[AlbClub] Mospërdorimi i rripit të sigurimit , moskokëçarje
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <003101c864a0$7a2529e0$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List *** Mospërdorimi i rripit të sigurimit, moskokëçarje [Gazeta Shqiptare, 1.2.2008] Ministri i brendshëm tha: "Tek ne 40% e vdekjeve në aksidentet automobilistike vijnë nga mospërdorimi i rripit të sigurimit". Pra i bie që në vitin 2007, të kenë vdekur rreth 140 veta nga mospërdorimi i rripit. Fakti është se në Shqipëri nuk përdoret rripi i sigurimit, sepse ministri i brendshëm nuk çanë kokën që të detyrojë shqiptarët të përdorin rripin e sigurimit. Është faji më i madh, kur një ministër nuk zbaton ligjin, konkretisht ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, "Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë" (Ligji). Ky ligj është me qartësi të mjaftueshme që shqiptarët të mos guxonin të udhëtonin pa rrip: thjesht duhet një ministër që ta zbatojë atë. Vetëm shqiptarët dhe Kuvendi paskan faj, sipas ministrit. Janë shqiptarët që nuk i paskan mësuar "që në kopsht të fëmijëve" sesa mirë është të lidhen me rrip sigurimi kur i japin makinës. Duhet të filluaka instruksioni që herët, kështu që kur të rriten, shqiptarët ta dinë që nuk duhet t'i japin makinës pa rrip. Por edhe Kuvendi paska faj, që e ka lënë gjobën për mosvënien e rripit, fare të vogël, në vend që "ta rritë në 100-200 Euro". Këto justifikime na kujtojnë një precedent të tmerrshëm, një qëndrim të ngjashëm, atë të vitit 1996-7, kur qeverisja e Shqipërisë nuk bëri gjë fare për të ndaluar shqiptarët që të fusnin paratë në ato firmat piramidale mashtruese. Edhe atëherë, thuhej se shqiptarët kishin faj vetë, dhe se qeveria nuk kishte asnjë faj. Edhe atëherë, si sot me rripin, kishte ligj që detyronte qeverinë të ndalonte shqiptarët nga "çmenduria e firmave piramidale". Kështu është kur një komb lejon të kalojnë pa u dënuar fajet e rënda të politikës: ato pjellin në të ardhmen qëndrime negative të ngjashme. Ligji që detyron ministrin tonë të veprojë, është krejt i qartë: NENI 170 Përdorimi i rripave të sigurimit dhe sistemeve të fiksimit 1. Drejtuesi i mjetit dhe pasagjerët që zënë vendet e përparme të mjeteve të kategorisë M1 [vetura dhe mikrobusë deri në 9 vende me gjithë drejtuesin-sh.y.] të prodhuara nga janari 1978, janë të detyruar të vendosin rripat e sigurisë në çdo lloj lëvizjeje me mjet. Ky detyrim qëndron edhe për pasagjerët që rrinë në vendet e pasme, për mjetet e prodhuara nga maji 1990. [...] 8. Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë. [...] Tek ne, as "1" në 100 mjete, nuk zbaton ligjin: nuk i ka pasagjerët dhe drejtuesin me rripa të vendosur. Ministri duhet të zbatojë Ligjin, të organizojë kontrolle në rrugët tona, fillimisht edhe me pjesëmarrjen e vet direkt. Po, po, me pjesëmarrjen e vet direkt, duke ndjekur shembullin e mirë që ka edhe në qeverisjen aktual, shembullin e drejtori të KESH, z. Bojaxhiu, që pati dalë personalisht të presë telat e hajdutëve të energjisë elektrike. Kur policia të shohë rëndësinë që i jep ministri këtij ligji, me siguri që përdorimi i rripit do të rritet, nga "1%", së paku në mbi "70%". E kjo realizohet brenda "një jave", pa rritur gjobat, pa ndryshuar ligjin. Natyrisht, detyrimi për të vendosur rripin, duhet të jetë një veprimtari e përjetshme e policisë, dhe jo të bëhet me fushata: dy javë aksion, dy vjet moskokëçarje, sepse kjo kthehet pastaj në një grackë për t'u marrë ca para shqiptarëve. Nuk kanë aq faj policët e oficerët e policisë. Ata janë mësuar të shohin lart, sepse kështu i ka detyruar të bëjnë politika, me shembuj të panumërt të keqpërdorimit të policisë për qëllimet e saja. Edhe mospërdorimi i rripit, është një shembull se politika, ministri, nuk e ka lënë vrapin tek rripi, tek shpëtimi i jetës së njerëzve, por tek gjëra të tjera. Nuk ka faj Kuvendi, nuk ka fare nevojë të rritet gjoba jonë, bile ajo është mjaft e madhe, për gjendjen ekonomike të shqiptarëve. Tek ne, shqiptarët mund të detyrohen të paguajnë një gjobë deri në 5 mijë lekë për veturat me 5 vende (paga neto e 12 ditëve punë të një shitëseje), dhe edhe 90 mijë lekë për mikrobusët. Po ju tregojmë gjobat në disa vende. I kemi kthyer në lekë, por edhe i kemi përshtatur me gjendjen tonë ekonomike, duke i korrektuar me raportin e të ardhurave për frymë të çdo vendi (mbi bazën e fuqisë blerëse, pra me vlerat PPP, purchasing power parity). Gjobat për mosvendosje rripi, për çdo person, janë: 1000 lekë në Shqipëri; 100 lekë deri në 2150 lekë në SHBA (Amerikë, sipas shtetit); 1170 Kanada; 1180 Danimarkë; 1510 në Itali; 1790 Francë; 7600 Kosovë, 1000 Serbi. Ne kemi gjobën më të lartë se shumë shtete të SHBA, dhe pothuaj në të njëjtat nivele me shumë vende të përparuara evropiane. Për lexuesit që kanë kuriozitet të dinë vlerat absolute të gjobave në vendet e më sipërme, ato janë: nga 10 deri në 200 dollarë në SHBA; 90 dollarë Kanada; 66 Euro Danimarkë; 70 Euro Itali, 35 Euro Kosovë; 90 Euro Francë; 12,5 Euro Serbi. Një gjobë e stërmadhe bën efektin e kundërt: shkelja, kundër së cilës ajo është vënë, rritet më tej, sepse një gjobë e stërmadhe nuk paguhet fare. Po ju japim tre shembuj nga eksperienca shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë. Dikur, aty nga viti 1994, për mospërdorimin nga dyqanet të kasave të regjistrimit të shitjeve, në Shqipëri u pat caktuar një gjobë prej 100 mijë lekësh. Kurrë kasat nuk u përdorën, dhe zor se është paguar ndonjë gjobë. Shembulli i dytë: për armëmbajtjen pa leje, në Shqipëri u pat caktuar një dënim deri në 5 vjet burg (diku nga viti 1992). Pothuaj nuk u dënuan kurrë njerëzit e kapur me armë pa leje. Shembulli i tretë: për mosvendosjen e rripit të sigurimit, në Kosovë është vendosur një gjobë relativisht e madhe, 35 Euro për çdo person në makinë, pra edhe 175 Euro në një veturë me 5 veta pa rrip. Edhe në Kosovë nuk para vihet rripi, edhe atje, më shkruan një mik, kalohet "me një kafe policit". Një gjobë e stërmadhe, vetëm se sjell rritje të korrupsionit: do shtohet ryshfeti që merr polici, si dhe shefat që kanë në dorë "ta heqin gjobën". Eksperienca shqiptare e gjithë këtyre 17 vjetëve tranzicion, e ka vërtetuar sa thamë, prandaj, kur dëgjojmë propozime për rritje gjobash, apo rritje dënimesh, na vete mendja për keq: mos propozuesi do të rrisë ryshfetet! Nëse qeveria do të ruajë jetën e nja 140 njerëzve në vit, duhet thjeshtë të detyrojë përdorimin e rripit të sigurimit. Bashkim Kopliku 29.1.2008 Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <[email protected]> optional: <[email protected]> Please, send important e-mails on both addresses. ______________________________________________________________ If you wish to unsubscribe, send a blank message to: [email protected] , or visit Alb-Club's page at: http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club