[AlbClub] Berisha ik ! Po pastaj ?
Ajet Nuro <[email protected]> Sun, 13 Apr 2008 20:36:24 -0700
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <20080413203624.df39ae4eb38f346792be16a6b64fcff4.3616a42451.wbe@email.secureserver.net> |
*** AlbClub Discussion List *** Berisha ik ! Po pastaj ? Nga Ajet Nuro Botuar në Tribuna Shqiptare Së pari do të doja të shprehja keqardhjen time dhe në të njëjtën kohë simpatinë për banorër e Gërdecit, si shqiptari për shqiptarët por dhe për faktin që jeta më ka bërë që ta shkel atë fshat dhe të njoh dhe banorët e tij, banor që i dallon entuziazmi dhe bujaria tipike e banorëve të Shqipërisë së mesme. Duhet të kujtoj këtu se nga Gërdeci ka origjinën një nga artistet më të njohura të Tiranës, dhe gjithë Shqipërisë, Merita Halili. Shpërthimi i municioneve në Gërdec, « shpërtheu » dhe debatet më të mëdha në Shqipërinë e pas '97. Debate politike, strategjike, ekonomike etj. Në një farë mënyre, Gërdeci i zgjoi shqiptarët dhe i bëri të rishikojnë vehten dhe të krahasohen me të tjerët dhe efekti « Gërdec » ndihet në të gjitha bisedat, lajmet, debatet etj etj. Dhe, është normale dhe e ligjshme që pas asaj çka ndodhi në Gërdec të dëgjojmë ngado thirrjet « Berisha ik ! » Në një shoqëri të vërtet demokratike dhe normale një kryeministër « digjet » nga ngjarje të tilla. Pak rëndësi nëse ai e meriton apo jo një "dënim" të till. Gërdeci i paralajmëruar... Sa herë dëgjojmë per ngjarje jo të pëlqyeshme nga Shqipëria, duke mos dashur të flas për të tjerët por unë personalisht gjithmonë mendoj se kjo nuk është e fundit. Si është e mundur që ndodhën ngjarjet në Kosinë, si është e mundur që ndodhin trazira dhe deklarata antikushtetuese në Himarë, si është e mundur që shqiptarët vdesin për mungesë sigurie në rrugë në liqen etj etj. Ndoshta do të ishte e rëndë të pranohet por ja që realiteti shqiptar është i tillë që Gërdeci vetëm sa zbuloi atë që ne shqiptarët mundohemi ta fshehim, primitivitetin e shtetit tonë, primitivitetin e shoqërisë sonë. Unë, dhe nuk besoj se jam i vetmi, jam shprehur dhe i qëndroj në atë se Shqipëria nuk ka ndryshuar dhe duhet vepruar sa nuk është vonë. Ngjarjet e 1997 dhe rikthimi i tyre në një apo në tjetër formë, e përforcon një gjë të tillë. Ka 18 vjetë që ne shqiptarët ngopemi me lugën bosh. Demokracia shqpiptare çalon dhe një demokraci çale e dëmton një shoqëri po aq sa dhe një diktature në mos dhe më keq. Fakti që pas një dikatature, të gjithë e duan demokracinë tregon se një diktature ia përgatit vendin një demokracie. Nuk mund të themi se nga një gjë e tillë kanë përfituar shqiptarët. Për 18 vjetë me radhë vetëm përshkruajmë arritjet e vendeve të lindjes që ia dolën të përmbysin komunizmin, kryen tranzicionin dhe tash ndodhen në BE, ndërsa ne shqiptarët duhet të kënaqemi me një ftesë në NATO. Gjithçka që ndodh në Shqipëri mund të ketë emër përveç fjalës normale. Ne kemi 18 vjetë që lakojmë të njëjtët emra në politikën shqiptare. Atherë pse e kundërshtojmë monarkinë. Mbretin, të paktën nuk do bënim sikur e zgjedhim !!! A ka faj Berisha për Gërdecin ? Që të themi Berisha ka faj ose jo, duhen fakte. Ato dhe nëse nuk kanë ardhur do të vijnë. Por në demokracitë moderne parimi më i rëndësishëm i një qeverie është « qeverisja e pëgjegjëshme ». Partitë në pushtet le të rrëfehen nëse kanë mëkate. Nëse mëkatarët kanë emër ata duhet të bëhen të njohur dhe përgjegjësit duhet të ndahen nga « tufa » qeveri. Por sido që të jetë qeveria nuk ngelet pa gjë sepse ka dhe një parim tjetër, i njohur si përgjegjësia kolektive e qeverisë. Dhe në krye të kësaj qeverie është Berisha. Mbi të gjitha, ajo që dëmtohet në këtë mes është miti i krijuar nga qeveria e djathtë se po lufton korrupsionin, se qytetarët mund ta denoncojnë çdo veprim të korruptuar etj etj. Unë këtë e quaj përgjegjësi të Berishës. Askush nuk ka të drejtë të flas për veprime të një klase politike me qëndrime të djathta. Ndoshta të gjitha këto duan të injorojnë përparimin e një rrume të vërtet të djathtë. Shoqëria shqiptare ka pjesën e vetë të përgjegjësisë Ne nuk kemi shoqëri civile. Një shoqeri e civilizuar krijon instrumentat për të zhvilluar demokracinë dhe për ta mbrojtur atë. Ne kemi qindra ONG (organizata jo-qeveritare) në Shqipëri por siç duket ato janë privatizuar. Dhe duhet të jenë privatizuar me .. letra pa vletë...Sidoqoftë për drejtuesit këto ONG duhet ta kenë njëfarë vlere... Veç demokracia nuk zhvillohet pa ONG që punojnë dhe që kërkojnë llogari. Po shtypi ? Të vjen mirë kur konstaton që në Shqipëri kemi shtyp pak a shumë të zhvilluar sepse kemi dhjetra tituj gazetash dhe revistash. Por ndërsa të gjitha (ose pothuajse...) këto gazeta nuk lënë rast pa shkruar për diktaturën për sakrificat e kryera nga kasta e asaj kohe apo grindjet në familjen Hoxha, asnjë gazetar nuk e ka marr mundimin të hetoj për probleme të tilla si ai që solli tragjedinë e Gërdecit. Gazetat dhe gazetarët kanë rol të rëndësishëm parandalues. Pasi ndodhin ngjarjet reportazhet e tyre, sado të rëndësishme janë si kofini pas të vjeli. Më keqa është se shumica e gazetave në Shqipëri nuk harrojnë të shkruajnë në krah të emrit të gazetëz shprehjen e famëshme « gazetë e pavarur » Kjo është mëse vërtetë, por atë « pa » nuk e kemi parë gjer më sot... A duhet të jap Berisha dorëheqjen ? Po, le ta jap. Pyetja që unë do të shtroja është kush do ta zvendësoj. Dhe këtu nuk është frika se a ka shqiptar që të mundet të kryej detyrën e vështirë të kryeministrit. Gjithsesi jo. Problemi qëndron në një shprehje kokëfort shqiptare që përfundon me « ... një turi kanë » Le ti shikojmë gjërat në sy. Para disa ditësh pash një foto të « News24 » ku shfaqeshin shefat e opozitës që kërkonin « kokën e Berishës ». Të them të drejtën më erdhi keq për Shqipërinë. Foto ishte marr në mars 2008 por çuditërisht të kujton marsin e 1997. Po ato fytyra (ose pothuajse...) dhe po ato kërkesa. « Berisha ik » Dhe më 1997 për një kapriço të tillë dhe me premtimin për të kthyer paratë e grabitura nga hajdutët piramidas, opozita e asaj kohe dhe e sotme dogji Shqipërinë. Sigurisht jo e vetme por dhe me kokëfortësinë e pozitës për të mos gjetur një zgjidhje politike. Le të mos bëhen shqiptarët preh e ambicieve të një klase politike që asgjë nuk i ndal për të marr një copë karrige nëpër ministrira. Për ta nuk ka rëndësi çmimi. Berisha IK !!! Po pastaj ? Për mua "Berisha ik!" nuk mund të ndahet nga pyetja "po pastaj?". Edhe diktatori Franko para se të vdiste mendoi për Spanjën dhe solli në fron Huan Karlon. Klasa e sotme nuk ka ndërmend të lëshoj armët (karriget...) dhe të mendoj për të nesërmen e Shqipërisë. Ata që nuk ndihen të sigurt në Shqipëri veç një rrugë kanë : të tentojnë të hedhin poshtë shkaktaren e kësaj gjendjeje në Shqipëri, klasës së vjetër politike. Nëse ndiheni të sigurt, vazhdoni rrugën. Berisha një ditë do iki. Po pastaj ?! Montreal, Kanada 13 prill 2008 [email protected] _________________________ http://www.albemigrant.com/ ______________________________________________________________ If you wish to unsubscribe, send a blank message to: [email protected] , or visit Alb-Club's page at: http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club