Re: [AlbClub] Armiqtë hapin zemrat - vazhdim

Cun Tirone <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <[email protected]>
                  *** AlbClub Discussion List ***


Edhe mua nuk me rrihet pa i lexuar bemat e "armiqve." 

Te them te drejten, ndjeja e pare, sapo i hap, eshte nje lehtesim, 
i tipit: O Zot shyqyr qe e ke bere enderr te keqe, pra ka mbaruar.

Gjithe ajo kohe ishte nje variacion i ketyre qameteve qe po publikohen.

Pavaresisht nga cfryrjet tona mbi si duhet te ishte e si eshte, 
jemi me fat te madh qe shpetuam nga ferri. Bile, mbase e kemi konsumuar
gjithe pjesen tone te fatit me kete. Si rrjedhoje, Shqiperia do te mund te 
behet vetem per brezat e ardhshem.

Sa per "armiqte," besoj se nuk do te kishte Nuremberg me te 
mire se sa i kane bere vehtes, ne kete fare feje. Duket se Ai lart, 
si puna e patkoit te barcaletes, nganjehere e ben pune, pavaresisht 
nese e beson apo jo. 

Gjithashtu, besoj se jo vetem kur u erdhi rradha per koken ne sini, 
por gjithe jeten keto vemje kane qene me frike ne zemer, se 
e kane njohur shume mire c'kishin ndertuar vete. 
Gjithashtu, ja dinin huqet vampirit.  


Do te ishte mire sikur te gjitha keto qamete te permblidheshin ne 
nje liber te zi te komunizmes, apo ferrit shqiptar. Te jete aty, se robt jane 
te cuditeshem, harrojne shume shpejt. 


Çun Tirone





> Date: Wed, 23 Jan 2008 01:27:17 -0500
> From: [email protected]
> To: [email protected]
> Subject: [AlbClub] Armiqtë hapin zemrat - vazhdim
> 
>                   *** AlbClub Discussion List ***
> 
> 
> 
>     Ndërkohë që ju të gjithë miqtë e mi të Albclubit merreshit me
> fillimin e botës, ju lexoja me admirim e prisja nga ju fillin, që ta
> ndiqja e të ndalesha jo në fillim të gjithësisë por në fund të ferrit
> komunist të Shqipërisë, në gjyqin e Kadri Azbiut e në procesverbalet
> nga ato séanca oreuelliane.
>     Unë ju a drejtova vemendjen  nga tema e rrëfimeve të kryekrerëve,
> por ju të zënë me gjëegjëzën që thamë, nuk shfaqët asnjë interes. Unë
> ngul këmbë!
>      Mëkatë! Për nder është mëkatë. Aty nuk ka fiction. Tentativa ime
> për fiction ishte e mjerë. Shumë e zbetë përpara procesverbaleve që
> boton "Panorama"
>       Dhe nuk e bëj, siç thashë, për zbavitje. Dakord që ato të
> zbavisin edhe po të mos duash ti, por në radhe të parë ata karaktere
> duhen studjuar me imtësi, për ta kuptuar më së miri atë botë që "nuk
> filloi nga hiçi", por më 1941 e kur u përmbys  nuk shkoi në hiç. Po ta
> vesh re e sheh se tërë gjurmët, na i la pas në klasën aktuale politike
> që dëshmon boshllëqe karakteriale, mungesë humanizmi, një dobësim,
> (për të mos thënë asgjësim) të frikshëm të ndjenjaës kombëtare. Dhe në
> konstaton sot, pabesi, mashtrim, lënie në baltë, tradhëti shokësh,
> silurime postesh, në jetën dhe përplasjet e sotme politike për
> pushtet, fillesat do t'i gjesh në atë palo edukim të stërzgjatur
> politik enverian, në kudhrën e të cilit u gatuan pjesa më e madhe e
> atyre që lozin sot me fatet e kombit arbëror. Tek më të rinjtë duket e
> madhe influenca e prindërve të tyre,  kuadro të Enverit dhe ata.
>        Në përgjigjet e Feçorr Shehut shikon se si zbatohet gjithë
> kërkesa mizore që u bëhej  vdekatarëve të thjeshtë, punëtorëve
> fshatarëve. Në terren kërkohej që bijtë pionerë të denonconin
> prindërit, gratë të shisnin burrat, vëllezërit e barkut t'i hanin
> kokën njëri tjetrit. Dhe ja, lart fare, në majë të piramidës: Fiqreti
> ngarkon Mehmetin me akuzën se desh të helmonte të parin; Mihallaq
> Ziçishti godet të vëllanë Llambin; Aranit Çela i kërkon shokut të
> reparteve partizane të Vlorës, Kadri Azbiut, qimen në vezë. Pale kur
> vjen puna për më shumë:
> -	Nashti lidhur me atë çështjen e Sinës të Peshkopisë që ti ke folur e ku e di
> unë. Ky fshat u dogj Kadri Hazbiu, apo s'u dogj?…- (Panorama 9 janar
> 08) Gjëmon në akuzën pas 40 vjetësh të kësaj ngjarje, Aranit Çela. E
> krimineli Çela, nuk ia kish kërkuar këtë llogari më parë kriminelit
> Azbiu.
> Kurse Rrapi Mino, Kryeprokurori  i nxjerr Feçorr Shehut një mëkat që nuk do t'ia
> nxirrte kurrë po të qe se Biri i Aneve nuk do të kish vendosur të
> hante dhe ca koka të tjera para se të ndahej nga ne.
> -	Feçorr Shehu ka përdhunuar vajzën e instruktorit të Komitetit Qendror! A
> mund të tolerohet kjo?! (Rrapi Mino, 7 janar 08).
> Unë mendoj se deri atë ditë kjo lejohej…
> Të gjithë fajësojnë njëri tjetrin. Edhe janë groteskë, komikë!…Kanë rreshtur
> së përmenduri udhëheqësin e tyre me parashtesën "shoku"  dhe i
> drejtohen si "Sekretari  i  Parë". Dhe sa herë u duhet të zenë në gojë
> Mehmet Shehun, nuk e harrojnë versionin e ri  që zëvëndëson
> parashtesën e deriatëherëshme. I thonë herë "armik", herë "poliagjent"
> dhe herë "tradhëtar"  Hera herës, ia thonë të tria bashkë!
> -	Për këtë njoftova tradhëtarin, armikun Mehmet Shehu! (M. Ziçishti, Panorama 19
> janar).
> -	Kisha urdhër nga poliagjenti Mehmet Shehu. (F. Shehu, Panorama, 26 dhjetor
> 07)
> -	Nuk mund të mos zbatoja porosinë e armikut…! (Gani Kodra, 13 dhjetor 07)
> Është e trishtueshme, se si nuk gjen te këta burra një tharm heroizmi edhe pse
> patën pare gjithata filma e lexuar libra plot, mbi Matrazovin e Vojo
> Kushin, mbi qëndrimin burrëror nëpër gjyqe të Pavel Vllasovit, të
> Dimitrovit e Qemal Stafës! E kur i krahason këta me klerikët e famshëm
> katolikë në gjyqet e pasçlirimit! O Zot ku është katandisur raca
> shqiptare! Fare mirë mund të themi se nuk na ha meraku për
> perversitetin e 10-15 lolove, por nuk duhet të harrojmë se këta lolo,
> ishin personat më publikë të atyre dhjetëvjeçarëve, ishin më të njohur
> e më të parë se çdo artist, se çdo këngëtar, se çdo futbollist, se çdo
> shkrimtar. Ishin portrete që na zunë muret e zyrave, dhomave dhe janë
> mbajtur përmbi krye në parada e parakalime. Kombinatet e shtypit
> prodhonin qindra mijë portrete dhe albume të këtyre qënieve të mjera,
> që në procesverbale, shohim të thërmohen si kështjellat rëre.
>       I vetmi që ruan aty, njëfarë dinjiteti, megjithë mëkatet e tij
> të rënda ndaj nesh, është Kadri Azbiu, i cili edhe pse e di fundin
> përmbahet e megjithatë, si qindra shokë të Stalinit në Rusi dhe
> Enverit më parë, përsërit me pathos idiot, një pohim që aq sa i
> vërtetë, është i dhimbshëm dhe qesharak:
> -	Enver Hoxhën unë e kam dashur si dritën e syve! (Gazeta e 8 janarit 08)
> Ky është i vetmi që nuk akuzon Mehmet Shehun për armik e tradhëtar. Ky është
> i vetmi që e quan atë që po zhvillohet, inskenim diletant. Megjithatë
> duket që është i ndërgjegjshëm që asnjë përgjigje logjike nuk do t'i
> merret parasysh e nuk do ta shpëtojë dot nga pushkatimi. Vënde-vënde,
> ai shfaq bile një ndjenjë humori të jashtëzakonshme. Kështu në
> deponimet idiote të ndihmësit të tij, Ziçishtit, që e portretizon
> veten armik të betuar, që punonte "si zëvëndës i armikut Azbiu nga që
> që të dy bënin pjesë në një organiztaë armiqësore", Kadriu i drejtohet
> kryetarit:
> -	Ky thotë se ka ardhur e më ka ngritur çështjen që ka mungesa puna e punëtorëve
> operativë në terren. Si armik që ishte ky, si është e mundur që vjen e
> ankohet për një problem të tillë? Tani, ky armik ishte, apojo?
> (Panorama, 19 janar).
> Në atë gjyq gjeje dialogje të rrallë, të denjë për dramat e Joneskut.
> Nga filmimet
> e shfaqura në vitin 1993 të këtyre pamjeve tani sjell ndërmend
> përplasjen e Aranitit me Feçorrin.
> FEÇORRI : Më kanë torturuar që mos e pyet. Më kanë rrahur e rrahur…
> ARANITI: Mjaft na tregove përralla, nashi! Ti ke qenë vetë ministër…
> FEÇORRI: Eeee… Kam qenë!
> ARANITI: I brendshëm!
> FEÇORRI: Si urdhon! I brendshëm.
> ARANITI: Pa kujtohu mirë, Feçorr Shehu: lejohej tortura, me ligj, në
> kohën tënde?
> FEÇORRI: Në kohën time… nuk lejohej!
> ARANITI: As nashi nuk lejohet.  Vazhdojmë me tjetrin!
>         Ky kryetar i nderuar, (që "u dënua njëherë me vdekje" për të
> siguruar votat e 1996), tani është i nderuar dhe pa thonjëza! E shëtit
>  i lirë e i patrazuar mu në mes të Tiranës, për turpin e brezave të
> sotëm të kombit shqiptar, (me mua bashkë!). Ky pasi shpëtoi nga
> thonjëzat, jo vetëm që shëtit, por thirret për intervista televizive e
> unë shpohem në hundë po nuk e patën thirrur të kumtojë edhe në ndonjë
> simpoziumndërkombëtar për implementimin e të drejtave të njeriut! Ky
> kryejurist i atyre viteve i jep një përgjigje të prerë, (siç shihet në
> Panoramën e 29 dhjetorit 07), Llambi Peçinit, i cili ankohet për
> prokurorin Rrapi Mino që po e akuzon me një deklaratë të gjatë..
> PEÇINI: (Kryetarit Çela). Ka ndonjë fakt, prokurori?…
> ARANIT ÇELA: Prokurorit nuk i kërkohen fakte! As vihet në polemikë me ty!…
>            Kujtojmë  miqtë e Albclubit (40 vjeç e poshtë, por edhe
> ndonjë më lart), se atëkohë, avokatët nuk ekzistonin. Të akuzuarit nuk
> kishin mbrojtësa zyrtarë. Sipas ligjit, mbrojtjen e bënte vetë
> kryetari i gjyqit. (Dhe shihet qartë që Araniti mban të pandehurin,
> kurse Rrapi i bie…)
>            Po në këtë procesverbal të transkriptur, po më datën 29
> dhjetor  të Panoramës, prokurori Mino ka një ligjëratë të gjatë në
> mbrojtje të hetuesve, viktima të shpifjeve, sikurgjoja keqtrajtonin
> byroistët e burgosur:
> -	Shoku kryetar ne nuk habitemi fare që spiunë të tillë, si i pandehuri, Llambi
> Peçini, të bëjnë shpifje të kësaj natyre. Këto shpifje monstruoze ndaj
> organeve të hetuesisë ne i kemi dëgjuar edhe nga të tjerë…
> Dhe i gjithë trupi gjykues kthehej me neveri nga Peçini që bënte një shpifje të
> tillë monstruoze, njësoj si një ditë më pare pat shpifur Feçorr Shehu,
> njësoj si patën shpifur drejtorat e industrisë së naftës, njësoj si
> krerët katolikë të Shkodrës. Të gjithë shpifnin ndaj hetuesve me
> kostume doku që me një të parë, të jepnin përshtypjen e ëngjëjve.
>       Analoge me ankesën e Minos është një skenë më madhore akoma, në
> Byronë Politike, një ditë para se Enveri me shokë të vetëvrisnin
> Mehmet Shehun. Mehmetin e ka humbur torruan dhe Ramizi e qorton se
> kryeministri paskësh thënë, se Sigurimi po e ndjekërke dhe po ia
> përgjoke telefonat. Duket që Enveri nuk e ka ndjekur bisedën, por sapo
> i ze veshi Sigurimin, pyet:
> ENVERI: Si si qe kjo?
> RAMIZI: Ankohet për Sigurimin, shoku Enver.
> ENVERI: Për cilin Sigurim, mo? Për Sigurimin tonë?! Ç'janë këto, mo?!
> Ç'të keqe paskemi ne nga Sigurimi inë?! Po edhe në na përgjoftë
> telefonat, për të mirën tonë na i përgjon, mo! Për të mirën e
> popudhit! Ki Mehmeti qënka bërë mos e piet!
>          	Faqe të arta të historisë së popullit tonë!
> 	Do të ishin faqe origjinale, ama, sikur të mos ekzistonin skenat
> paralele në Bashkimin e lavdishëm të Sovjetëve.  Enzo Biaxhi në një
> libër, që tani s'i kujtoj dot titullin, tregon një episod, kur të
> mëdhenjtë e BS me në krye Stalinin bëjnë një pushim në kafenë e
> Kremlinit, pas një mbledhje të lodhëshme. Beria, ministri i Brendshëm
> i Stalinit, me filxhan në dorë i afrohet anëtarit më të vjetër të
> Byrosë, Presidentit të Bashkimit Sovjetik, Voroshilovit dhe i thotë,
> si për muhabet: "Klement Ivanoviç, çfarë do të thoshe ti, sikur një
> ditë të vija në apartamentin tënd e të të hidhja hekurat si agjent i
> imperializmit amerikan?" Voroshillovi ia kthen: "Do të thosha është
> shpifje dhe arrestimi është i padrejtë" Beria qeshi: "A i ke vënë re
> amerikanët se si thonë nëpër gazeta, që tek ne njerëzit arrestohen
> kot, me akuza fallso? Ti do t'u bëje qefin amerikanëve?!" Voroshillovi
> mbeti: "E ç'duhet të bëj unë sipas teje, Lavrenti Pavlloviç?" "Të mos
> bësh asgjë. Ta pranosh akuzën. Kështu ndihmohet partia!"
>             Kohëra dhe zakone! Stane dhe bulmete!…
> 
> Pëllumb Kulla
> ______________________________________________________________
> If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
> [email protected] , or visit Alb-Club's page at:
> http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club

_________________________________________________________________
Shed those extra pounds with MSN and The Biggest Loser!
http://biggestloser.msn.com/

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.