[AlbClub] Fajtor, edhe pa e ditur Gërdecin

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Fri, 28 Mar 2008 07:52:38 +0100
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <019d01c890a0$563db1b0$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Fajtor, edhe pa e ditur Gërdecin
[Gazeta Shqiptare, 28.3.2008]

"Nuk kam ditur gjë fare për Gërdecin", justifikohet kryeministri.  Do thoni 
ju, se e ka ditur, por gënjen.  Ne po e supozojmë se vërtetë që nuk e ka 
ditur.  E pastaj?  E përse u dashka që një kryeministër t'i dijë të gjitha, 
të kalojë çdo gjë në duart e tij?!  Shteti është një mekanizëm që vepron për 
mijëra gjëra që kryeministrat as që i dinë fare, dhe as që kanë sepse t'i 
dinë.

Kryeministri është fajtor për mosfunksionimin e hallkave të shtetit të tij, 
e jo vetëm për gjërat "për të cilat ka pasur dijeni personalisht".  Ja një 
ilustrim i thjeshtë fare.  Nëse një automjet po thyen rregullat e 
qarkullimit, polici i qarkullimit e ndalon, apo e gjobit, pa e ditur fare 
kryeministri.  Nuk është se i fut një mesazh kryeministrit, dhe pasi merr 
përgjigjen prej tij, pastaj vepron.  Nëse policët e një shteti nuk veprojnë, 
atëherë e ka fajin kryeministri që ka ndërtuar një shtet ku policët nuk 
veprojnë.  Nuk mund të justifikohet kryeministri, se polici nuk i dërgoi 
mesazh atij, dhe prandaj nuk paska faj ai personalisht, kryeministri.  (Në 
fakt, ka shumë gjëra për të cilat është vënë në dijeni kryeministri ynë 
aktual, e prapë se prapë nuk janë rregulluar fare, por nuk po i biem atij 
krahu.)

Sa më shumë hallka të shtetit të konstatohen se nuk kanë kryer detyrat, apo 
nuk kanë funksionuar si duhet, aq më i rëndë bëhet faji i kryeministrit të 
shtetit.  Por katastrofa e Gërdecit mjafton që të hiqet ky kryeministër: 
dihet tashmë se ka shkak direkt të saj, mosfunksionimin e hallkave të 
shtetit, e prandaj fajtori kryesor është ai, z. Berisha, që kishte mbi 30 
muaj në pushtet.

"Reformat", ristrukturimet e hallkave të shtetit, që po përbën "justifikimin 
e ri" të kryeministrit aktual, janë një veprimtari e vazhdueshme, e 
përjetshme e shteteve.  Por ato nuk janë justifikime për mosfunksionimin 
tërësor të shtetit, siç është rasti i Gërdecit, ku në zonën më të populluar 
të vendit, në mes të hapësirës Tiranë, Aeroport i Rinasit Durrës, zhvillohet 
një aktivitet i çmontimit të mijëra tonë municioneve, dhe bile i kryer edhe 
nga kalamaj.  Në këtë rast, jemi para një papërgjegjshmërie tërësore të 
shtetit.  Kryeministri thjesht duhet t'i lëshojë vendin një tjetri që edhe 
ruan popullin nga katastrofat, edhe vazhdon të bëjë reforma.

Një kryeministër që kërkon të përqendrojë çdo punë të shtetit në duart e 
veta, siç dihet se bën në vazhdimësi z. Berisha, kryen një faj të madh ndaj 
vendit të vet.  Nuk është më një përgjegjës reparti në një spital, ku 
mosndarja e detyrave, fundja thjesht do të ulë eficiencën e punës së disa 
mjekëve dhe infermierëve.  Këtu flitet për të gjithë shtetin, dhe një njeri 
i tillë duhet të largohet menjëherë nga detyra e drejtimi të shtetit.

Përqendrimin e çdo gjëje në duart e veta, kryeministri e bën ngaqë kërkon të 
manipulojë e të kontrollojë çdo gjë, nga fiksacioni se mos të vetët i marrin 
pushtetin personal.  Ai vendos vetë, por edhe krijon frymën e vendosjes në 
hallkat e shtetit, të njerëzve të manipulueshëm nga ai, dhe jo e të aftëve. 
Kjo sjellje e tij, sjell mosfunksionimin tërësor të hallkave të shtetit. 
Janë me qindra e mijëra njerëzit që e kanë provuar mbi shpatullat e veta, 
këtë sjellje të tij, tash 17-18 vjet që është në politikë, qoftë si kryetar 
partie, qoftë si president.  Tani si kryeministër, i vuri kapakun me 23 
fatkëqij të vrarë (deri tani!), e me qindra të plagosur, e me miliona euro 
dëme materiale.

Pra nuk ka pse të pritet se "çdo të nxjerrin hetimet", sepse çdo gjë që të 
nxjerrin, qoftë se edhe se "serbët qenë që i vunë zjarrin municioneve", apo 
qoftë dhe se "Mediu kishte marrë ryshfet 1 milionë dollarë", asgjë nuk 
ndryshon thelbin e çështjes: fajtori kryesor i mosfunksionimit të shtetit 
mbetet kryeministri aktual, prandaj hapi i parë është heqja e tij, dhe 
vendosja e një tjetri për të kryer detyrën e kryeministrit, e ndërkohë të 
vazhdojnë vlerësimet e hetimet e shkallës së fajeve, e atyre personale të 
kryeministrit të hequr, dhe edhe e të gjithë qeverisjes së dalë nga Kuvendi 
i tij i megadushkut.

Bashkim Kopliku
23.3.2008

Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 2976 (20080326) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club