parada e parakalime. Kombinatet e shtypit
prodhonin qindra mijë portrete dhe albume të këtyre qënieve të mjera,
që në procesverbale, shohim të thërmohen si kështjellat rëre.
      I vetmi që ruan aty, njëfarë dinjiteti, megjithë mëkatet e tij
të rënda ndaj nesh, është Kadri Azbiu, i cili edhe pse e di fundin
përmbahet e megjithatë, si qindra shokë të Stalinit në Rusi dhe
Enverit më parë, përsërit me pathos idiot, një pohim që aq sa i
vërtetë, është i dhimbshëm dhe qesharak:
-	Enver Hoxhën unë e kam dashur si dritën e syve! (Gazeta e 8 janarit 08)
Ky është i vetmi që nuk akuzon Mehmet Shehun për armik e tradhëtar. Ky është
i vetmi që e quan atë që po zhvillohet, inskenim diletant. Megjithatë
duket që është i ndërgjegjshëm që asnjë përgjigje logjike nuk do t'i
merret parasysh e nuk do ta shpëtojë dot nga pushkatimi. Vënde-vënde,
ai shfaq bile një ndjenjë humori të jashtëzakonshme. Kështu në
deponimet idiote të ndihmësit të tij, Ziçishtit, që e portretizon
veten armik të betuar, që punonte "si zëvëndës i armikut Azbiu nga që
që të dy bënin pjesë në një organiztaë armiqësore", Kadriu i drejtohet
kryetarit:
-	Ky thotë se ka ardhur e më ka ngritur çështjen që ka mungesa puna e punëtorëve
operativë në terren. Si armik që ishte ky, si është e mundur që vjen e
ankohet për një problem të tillë? Tani, ky armik ishte, apojo?
(Panorama, 19 janar).
Në atë gjyq gjeje dialogje të rrallë, të denjë për dramat e Joneskut.
Nga filmimet
e shfaqura në vitin 1993 të këtyre pamjeve tani sjell ndërmend
përplasjen e Aranitit me Feçorrin.
FEÇORRI : Më kanë torturuar që mos e pyet. Më kanë rrahur e rrahur…
ARANITI: Mjaft na tregove përralla, nashi! Ti ke qenë vetë ministër…
FEÇORRI: Eeee… Kam qenë!
ARANITI: I brendshëm!
FEÇORRI: Si urdhon! I brendshëm.
ARANITI: Pa kujtohu mirë, Feçorr Shehu: lejohej tortura, me ligj, në
kohën tënde?
FEÇORRI: Në kohën time… nuk lejohej!
ARANITI: As nashi nuk lejohet.  Vazhdojmë me tjetrin!
        Ky kryetar i nderuar, (që "u dënua njëherë me vdekje" për të
siguruar votat e 1996), tani është i nderuar dhe pa thonjëza! E shëtit
 i lirë e i patrazuar mu në mes të Tiranës, për turpin e brezave të
sotëm të kombit shqiptar, (me mua bashkë!). Ky pasi shpëtoi nga
thonjëzat, jo vetëm që shëtit, por thirret për intervista televizive e
unë shpohem në hundë po nuk e patën thirrur të kumtojë edhe në ndonjë
simpoziumndërkombëtar për implementimin e të drejtave të njeriut! Ky
kryejurist i atyre viteve i jep një përgjigje të prerë, (siç shihet në
Panoramën e 29 dhjetorit 07), Llambi Peçinit, i cili ankohet për
prokurorin Rrapi Mino që po e akuzon me një deklaratë të gjatë..
PEÇINI: (Kryetarit Çela). Ka ndonjë fakt, prokurori?…
ARANIT ÇELA: Prokurorit nuk i kërkohen fakte! As vihet në polemikë me ty!…
           Kujtojmë  miqtë e Albclubit (40 vjeç e poshtë, por edhe
ndonjë më lart), se atëkohë, avokatët nuk ekzistonin. Të akuzuarit nuk
kishin mbrojtësa zyrtarë. Sipas ligjit, mbrojtjen e bënte vetë
kryetari i gjyqit. (Dhe shihet qartë që Araniti mban të pandehurin,
kurse Rrapi i bie…)
           Po në këtë procesverbal të transkriptur, po më datën 29
dhjetor  të Panoramës, prokurori Mino ka një ligjëratë të gjatë në
mbrojtje të hetuesve, viktima të shpifjeve, sikurgjoja keqtrajtonin
byroistët e burgosur:
-	Shoku kryetar ne nuk habitemi fare që spiunë të tillë, si i pandehuri, Llambi
Peçini, të bëjnë shpifje të kësaj natyre. Këto shpifje monstruoze ndaj
organeve të hetuesisë ne i kemi dëgjuar edhe nga të tjerë…
Dhe i gjithë trupi gjykues kthehej me neveri nga Peçini që bënte një shpifje të
tillë monstruoze, njësoj si një ditë më pare pat shpifur Feçorr Shehu,
njësoj si patën shpifur drejtorat e industrisë së naftës, njësoj si
krerët katolikë të Shkodrës. Të gjithë shpifnin ndaj hetuesve me
kostume doku që me një të parë, të jepnin përshtypjen e ëngjëjve.
      Analoge me ankesën e Minos është një skenë më madhore akoma, në
Byronë Politike, një ditë para se Enveri me shokë të vetëvrisnin
Mehmet Shehun. Mehmetin e ka humbur torruan dhe Ramizi e qorton se
kryeministri paskësh thënë, se Sigurimi po e ndjekërke dhe po ia
përgjoke telefonat. Duket që Enveri nuk e ka ndjekur bisedën, por sapo
i ze veshi Sigurimin, pyet:
ENVERI: Si si qe kjo?
RAMIZI: Ankohet për Sigurimin, shoku Enver.
ENVERI: Për cilin Sigurim, mo? Për Sigurimin tonë?! Ç'janë këto, mo?!
Ç'të keqe paskemi ne nga Sigurimi inë?! Po edhe në na përgjoftë
telefonat, për të mirën tonë na i përgjon, mo! Për të mirën e
popudhit! Ki Mehmeti qënka bërë mos e piet!
         	Faqe të arta të historisë së popullit tonë!
	Do të ishin faqe origjinale, ama, sikur të mos ekzistonin skenat
paralele në Bashkimin e lavdishëm të Sovjetëve.  Enzo Biaxhi në një
libër, që tani s'i kujtoj dot titullin, tregon një episod, kur të
mëdhenjtë e BS me në krye Stalinin bëjnë një pushim në kafenë e
Kremlinit, pas një mbledhje të lodhëshme. Beria, ministri i Brendshëm
i Stalinit, me filxhan në dorë i afrohet anëtarit më të vjetër të
Byrosë, Presidentit të Bashkimit Sovjetik, Voroshilovit dhe i thotë,
si për muhabet: "Klement Ivanoviç, çfarë do të thoshe ti, sikur një
ditë të vija në apartamentin tënd e të të hidhja hekurat si agjent i
imperializmit amerikan?" Voroshillovi ia kthen: "Do të thosha është
shpifje dhe arrestimi është i padrejtë" Beria qeshi: "A i ke vënë re
amerikanët se si thonë nëpër gazeta, që tek ne njerëzit arrestohen
kot, me akuza fallso? Ti do t'u bëje qefin amerikanëve?!" Voroshillovi
mbeti: "E ç'duhet të bëj unë sipas teje, Lavrenti Pavlloviç?" "Të mos
bësh asgjë. Ta pranosh akuzën. Kështu ndihmohet partia!"
            Kohëra dhe zakone! Stane dhe bulmete!…

Pëllumb Kulla
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.