[AlbClub] Shqipja midis Ligjerimit dhe Mendimit

Atena Bishka <[email protected]> Tue, 20 May 2008 17:27:21 -0700 (PDT)
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <[email protected]>
                  *** AlbClub Discussion List ***

Po ju sjell me poshte shkrimin tim "Shqipja midis Ligjerimit dhe Mendimit",  i cili eshte botuar dje dhe sot te Shekulli ne dy pjese. Meqe shkrimi u shfaq ne gazete i paplote, me paragrafe te krasitur ose te qethur krejt, mendova qe se paku t'ua percjell te plote lexuesve te nderuar te "gazetes" se Alb-Club-it. [Shpresoj qe shkronjat me shenja diakritike t'ju rezultojne te lexueshme.] Pyetjet ose verejtjet jane te mirepritura ne publik ose privat.


Shqipja midis
Ligjërimit dhe Mendimit

- Prapa fjalëve rri
gramatika e pavarur e mendimit; sintaksa e kuptimeve të fjalës. -
Lev Vygotsky
Kohët e fundit ligjërimi i shqipes për shqipen po rri ulur në
njerin prej kryevendeve në odën e dialogut publik. Por sikurse ndodh rëndom kur
shqipja (si mjet) ligjëron për tema të tilla si ekonomia, shëndetësia, arsimi,
energjia elektrike, mirëmbajtja e mjedisit, pasiguria e jetës, mbrapshtitë
korruptive të vjetra e të reja, etj., po njësoj edhe kur ajo mëton refleksivisht
të kuptojë vetveten (edhe si mjet edhe si objekt), duke na e ngulur vëmendjen kështu
në loçkë të shqiptarësisë, dialogu e ka zor t’i shpëtojë shkapërthimit ndër
llonxha politike e të mos dalë që andej ideologjikisht i marinuar o në të
purpurt o në mavi, sipas rastit. E brenda kësaj loçke pikënisja kalendarike e
shqipes vështrohet si të jetë kryemargaritar, të cilin përfytyrimi kolektiv e
mban në dorë, e peshon, e mat, e lëmon, edhe përnjimend e admiron, por që në
punishte të dijes gjithësesi mbetet ende për t’u rrokur – njësoj sikundër edhe
pyetjet “Gjuha X, nga vjen?”, “Ku ta ketë zanafillën?”, “Sa më e vjetër ose më
e re është se gjuha Y?” më fort mëkojnë e përshkënditin kërshërinë popullore
sesa janë pyetje që po ia avancojnë terrenin dijes. Duke u selitur më shumë në
trevën e atdhetarisë e në bahçe të mitit sesa ndër lëvrimet e dijes, mosha e
shqipes vjen e këqyret kështu si pendant i prestigjit, i cili sa më i moçëm ndër të moçmit të jetë, aq më i çmuar është
e kësisoj aq më ngushëllueshëm gufon kraharorin tonë trysur e rrafshuar gërmadhave
të krenarisë së shkarmisur. Edhe për karshi me kryeprioritetin mondan sa
esoterik aq edhe elusiv të kohëlindjes dhe origjinës, përqarkojnë perpetuum mobile përsiatjet e një
karakteri më mundan e praktik, por shpesh eristik sikurse dilemat e ditës gegë-apo-toskë,
standardi të ekzekutohet apo retushohet, thyerjet drejtshkrimore të ndalohen
apo parandalohen, e kështu me radhë. 
 
Parë etikisht, nga “coha e mirë” patriotike që mbajnë veshur,
palët kundërvënëse zor t’i shquash dot ndër vedi. Nga pikëpamja e shtjellimit të
arsyetimeve, bie në sy se shpesh si njeri edhe tjetri kamp i mbështesin
argumentat e përkundërt tek të njejtët studiues, midis të cilëve Çabejn secila
skuadër nuk ngurron ta zgjedhë si bedenën më efikase të sulmit ose mbrojtjes. E
megjithatë, pavarësisht sa i lartë integriteti i autorëve të referuar, modeli i
vështrimit vetë sado synim-mbarë qoftë, mbetet këmbëngultësisht binar e kësisoj
raporti gegë-toskë e tok me të edhe pikëpyetjet që qarkojnë standardin prestigjcënuar
s’kanë sesi të mos shihen si përballje arketipesh përjashtuese. Mirëpo parë përtej
modeleve atdhetariste, madhësitë “gegërishte” dhe “toskërishte” janë shtylla pa
çdonjerën prej të cilave s’do të kishte foyer të shqiptarësisë, i cili mund të shihet kështu si sistem i hapur ndërveprimi kulturor, që don të thotë se si pjesëtarë
grupesh shoqërore brenda tij s’jemi veç “peshq në ujë të kulturës”, sikurse kanë
vënë re prej kohësh ndriçimtarë të tillë si Wittgenstein dhe Vygotsky. 
 
Le të ndalemi për pak te ky system, ku dukat i përbashkët
komunikimi është shqipja. Një formë ndërveprimi brenda tij janë huazimet
terminologjike, emigrimi e përshtatja e fjalëve nga një rezervuar gjuhe a
syndyk dialekti në një tjetër. Shtegtime të tilla mund të shihen si gjurmë të
evoluimit të parreshtur të inventarit terminologjik tek i bie hap pas hapi
kulturës, e cila siç venë re antropologu Brent Berlin dhe gjuhëtari Paul Kay sa
më të lartë ta ketë kompleksitetin dhe nivelin e zhvillimit teknologjik, aq më
të larmishme do t’i ketë ngjyrat e fjalësit ose leksemave në gjuhë. Kultura
jonë, mirëdihet, nuk bën ferk as për kompleksitet të lartë as për nivel të
spikatur teknologjik. Mirëpo paçka se në pikëpjekje të rralla gjer vonë me përparimet
teknike, edhepse prej vetiu obtuze e me muskuj ende të palëruar për t’i rënë
pas me vrikun e nevojshëm harlisjeve marramendëse teknologjike të kohës, përpos
faktit që si gjuhë sintetike nuk i përshtatet dot pa sëkëlldi regjistrave
teknologjike të përftuara kryesisht prej anglishtes analitike, së brendshmi sidoqoftë
shqipja ka dëftuar se kur i është dashur ka lypur fjalë ndër sepetet e baulet
erëmuara bar mole edhe ka mëtuar t’i shtjerë në punë si në të folur edhe në të
shkruar. Kësisoj ajo ka dëshmuar përkulshmëri sado të përkorë për të mirëpritur
a dhuruar terma ndër koinétë e veta, me qëllim që t’ia rrisë vetvetes fuqinë
shprehëse, t’ia zgjerojë vëllimin leksikor, e t’ia zgjatojë perimetrin gjuhës
letrare.
 
Sa për standardin, ky sado i zhgunjtë, i perceptuar herë me
të drejtë e herë pa të drejte si të qe kostum masë-kapërcyer për shtatin në
ndryshim; i vështruar si veshje prerë e qepur prej modistësh filistinë e të
shitur; dhe i shpërfillur si stof i dalë boje e ngrënë mole a i këqyrur si
rrobë shajaku fill-ashpër e lëkurë-irritues që fsheh pa shije hijeshi kurmore,
gjithsesi rezulton që të mos ketë penguar kaptime të lemave gege në territor të
repertorit leksikor. Një gjë e tillë dëften se megjithë kyçjen e gjuhës in vitro, shtënia ose jo në punë e fjalëve,
tekembramja, pak do t’ia dijë për kode cilatdo qofshin, sepse in vivo, përcaktohet nga “dobia që u
sjell përdoruesve”, dobi e cila ve në dukje kognitivisti Herbert H. Clark përcaktohet
nga: (1) sa më e thjeshtë fjala krahasuar me të tjera, aq më e zgjedhshme nga
komuniteti (2) sa më e përdorshme ose sa më shumë t’i hyjë në punë nevojave
komunikuese, aq më e përvetësueshme nga komuniteti. Pra kyçin e qelës ku kish rënë shqipja dhe mendimi, jo standardi, po tjetërkush e mbante në dorë.
 
I së njejtës mendje me Clark-un duket të jetë edhe gjuhëtari
Ronald Langacker kur vëren se: “Sendërtimi i shprehjeve të reja është diçka që
e bëjnë vetë folësit, jo gramatikat.” Por, është për t’u shënuar se Langacker-i
këtu e ka fjalën për aftësinë e folësve për të ngjizur fjalë të reja, jo
thjesht te zgjedhja përmes karashtisjes mekanike në shportë të gjuhës të lemave
ekzistuese. Prej këtej vetiu ngrihet pyetja: Sa kanë qenë në gjendje
shqipfolësit të rinovojnë gjuhën e tyre duke gjeneruar lëndë të re të shqipes? Kur
nga njera anë përdoruesve u pengohej kontakti me një pjesë të mirë të gjuhës e
kulturës së tyre, pse e dëbuar nga tryezat e ligjërimit e raftet e bibliotekave
sikurse ishte pothuaj krejt shkrimtaria gege; kur nga ana tjetër me hir a me pa
hir u imponoheshin modele gjuhësore të distiluara autoklavave politike; kur vëllimi
i fjalëve në fjalor nuk i kalonte 35 mijë; kur shkollat nuk qenë selitëse të
mendimit të lirë dhe aftësive krijuese, por riprodhuese të njëtrajtësisë dhe
mendjes konformiste; edhe tek e fundit kur brenda qilarit pa dritë ku jetonin
bota as nuk i shihte as e shihnin, afërmendësh që përdoruesve nuk u mbetej shumë
as se ç’të zgjidhnin, as se ç’të krijonin. Në fakt pak fare pak, sasiorisht dhe
cilësisht. Edhe po të pranojmë me B. L. Whorf-in se “gjuha sendërton mënyrën
sesi mendojmë, dhe paravendon se çfarë ia dalim të mendojmë”, atëhere nuk është
zor të përfytyrohet zinxhiri tri-hallkor: mungesë fjalësh → mungesë konceptesh
→ mungesë mendimi.
 
Ndërsa sot kur portat ideologjike janë shpërthyer duke na përballur
kështu befas me jetën tonë të zhvoshkur gjuhësisht e sakatosur mendërisht; kur
binaja gjuhësore s’po u bën dot ballë lëvizjeve të shpërpjestuara demografike;
kur argjinaturat thyhen nën rrëmetin e leksikut te huaj; kur ledhet shkërmoqen
nën vërshimin e pafre të informacionit dhe harlisjes së lirisë së fjalës; edhe
kur edukimi shkollor gjendet mes reformash por është i pa reformuar, me fill të
humbur e katandisur pa mision, pa folur për ata fëmijë ku nuk mbërrin ose që
s’mund ta mbërrijnë, përdoruesit i duhet të hamendësojë përmes kaosit e mungesës
së orientimit e të zgjedhë qorrazi se ç’fjalë e modele i janë të dobishme. S’do
mend që një situatë e tillë shpie në plogështi e qëndrime otiose, përvetësim të çalë të kompetencës gjuhësore e thellim të
entropisë duke rrezikuar kështu të përftohen breza mendërisht të pandriçuar e
letargjikë, kulturorisht të prapambetur, e shpirtërisht të vobekët. 
 
Si mundet atëhere shqipja e sotme, që mbështetet mbi një
aparat gjuhësor të sendërtuar për t’i shërbyer një sistemi shoqëror tanimë të kapërcyer,
t’ia dali mbanë të mbarti e të tejçojë lëndën mendore e kulturore të evoluar të
shekullit të ri? Më së pari duhet thënë: JO më me metodat luftarake të
eliminimit e përjashtimit, paçka se për ne të mbijetuarit e diktaturës së
proletariatit, peizazhi i parë që pikturon sot në mendje aforizmi i Max Weinreich-ut
“Standardi është dialekt me ushtri dhe flotë.” është i kallashnikovit
politiko-ideologjik si mbikqyrës i standardgdhendësve, tutor i standardpërdoruesve
dhe bartës i çelësit të qelës ku banonte qenia jonë gjuhësore, e rrjedhimisht
krejt bota jonë mendore dhe shpirtërore.
 
Por, pa u hyrë efekteve kulturore dhe psikologjike, ndjekja
e “shtigjeve ushtarake” në qeverisje të gjuhës më së pari parakupton shkundëllime
të arkitekturës sintaksore, kur dihet se si urë ndërlidhëse midis zanimit dhe
kuptimit ajo mban në këmbë ngrehinën e mendimit, madje jo vetëm kaq por siç ve
në dukje neurohulumtuesi Gerald Edelman “struktura gramatikore zë fill në
strukturat konceptuale”. Në përqasje me çka u sipërshtjellua, mund të thuhet se
kategoritë sintaksore në dallim me hyrje-daljet e termava ndër inventare
terminologjike nuk mund të zhvendosen aq lehtë e pa teklif prej një rafti në
një tjetër e të jenë kështu lirisht të shkëmbyeshme, të shtueshme ose të
pakësueshme ndër variantet e gjuhës. Sepse sa më shumë të shartohen modelet
sintaksore me njeri-tjetrin, sa më të ndryshueshme dhe të paqëndrueshme të jenë,
aq më e keqthurur pëlhura gjuhësore, aq më i mjegullt mendimi.
 
Në këtë planvështrimi, korpuset gjuhësore të toskërishtes
dhe gegërishtes mund të shihen kështu edhe si sisteme të mbyllura, në kuptimin që pavarësisht pikëprerjeve e ndërkalljeve
reciproke, secili korpus fytyrën e vet gjuhësore e ka të pangatërrueshme me
cilëndo fytyrë tjetër, pikërisht sepse ia vizatojnë veçoritë e veta unike
fonetike, morfologjike e gramatikore. Prandaj dëshira e mirë e shumëkujt për
t’ia restauruar gegërishtes poltronën e nderit në atrium të shqipes do të futej në qorrsokak nëse shtegu drejt mbërritjes
së saj përvijohet sikur të qe fjala për pleksje mekanike të kategorive
sintaksore në shtat të gramatikës, sikurse jane dilemat tona obsesive
kompulsive “Infinitivi gegë apo paskajorja toskë?” ose “Edhe infinitivi edhe
paskajorja?”. Përveç ndryshimit për së jashtmi, në muzikalitet, pak i veçon
funksionalisht për së brendshmi këto dy variante, sepse të dy në rrafsh
abstrakt e konceptual s’janë veçse e njejta urë që tejçon kumt, paçka se prej
syzeve ideologjike sytë e dikujt e çmojne atë urë si shembull të epërm
arkitektural për shkak të prestigjit të rikthyer e sytë e tjetërkujt po të
njejtën urë e përçmojne si kundër-shembull për shkak të prestigjit të mpakur. Mirëpo,
nëse pranojmë që gramatikat priren drejt thjeshtimit dhe leksiku drejt
pasurimit, nëse te gjuhët gjejnë zbatim parime të tilla sikurse: Parimi i
Ekonomisë (Economy Principle) ose Përpjekjes më të Vogël (Least Effort Principle),
i cili lyp që përfaqësimet sintaksore të përftohen me sa më pak konstituentë,
dallime sintaktike dhe operacione gramatikore; Parimi i Gurit të Fundit (Last
Resort Principle), sipas të cilit operacionet gramatikore kryhen vetëm kur
lypset, ose atëhere kur përndryshe s’gjendet mënyrë tjetër për të përmbushur
një nevojë gramatikore çfarëdo; si dhe Parimi i Varësisë Strukturore (Structure
Dependence Principle), sipas të cilit operacionet gramatikore janë të ndjeshme
karshi strukturës së fjalive ku përdoren, atëhere kodi ynë gjuhësor do të
prirej drejt zvogëlimit të numrit të zgjedhjeve ndër modelet sintaksore të
disponueshme, aq më fort po të kenë funksione praktikisht të barasvlefshme, edhe
nuk do t’i treste mirë ndërkallje të padrejtpeshuara indesh gramatikore të
dialekteve në standard. Por këto e të tjera qëmtime teorike, si ato që janë të
përbashkëta për çdo gjuhë në përgjithësi edhe ato që janë të brendshme për
shqipen në veçanti, do t’i testonte e mbështeste më mirë fotografimi sinkronik i
shqipes në gjendjen e sotme të përdorimit – hapi nistor në rrugëtimin drejt mëkëmbjes
së gjuhës.
 
Standardi, edhe pse me një varg cenesh që lidhen, siç e kanë
vërejtur studiues të ndryshëm, si me metodologjinë që e mbrujti ashtu edhe
procesin që e përpunoi, e pavarësisht nga trysnitë me të cilat e shtyp përparimi
kulturor e teknologjik, është
dhoma ndenjëse që mbledh pjesëtarët e familjes në shtëpinë e
shqipes (edhepse jo të gjithë ndihen sot të përfshirë); vendi ku këta përsiatin
mbarëvajtjen e familjes, format e qeverisjes e rrugët drejt mbrothësisë; përshëndoshjen
e ekonomisë e shërimin e arsimit; zgjidhjen e andrallave të befta e të
parashikuara; korrigjimin e gabimeve të shmangshme e të pashmangshme përgjatë
rrugëtimit drejt progresit; ndërtimin dhe mirëmbajtjen e marrëdhënieve me
partnerë; bashkëpunimin me fqinjët dhe kontributin në komunitet, e kështu me
radhë. Çështja është sa mund të ripërtërihet ky mjedis i përbashkët e sa mund
të shndërrohet në një sallon më të bollshëm, të cilin shqip-përdoruesit ta
ndjejnë përnjimend të vetin - një mezzanine komunikimi ku të ndërveprojnë gjuhësisht pa u cënuar kulturorisht,
psikologjikisht, gjeografikisht dhe historikisht. 
 
Përpjekje shpresëndjellëse që synojnë ta gatisin shqipen dhe
aftësojnë për të rrugëtuar në lëndën e re mendore e kulturore të këtij
shekulli, kanë nisur të shpërfaqen. Po t’i referohemi analogjisë së automjetit,
nga njera anë vihen re orvajtje për të përcaktuar e shestuar pikënisjen e
udhëtimit (nëpërmjet syzimit të metodologjisë për diagnositifikimin e gjendjes
së sotme të përdorimit) duke e orientuar vështrimin për kah pikëmbërritja; nga
ana tjetër vihen re përçapjet për të mbajtur vijimisht në fushëvështrim
peizazhin prej dritares së prapme (duke ofruar lëndën shqipe të traditës). Një
pjesë të kësaj panorame shpalos vargu i botimeve Excipere që mëton të riparojë lacuna-t
që tëhuajzojnë të djeshmen dhe të sotmen, grah t’i kthejë kombit pjesë të
kujtesës së vet ndryrë në bodrumet e terrta të ndëshkimit, rreket t’i sjellë në
fushë të vëmendjes blloqe dijesh lënë memece shkretëtirave të harresës a mbytur
anijeve të fundosura ndër shtrëngata politike. Jo vetëm kaq -- larmia
gjeografike dhe dialektore që ngërthejnë ato botime do t’i shërbenin ndreqjes së
mendësive izolacioniste e ksenofobe karshi dialekteve, e do të ndihnin që
cilido shqiptar t’i përkasë përnjimend gjuhësisht edhe kulturorisht krejt
hartës së shqipes përtej patois-së të
katundit ku lindi, sepse sikurse thotë Saussure-i, “gjuha është produkt
shoqëror i depozituar në mendjen individuale” me një këmbë në botën e përbashkët
sociale, me tjetrën në oqeanin e psikës tonë vetiake e vetmitare… Parë në këtë
prizëm, botime të tilla që ofrojnë modele ligjërimi të epërm si në brendi edhe
në formë mund të shërbejnë si fulcrum që gatit qoftë edhe simbolikisht procesin e rilindjes së gjuhës dhe arsimit
shqiptar, nëse e prapë nëse mbështetet me vullnet të mirë e të paepur shtetëror
e institucional.
 
Mirëpo e prapë mirëpo, ka edhe disa pyetje që tash për tash
mbeten pezull: Brezave të pas-1970s, hermetikisht mbajtur veçuar nga kjo pasuri,
a do t’u zgjohen dot vallë si të thuash ndjenjat e dashurisë për “mëmën e
humbur atbotë” tanimë të moçme e sahat mbetur ndër fletë të zverdhura librash të
paprekur? Po për ata që kanë lindur e po mëkohen me
median elektronike të suplementeve dhe SMS-ve, të diplomave të shitura e të
blera, të sfilatave e të misseve, të pub-eve e të real estate, vallë ç’pyetje
duhen bërë për to? Si vallë do t’u zgjohen atyre dëshira e aspirata më të epërme
për jetën; shtysat për t’u pasuruar mendërisht e për t’u zbukuruar etikisht? Po kur intervalet e vëmendjes vijnë gjithnjë duke u tkurrur, e kur mendja po vjen
e po mësohet të nxejë gjithnjë e më shumë fotografisht e jo tekstualisht? Si
vallë këto monumente të pabuja të fjalës, që nuk i dekorojnë dot kafenetë e pizzeritë,
as vilat në fshatrat piktoreske dhe apartamentet e “bllokut e të plazhit”; nuk
ia shtojnë dot madhështinë sallave të konferencave dhe tenderave; nuk zbukurojnë
dot kremtime e fjalime solemne dinjitarësh; nuk hyjnë në punë si fustane mbrëmjeje
a stoli në gushë; nuk ua shtojnë shkëlqimin galave çmim-ndarëse; nuk ia kënaqin
dot shijen publikut të shtangur në musical;
nuk bëhen dot bestsellers që prej
ballinave të lustruara të të përditshmeve grishin myshterinjtë e kulturës pop; edhe,
ah, nuk sjellin dot fitim mbi investim, si vallë të gjejnë dot vend në mendje e
në zemër...?
 
Po i ndal këtu pyetjet trishtimndjellëse
e që sidoqoftë nuk i nxë dot ky shkrim. I tashmi është një çast tjetër, i
mbarsur me shtysë ndryshimi pozitiv. Veç duhet thënë, se sado të dobishme e të domosdoshme
qofshin ndërhyrjet sistemuese e mirëmbajtëse të specialistëve, shqipja është
pronë e mendjes jo e gramatikës, ndaj shërimi i gjuhës s’mund të jetë veçse
projekt i mbarë shqiptarëve të vetëdijësuar se fatet e gjuhës janë në dorë të
shqipes së tyre të folur dhe të shkruar, që zë fill në mendim.
 

Atena Bishka

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club