[AlbClub] Kosova me Elektrikun, jo sipas Shqip ërisë

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Wed, 9 Apr 2008 07:19:43 +0200
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <003e01c89a01$5f99aa10$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***



Kosova me Elektrikun, jo sipas Shqipërisë
[Gazeta Shqiptare, 7.4.2008]

Kosovarët do të gabojnë rëndë, po ndoqën shembullin e Shqipërisë për 
Elektrikun (për energjinë elektrike, përfshirë prodhimin, transmetimin dhe 
shpërndarjen e saj): nuk duhet ta mbajnë pronë të shtetit, duhet ta 
privatizojnë sa më shpejt dhe çdo gjë.  Fajtorët kryesorë për mbajtjen 
shtetërore të energjisë elektrike në Shqipërinë e pas vitit 1990, për 
mosprivatizimin me kohë të saj, janë dy drejtuesit e Shqipërisë: Fatos Nano 
dhe Sali Berisha.

Patëm dëgjuar kryeministrin Sali Berishën që po e këshillonte kryetarin e 
Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, si dhe dy nënkryetarët, Sabri Hamiti 
dhe Xhavit Halili, që t'i ndërtonin shtetërore termocentralet elektrike të 
tyre.  Por fill pas asaj, ai bëri hatanë e madhe me Gërdecin, e prandaj po 
shkruajmë sot, me vonesë.  Ja se ç' u pat thënë kryeministri Berisha miqve 
kosovarë: "qeveria shqiptare parashikon dhe ka shpallur prej kohësh që të 
jetë një aksionare jo e parëndësishme në termocentralet që do të ndërtohen 
në Kosovë".  Nuk ka këshillë më të keqe për kosovarët, sesa t'i futen edhe 
ata etatizmit (statizmit), që konkretisht do të thotë: shteti të merret me 
aktivitet ekonomik (furnizimi i energjisë elektrike), në vend që atë t'ua 
lërë ta bëjnë privatët.

Ne do t'u thoshim kosovarëve: mos bëni gabimin tonë; privatizoni menjëherë 
çdo gjë që prodhon e furnizon energji elektrike në Kosovë; mos lejoni të 
ndërtohet asgjë e re nga shteti, as hidrocentrale dhe as termocentrale.  Mos 
privatizoni "vetëm shpërndarjen e elektrikut", siç deklaron tani ky 
kryeministri ynë, ndër kohë që duhet të privatizoheshin edhe të gjitha 
burimet, si hidrocentralet, termocentralet etj.  Mos bëni gafa si ne me 
termocentralin e Vlorës, që po e ndërton shteti, me gjithë ineficiencat e 
prishjet e ekologjisë, që shoqërojnë ndërtimet e menaxhimet shtetërore kudo 
në botë, e sidomos në një shoqëri individualiste dhe të korruptuar, siç 
është shoqëria jonë shqiptare.

Do t'u thoshim më tej kosovarëve, se qeverisjet (qeveri, kuvend, drejtësi), 
dhe e jona, por dhe e tyrja, kanë mjaft punë të tjera për të bërë, e që 
privatët nuk i bëjnë dot, apo nuk i bëjnë dot aq mirë.  Këto janë: vendosja 
e rregullave të lojës së Lirisë dhe Demokracisë (zgjedhje të lira, gjykata 
të drejta, administratë shtetërore eficiente, ambient i mirë biznesi, siguri 
e funksionimit të mirë të tregut të lirë etj.).

Kryeministri ynë, nëse do të donte të ndihmonte konkretisht Kosovën, mund t'i 
rekomandonte ndonjë investitor privat të fuqishëm, nga ata miqtë që thotë se 
paska në Japoni, në Amerikë, në Itali, në Zvicër, etj.  Por, ata, 
investitorët privatë, është mirë të jenë të specializuar në ndërtim të 
termocentraleve.  Natyrisht që investitorët do të fitonin-përse do të 
investonin xhanëm, nëse nuk do të fitonin?!-por do të fitonte edhe populli i 
Kosovës dhe ai i Shqipërisë-duket se të vetmit që nuk do të fitonin aq 
shumë, janë vetëm qeveritarët!

Nëse termocentralet në Kosovë do të mbeten në pronësi të shtetit, e aq më 
keq nëse do të ndërtohen të rinj, nga shteti, qoftë dhe nga një kompani 
private e zgjedhur nga shteti e për hesap të shtetit, atëherë nuk do të 
fitonte kurrkush.  Shtetet si yni, por edhe ai i Kosovës, kur merren me 
aktivitet ekonomik, janë "të specializuara" për të prodhuar vetëm humbje, 
dhe jo fitim.  Prandaj dhe u duhet lënë në duar investitorëve privatë, t'i 
gëzojnë termocentralet në pronësi të tyre private.  Nuk do rënë viktimë e 
smirës dhe inatit se "do të fitojnë ata", sepse me ta do të fitojnë të 
gjithë, pra i gjithë populli, si këtu në Shqipëri, si dhe në Kosovë.  Do të 
fitonim energji elektrike të sigurt dhe me cilësi, por edhe me kosto shumë 
më të ulët për ekonominë në tërësi, sesa nga Elektriku shtetëror, me gjithë 
fshehjet e kostos reale që bën.

Ne në Shqipëri, kemi eksperienca tashmë pafund, për eficiencën e lartë të 
privatit, krahasuar me shtetin.  Këto eksperienca shtrihen në të gjitha 
fushat e ekonomisë, duke filluar që nga telefonia, firmat e ndërtimit dhe të 
prodhimit, restorantet, hotelet, dyqanet e të tjera.

Shpesh dëgjohet justifikimi: "ta bëjmë fillimisht shtetëror, se e bëjmë me 
paratë e organizmave ndërkombëtare (Banka Botërore etj.), dhe pastaj, pasi 
të funksionojë ca kohë si shtetërore, edhe e privatizojmë".  Është thjeshtë 
një gënjeshtër. E para, paratë e organizmave ndërkombëtare që mund edhe t'i 
marrësh për termocentralet, zbriten nga paratë për investimet e tjera (nuk 
janë pa fund fondet që i jepen një vendi, qoftë dhe Shqipërisë apo dhe 
Kosovës).  P.sh. zbriten nga paratë që mund të merreshin për ndërtimin e 
rrugëve, para që do të duheshin shumë më tepër aty, për rrugët.  Kjo sepse 
është vështirë të gjesh investitorë privatë për rrugët, sepse privatizimi i 
rrugëve është shumë i vështirë, bile shpesh i pamundur.

E dyta, edhe vetë vendimi për të ndërtuar termocentralin, pastaj ndërtimi i 
tij, pastaj shfrytëzimi nga shteti (qoftë dhe për një kohë të shkurtër), dhe 
pastaj privatizimi, është një rrugë krejt joeficiente (pra me humbje të 
mëdha).  Kjo sepse kryhet nga nëpunësit e paaftë dhe të korruptuar të 
shtetit, dhe jo nga privatët.

Analiza për të gjetur se përse ne kemi gabuar që nuk kemi privatizuar me 
kohë Elektrikun, përse Nano e Berisha kanë vepruar kështu, si etatistë 
tipikë, menjëherë do të na shpinte tek mendësitë e tyre komuniste, nga të 
cilat e kanë zor të shkëputen, sepse ishin komunistë të devotshëm deri në 
një moshë relativisht të madhe, mbi 40 vjeç.  Apo do të na shpinte tek 
"babëzia e tyre për pushtet, ku Elektriku është vend punësimi militantësh" 
etj.  Apo do të na shpinte tek mendësitë tona etatiste që i kanë rrënjët në 
... Nejse, kjo analizë mund të zgjerohet në një shkrim tjetër.  Këtu 
thjeshtë po paralajmërojmë kosovarët, të mos ndjekin shembullin tonë të keq.


Bashkim Kopliku
7.4.2008


Phone: +355 52 223663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 3011 (20080408) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club