[AlbClub] Holokausti
"Pellumb Kulla" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
*** AlbClub Discussion List ***
Artikulli i Fatos Lubonjës mbi përkujtimin në Tiranë të
martirizimit të hebrejve gjatë Luftës së fundit Botërore, më bëri t'i
kthehem një shkrimi tim mbi temën, bash me këtë rast e bash një vit më
parë e të botuar në gazetën Bota Shqiptare, të Sejkos.
E përsëris se, populli izraelit dhe komuniteti i hebrejve
nderojnë veten, kur mblidhen për të shprehur mirënjohjen për veprën
modeste, por me vlerë historike të mikpritjes shqiptare: strehimin e
hebrejve, mbajtjen e tyre fshehur për t'i mbrojtur nga gjuetia
çnjerëzore naziste, dhënien e ndihmës së gjithanshme, që nga miqësia
deri tek vendi rreth sofrës familjare. Këtë vepër të bukur asnjë nuk e
mohon dot. Asnjë nga këto bëma nuk ishte e vështirë për njerëz që një
gjest të tillë e kanë patur dikur një nga virtutet më të përmendura.
Ata e kanë bërë këtë bujarisht edhe më parë, për grekët, armenët,
italianët dhe për këdo, që e ka patur të nevojshme ndihmën e tyre.
Zoti Xhozef Jakohel në librin me kujtime, "Hebrejtë në Shqipëri"
e shpjegon këtë tipar të shqiptarëve duke cituar Kanunin e Lek
Dukagjinit në të thënmen e lashtë "shtëpia e shqiptarit i përket Zotit
dhe Mikut"
Nuk besoj të jetë e tërë merita e Dukagjinit në edukimin e këtij
virtuti tek shqiptarët, por kam mendimin se popujt e vuajtur i gjenden
pranë njëri tjetrit më shumë se sa i gjenden popujt, që nuk kanë
patur ngërçe të mëdha në historitë e tyre shekullore. Them se
shqiptarët janë të gjendur ashtu, nga mëshira instinktive, nga
natyrshmëria e të gjykuarit pa mbifaktorë turbullues, siç mund të jenë
urdhëresat shtetërore, apo udhëzimet e rrepta, që ndalojnë ndihmën
ndaj individëve, grupeve, apo klasave të caktuara.
Fatos Lubonja dhe holokaustet
Mua më duket se shkrimi i Fatos Lubonjës tek "Korrieri" ishte një
vëzhgim mjaft i mprehtë. Ishte një kritikë e ashpër dhe unë do ta
nënshkruaja atë, pavarësish nga reagimet që flitet, se paska
shkaktuar. Fatos Lubonja, sipas mendimit tim, është nga të paktët
subjekte vërtet të pavarur, që gjenden në opinionin publik shqiptar
Nuk jam i sigurtë në se janë të faktuara pjesëmarrjet e shqiptarëve në
gjenocidin armen, por edhe atje do ta besoja Lubonjën pa mëdyshje. Se
kam përpara syve, të dukshme dhe të pakundërshtueshme pjesëmarrjen e
shqiptarëve në gjenocidin shqiptar! Nuk do të thotë aspak se figura e
shëmtuar ndërkombëtare na qënka më e papranueshme se figura e shëmtuar
në rrafshin kombëtar. Imazhi i egërsisë nuk dallon aspak
Lubonja bën mirë që ridikulizon atmosferën festive, për të cilën
qarqet e politikës shqiptare bëjnë kujdes, që fishekzaret, të ngrihen
aqë lart sa të duken edhe përkëtej oqeanit. Ai me të drejtë tallet me
gjuhën e fryrë, folklorike plot dithirambe, për virtutet që u
atribuohen shqiptarëve në grup e që kësisoj bën të mbajë kokën lart
çdo lloj horri në truallin arbëror.. Ata që janë kundër Lubonjës,
kërkojnë me ngulm që ai, popullin, ta marrë toptan, dhe shkumbëzojnë
kur ai ndërmerr "guximin anipatriotik" ta ndajë grurin nga egjëri, ta
seleksionojë popullin, në njerëz të ndriçuar dhe injorantë, në të
civilizuar dhe të pagdhëndur, në të çartur dhe të zhburrëruar, në
myslimanë dhe të krishterë, në idealistë dhe të babëzitur, në
mendimtarë të lirë e në të zënë peng nga dogmat. Ngulmi i tyre vjen i
trashëguar. Dhe jo vetëm nga Enver Hoxha, që demagogjikisht fliste me
veneracion për popullin, paçka se tre të katërtat e tij, po t'i
kërkohej t'i specifikonte, i numëronte për armiq. Mënyra se si e
mbrojnë ata tërë këtë popull, u jep shijën e të dukurit patriotë të
thekur. Dhe me kaq mbyllet loja. Te këta lloj njerëzish kanë një
ndikim të pafiltruar edhe plot shkrimtarë, të cilët popullin e japin
gjithnjë në unitet, dhe flasin për të si për një personazh të vetëm,
që merr vendime referendumesh, që nuk janë zhvilluar kurrë. "Populli
ynë e ndjeu" thonë ata. Ose: "shqiptarët iu përgjigjën drejt asaj që
po ndodhte në skenën europiane". Ose: "populli ynë ka shije estetike
të hollë" Dhe këtu e kanë fjalën edhe për shijen e Fan Nolit edhe për
atë të Ramo Lopçarit! Kjo mënyrë joselektive e ve popullin në podium
nderi, dhe dëshmon patriotizëm katërmbëdhjetë karatësh, pa një pa dy!
Tani ka hequr dorë, por tingëllonte më konstruktiv Ismail Kadareja, në
fund të viteve 80, kur në parathënien për Migjenin i skanonte realisht
bashkëkombasit e tij, që shfaqeshin sypatrembur në konfliktet me njëri
tjetrin dhe servilë e respektmëdhenj në dhunën që u vinte nga shteti.
Vlerat e hebrenjve dhe holokausti i tyre
Saga e hebrejve meriton të nderohet institucionalisht në
Shqipëri. Rënia dhe përngritja e tyre është një libër mësimi për
shqiptarët, që aq shumë kanë vuajtur gjenocidin, spastrimin etnik,
përndjekjet, plaçkitjet dhe shpronësimet, sikurse ndodhi në Kosovë për
dekada të tëra në shekullin që shkoi e që kulmuan me mënxyrat e
llahtarshme të muajve të parë të vitit 1999. Pa le pastaj, të
përmendim çamët, që një gjenocid më i egër se ai nazist, paçka se jo
në shifrat e hebrejve, gati i shoi fare. Dëbimi masiv nga trojet,
pronat dhe shtëpitë e tyre dhe sidomos shurdhëria e gjithanshme që
vihet re sot ndaj dënimit dhe ndreqjes së padrejtësisë ndaj çamëve, e
bën edhe këtu përvojën e hebrejve më të çmuar se kurrë. Edhe vetë
shqiptarët e Shqipërisë kanë se ç'të mësojnë tani, kur pas një
vëllavrasje gjysmë shekullore dhe një përvoje të hidhur me një mal
gabimesh në vendosjen e demokracisë, i shohim të marrin rrugët e botës
e të trokasin në porta greke, italiane e deri australiane, ku nuk
njohin fare Dukagjinin e as se ç'ka thënë ai për mikpritjen.
Por edhe ne duhet te falenderojmë atë fat që i solli hebrejtë të
trokasin në portat tona! Shumë shqiptarë, që kanë patur miq hebrej,
ruajnë kujtime te bukura prej tyre. Shëmbujt që sot u jepen fëmijëve,
që të mësojnë qysh të rriten të fortë, qysh t'i kapërcejnë
vështirësitë, si dhe ku ta gjejnë frymëzimin për punën, qysh ta kenë
parasysh, se me studime këmbëngulëse arrihen të gjitha sukseset, janë
marrë më së shumti nga hebrejtë, të cilët prindërit shqiptarë patën
rast t'i njohin në jetën e tyre anekënd Shqipërisë. Kështu mysafirët,
që në nevojë rendën e gjetën strehë tek ne, na e kanë shpërblyer me të
tepërt, pritjen që i u dha atyre në vatrat tona, ndihmë që ata,
lumturisht, nuk e harrojnë.
Ata janë të hapur e nga ata ne duhet të mësojmë akoma mbi mënyrën
se si i zhvillojnë aleancat, se si bashkohen e si përkrahin njëri
tjetrin në shtetin e tyre e sidomos në diasporë. Kultura e tyre e
biznesit është më e larta dhe më e pasura.
Holokausti shqiptar
E sidomos ne duhet të mësojmë nga individët dhe organizatat e
hebrejve se si janë përpjekur e po përpiqen që ta bëjnë holokaustin
pjesë të ndërgjegjes së vrarë të njerëzimit botëror. Kjo do të na
ndihmonte që edhe ne të gjenim hapësirë e të pasqyronim holokaustin
tonë. Si nuk u pa e mundur, vallë, që kalvari i çamëve, të marrë jetë
në teatër një apo në një nga filmat tanë? Është çështje me ndjeshmëri
të lartë?! Zemërohen perënditë në Olimp?! Flas për çamët, që kanë më
pak mundësira se kosovarët, të cilët megjithatë kanë bërë e bëjnë
shumë për përjetësimin në veprat artistike të holokaustit të tyre. Më
tej, si do t'ia gjejmë anën që shteti paskomunist të merret seriozisht
me holokaustin shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi?
Dhe në këtë pikë bashkohem tërësisht me zemërimin e të
persekutuarit Lubonja. Ai revoltohet me shmangien e gjyqit të
komunizmit dhe qepjen e kësaj teme në bisht të holokaustit të ebrejve.
Është e pranuar botërisht se praktika kriminale e komunizmit ishte më
shkatërrimtare dhe më gjenocidale në Shqipëri, se në vende të tjera.
Për shfarosjet e Tivarit, për gjyqet e shtresave intelektuale e
nacionaliste, për kampet shfarrosës pranë kënetave, për gratë e huaja
që u martuan me shqiptarë, ka shumë për të thënë. Por në mëmëdheun
tonë të dashur keqardhja për ata që e pësuan është sipërfaqësore dhe
hipokrite. Ende, kryehetuesit gjakatarë, komandantët e kampeve dhe
burgjeve shqiptare kanë mjete dhe forca që ta pengojnë atë gjykim,
sado ta kërkojë Këshilli i Europës! Familjarët e diktatorit Hoxha ca
muaj më parë deklaruan se po marrin masa që 100 vjetori i Hoxhës të
përkujtohet me madhështi anekënd Shqipërisë, gjë që përbën një
provokacion të poshtër e që dëshmon se në Shqipëri, o është e përsosur
demokracia, o vazhdon të jetë e përsosur diktatura! Qeveritë tona,
kryesisht të mbushura me pasardhës të drejtpërdrejtë nga hierarkia
komuniste, nuk duan ta bëjnë e nuk do ta bëjnë gjyqin e mizorive
komuniste.. Në favor të pasqyrimit të mizorive enveriane, ndihet tek
tuk ndonjë zë, por ata janë zëra sporadikë dhe aspak të vendosur. Nga
njerzit me peshë në botën publike shqiptare janë pak, - për të mos
thënë mjerisht tepër-tepër të rrallë – që të jenë të interesuar
seriozisht për këtë.
Hebrejtë kanë financuar e mbështetur fuqishëm kryevepra
kinematografike, nga të cilat në kujtesë të lexuesit, unë do të sjell
prej tyre vetëm dy nga e kaluara e freskët, "Jeta është e bukur"- një
gjetje madhështore për mbrojtjen e fëmijës nga egërsia e përfytyrimit
dhe "Listat e Shindlerit" mbi një oficer SS, Shindlerin, me ndjenja
njerëzore që rrezikoi veten për të shpëtuar qindra e qindra çifutë nga
furrat e djegjes.
Nisur nga ky subjekti i fundit, përse nuk i kërkojmë, t'i gjejmë
e t'i bëjmë të njohur Shindlerët tanë, që mbrojtën shqiptarë, gjatë
kalvarit komunist? Mirënjohja për ta do të ishte gjithaqë e
lavdërueshme. A ka të tillë? Duhet të ketë, po ku janë? Duke gjetur
ata e duke evidentuar bëmat e tyre, do të ishte, një rrugë tjetër, si
ajo që merret në të kundërt të rruzullit, për të shkuar tek e njëjta
pikë, tek holokausti vetë. Në rastin e ferrit stalinist, ama, masa e
familjeve shqiptare u tregua më pak bujare e mëshirëmadhe se me
çifutët. Përse? Çfarë ndodhi me këto virtute shekullore që përmend
Jakoeli në librin e tij?! Sepse zonja Topalli nga lartësia e
parlamentit nuk e thotë dhe as Lubonja në shkrimin e tij nuk e thotë,
se shteti "kolaboracionist" shqiptar ka një meritë të pamohuar për
mbrojtjen e çifutëve atje. Se administrate "kuislinge" e inkurajonte
mbrojtjen e mysafirve të përndjekur dhe nxorri dokumente me emra false
shqiptarësh për hebrejtë që gjendeshin në Shqipëri. Se ndryshe, kur
dhe si pas Dyzetekatrës humbën virtutet e edukuara nga Dukagjinët? Nuk
kishin kaluar veç dy vjet nga shëmbulli i bukur i fshehjes se
hebrejve, që evidencojnë me mirënjohje ndaj shqiptarëve, organizatat e
tyre nëpër botë. Si avulluan, humbën e u zhdukën ato virtute për të
ndihmuar gratë dhe fëmijët e pafajshëm të shqiprëve kundërshtarë të
komunistëve?! U harrua kodi dukagjinas brënda dy vjetëve?! Apo këto
virtute shfaqen më shumë sapo rreziku duket më pak?! A thua frika nga
nazistët ishte shumë më e pakët, se ajo nga qentë e ndërsyer të luftës
klasore enveriane? Ishin pra më mizorë besnikët e Enverit, se vetë
hitlerianët? Pa shiko se ç'na del po t'ia zhdredhësh fillin temës!
Kjo temë në atdheun tonë të dashur, nuk hapet. Ajo, atje, zihet në
gojë vetëm për demagogji!
pk
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club