[AlbClub] Politikanë kolopuçë
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <022b01c7e3b2$8b4e8050$0501a8c0__35962.4101467945$1187714393$gmane$org@pc> |
*** AlbClub Discussion List *** Politikanë kolopuçë [Gazeta Shqiptare, 21.08.2007] Po shohim të theksohet përditë e më tepër, trajtimi i politikanëve si kolopuçë, nga kryeministri. Faji është i atyre që e durojnë dhe ia ushqejnë një sjellje të tillë-deri dhe sikur bëjnë garë, kush t'i lëpihet më tepër. E kjo bëhet me politikanë të rangut shumë të lartë, që nga kryetarja e Kuvendit, e cila, sipas kushtetutës është e një rangu me kryeministrin; nga kryetarët berishistë të bashkive, që nuk kanë asnjë vartësi prej tij; nga ministrat që nuk duhet të marrin urdhra nga ai; e deri tek militantët e përdëllyer. Kjo sjellje prej "mesije" (i dërguari i zotit në tokë) e kryeministrit, bëhet qëllimisht për të krijuar mendësinë e nënshtrimit absolut ndaj tij. E pra na duhen politikanë me dinjitet, me personalitet, mendje të pavarur, në mënyrë që të sigurohet që Shqipëria të mos kalojë prapë në diktaturë. Kryetarja e Kuvendit Po kalojmë në një rast konkret, pa përshkruar dhjetëra sjellje të tjera të saj. Ajo, në një reportazh në kohën e saj të lirë, të botuar para ca ditësh në Gazeta Shqiptare, citohesh kur tregonte, pak a shumë si vijon: "Kur ishim në opozitë, shpesh improvizonim parti dëfrimi në kryesinë e PD-së, kur ikte doktori [z. Sali Berisha-sh.i.]. Njëherë thamë se iku nga zyra, dhe ne filluam me ca këngë të huaja etj. Por ja që u kthye, e ne u ngrimë prej hallit! Por jo, doktori u ul në mes nesh, dhe filloi bile të recitonte poezi franceze në frëngjisht". Natyrisht, znj. Topalli, edhe kësaj here e vuri veten publikisht në pozicionin e një kolopuçeje, të një fëmije kopshti, që i ka ikur edukatorja. Mbase e tepruam, prandaj po e zbusim: e vuri veten në rolin e një nxënëseje, që i ka ikur mësuesi, dhe ajo ç' nuk bën kur ai nuk është prezent. Por Shqipërisë i duhet një kryetare Kuvendi, që nuk varet nga kryeministri, as ligjërisht, dhe as me dëshirën e vet, e as psikologjikisht, me ndjenjat e veta të inferioritetit. Nuk ka një detyrim të tillë Kushtetuta, dhe nuk ka një detyrim të tillë asnjë ligj. Nuk mund të jemi të qetë, kur kryetarja e ndjen të nevojshme të shfaqet publikisht si një nxënëse e frikësuar para mësuesit, para kryeministrit. Ministrat Po edhe këta nuk bien poshtë në afshin për të demonstruar bindje të verbër-në fakt, ka ndonjë tek-tuk, që bën përjashtim, ka dinjitetin e mendjen e vet. Shohim kronikat televizive të mbledhjeve të qeverisë, pothuaj ditë për ditë, e bile disa herë në ditë, ku paraqitet që flet mësuesi (kryeministri), dhe dëgjojnë nxënësit (ministrat). Vetëm ai flet, kurse ministrat nuk bëzajnë, veçse miratojnë plot ngazëllim. (Krejt e kundërt ka pasë qenë situata në qeverinë e PD-së, në vitet 1992-94: flisnin më tepër të tjerët, se kryeministri-e pra kryeministri i asaj kohe, nuk është se binte poshtë këtij aktualit, qoftë nga kultura, dituritë, erudicioni, qoftë dhe nga diferenca e moshës me ministrat e kohës.). Ja një nga shfaqjet e fundit. Gjoja po kundërshtonte kryeministri aktual, "rritjen e pagesave të studentëve universitarë", duke bërë sikur çoç po u jepte nga xhepi i vet studenteve: "Sa të jem unë kryeministër, nuk do të rriten pagesat". Mbase është e drejtë të mos rriten pagesat, por diskutimi nuk bëhet ashtu, sepse nuk po paguan kryeministri nga paga e vet. Në fakti, ai nuk po bënte gjë tjetër, veçse po insistonte që të gjithë shqiptarët që nuk kanë studentë të tyre në universitete, duhet të paguajnë më shumë për të mbajtur ato të të tjerëve, më shumë sesa propozonte ministria e financave". Në një shtet normal, diskutimi i kryeministrit dhe ministrave, do të përqendrohej në raportin optimal në mes pjesës së kostos që duhet përballuar nga vetë studenti, familja e tij, dhe pjesës që duhet përballuar nga të gjithë ne të tjerët, pra nga buxheti i shtetit. E pra, përveç të tjerave, kjo qeverisje ka nevojë për debat në këshill të ministrave, sepse punët po i shkojnë mos e më keq. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Para pak ditësh, televizionet dhanë vizitën e kryeministrit në Shkodër. Kryeministri ynë po i raportonte italisht, një investitori, se i kishte thënë kryetarit të Bashkisë (Lorencit, kryetarit që ishte aty prezent) që ai, kryetari i bashkisë, të plotësonte çdo kërkesë që do të kishte investitori." Natyrisht, nuk ka asnjë vartësi një kryetar bashkie, nga kryeministri. Aq e vërtetë është kjo, saqë çdo moment, kryetari mund t'i drejtohesh kryeministrit me fjalët: "Zoti kryeministër, punët e mia i di vetë, dhe nuk marr urdhra prej jush. Jam zgjedhur direkt nga populli, që të mendoj ditë e natë për të mirën e qytetit tim. Prandaj, ato këshillat e përgjithshme, apo aq më keq urdhrat tuaja, janë një fyerje për mua, sepse synojnë të tregojnë se aq kot jam unë, saqë ju nga Tirana, i ditkeni më mirë se unë hallet e Shkodrës ..." Por as me kryetarin nuk ndodhi një reagim i tillë, që mbase do të ishte joetik, i bërë në sytë e publikut. Por ama, po të ishte bërë, nga ai e nga të tjerët, do të na mbushte me shpresë se ka burra e gra, me kokë të vet, në këtë qeverisje. Çdo politikan Politikanët nuk duhet të lejojnë të kthehen në kolopuçë, që Ai t'i keqpërdorë, duke treguar se vetëm ai ka mend, se vetëm ai është në këtë Shqipëri, të tjerët janë kot. Nuk është punë krenarie, por punë e garantimit të Lirisë dhe Demokracisë. Shteti duhet të përbëhet nga disa koka të pavarura, dhe jo nga një kokë, qoftë edhe e kryeministrit tonë. Jo, na duhet një kryetare që të ketë mentë e veta, që edhe ta kundërshtojë kryeministrin kur nuk është dakord me të; na duhen ministra që kanë pavarësinë e tyre, pavarësisht se i ka përzgjedhur kryeministri (nuk janë pjesëtarë të një organizate mafjoze, ku bindja ndaj padrinos është e detyrueshme); na duhen kryetarë bashkie të pavarur; bile dhe militantët duhet të arsyetojnë me mentë e tyre, e jo të buçasin plazhin me këngët "Sali Berisha or tungjatjeta, sa ..."-imitim i këngës së Enver Hoxhës, ku veçse është zëvendësuar emri. Vetëm me politikanë jo kolopuçë, do të jemi disi më të qetë për fatet e vendit, se i kemi krijuar një pengesë diktaturës, apo siç i thonë tani me eufemizëm, autoritarizmit. Kjo merr rëndësi më të madhe në kushtet tona, kur kemi ricikluar një kryeministër me një të kaluar shumë problematike, me ato që ka bërë, sidomos gjatë viteve 1997-98, e kur pjesa dërmuese e politikanëve tanë janë ish-komunistë, që kanë pasur infeksionin stalinisto-enverist të kultit të individit. Bashkim Kopliku 12.08.2007 Bashkim Kopliku Phone: +355 (0)52 23663 Mobile: +355 0682200590 Email: <[email protected]> optional: <[email protected]> www.AlbClub.com