[AlbClub] Hiatus dhe Vijimesi

Nora Tela <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <[email protected]>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Një nga botimet e
fundit të Shamku-Shkrelit te Shekulli, është ai me të cilin lajmëron
daljen në shtyp, përmes punës dhe kujdesit të saj si studiuse, të librit të
Mustafa Krujës: "Ç’na mëson Frangu i Bardhë me Fjalorin e tij". Figurën
e M. Krujës vetë nuk e njoh, e kësisoj aq me fort e çmoj prezantimin që i bën
autorja, i cili në të njejtën kohë bëhet shkas për disa pyetje e shënime që po
mundohem t’i sjell në vështrim më poshtë. Po ndalem në dy aspekte.
 

  
 

Së pari, më bëri
përshtypje konstatimi i studiueses sa i përket ngjashmërisë shkrimore të Frang
Bardhit të 1635-ës dhe Krujës së viteve 1930-40. Autorja shpjegon se
ka vijimësi evolutive gjuhësore nga Frangu i Bardhë i shek. XVII deri te Kruja i
quasi mes-shekullit XX, madje deri
aty saqë tekstet e të dyve s’qenka e lehtë të dallohen prej njeri-tjetrit. Natyrisht
e marr të mirëqenë edhe nuk kam pse të bëzaj, sepse s’kam as njohjen, as mundësitë
e mjetet për ta venë në dyshim këtë pohim. Përkundrazi, e respektoj dhe mbaj
vesh. Po më tej ç’ndodhi? "Kur pra, kur ka ndodhur kjo rupturë, kjo
trandje tektonike në gjuhën shqipe, e cila korpusin e sotëm, të tjetërsuar dhe
të shkundur, e ka larguar nga formacioni i vjetër e i qenësishëm?", pyet
Shamku-Shkreli. Mirëpo, edhe pse ia lexova shkrimin me vemendje, nuk jam e qartë
për përgjigjen që merr kjo pyetje. Mos vallë sepse përgjigjja është automatike,
d.m.th, "këputja ndodhi me të ardhur epoka e kosës dhe kërbaçit diktatorial"?
Kaq të kollajtë, të shkurtër edhe transparente ta shquajmë vallë përgjigjen? Të
jetë kështu kaq e mirëdukshme, diell i artë në qiell të kaltër?
 

  
 

Pyetja e parë që
me vjen mua vetë në mendje pas asaj të Shamku-Shkrelit është: A do të
konstatohej e njejta ngjashmëri midis shqipes së Frangut të Bardhë edhe bashkëkohësve
të Krujës, i.e., studiuesve të tjerë njëlloj elitarë, konservativë e madje po
njësoj edhe me veprimtari të ushtruar jashtë shtetit amë? Ç’hiatus do të kishte bie fjala midis F.
Bardhit dhe gjuhëtarëve ta zemë të kalibrit të Xhuvanit (1880-1961), Çabejt
(1908-1980), Camajt (1925-1992), Pipës (1920-1997), Shuteriqit (1915-2003)
etj., në të ritë e tyre në nisje të shekullit XX, sa pa e marrë ende Partia e
Punës kryet e punëvet në dorë? 
 

  
 

Për ta plotësuar
me tej këtë pyetje, shtoj:
 

  
 

A është e mundur
që disa nga lëvruesit e sipërcituar - prej të cilëve ka syresh qe e përjetuan
diktaturën deri aty nga fundi i jetës së saj - ta kenë transformuar aq shumë edhe
vënë në funksion të lëvozhgës diktatoriale ligjëratën shkrimore, saqë përdhunshëm
e pa ndonjë dëshirë e patën bërë të pashmangshme çoroditjen e strukturës së hallkave në gjerdanin diakronik ku rri shqipja skripturale e paraardhësve?
 

  
 

Më anë tjetër, a është
e mundur nga pikëpamja historike dhe në bazë të principeve të ndryshimeve në
gjuhë, që brenda një periudhe 50 vjeçare (gjysma e dytë e shek. XX) shqipja të
pësojë nën komandë lëvizje radikale strukturore e gramatikore? A munden 50 mote
të mjaftojnë, sado imponuese dhe egërsisht normative qofshin, për të
transformuar themelesh një gjuhë në përgjithësi, e shkrimin e saj në veçanti?
 

  
 

Përveç kësaj, si
mundet të ruhet vijimësia nga gjuha e Bardhit (1635) te ajo e Krujës (1930-40) kur
midis të dyve shtrihen 500 mote të pafundme muzgu otoman? 
 

  
 

Po ta kem kuptuar
drejt, druhem se hendeku për të cilën bën fjalë autorja, si segment kohor është
edhe më i shkurtër se 50 mote. Normimi i gjuhës filloi themelisht e
formalisht me Kongresin e Drejtshkrimit më 1972. Vallë normimi i vitit 1972 të
ketë qenë kaq abrupt si event? Apo edhe ai vetë kaloi përmes
një procesi përgatitor e të vazhdueshëm, që do të thotë se premisat normative
nisën të gatuheshin edhe më herët se 1972-i? 


  
 

Mbi bazën e kujtimeve vetiake të hershme e të mugullta nga fëmijëria,
të cilat fillojnë diku nga fillimi i viteve 70, në shtëpi prindët e në veçanti
ime më, nën mbikqyrjen mësimore të së cilës kreva edhe shkollën fillore në
tryezën e bukës, më fliste në letrarishte (madje edhe më të përpunuar
e të pasur se ajo e librave shkollore që vinin me postë nga Shqipëria), ku
nuancat e embëlta prej Shqipërie të Mesit e mbështillnin në tinguj të
kadifenjtë këndimin e Përrallave të Moçme në gjuhë të Kutelit; i shndërronin në
fëshfërimë krojesh e ngjyrash pylli recitimet e Juveniles së Mjedës; vibronin
mall të përunjshëm kur më lexonte prej kujtese takimin e Vojsavës plakë me
Gjergj Kastriotin me gjuhë të Nolit; i vishnin ne tinguj të mjaltë baladat e Schubert-it
që m’i këndonte me shqipen e Lef Nosit; m’i përmbytnin sytë në lot kur më
lexonte Zemrën e De Amicis; e ma kullufisnin krejt vemendjen duke më shpënë brenda
aventurave të librave Në Familje e Pa Familje të Hector Malot-së, për të më
hapur pastaj portat e një tjetër kapitulli të adoleshencës së hershme me ditarin
e Ann Frank-ut, Tom Sawyer-in dhe Huckleberry Finn-in e M. Twain-it... 


  
 

Por duke u kthyer sërish në temë, po këtë gjuhë gjeta në
thelb, pak a shumë, në Shqipërinë e klasës së pestë kur u kthyem në 1976-n, vetëm se pa poezi, muzikë e ndjenjë. Kësisoj,
ruptura gjuhësore duket të ketë ndodhur brenda një periudhe edhe më të shkurtër,
diçka midis viteve 40 dhe 70. Po a ka mundësi që brenda
një periudhe kaq të shkurtër kohe të ndodhë një revolucion i përnjimendtë gjuhësor?
A mundet për shembull dora e hekurt dhe terrori diktatorial ta transformojë një
gjuhë me po aq vrik e me po ato ritme që transformon të themi ekonominë,
infrastrukturën e teknologjinë, ose siç e vdes jetën e njeriut duke e
syrgynosur nga shtëpia në qel' të Spaçit? Në fund të fundit gjuha, sado në moshë
të njomë e me trup të brishtë, si shprehje e unitet i ndërgjegjes dhe nën-ndërgjegjes,
si ngërthim i rrafshit intelektual dhe afektiv, lëndës së arsyes dhe emocionit,
planit verbal dhe skriptural, kaq e përthyeshme dhe transformueshme të jetë, sa
të mund t’i gjegjet gatitu komandës ideologjike-politike e të lëvizë si varkë që kolovitet në
cilindo kah nga duan ta shpien, pa dëftuar kurrfarë rigjiditeti?


  
 

 Po gjatë këtyre 17 vjetëve të fundit,
pa kurrfarë policësh e ushtarakësh të rregullave – përkundrazi e ushtruar më
s’shumti në sheshe vagabondësh të mediave e letrave të lexuesve – ky hiatus a vjen duke u riparuar e mbyllur
apo duke u thelluar e zgjeruar më tej? Në ç’gjendje është varka e ngratë në këtë
liqen të çuditshëm e të pështjelluar, ku plluskojnë ngjitazi gjithfarë kalbësish
e objektesh parazitare, helmatisëse, të kota ,
të tepërta, të jashtme e të brendshme?
 

 
 

Së dyti, po
ndalem pak edhe te triazhi Thamus-Kruja-Derridá. Që vepra e Krujës vendoset si
segment diku brenda continuum-it gjigant
e simbolik Thamus-Derridá, e marr si një kuturisje të lëvdueshme prej
studiuseje mendjepjellore, efekti i së cilës më shërben edhe për të më
stimuluar kërshërinë e mprehur vemendjen me të cilën mbaj vesh ligjëratën. Shprehem
kështu sepse përkimet midis Thamus-it e Krujës dhe përqasjet midis Derridá-s
dhe Krujës, vërtet Shamku-Shkreli i rreshton me kujdes dhe elegancë, por nga
ana tjetër punimet e Krujës si studiues, nuk do te jenë ndërtuar në vacuum, në mënyrë të tillë që
incidentalisht e papandehur  të përkojnë
a t’i paraprijnë metodologjisë së Derridá-së. Sepse vërtet do të jenë rrethanat
unike të shqipes ato qe ia kanë skicuar metodën Krujës, por po aq e në mos më
tepër kjo metodë vetiu diktohet edhe nga formimi teorik e profesional i këtij
studiuesi. Ç’dihet ose a është e mundur të mësohet për këtë aspekt kyç të
pikturës së Krujës si lëvrues i shqipes? Kësisoj, gjithnjë duke iu përmbajtur
perspektivës së continuum-it të
Shamku-Shkrelit, ato të Krujës do të jenë patjetër blloqe dijesh të ngritura
mbi blloqe më të hershme njohurish. Edhe sa më solide këto të fundit, aq më të
shëndetshme ato që do të ketë shtuar e shtruar Kruja.
 

  
 

Nuk e di nëse
ekziston dokumentacioni i duhur (studiuesja le të kuptohet se shumë gjëra kanë
humbur), po cilët vallë, përtej pikëvështrimit e konsideratave të përgjithshme filozofike,
të jenë gurët që formojnë themelin mbi të cilin Kruja ngren muret e veta të shtëpisë
së shqipes? Për të vijuar arsyetimin, prej cilës filozofi gjuhësore e filologjike
vjen Kruja? Cilët autorë e cila shkollë linguistike influencojnë dhe frymëzojnë
metodologjinë që udhëheq kërkimtarinë e Krujës? Sepse ma merr mendja që zbulimi
dhe parashtrimi kontekstual e sekuencial i tyre jo vetëm e nxjerr Krujën më mirë
nga terri i harresës, por edhe ia fshin pluhurin edhe ia ndriton më fort figurën
si kontribues në kulturën e gjuhësinë shqiptare, sikundër e
prezanton Shamku-Shkreli.
 

  
 

Artikullin e
Shamku-Shkrelit, “Mustafa Kruja mes Thamusit dhe Derridás”, mund ta gjeni te:
http://www.shekulli.com.al/news/53/ARTICLE/16698/2007-10-14.html
 

  
 

  
 





__________________________________________________
Do You Yahoo!?
Tired of spam?  Yahoo! Mail has the best spam protection around 
http://mail.yahoo.com

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.