[AlbClub] Tatimet: mbytje të vegjëlve, ç oroditje të mëdhenjve

"Bashkim Kopliku--->Infinito Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <06df01c86e19$fa8001f0$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Tatimet: mbytje të vegjëlve, çoroditje të mëdhenjve
[Gazeta Shqiptare, 13.2.2008]

Tashmë qeverisja ka vendosur një biçim sistemi tatimor regresiv, që taton 
relativisht më shumë të vegjlit sesa të mëdhenjtë, dhe nga ana tjetër, jep 
mesazhe çoroditëse në vendimet e biznesit të të mëdhenjve.  Të gjitha 
tatimet (tatimet dhe taksat) janë kthyer praktikisht në tatime në një vlerë 
absolute në para, që është një madhësi fikse, pavarësisht sa është fitimi, 
çmimi apo treguesit e tjerë të biznesit.  Qeveria po i bie shkurt: të mbushë 
buxhetin, pavarësisht se po vdes ekonominë.  Rezultatet po ndjehen: rritje e 
çmimeve, rritje e papunësisë, por edhe rritje e sofizmave e mashtrimeve të 
qeveritarëve.  Duhet ndaluar kjo papërgjegjësi, sa nuk është vonë fare.


Premtimi

Kjo qeverisje, kur desh të merrte pushtetin, në vitin 2005, premtoi të 
vetmen reformë të djathtë të saj, bile dhe shumë joshëse: "uljen e normës së 
tatimeve, dhe rritjen e bazës së tatimit".  Ja se ç'do të thotë kjo.  Nga 
njëra anë, do të uleshin normat e tatimeve (shpesh në të folur i bien 
shkurt, duke thënë "tatimet", dhe jo "normat e tatimeve").  Ja disa shembuj 
të normave të tatimeve: norma e tatimit mbi të ardhurat personale, e tatimit 
mbi fitimin e bizneseve, e tatimit mbi të ardhurat nga shitja e pasurisë së 
paluajtshme, e tatimit të vlerës së shtuar.

Nga ana tjetër, ulja e normës do të shoqërohesh me detyrimin e pagesës së 
tatimit, të shumë më shumë njerëzve dhe bizneseve.  Pra do të ulesh evazioni 
fiskal (mospagimi i tatimeve).

Tatimet mbeteshin proporcionale: kush fitonte më shumë, paguante 
proporcionalisht më shumë, por duke iu mbajtur një vlere relative, një 
përqindjeje të njëjtë.

Premtohej se të ardhurat nga tatimet, jo vetëm të mos uleshin, por bile të 
rriteshin pak.  Të ardhurat nga tatimet janë shuma gjithsej e parave që 
mbledh shteti në buxhet.  Për një sistem proporcional, kjo shumë përbëhet 
nga shuma e produkteve të normave të tatimeve, me madhësitë për të cilat 
zbatohen normat, për të gjithë personat dhe bizneset që tatohen.  Shpresohej 
se duke ulur normën, do të rritej shumë më tepër numri i madhësisë se 
treguar nga bizneset, mbi të cilën zbatohej norma, pra do të rritej numri i 
bizneseve që paguanin mbi bazë reale (kjo është ajo "rritja e bazës së 
tatimit", që përmendëm më lart).

Ja një shembull i thjeshtuar, për të konkretizuar sa premtohej.  Nëse fitimi 
real i një biznesi ishte 1 milion lekë, por biznesmeni raporton vetëm 100 
mijë lekë fitim, atëherë me një normë tatim fitimi prej 25%, ai paguante 25 
mijë lekë tatim fitimi (25% të 100 mijë lekë fitimi të deklaruar).  Duke 
ulur normën e tatim fitimit në 10%, shpresohej se qeveria do të arrinte të 
detyronte biznesin që të raportonte së paku nja 500 mijë lekë fitim, që do 
të thotë se do të paguante së paku 50 mijë lekë tatim, pra më shumë se para 
kësaj ulje norme.

Realizimi i këtij premtimi, kërkonte nga qeveria që të bënte një punë 
intensive kundër evazionit fiskal, edhe kur atë e bënin militantët e saj. 
Evazioni duhej zbuluar, duhej goditur, duke synuar pagesën reale të 
tatimeve, proporcionalisht me normat, nga të gjithë njësoj.  Realizimi i 
këtij premtimi, vërtetë që do t'i kishte dhënë një hov të paparë ekonomisë 
shqiptare.


Realitetit

Këto 2 vjet e gjysmë, qeverisja nuk qe në gjendje të mbajë premtimin. 
Kuvendi uli disa nga normat e tatimit, por qeveria nuk arriti të bëjë punën 
e duhur për rritjen e numrit të personave që paguanin tatimin real, pra nuk 
qe e aftë të ulë evazionin fiskal.  Për të realizuar një gjë të tillë, do të 
duhej një qeveri që e ka mendjen tek përparimi i vendit, dhe jo tek 
kolltukët e pushtetit.

Buxheti po i mbetej bosh, dhe qeveria nxitoi të bënte "zgjidhjen" më të 
gabuar: praktikisht ndryshoi sistemin e tatimeve, nga proporcional në 
regresiv.  I ktheu tatimet nga vlera proporcionale, në vlera absolute fiks, 
në sasi të caktuara lekësh, për grupe të tëra biznesesh, mallrash, 
shërbimesh etj.  Si rezultat, të vegjlit paguajnë tatime që në përqindje 
janë më të mëdha sesa ato që paguajnë të mëdhenjtë.  Por edhe të mëdhenjtë, 
paguajnë tatime relativisht më të larta, për mallra me çmime më të ulëta. 
Gjendja u bë edhe më keq se ç'ishte përpara.  Mbeti vetëm mburrja qeveritare 
"për mbushjen e buxhetit me para" që janë thjeshtë shenjë i asfiksimit të 
ekonomisë.

Po ilustrojmë me një shembull.  Norma e tatimit mbi fitimin e bizneseve, u 
ul në 10% (nga 25% që ishte).  Por pastaj u caktuan fitimet, jo sipas 
realitetit, por sipas rregullave burokratike të qeverisë.  U shpikën 
"fitimet e caktuara nga qeveria, me VKM (vendime të këshillit të ministrave) 
dhe me udhëzime".  Nuk do të dijë njeri nga ata të tatimeve, se biznesi 
paraqet prova të plota se fitimi i tij ka qenë shumë më i vogël sesa u del 
taksidarëve, mbi bazën e "formulave" që u ka dhënë qeveria.  Kështu, për një 
grup të "ngjashëm" biznesesh, p.sh. u caktua një fitim 1 miliardë lekë 
(sepse "e fshehin fitimin ata të poshtrit, biznesmenët", justifikohet 
qeveria).  Si rezultat, llogaritet fitimi 100 milionë për të gjithë bizneset 
e atij grupi.  I bie që tatimi i fitimit t'u kërkohet njësoj 100 mijë lekë, 
si bizneseve që realisht fitojnë vetëm 100 milionë lekë apo dhe më pak (pra 
u kërkohet 100% e fitimit e sipër, saqë falimentojnë fare); si atyre me 
fitim 500 milionë (pra këtyre 20% e fitimit); si atyre me fitim 1 miliard 
lekë (pra këtyre 10% e fitimit); si atyre me fitim 5 miliardë lekë (pra 
këtyre 2%); si atyre me 10 miliardë lekë (pra këtyre me 1%); e kështu me 
radhë.

Dhamë shembullin me tatimin e fitimit, por e njëjta gjë është bërë me të 
gjithë tatimet e tjera.  Kështu, si rezultat i caktimit të çmimeve të 
importit (çmimet e referencës), TVSH-ja është kthyer në një tatim në vlerë 
fikse (norma 20% e TVSH-së, shumëzuar për çmimin e përcaktuar nga qeveria); 
përcaktimi i pagave fiks për një pozicion të caktuar punësimi në biznesin 
privat, bën që tatimi mbi pagat (të ardhurat personale) të jetë një vlerë 
fiks, e pavarur nga paga reale (kjo po falimenton shumë biznese që 
faktikisht nuk paguajnë pagat që thotë qeveria); tatimi mbi shitjen e 
shtëpive, trojeve etj. (pasuritë e paluajtshme), si rezultat i caktimit të 
çmimeve të shitjes dhe të vlerës së tyre që po sajohet këto ditë, po 
përgatit që tatimi mbi fitimin nga shitja të jetë një vlerë fiks, 
pavarësisht sesa është realisht.

Futja e këtij sistemi tatimor regresiv, ka shkaktuar tek ne, jo vetëm të 
kundërtën e asaj që bën e gjithë bota për bizneset e vogla (përkrahje dhe 
bile dhe me subvencionime), por ka çoroditur edhe bizneset e mëdha.  Edhe të 
mëdhenjtë po i çmendin ato "çmimet e referencës": një mall i caktuar "bën 
kaq lek", sa ç'i thotë mendja qeverisë, pavarësisht se biznesi e blen shumë 
më lirë (apo dhe shumë më shtrenjtë, xhanëm!).  Si rezultat i çmimit të 
referencës, bëhet një ekonomi shumë e përçudnuar.

E natyrisht, i gjithë ky absurd mbjell dhe korrupsionin: nuk u mbetet rrugë 
tjetër bizneseve për të mbijetuar, veçse ryshfeti e mashtrimi.

Kur dalin në masmedia, sidomos tek Zëri i Amerikës apo në forumet 
ndërkombëtare, përfaqësuesit e qeverisë kanë hipokrizinë të thonë se këto 
tatimet fiks "janë vetëm sa për të vënë në pozita pune organet e 
administratës", dhe se gjoja tatimet paguhen proporcionalisht me vëllimin 
ekonomik të kryer etj.  Por, çdo njeri që paguan tatime e di se e vërteta 
është krejt ndryshe: është ajo që shpjeguam më sipër.

Kuvendi, mazhoranca dhe opozita, duhet të kontrollojnë zbatimin e ligjeve, 
sepse vendi po shkon drejt katastrofës ekonomike, e cila sjell me vete edhe 
katastrofa komplete, përfshirë edhe jetën e njerëzve.

Bashkim Kopliku
11.2.2007

Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 2867 (20080212) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.