[AlbClub] Kryeministër me Kuvendin në xhep

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Tue, 20 May 2008 07:28:13 +0200
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <007001c8ba3a$540607d0$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Kryeministër me Kuvendin në xhep
[Gazeta Shqiptare, 20.5.2008]

Me ndryshimet e fundit të Kushtetutës, me "mocionin e besimit", kryeministri 
mund ta shpërndajë Kuvendin kur t'i teket, pa e ndaluar dot gjë.  Me këtë ka 
në dorë një megadushk të tipit të ri: të modelojë Kuvendin e ri, sipas 
dëshirës së tij personalisht, e jo sipas vullnetit të lirë të zgjedhësve. 
Kryeministri aktual, por edhe shumë megafona të tij, e kanë mbuluar këtë 
mashtrim, me ulërimat se gjoja posti i kryeministrit qenka më i dobët në 
kushtetutën tonë, sesa në kushtetutën gjermane.  Natyrisht, si shumë të 
tjera, edhe kjo është një e pavërtetë.


* * *
"Mocioni i besimit" është termi që përdoret për të paraqitur rastin kur 
normalisht kryeministrit i duhet të provojë sesa besim gëzon në Kuvend. 
Termi gjerman, nga ku mëton se ka marrë mend kryeministri ynë, është 
"Vertrauensfrage".  Neni i kushtetutës gjermane, në shumë komentarë të saj, 
quhet qartë, "Shpërndarja e Parlamentit" ("Auflösung des Bundestages", neni 
68 i Grundgesetz).

Kryeministri ynë mund ta keqpërdorë mocionin e besimit, për të shpërndarë 
Kuvendin edhe kur ai e ka shumicën në të.  Kjo do të ishte një manipulim i 
politikës dhe më pas, edhe i vullnetit të zgjedhësve.  Por le të shohim 
fillimisht ndryshimin e bërë në Kushtetutën tonë.

Ja si ishte Kushtetuta e 1998-ës:

Neni 104

1.   Në rast se mocioni i besimit i paraqitur nga Kryeministri refuzohet nga 
shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh 
një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.

2.   Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i 
Republikës shpërndan Kuvendin.

3.   [...]


Ja si e bëri Kushtetuta e 21 prillit 2008:

"Neni 104

1.  Kryeministri ka të drejtë t'i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj 
Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se 
gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga 
votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e 
Kuvendit.

2.  Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës.

Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së 
shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105.

3. [...].


Pra shihet qartë se tani kryeministri ynë mund ta shpërndajë Kuvendin kur t'i 
teket: mjafton të provokojë Kuvendin, dhe ndërkohë t'u thotë disave 
deputetëve të vet, "votoni kundër meje".  Ndërkohë, kundërshtarët e tij do 
të votojnë kundër tij, edhe sepse nuk e durojnë dot si kryeministër, por 
edhe sepse mund të mos u shkojë mendja tek komploti që ka organizuar. 
Rezultati është i menjëhershëm: Kuvendi shpërndahet "brenda 10 ditëve", pa u 
lënë kohë deputetëve të përmenden.

Këtë rrezikun e keqpërdorimit të kushtetutës për të shpënë vendin në 
zgjedhje te parakohshme, për interesa të kryeministrit (unechte 
Vertrauensfrage), e ka formalisht edhe kushtetuta gjermane.  Ka disa raste 
në Gjermani, ku ka pasur dyshime për keqpërdorim të kushtetutës për të 
shpërndarë parlamentin, me gjithë se kryeministri përkatës kishte përkrahjen 
e shumicës (si  për Willy Brandt në 1972, për Helmut Kohl në 1983, për 
Gerhard Schröder në 2005).  Por në Gjermani janë marrë një pafundësi masash 
që kjo të bëhet shumë e vështirë.  Kushtetuta gjermane ka një sistem 
mbrojtjeje të parlamentit (Bundestag) ku futen në punë disa institucione 
kushtetuese, si vetë parlamenti, presidenti, senati (Bundesrat) gjykata e 
kushtetuese etj.

Parlamenti gjerman (Bundestag) mund ta ndalojë shpërndarjen e vet, edhe kur 
kryeministri (Bundeskanzler) ia ka hedhur, duke e "rregulluar" që të mos 
kalojë votëbesimi i kërkuar.  Ky ndalim bëhet duke zgjedhur një 
kryeministër, dhe parlamenti nuk shpërndahet, pavarësisht se nuk i dha 
votëbesimin kryeministrit "të mëparshëm"-pothuaj njësoj siç e kishim ne tek 
kushtetuta e "vjetër" (shih nenin 104 më lart).

Presidenti gjerman (Bundespräsident) mund të mos e lërë Kuvendin të 
shpërndahet nga kryeministri, duke kaluar deri në mbajtjen e kryeministrit 
në post, edhe kur mocioni i besimit është kundërshtuar nga shumica e 
deputetëve.
Gjykata kushtetuese gjermane (Bundesverfassungsgericht) mbikëqyr që 
kryeministri të mos keqpërdorë mocionin e besimit.

Nuk po e zgjasim me hollësitë e kushtetutës gjermane, sepse besoj se me kaq 
sa thamë, mjafton që të kuptohet se nuk është e vërtetë ajo që përsëriti 
disa herë kryeministri ynë, dhe ca të tijtë, se gjoja kushtetuta jonë lejon 
një kryeministër më të dobët se ajo gjermania.  Jo, ky yni ua kalon të 
gjithëve, saqë po i afrohet sekretarit të parë të Partisë së Punës, Enverit!

Ka situata kur kryeministrit i leverdisë ta shpërndajë Kuvendin, megjithëse 
ai ka në atë kuvend shumicën që e përkrah.  Sipas moralit, madje edhe sipas 
qëllimit të ligjit, në raste të tilla Kuvendi nuk do të duhej të 
shpërndahej.  -duhet të shkëputemi nga praktikat tona mashtruese, për të 
kuptuar këtë koncept moral dhe ligjor.

Sa për ilustrim, po japim një rast të tillë, ku del leverdia e shpërndarjes 
me mashtrim, të kuvendit.  E zëmë se në kampin opozitar, por dhe në aleatët 
e kryeministrit në Kuvend, ka një periudhë çorientimi të madh-ka luftë për 
pushtet brenda opozitës, ka ndarje të partisë kryesore në disa parti. 
Pikërisht ky moment mund të shfrytëzohej me mashtrim, për të provokuar 
zgjedhje të parakohshme, me shpresë se Kuvendi i ri do të rezultonte më 
krejtësisht i kryeministrit ekzistues, pra më i leverdishëm për interesat 
personale të tija.

Tashmë dihet se ç' mjeshtër për mashtrimet zgjedhore, kanë rezultuar shumë 
nga kryeministrat tanë (ku kampionët janë Sali Berisha e Fatos Nano).  Ata 
janë dy arkitektët e mashtrimi me megadushkun, e pastaj qenë dhe aq 
hipokritë sa dhe patën gojë ta kritikojnë rëndë veprën e tyre, megadushkun. 
Tani është po njëri prej tyre, që polli një megadushk tjetër, mbase dhe më 
të rrezikshëm.

Kushtetuta jonë "e re", ka brenda një megadushk tjetër të stërholluar: 
kryeministri ka në dorë të modelojë si të dojë Kuvendin e ri, përveç 
kërcënimit "me shpërndarje" që i bën kuvendit ekzistues.  Mos e merrni lehtë 
këtë punë, sepse rreziqet e vendosjes së diktaturave, shpesh janë në 
hollësitë e ligjit, dhe jo në pamjen trashë të tij.


* * *

Nuk ka mbetur mbrapa kryeministri ynë, dhe për të siguruar veten që mos ta 
heqë dot njeri, edhe kur shumica e Kuvendit nuk e do, por atij i intereson 
të vazhdojë të rrijë  kryeministër-por për këtë do të flasim me hollësi në 
shkrimin e radhës, ku do të trajtojmë "mocionin e mosbesimit".


Bashkim Kopliku
18.5.2008

Phone: +355 52 223663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 3110 (20080519) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club