[AlbClub] Pëllumb Kulla – Humor mes një a bsurdi kafkian
Vasil Qesari <[email protected]> Sun, 9 Mar 2008 11:54:38 +0000
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
*** AlbClub Discussion List *** LEJLEKËTNUKVIJNË MË (shënime për librin me të njëjtin titull) A kanë munguar e qeshura, satira dhe humori, nenë diktaturë ? Padyshim që jo, përderisa fatmirësisht, së pari, ato bëjnë pjesë në vetë thelbin e natyrën njerëzore të cilin, edhe pse sistemi totalitar u përpoq ta tjetërsonte, nuk arriti dot t’i a dalë mbanë. Ata që jetuan atë kohë, janë dëshmitarë të faktit se, me gjithë frikën, trishtimin dhe atmosferën mbytëse të regjimit, në shtëpi, rrugë, në qendra pune e shkolla, e qeshura dhe humori, vazhdonin të ekzistonin. Bile, siç rrëfejnë ata që ishin nëpër burgje edhe aty, megjithë terrorin dhe urinë, të dënuarit gjenin rast të bënin humor e të qeshnin, për të sfiduar kështu jo vetëm dhunën e fatalitetin, por edhe për t’i dhenë vetes ndofta, një shans më tepër, për të mbijetuar. E, pastaj, të mos harrojmë se ajo kohë, krahas mërzitjes, trishtimit, limontisë, sloganeve e parullave komuniste, kishte edhe të kundërtat e tyre. Nuk ishin të paktë njerëzit që, helmit trullosës totalitar i përgjigjeshin shpesh, me një antidotë tepër efikase : pikërisht me të qeshurën, me barcaletat dhe thumbat ndaj regjimit, herë hapur (sigurisht mes miqsh e shokësh) e herë ne mënyrë « klandestine ». Ja, pse shkrimtari Pellumb Kulla, në shumë krijime të tij, është frymëzuar shpesh nga fenomene të tilla, për të na rikthyer në kujtesë, me shumë art e humor, pikërisht atë që është thënë edhe tjetër herë: Të Qeshurën nenë Diktaturë ... *** ... Kur pak kohë më parë, më ra në dorë libri më i fundit me tregime i Pëllumb Kullës”“Lejlekët nuk vijnë më” (Arbëria - 2005), thashë me vete se me siguri do kënaqesha jo pak, me humorin e tij të spikatur, origjinal e tepër fin, e kështu do të riprovoja një gjendje të atillë gazi e gudulisje të brendshme, të cilën e kisha ndjerë vetëm në rininë time, kur pata lexuar Azis Nesinin dhe të paharruarin Chri - Chri. Por, pasi lexova dy-tri tregime, kuptova se humorin e tregimeve të Pëllumb Kullës e ndante një "teh brisku" nga tragjikja. Jo, nuk mund të thosha se isha duke lexuar thjesht, humor. Nga që ato, tregimet në fjalë, të bënin të përjetoje një sentiment të çuditshëm. Sa nisja të lexoja një tregim, sa vije buzën në gaz në paragrafët e parë, sa ndjeja të më pushtojë një ndjenjë dehëse humori kur papritmas, më dukej se po bija në “humnerë”; ndjeja të ligështohesha, të me kalonin mornica ne trup e thellë, shpirtërisht, jetoja dhimbshem me tragjizmin e fatit të personazheve, që pësonin gjëmën për hiçgjë. Ç’ishtë pra, kjo ndjenjë e paparë ankthi e humori, paradoksalisht përzier bashkë, shoqëruar nga një realitet absurd kafkian? Pikërisht, këtu, për mendimin tim, qëndron edhe zotësia e vëzhgimit të një artisti si Pëllumb Kulla, i cili nga e kaluara totalitare ka arritur të katalogojë (me pasionin dhe durimin e një “arkivisti” të rrallë, si ata që ndeshim në romanet klasike francezë), pothuaj gjithë detajet, fenomenet dhe absurdin e kohës që lamë pas. Kjo gje është, sigurisht, fryt i mjeshtërisë fine dhe spikatëse të rrëfimit të tij; një sintezë e jetës banale të ngritur në art, nje varg rrëfimesh shoqëruar me plot detaje, kujtime, situata e dialoge shpotitës të cilët edhe pse me reminishenca në dukje të largët, janë dhe ndihen të afërt, shumë të afërt nga që atë e përjetuan tri breza: pikërisht prindërit, ne dhe fëmijët tanë... *** Vëllimi“Lejlekët nuk vijnë më”, mban me shumë të “drejtë” dhe njëkohësisht si gjetje mjaft të goditur, pikërisht titullin e një tregimi mjaft prekës, poetik e tragjik njëherësh (sintezë e jetës nenë diktaturë). Tregimi në fjalë, nëpërmjet imazhit të shenjtë e paqësor të lejlekëve, në kontekst ngjarjesh të caktuara, mendoj se përmbledh gjithë simboliken e triumfit të barbarisë mbi humanizmin, të dhunës mbi tolerancën, të egërsisë mbi butësinë dhe së mirës njerëzore. Është interesante që në libër, çdo situatë a ndodhi pothuajse ka për referencë një fshat të panjohur të Shqipërisë verilindore, me emrin Gollokamje, i cili të kujton për nga pikënisja e rrëfimeve, Bugjejovicën e Shvejkut. Duket, në pamje të parë, se njerëzit e këtij fshati, kanë lindur për të bërë “llogo” e për tu argalisur në gallatë por, pikërisht këtu qëndron edhe “gracka”. Fshati Gollokamje në më të shumtën e miletit të tij, është fole armiqsh; shkurt një fshat reaksionarësh e aty çdo fjalë, çdo personazh, çdo qyfyr, veprim a vështrim, nuk merret si qyfyr, si shaka, si fjalë a gjest normal, por si kunj, si propagandë e veprimtari armiqësore. Duket se, gjithë të këqijat e kësaj bote, vijnë pikërisht nga që ai fshat qe armik i betuar, një strofkë njerëzish të pabesë. Në fakt, kjo gjetje e bukur e cila s’ka të bëjë me rastësinë e as me ndonjë “shpikje” imagjinare të autorit, ka një domethënie të qartë e përgjithësuese: Gollokamje e asaj kohe ishte gjithë Shqipëria, ndaj dhe lexuesit i ngjan se atë fshat e ka njohur, i ka pare korijet e lumin që e përshkon mëspërmes, ka njohur dhe fshataret e tij, “bandat e reaksionareve, thumbat dhe fjalët e tyre me spica kundër pushtetit popullor” ... *** Një veçanti tjetër e këtij libri ... Në fakt edhe pse kemi të bëjmë me një vëllim tregimesh, shumë personazhe e po ashtu mjaft situata, janë të pranishëm në shumicën e rrëfimeve e, fati i tyre, na ndjek në pothuajse gjithë librin. Kemi të bëjmë, pra, jo thjesht me një libër tregimesh por me tregime që përbejnë një libër unik dhe kompakt (në kuptimin e vazhdimësisë së personazheve, situatave dhe referencave të cilat ndjekin e plotësojnë njëra-tjetrën). Në qendër të shumicës së tregimeve, është pikërisht ajo e famshmja Gollokamja, vendlindja e gjynahqarit Melis Feçorri të cilin ngado që vë këmbë e ndjek pas, si hije e zezë, biografia e tij “me njolla”. Pikërisht, si me Bugjejovicën e Shvejkut, do të thosha se me fshatin Gollokamje, ka pothuajse lidhje çdo keqkuptim e kokëçarje, çdo ankth, dyshim, komplot, çdo veprimtari armiqësore që ndodhte aso kohe, e që padyshim drejtohej kundër “pushtetit popullor e ndaj popullit heroik shqiptar”. Diçka kjo e cila, pavarësisht trishtimit, paradoksit dhe dhembjes, autori ka ditur të na i paraqesë me mjaft humor e shpesh, me një sarkazmë therëse ... Vasil QESARI Web:SimbadBlog: Amarus _________________________________________________________________ Conosci Doretta? Contattala, è ora su Messenger! http://www.doretta82.it/banner/index.html ______________________________________________________________ If you wish to unsubscribe, send a blank message to: [email protected] , or visit Alb-Club's page at: http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club