[AlbClub] Fw: Diskriminimi i feve, anti-shqipt arizëm

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Tue, 13 May 2008 10:06:31 +0200
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <007701c8b4d0$46ae89a0$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***



Diskriminimi i feve, anti-shqiptarizëm
[Gazeta Shqiptare, 13.5.2008]

Diskutimi "a është islamizuar me dhunë shqiptari", sa herë e rinisin, na lë 
një shije të hidhur sepse është diskriminim i një feje të caktuar: është 
dasi fetare.  Është po i njëjti avaz që përsëritet herë pas here, si 
propagandat e "shpëlarjeve të trurit", ato nazistet apo komunistet. 
Gjithnjë përzihen historianë, shkrimtarë, fetarë, analistë, ndonjë 
politikan, dhe edhe ca që nuk merren vesh se ç'janë.  Gjithnjë përsëriten të 
njëjtat gjëra.  Një shtet shqiptar, nuk duhet të qëndrojë kaq indiferent 
ndaj kësaj maskarade: po i ngacmojnë nervat një pjese të mirë të popullsisë 
së vendit.

Para ca ditësh, u arrit kulmi i absurdit: u bë një "referendum me celular 
(telefon)", një "votim klanor" absurd, ku "u votua" nëse feja myslimane 
është futur me dhunë tek stërgjyshërit tanë të lavdishëm.  Natyrisht, pas 
atij "referendumi" shpresohej të merrte përgjigje indirekt, edhe pyetja e 
nënkuptuar: a duhet ndërruar mbrapsht kjo fe, qoftë dhe me dhunën moderne, 
me këtë dhunën psikologjike, të shpëlarjes së trurit, apo dhe të joshjeve me 
favore si pensionet e marra nga shtete të huaja, viza etj.  E gjitha kjo, 
është një diskriminim prej skuthi (hipokri), i fesë islame, por edhe i 
kushtetutës shqiptare.

Sa mjeranë na u dukën që nuk e lanë në mes atë emision, ata personat që 
ishin prezent.  Ishin ca figura të përhershme mediatike, që gjoja po jepnin 
mend, gjoja të shtyrë, së fundmi, nga një libër i një politikani, që 
akuzohet se "shan islamin"-gjithnjë sajohet një pretekst për t'u mbledhur 
dhe "për të shitur mend".


* * *
Vetë fakti që shtrohet një diskutim i formës "a është përqafuar me dhunë 
islami në trevat ku kanë banuar shqiptarët", ka brenda diskriminimin.  Sado 
të thuash në diskutimin tënd, se "çështja është komplekse", se "ka pasur 
edhe raste pranimi me vullnet të lirë" etj., apo dhe të marrësh pjesë në atë 
diskutim sinqerisht në mbrojtje direkte të islamit, nuk e heq diskriminimin, 
sepse ti ke pranuar të veçohet për të keq një fe, nga të tjerat.  Natyrisht 
që kjo është dhe anti-shqiptarizëm.

Që ta kuptoni më lehtë diskriminimin që i bëhet islamit, me këto diskutime, 
mendoni sikur dikush, bile dhe "me qëllime të mira", të shtrojë në publik 
çështjen që vijon: "A është prostitutë motra e juaj", apo "a jeni hajdut ju" 
e të tjera të tilla.  Sado që në atë shtrim, të ngrihen njerëz dhe të 
mbrojnë motrën tuaj, apo t'ju mbrojnë ju personalisht, duke thënë me 
akademikllëk, se "motra juaj nuk është lavire", apo se "ju nuk jeni i 
degjeneruar", prapë ju do të ndjeheshit shumë keq.  Përse të ngrenë këtë 
çështje?  Përse për motrën time, dhe jo edhe për motrat e tjera në 
përgjithësi?  Përse për mua personalisht, dhe jo dhe për të gjithë ne në 
përgjithësi?

Diskutimi historik sesi janë pranuar fetë tek ne, përfshirë edhe islamin, në 
përgjithësi  nuk ka ndonjë të keqe të madhe.  E keqja vjen kur kjo fe 
veçohet, diskriminohet nga të tjerat.  Edhe më konkretisht: ne nuk do të na 
bënte ndonjë përshtypje dhe kaq të keqe, nëse do të diskutohej se "a kanë 
përqafuar shqiptarët me dhunë fetë e tyre, si katoliken, ortodoksen edhe 
myslimanen"?  Në një rast të tillë, së paku nuk do të kishte diskriminim që 
në nisje.  Por prapë nuk do të na vinte mbarë, për dy arsye.  E para, 
thjesht sepse po merremi me kritika ndaj feve, në kohë që kemi shumë gjëra 
më të rëndësishme për të diskutuar.  E dyta, nuk kemi fytyrë ne shqipot, të 
merremi me kritika për fetë, për arsyen në vijim.

Ne shqiptarëve nuk na takon të kritikojmë fetë, sidomos brezi mbi 35 vjeçar, 
e aq më pak ata mbi 50-vjeçarët që i pamë të rropaten me shumicë, në ato 
diskutimet diskriminuese anti-fe.  Nuk na takon të bëjmë analiza 
ateisto-filozofike për fetë, sepse jemi ne që ishim bashkëfajtorë në heqjen 
me dhunë të lirisë fetare në Shqipëri-ishim këtu, dhe jo vetëm që nuk u 
kundërvumë, por dhe shumë prej nesh deshën të përfitojnë, së paku duke 
duartrokitur regjimin.  Në vitin 1967, prishëm kishat dhe xhamitë, 
pushkatuam e burgosëm klerikët dhe besimtarët, përndoqëm çdonjërin që mund 
të thoshte gjysmë fjale të mirë për fenë.  E kjo situatë për disa dhjetëra 
vjet me radhë, mu në mes të Evropës, e si asnjë vend tjetër.

Ndonjërit nga diskutuesit "anti-islam", që tani ka filluar të shtiret si "i 
matur", bile sikur është "anti-islamik i moderuar", ia kemi pasë dëgjuar 
emrin që në teorizimet e praktikat anti-fetare të porositura nga shteti 
komunist, në vitet 1960-70.  Eksperienca jonë, por edhe e botës, ka treguar 
se shërbëtorët e komunizmit, kthehen shumë kollaj në shërbëtorë të çdo 
shërbimi a influence "të re", sepse nuk kanë moralin e nevojshëm, që të 
mbyllin gojën për vitet që u kanë mbetur në këtë botë!


* * *
Nuk bëjmë me shumë faj ndonjë autor libri, dhe edhe ndonjë botues, që nxit e 
sajon diskutime rreth librit të tij: ata duan të shesin librin, dhe nuk ka 
si t'ia punonin më mirë xhepave të shqiptarëve.  Si rezultat u shiten me 
mijëra kopje dhe fitojnë miliona lekë-pa ato fryrjet artificiale, pa ato 
diskutime koti, zor se do të kishin shitur dot as "100 kopje".

Fajin kryesor të kësaj maskarade, e ka shoqëria jonë që nuk kupton se po 
keqpërdoret nga qarqe që duan edhe të destabilizojnë vendin, duke futur dasi 
fetare, por edhe të heqin vëmendjen e njerëzve, nga problemet kryesore të 
këtij vendi, nga Gërdeci, nga atentatet kushtetuese mbi sistemin demokratik, 
nga gjendja ekonomike dhe nga menaxhimi katastrofik i saj nga shtetit, etj.

Shteti duhet të vendosë, për një periudhë nja 20 vjeçare, një lloj censure 
mediatike: "mos i kritikoni fare fetë".  Shtete shumë më demokratike se ne, 
si Gjermania, kanë vënë censura për disa çështje politike të tyre, në rastin 
konkret për idetë naziste.  Po ne, përse jo-ne shkojmë e ndalojmë skafet, 
përse të mos ndalojmë edhe propagandën anti-fetare, që në rastin tonë është 
anti-shqiptare?!

Bashkim Kopliku
13.5.2008

Phone: +355 52 223663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 3094 (20080512) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com


__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 3094 (20080512) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club