[AlbClub] Të huajt, centralet bërthamore dhe dhalli

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Mon, 2 Jun 2008 07:48:19 +0200
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <014b01c8c474$480e3440$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Të huajt, centralet bërthamore dhe dhalli
[Gazeta Shqiptare, 2.5.2008]

Nuk qe vetëm vapa, që na kujtoi edhe një herë atë punën e dhallit.  Na e 
kujtoi edhe kryeministri me "centralet bërthamore", që kësaj here ia paska 
kujtuar "miku i tij Berluskoni" (kryeministri i Italisë), dhe bile edhe 
njëri nga OKB-ja (Organizata e Kombeve të Bashkuara).  Normalisht, 
përfaqësitë e huaja në Shqipëri, duhet të informojnë qendrat e tyre, edhe 
për qyfyret tona: janë pjesë e realitetit tonë, i cili duhet njohur edhe nga 
të huajt, kur duan të na ndihmojnë, apo dhe të investojnë tek ne.

E thënë preras e që në fillim: një shtet që nuk është në gjendje të 
disiplinojë gjërat fare të thjeshta, siç është që dhalli të ketë të shkruar 
datën e skadencës, do të ishte kriminel t'i futesh aventurës së lejimit të 
ndërtimit të centraleve bërthamore në vendin që qeveris.  Të huajt bëhen 
bashkëfajtorë në futjen e centraleve bërthamore në Shqipëri, edhe për faktin 
se ata e dinë se shoqëria jonë akoma nuk ka arritur të ketë forma të 
vetëmbrojtjes ndaj politikanëve diktatorë të papërgjegjshëm, prandaj nuk u 
duhet t'ua lënë atyre "ta vendosin", as me "mënyrë demokratike": me shumica 
në Kuvend.  Të huajt e dinë mirë se nuk është se vetëm një kryeministër 
është tek ne i papërgjegjshëm: jemi shumë nga ne të papërgjegjshëm.  Prandaj 
edhe vota e shumicës, tek ne, është e papërgjegjshme.

Të huajve nuk duhet t'u marrë mendjen fitimi afatshkurtër që sjell një 
bërthamor në Shqipëri, por ta mendojnë më gjatë këtë punë.


* * *
Kemi disa vjet (që në vitin 2005) që i kujtojmë, në disa shkrime, qeverisë 
sonë, se dhalli vazhdon të tregtohet pa datën e skadencës (apo të 
prodhimit).  Kjo puna e dhallit, vërtetë që mund të duket gjë shumë e vogël, 
para shumë moskokëçarjeve vdekjeprurëse të kësaj qeverie, si puna e Gërdecit 
etj.  Por edhe dhalli, në kontekstin e këtij shkrimi, ka rëndësi shumë të 
madhe, sepse është një dëshmi e dukshme lehtë, e paaftësisë dhe e 
papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie, madje edhe e kësaj shoqërie.  E pastaj 
paaftësia e papërgjegjshmëria, lidhen me më të mëdha edhe se Gërdeci: një 
shpërthim i një centrali bërthamor, nuk vret më vetëm "26 vetë, dhe plagos 
nja 300 vetë", si Gërdeci, por me mijëra, e edhe më shumë.

Kjo qeveri nuk disiplinon dot as tregtimin e dhallit, ku "10 inspektorë" me 
"një klasë arsimi fillor", do ta bënin zap.  Natyrisht që nuk e bëjnë dot 
zap, sepse janë të korruptuar me ryshfete nga tregtarët e dhallit, por edhe 
sepse janë njerëz të degjeneruar moralisht e nuk çajnë kokën të kryejnë 
detyrën e tyre.

E përsërisim: shteti aktual shqiptar nuk funksionon as edhe kur kryeministri 
e kërkon të kryhet një punë e caktuar.  Dhalli është një provë e thjeshtë e 
këtij mosfunksionimi.  Me gjithë urdhrin direkt të kryeministrit, që të mos 
shitet dhalli pa datë skadence (kështu kemi dëgjuar), prapë ai, dhalli, 
vazhdon të tregtohet, edhe pa datën skadencës.

Nuk ka nevojë të lexoni raporte të koklavitura mbi mosveprimin e shtetit 
tonë: mjaftojnë edhe të dhënat më të thjeshta.  E ju lexues, përveç dhallit, 
me siguri keni me qindra raste të tjera ku shihni paaftësinë për të 
funksionuar, të shtetit të kryeministrit tonë, por edhe të kryeministrave të 
kaluar-ky aktuali dallon për keq, edhe sepse po deliron (flet përçart) duke 
shitur mend më shumë se çdo paraardhës i tij.


* * *
Tani mendoni një central bërthamor të ndërtuar këtu.

Lejimi i ndërtimit të centraleve bërthamore në një vend me qeverisje të 
papërgjegjshme, është krim ndaj popullsisë së atij vendi, konkretisht është 
krim ndaj shqiptarëve.  Kjo sepse siç thamë, është vërtetuar se ky shtet, 
nuk ka pasur akoma aftësi të vendosë disiplinë në gjërat më të thjeshta, dhe 
jo më në centralet bërthamore, ku edhe kontrolli i funksionimit të tyre, 
kërkon njerëz me arsimim shumë të lartë (universitarë e më lart), si dhe një 
sistem kompleks kontrollesh-mos i hani gënjeshtrat se do të vijnë të huajt 
të bëjnë punën e shtetit tonë.  Kjo, pra vështirësia e sigurimit të 
funksionimit pa rreziqe, të centraleve bërthamore, është shkaku që shumë 
vende të botës, e kanë ndaluar, apo vështirësuar shumë ndërtimin e tyre, në 
vendet e tyre.

Ndërtimi i centraleve bërthamore në Shqipëri, është edhe gabim i atyre 
vendeve që "i besojnë" fjalës së një të babëzituri për pushtet, si 
kryeministri ynë.  Ai është i gatshëm çdo kohë t'i bëjë edhe një gjëmë të 
tillë, vendit të tij.  Ky, kryeministri aktual, e ka treguar me fakte se 
deri ku shkon për të mbajtur pushtetin.  Ky arriti t'u falë tokën e vjedhur 
dhe të grabitur, atyre që e pushtuan (informalëve grabitës të tokave), vetëm 
e vetëm që t'u blinte votën për t'u ricikluar në pushtet.  Dhe e arriti një 
gjë të tillë: u ribë kryetar i shtetit, pas asaj që i bëri Shqipërisë në 
1997, '98 etj.  Këto ditë po na bën të dyshojmë, se ky dhe prefektët e tij, 
edhe Jugun ("Vorioepirin") mund t'ua japë atyre shovinistëve grekë, mjafton 
që ata të kontribuojnë që të mbajë kolltukun e vet "të kryetarit", në pjesën 
që mbetet të Shqipërisë.

Të huajt nuk duhet të bazohen formalisht tek "përgjigjja e qeverisë dhe 
Kuvendit shqiptar", pa bëre paraprakisht kontrollin e arritjes së 
standardeve të kërkuara që në këtë shtet të mund të ndërtohet një central 
bërthamor.

Bashkim Kopliku
1.6.2008



Phone: +355 52 223663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses. 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club