[AlbClub] Harresa e korrupsionit të ekspertëve kontabël

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <048001c85ff0$3eec9160$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Harresa e korrupsionit të ekspertëve kontabël
[Gazeta Shqiptare, 26.1.2008]

Biznesi kontrollohet dhe paraqitet me anën e dokumentimit me shkrim të 
gjendjes dhe veprimtarisë ekonomike të tij ("bilanci", apo "llogaritë 
vjetore", apo "auditimi" etj.), edhe tek ne, si kudo në botë.  Ky përshkrim 
miratohet nga persona të autorizuar, ku ata të nivelit më të lartë janë 
ekspertët kontabël të autorizuar (KA).  Nëpërmjet "firmës" së tyre paraqiten 
bizneset e mëdha që veprojnë në Shqipëri, si tek organet shtetërore të 
tatim-taksave (OTT), si dhe në shumë të tjera.  Nëse ne kemi një mashtrim 
kaq të madh, e para një evazionin fiskal nga më të mëdhenjtë në botë, kemi 
edhe ekspertë KA nga më të korruptuarit e botës.  Por për ata pak flitet: 
janë lënë si në harresë, pavarësisht se roli i tyre është kyç, si në 
evazionin fiskal (mashtrimin me pagesat e tatim-taksave), si dhe në 
mashtrimin e hallkave të tjera të ekonomisë, si bankat, dorëzanësit, ortakët 
dhe aksionarët në shoqëritë tregtare (sidomos SHA-të), klientët e shoqërive 
si dhe punonjësit e investitorët në to etj.  Shteti duhet të marrë masa për 
një ndryshim rrënjësor ne qëndrimin ndaj ekspertëve KA.

Profesioni i ekspertit KA është tërësisht privat.  Titulli ekspertët KA 
jepet mbi bazën e një përzgjedhjeje nga ana profesionale dhe morale, nga 
Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) në Tiranë.  Problemi që 
po trajtojmë në këtë shkrim, nuk është aftësia profesionale e ekspertëve KA, 
por korrupsioni i tyre.  Nuk e zgjidh problemin e korrupsionit, vetëm 
përzgjedhja nga IEKA.

Tani për tani, biznesi i interesuar (shoqëri tregtare, SHPK, apo SHA etj.), 
zgjedh ekspertin KA që i pëlqen, dhe i bën pagesën (komisionin) përkatës, 
sipas disa tarifave të miratuara.  Eksperti KA kontrollon llogaritë e 
biznesit, dhe përpilon aktin e kontrollit, i cili shoqëron llogaritë vjetore 
të biznesit.  Këto janë disa tabela me shifra, të përpiluara në gjuhën e 
kontabilitetit, të cilat duhet të tregojnë gjendjen reale të biznesit në 
momente të caktuara, p.sh. në fillim dhe në fund të vitit (bilanci, pasuritë 
e paluajtshme, amortizimet, fuqia punëtore etj.), lëvizjen reale të biznesit 
gjatë vitit (fitimin, xhiron, koston etj.), si dhe një raport real për 
ndodhitë më pikante të biznesit, gjatë vitit.  Ata që dinë t'i lexojnë këto 
të dhëna, kuptojnë se ç'bëhet me biznesin.  Ne në këtë shkrim, po 
përqendrohemi tek OTT, pavarësisht se puna e pakorruptuar e ekspertëve KA, 
do të sillte një përmirësim rrënjësor edhe të punës së gjithë të tjerëve.

Praktikisht, OTT-të përcaktojnë tatimet e biznesit (detyrimet financiare), 
mbi bazën e raportit të kaluar nga eksperti KA, pavarësisht se bëhet edhe 
një kontroll nga inspektoret e OTT.  Efektiviteti i këtij kontrolli të 
inspektorëve, lë shumë për të dëshiruar.  Inspektorët bile as nuk kanë kohën 
fizike ta ushtrojnë këtë kontroll, pa ndaluar këtu në faktin se edhe ky 
kontroll, në shumicën e rasteve është i korruptuar: edhe inspektori merr 
pjesën e vet të ryshfetit.  Por le të kalojmë tek eksperti KA, sepse ai 
është tema e këtij shkrimi.

Rezulton se ekspertët KA i kalojnë llogaritë vjetore të bizneseve, ashtu 
"siç i duhet biznesit".  Shumica e ekspertëve rezulton se "nuk e shohin" se 
llogaritë vjetore nuk janë fare reale.  Ato janë paraqitur të tilla, që 
detyrimet financiare të biznesit të rezultojnë me dhjetëra, ose me qindra, 
ose dhe me mijëra herë më të vogla se fakti.  Natyrisht, për këtë qorrllëk, 
eksperti KA merr ryshfetin përkatës nga biznesi.  Ne na ka qëlluar të shohim 
disa dhjetëra llogari vjetore të kaluara nga ekspertët KA, ku "qorrllëku" i 
tyre rezulton aq i madh, saqë nuk do të justifikohesh as për një nxënës 
fillestar në kontabilitet.

Një ekspert KA na thoshte: "Po ta bëj punën me ndershmëri, pra po të mos bëj 
qorrin, do të vdisja urie në sistemin tonë.  Menjëherë do të më dilte "nami 
i keq", se "nuk di ta luaj", "se jam matuf", apo "se jam i poshtër".  Kështu 
asnjë biznesmen nuk do të më zgjidhte më mua, por një ekspert tjetër".


Por ç' duhet bërë?

E para.  Për gjysmën e bizneseve, ekspertin ta zgjedhë shteti (OTT), dhe për 
gjysmën tjetër vetë bizneset.  Kjo praktikisht mund të realizohet si vijon. 
Biznesi paraqet në OTT emrin e ekspertit KA që ai preferon.  Në OTT hidhet 
një short me probabilitet 1 me 1, në bazë të të cilit përcaktohet nëse 
biznesi do të marrë ekspertin që ka kërkuar, apo një tjetër.  Nëse nuk i bie 
shorti ekspertit të kërkuar nga biznesi, atëherë atij i caktohet një ekspert 
tjetër, tashmë nga OTT.  Ky përcaktohet nga një short i bërë nga lista e të 
gjithë ekspertëve të mundshëm, listë nga e cila përjashtohet në atë rast, 
eksperti që ishte kërkuar nga biznesi.

Ky sistem do të bënte që mesatarisht gjysma e bizneseve të kishin ekspertët 
e kërkuar prej tyre, dhe gjysma ekspertët e caktuar nga OTT.  Kështu, edhe 
ekspertët e ndershëm "nuk do të vdisnin nga uria", se edhe nëse nuk i 
zgjedhin bizneset e korruptuar, do të merrnin punë nga caktimi nga OTT: pra 
do të kishin mundësi reale të ishin të ndershëm.

Ndonjë etatist, do të thoshte se përse të gjithë ekspertët KA të mos i 
përcaktojë OTT, dhe asnjëri të mos caktohej nga   vetë bizneset.  Një gjë e 
tillë do të ishte një kalim mbrapa, që duke dashur të vinte vetulla do të 
hiqte sytë.  Një zgjidhje e tillë etatiste,  ka të keqen e madhe se do të 
zhdukte veprimin e tregut, do të hiqte konkurrencën në mes ekspertëve, gjë 
që është një domosdoshmëri.  Prandaj jemi për zgjidhjen që dhamë, që na 
duket një mes i artë, në mes tregut të pastër, dhe ndërhyrjes rregullatore 
të shtetit.


E dyta.  Të ngrihet një Shërbim i Brendshëm i kontrollit të punës së 
Ekspertëve KA (SHBEKA).  Ky institucion do të kishte në bërthamën e tij, një 
grup kontrolli të caktuar nga Ministria e Financave dhe IEKA.  Institucioni 
SHBEKA duhet të ushtrojë me sondazh (duke kontrolluar vetëm pak nga 
bizneset) dhe kuturu (random, "me short"), kontrolle mbi punën e ekspertëve 
KA.  Pra, p.sh. në 100 biznese të kontrolluara nga ekspertët KA, 
institucioni SHBEKA të kontrollojë vetëm një biznes.  Zgjedhja e biznesit 
duhet bërë kuturu.

Ky kontroll duhet të bëhet i përqendruar tek puna e ekspertit, duke u 
munduar të zbulojë nëse eksperti "ka bërë qorrin, apo jo".  Nuk duhet të 
merret SHBEKA me penalizimin e biznesit, përkundrazi, duhet të paguajë 
bizneset për kohën që po u merr me rikontrolle.

Mbi bazën e konkluzioneve të SHBEKA, eksperti kontabël përkatës të dënohet, 
ose t'i jepet një bonus (shpërblim) i madh, më i madh në vlerë, se tarifat 
përkatëse që ka marrë për kontrollin e biznesit.


E treta.  Të përpilohet një kod etike, i cili të kërkohet të zbatohet në 
praktikë.  Vërtetë që tingëllon si naivitet, në ambientin tonë plot 
korrupsion, por ia vlen të punohet edhe në këtë drejtim: ne besojmë se ka 
shumë ekspertë dhe inspektorë, që do të përpiqeshin ta respektonin një kod 
të tillë, e ky fakt krijon premisa që të shtohet numri i "të ndershmëve". 
Duhet futur fryma e respektit për ekspertin KA që është i ndershëm, respekt 
që pothuaj mungon fare në këtë shoqërinë tonë fatkeqësisht tejet të 
korruptuar.  Ekonomia jonë, shoqëria jonë, ka nevojë shumë për ekspertë KA 
të ndershëm, si dhe në përgjithësi për kontabilistë të ndershëm.

Ne dhamë vetëm tri zgjidhje, sa për të sensibilizuar hapjen e një diskutimi 
për këtë temë.  Natyrisht që ka edhe sa e sa zgjidhje të tjera.  Shteti 
duhet të punojë në drejtimin të zvogëlimit të korrupsionit të ekspertëve 
kontabël.

Bashkim Kopliku
20.1.2008

Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses. 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.