[AlbClub] Fw: Anti-enciklikë: çifti i ri i politikës së vjetër

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Sat, 3 May 2008 08:28:46 +0200
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <00af01c8ace7$085dd890$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***



Anti-enciklikë: çifti i ri i politikës së vjetër
[Gazeta Shqiptare, 3.5.2007]

Me pjesëmarrjen në atentatin anti-kushtetues të 21 prillit 2008, PS-ja 
(Partia Socialiste) kërceu sipas dajres së z. Berisha.  Tani z. Rama thjesht 
po i zë vendin z. Fatos Nano, duke krijuar çiftin e ri "të politikës së 
vjetër": çiftin Rama-Berisha.  Kishim filluar t'i ndiqnim me shpresë, 
enciklikat e "Papës" së PS-së, z. Edi Rama, për nevojën për bashkim, "përtej 
së majtës e së djathtës", në një front kundër "së keqes kryesore të vendit, 
berishizmit" etj.  Por tani na duhet të  shkruajmë këtë anti-enciklikë, 
sepse z. Rama shkoi e u fut në strofën berishiste, kundër të gjithë atyre që 
i kundërvihen asaj të keqeje kryesore.

Në gjuhën e kishës katolike, enciklika përkufizohet si "një letër 
qarkulluese apostolike [e organeve të papatit-sh.y.], që Papa i drejton në 
formë solemne, autoriteteve të larta të të gjithë Kishës [arqipeshkëve 
etj.-sh.y.], për çështje që kanë të bëjnë me doktrinën, me moralin apo me 
liturgjinë [diskutimin publik mbi fenë e krishterë-sh.y.], ose për tema të 
veçanta fetare, shoqërore ose filozofike, që u interesojnë të krishterëve 
ose të gjithë popujve."  Në gjuhën e PS-së, enciklika është komunikimi i 
kryetarit të PS-së (jo papës, sepse bëmë alegori më lart), me partinë e tij 
si dhe me shqiptarët.

Kemi mospërputhje doktrinare me z. Rama, por po mundoheshim të gjenim pika 
takimi.  E gjitha kjo në kuadrin e domosdoshmërisë së një fronti të gjerë 
kundër berishizmit, një front i tipit të koalicionit anti-hitlerian të 
luftës së dytë botërore, ku u mblodhën kundër së keqes kryesore, kundër 
hitlerianëve, njerëz që normalisht do të ishin kundërshtarë politikë të 
vendosur.  Një koalicion të tillë kishim bërë dhe në 1991-92, për rrëzimin e 
komunizmit në Shqipëri.

Po mundoheshim të përqendroheshim në anët e mira të zotit Rama.  Kujtonim 
anti-enverizmin e tij në vitet 1990-91, kur ai kritikonte edhe më ashpër se 
ne të PD-së (Partisë Demokratike).  Mendonim se ai nuk ishte në një parti me 
ne, në PD, thjesht si rezultat i mosmarrëveshjeve personale me persona të 
veçantë të komisionit nismëtar të PD-së.  Pas 1998-ës, përqendronim 
vëmendjen tek punët e mira që kishte bërë si kryetar i Bashkisë së Tiranës. 
Por kryesorja ishte se me z. Rama, po bëhej një dekomunistizim i thellë i 
PS-së, saqë po hiqeshin pothuaj të gjithë ata që kishin qenë anëtarë të 
Partisë së Punës (komuniste), duke arritur saqë edhe në pozita udhëheqëse të 
PS-së në rrethe, të kishte edhe ndonjë që vinte ose nga të persekutuarit 
politikë të regjimit komunist, ose dhe nga partitë anti-komuniste, si Balli 
Kombëtar etj.-ndërkohë që në PD-në e z. Berisha po ndodhte procesi i 
kundërt: komunistizimi i partisë.

Por papritur z. Rama ndryshoi me 180 gradë.

Goditi partitë "e vogla", ekzistueset dhe ato të së ardhmes.  Të voglat janë 
një potencial demokratizues i jetës politike të një vendi në hapat e para të 
demokracisë.  Këto parti në total mund të përmbledhin mbi gjysmën e votuesve 
shqiptarë.  E të heqësh nga jeta politike këta, apo t'u transformosh votën 
duke ua drejtuar, me dhunë, drejt dy partive të mëdha, kjo do të thotë t'i 
shtosh berishizmit me disa fish shanset e mbijetesës.  E gjithë kjo, nuk 
shkon me "bashkimin kundër berishizmit", që z. Rama promovonte jo pa 
elokuencë.

Partive "të vogla" ekzistuese (opozitë e mazhorancë), po u hiqet me dhunë 
mundësia të provohen në një zgjedhje pa megadushk.  E kemi fjalën, si për 
ato të opozitës, të drejtuara nga Gjinushi, Milo, Ceka e pse jo dhe Xhuveli; 
si dhe për ato të mazhorancës, të drejtuara nga Ndoka, Pollo, pse jo dhe 
Mediu.  Pas zgjedhjeve pa megadushk, ato parti që nuk do të merrnin dot 
votat minimale, pra nuk do ta kalonin dot pragun elektoral, do t'i kishte 
hequr nga Kuvendi vota e popullit, dhe jo vota për "ndryshimin e 
 Kushtetutës", e megadushkarëve të Kuvendit aktual.

Goditi edhe partitë e reja që mund të lindnin (G-99 e z. Erjon Veliaj, PLD e 
z. Spartak Ngjela etj.), të cilave duhet t'u jepej mundësia të garojnë, e jo 
të mbyten me dhunë, që në "fëmijërinë e tyre", me sistemin rajonal që synon 
t'i ulë me përdhuni në prehrin e të mëdhenjve: PS-së apo PD-së.  Në një 
shtet që ka dalë nga një diktaturë, është shumë e rëndësishme që politikës t'i 
garantohet mundësia të provojë në rrugë të reja.

Goditi LSI-në, tashmë një parti jo e vogël.  Kryetari i LSI-së , Ilir Meta, 
, por edhe të tjerët rreth tij, ngrenë një gjë të drejtë: po kundërshtojnë 
sistemin zgjedhor rajonal si dhe përdhosjen e Kushtetutës.  Me to po synohet 
të zhduket nga Kuvendi partia e tyre.  E kush nuk do të protestonte, po t'ia 
punonin kështu, aq më tepër një parti si LSI-ja, që në zgjedhjet e vitit 
2005, megjithëse e vodhën megadushkarët, doli se doli me 8,4% të votave të 
vlefshme të zgjedhësve.

Votimi nga Asambleja e PS-së, me "99,99%" pro sistemit zgjedhor rajonal 
(vetëm një votë kundra!), është një dëshmi indirekte e mungesës së lirisë 
brenda vetë PS-së: votuan sipas kryetarit.  Duke bashkuar këtë fakt, me 
mungesën proverbiale të lirisë së brendshme në PD-në berishiste, merret vesh 
se cilët do të jenë kandidatët për deputet që do të nxjerrin në vitin 2009, 
këto dy parti.  Nëse doni të shihni kopjet e deputetëve të ardhshëm të 
"rajonalit", shihni kush është vendosur "në pozicionet kyç të pushtetit 
qendror apo lokal" nga këto dy parti-si këta do të jenë edhe ata të listave 
të mbyllura, ata që do të caktohen pa pyetur se ç'thotë baza (populli) për 
ta.

Mbase ka edhe një motiv tjetër për atë votimin "99,99%": flitet se në 
Asamble janë grumbulluar njerëz që nuk i do baza e PS-së, ose që nuk i njeh 
fare.  Të gjithë këta mund t'i mbajë në politikë vetëm partitokracia, që e 
sjell ky sistemi rajonal.

Deri ditën e fundit, më 21 prill 2008 (ditën e atentatit anti-kushtetues), 
patëm akoma shpresa se ishte një lajthitje politike, dhe se z. Rama do të 
reflektonte.

Paskemi shpresuar kot! Z. Rama dhe z. Berisha po ia bëjnë si ata komshinjtë 
që megjithëse shkojnë keq me njëri tjetrin e shahen reciprokisht gjithë 
ditën, në heshtje edhe bien dakord që bashkërisht të shkelin ligjin apo 
moralin.  Kështu, kur vjen puna për të shtyrë avllinë (murin e oborreve të 
tyre) që është në të njëjtën linjë, në buzë të rrugës, merren vesh pa folur, 
bile dhe duke vazhduar të shahen në publik.  Vjedhin së bashku pronën 
publike, duke futur brenda oborreve të tyre, disa metra nga rruga apo 
trotuari "i popullit".  Z. Rama e z. Berisha, sapo kanë vjedhur nga Liria 
jonë.  E kjo në kohën kur pritej që z. Rama t'i bënte mocion mosbesimi z. 
Berisha, për Gërdecin e për "një mijë të zeza të tjera, që i ka bërë këtij 
vendi".

Në Kuvendin ekzistues, gjëja e vetme që ka mbetur për të bërë, është 
mbledhja e firmave të 28 deputetëve, që atentati anti-kushtetues i 21 
prillit të kalohet në referendum, me shpresë se populli do të rivendosë 
Lirinë dhe Demokracinë-a thua do të ketë së paku 28 burra (apo gra) në atë 
Kuvend?!

Gjithsesi, të gjitha forcat anti-diktaturë, të djathta apo të majta, duhet 
të intensifikojnë përpjekjen e tyre për Liri dhe Demokraci, edhe pa PS-në, 
edhe jashtë Kuvendit, edhe duke e bojkotuar atë institucion për sa kohë do 
të jetë i barrikaduar me "zgjedhje rajonale", me "kryeministër të paheqshëm", 
me një "president rreshtor të kryeministrit", me "komision zgjedhor të 
politizuar".


Bashkim Kopliku
30.4.2008



Phone: +355 52 223663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 3072 (20080503) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club