[AlbClub] Kur lufta brenda llojit quhet disidence

"Faruk Myrtaj" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <[email protected]>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Kur lufta brenda llojit quhet disidencë


gazeta Shekulli, E Hene, 18 Shkurt 2008


Nga Ardian Ndreca




Kujtesa historike

A kanë ndryshue shpirtnisht disidentat e Bllokut në vitet e burgimit apo  
të internimit?

Ka gjasë që burgu dhe internimi t'i ketë ndërgjegjsue rreth idesë  
çnjerëzore që u dha pushtet, rreth tmerrit që ata dhe familjet e tyne i  
shkaktuen shumicës së shqiptarëve

Mund të quhej ndryshe edhe "disidenca brenda Bllokut", por Blloku mbetë  
gjithsesi nji metaforë e lidhun gjeografikisht me nji copë territori të  
kufizuem ku jetonin disa borgjezë shpirtvegjël të farkëtuem në momentet e  
çlodhjes prej "luftës së egër të kllasave".

Privilegjet, karriera, lufta për ekzistencë, rreziku që nji ditë mund ta  
pësonin – bante që ish- komisarë e komandanta partizanë, agjitatorë dhe  
agjitatore, njerëz të randomtë për nji shoqni normale - të ktheheshin në  
ujq ndaj njeni-tjetrit dhe ndaj gjithë frymorëve në përgjithësi.

Nji pjesë e tyne kishte mbarue ndonji gjimnaz në kohë të monarkisë e fill  
mbas luftës kishte krye kurse dhe shkolla në Jugosllavi dhe në BRSS. Kurse  
pjesa ma e madhe ishin gjysmë-analfabetë dhe gjysmë-njerëz të ardhun prej  
krahinave ma të humbuna, ku qytetnimi nuk kishte kalue as aq sa nevojitet  
për me mësue gjanat ma thelbësore – këta të fundit kishin shumë ma tepër  
arsye me ruejt postet e fitueme me gjak.

Padyshim që e drejta me jetue në Bllok ishte fitue me gjak; ma së shumti  
me gjak shqiptarësh.

Por blloku nuk mbaronte mbrenda Bllokut. Ai ishte kudo ku kishte shqiptarë  
që prej adhurimit primitiv apo prej tmerrit (që asht nji ndjenjë ma  
njerzore) – i mbanin sytë kah Enver Hoxha dhe klika e tij e çmendun dhe  
gjakatare.

Blloku ishte kompaktësimi ideal i njerzve pa dyshime serioze. E megjithatë  
nji pjesë e tyne përfundoi në kampet e përqendrimit dhe në burgjet që ata  
vetë patën ndërtue me zell klasor. Vetëm atëherë diktatura e proletariatit  
iu duk diçka skandaloze - dëshmuen ata ma vonë - dhe burgjet shqiptare iu  
duken çnjerëzore.

Çudi, burgjet dhe diktatura e proletariatit ishin e vetmja gja që  
funksiononte si meçik në Shqipninë e Enver Hoxhës qysh prej vitit 1945 e  
këta, vetëm në vitet '60 apo në vitet '70 e mësuen këtë gja!

Edukimi komunist ishte nji gja e neveritshme, por riedukimi ishte nji  
mjerim i vërtetë.

E pra zona mes edukimit dhe riedukimit përcaktohej prej humorit të nji  
funksionari me xhaketë gjithmonë demodé apo prej nji operativi që kishte  
vetëdijen e nji qeseri, prej nji kryetari Fronti apo prej nji spiuni të  
padukshëm që firmoste nji letër dhe shkatrronte nji jetë.

N'ato vite marria ishte ba kujdestarja e arsyes, tue e ndryshue kështu  
cilsinë e vetë jetës dhe tue ba që në pesë dekada bijtë e saj të  
shumoheshin në progresion gjeometrik. Nji progresion i këtillë i shtynte  
me ia hangër kryet njeni-tjetrit, mbasi Natyra në squetsinë e vet lejon të  
keqen me qëllim që e keqja të hajë vetveten.

Si mund të trajtohet si shfaqje disidence fakti që ndonji prej tyne  
jetonte si viveur në nji kohë që populli i thjeshtë rrinte në radhë qysh  
në ora 5 të mëngjesit për me marrë 2 litra qumësht? Çfarë disidence asht  
me mbajtë flokët e gjatë në nji vend ku rrena i kishte kambët ma të  
shkurta se kurrkund tjetër në botë?

Për vite të tana, kriminelat që me maskën e komunizmit në fytyrë  
terrorizuen shqiptarët – patën mundësinë me përfundue me ceremoni në  
burgjet komuniste. Këto ishin rastet kur ato burgje kryenin me të vërtetë  
funksionin e tyne natural.

Megjithatë, ata në burgje nuk përfundonin pse urrenin komunizmin apo pse  
ishin mërzitë me mësimet e Marksit apo të Leninit, përkundër, shumica e  
tyne e deshtën Marksin dhe Enverin deri në fund.

Asnji prej tyne nuk përfundoi në burgje pse vërejti tek komunizmi nji  
sistem shtazor që vorfnoi vendin dhe shkatërroi shqiptarin, por thjesht  
pse mbrenda llojit shpërthente tash e parë nji ritual spastrues primitiv.

Për me e ruejt të shëndetshme Partinë nga kolera herë mbas here digjeshin  
disa dordoleca. Por edhe ata që digjeshin për me afirmue higjienën e  
Partisë nuk ishin as shenjtën e as filantropë të shqiptarëve.

Ndonji sish, që ushqente trille (velléités) letrare, deshti me ia lanë  
«fajin» e burgimit letërsisë që kishte shkrue. Por po të lexohet sot ajo  
palo letërsi të çohen flokët përpjetë prej idiotsinave të skematizueme me  
talent aparatçikut. Po të kishin përfundue me të vërtetë në burg për arsye  
të letërsisë së tyne, nuk do t'i kishte dënue Enver Hoxha por Klioja,  
Melpomeni, Eratoja apo ndonji muzë tjetër.

Disidentat e Bllokut kanë besue tek Partia derisa u ka leverdisë, kanë  
rrahë shuplakë derisa u janë çue duert gjak, dhe s'kanë ndejt asnjiherë pa  
ngritë dorën për me çue drejt pushkatimit apo drejt internimit njerëz të  
pafajshëm.

Kjo asht arsyeja pse sot mbeturinat e shkaktarëve të nji makthi  
shumëdekadash nuk janë të besueshëm për shoqninë civile as kur flasin për  
të kaluemen dhe as kur mendojnë për të ardhmen. Intervali mes Shqipnisë së  
vërtetë dhe monstrës që ata drejtpërdrejt apo zhdrejtazi krijuen nuk mund  
të mbushet me banalitetet e bezdisshme që tregojnë sot.

A kanë ndryshue shpirtnisht disidentat e Bllokut në vitet e burgimit apo  
të internimit?

Zemra e njeriut nuk mund të shqyrtohet lehtë, por ka gjasë që burgu dhe  
internimi t'i ketë ndërgjegjsue rreth idesë çnjerëzore që u dha pushtet,  
rreth tmerrit që ata dhe familjet e tyne i shkaktuen shumicës së  
shqiptarëve, rreth padrejtësisë së privilegjeve që gëzuen për vite me  
radhë...

Ndoshta ky ndërgjegjsim ka ndodhë, mbasi nuk duem me besue se sot gjithë  
mllefi i tyne asht vetëm pse nuk mujtën me e çue deri në fund rrugën me  
privilegje ku rastësia historike (dhe jo inteligjenca, talenti apo  
meritat) i kishte katapultue.

Për me e kuptue se populli shqiptar asht popull i mirë, nuk mjafton vetëm  
me shkue e me rrëmue dokumentat e vërteta ku tregohet se nji pjesë e  
kuislingëve shqiptarë dhe nji pjesë e njerzve të thjeshtë shpëtuen  
hebrenjt.

Mjafton me pa sesi mbas ramjes së komunizmit gati asnji prej atyne që nga  
Jugu në Veri vuejtën padrejtësisht dhe qenë viktima të terrorit komunist  
për dekada, nuk shkuen me ua shkrepë në lule të ballit shokut Ramiz,  
shokut Aranit, shokut Hekuran, shoqes Nexhmije... që e meritonin  
plotësisht nji gja të tillë.

Ky asht jo vetëm ndryshimi mes qytetnimit dhe barbarisë por dhe treguesi  
se hakmarrja politike ishte tipar i ideologjisë komuniste, e ky tipar  
themelor i saji krijoi nji disidencë të rreme en bloc – krijoi gogsimat e  
nji darke makabre ku të ftuemit e nderit përfunduen tue hangër  
njeni-tjetrin.

Si mund të trajtohet si shfaqje disidence fakti që ndonji prej tyne  
jetonte si viveur në nji kohë që populli rrinte në radhë? Çfarë disidence  
asht me mbajtë flokët e gjatë në nji vend ku rrena i kishte kambët ma të  
shkurta se kurrkund tjetër në botë?

Për me e kuptue se populli shqiptar asht popull i mirë, nuk mjafton vetëm  
me shkue e me rrëmue dokumentat e vërteta ku tregohet se nji pjesë e  
kuislingëve shqiptarë dhe nji pjesë e njerëzve të thjeshtë shpëtuen  
hebrenjtë

Mbas ramjes së komunizmit gati asnji prej atyne që vuejtën padrejtësisht  
nuk shkuen me ua shkrepë në lule të ballit shokut Ramiz, shokut Aranit,  
shokut Hekuran, shoqes Nexhmije… që e meritonin plotësisht nji gja të tillë

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.