[AlbClub] Fw: KU PRIVATI E KU SHTETËRORI!
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <0d3c01c822a1$3217d1c0$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List *** Kritikë, kundër kritikës për universitetet private: Ku privati e ku shtetërori! [Gazeta Shqiptare, 9.11.2007] Ka disa javë që po kritikohen rëndë universitetet tona private, bile edhe ato të botës, sidomos ato që nuk janë OJQ (organizata jofitimprurëse). Pavarësisht se ky sulm po mbulohet me veshje "parimore", edhe ky, me siguri, ka edhe prapaskenat e interesave meskine, si p.sh.: "hajde t'i biem ministrit Pollo, e t'i dalim tek universitetet, që ta detyrojmë të na japë licencën e pamerituar", apo "të na futë kushëririn në punë etj." Nuk do të merremi me to, por vetëm me kritikat që bëhen me sinqeritet, sepse kritikuesi ashtu mendon se është e mira. Në të gjitha kritikat e sinqerta, bie në sy një mosparapëlqim që shkon në urrejtje, kundër privatit, sidomos atij individual (jo kolektiv). Në rastin konkret, kjo urrejtje doktrinare, shfryhet kundër universiteteve private me qëllim fitimi (po i quajmë shkurtimisht në këtë shkrim, UPF, Universitetet Private për Fitim). Ky mosparapëlqim për UPF-të, është artikuluar edhe nga analistë me dinjitet, me integritet moral të padiskutueshëm, bile dhe që kanë qenë në burgjet e regjimit ekstrem etatist të Enver Hoxhës, por që kanë të rrënjosur në mendësitë e tyre, pikërisht etatizmin, si dhe qenien kundër tregut të lirë. Në kritikën nga pozicione etatiste, janë rreshtuar edhe disa pedagogë të universiteteve shtetërore (këto universitete, po i quajmë USH). Ne mendojmë se në kushtet shqiptare, UPF-të janë zgjidhje shumë më e mirë sesa USH-të, po e po, por edhe sesa universitetet private jo për fitim (që po i quajmë UPJF). Akuza kryesore kundër UPF-ve, po i grupojmë në sa vijon: 1-Niveli i UP-ve është i ulët, cilësia e mësimdhënies e ulët, ka mungesë etike (korrupsion etj.). 2-Pronësia e UPF është e personave pa tituj akademikë, apo dhe të pa arsimuar, apo dhe me moral të përfolur, gjë që bën që këto universitete të mos kenë nivel. 3-Numri i universiteteve është shumë i madh; tarifat e UP-ve janë shumë të larta. 4-Rendja pas fitimit prish cilësinë e UP-ve. 5-Me UPF-të përfitojnë vetëm fëmijët e të pasurve, ata që janë edhe nxënës të dobët. 6-Ministria e Arsimit (MASH) nuk i kontrollon UP-të (universitetet private) Asnjë nga këto akuza nuk qëndron. Kur themi nuk qëndrojnë, kemi parasysh se nuk qëndrojnë në kontekstin ku thuhen. E konteksti ku thuhen, përmblidhet me këto pak fjalë: "universitetet tona shtetërore (USH-të), me demek qenkan ku e ku më të mira se ato privatet (se UP-të)". Do të shtjellojmë pikëpamjen tonë, në formën e "kritikës kundër kritikës", duke e përmbledhur në tri shkrimet me titujt që vijojnë (në kllapa po japim, sipas rreshtimit më sipër, grupin e akuzës që trajtohet në shkrimin përkatës): "Ku privati e ku shtetërori" (1, 2), "Pak universitete, pak fare private" (3, 4) dhe "Shoqëria dhe shteti" (5, 6). Në shkrimin e sotëm do të vërtetojmë se realiteti është i kundërt me sa pretendojnë kritikuesit e UP-ve: UP-të, vërtetë kanë shumë mangësi, por ama ato janë shumë më mirë se USH-të, dhe arsyeja kryesore është pikërisht sepse pronarë të tyre janë privatë. Infrastruktura, pedagogët, korrupsioni: më keq shtetërorët Nuk bën vaki të ketë më cilësi të ulët mësimdhënie, sesa në USH-të tona. Aty klasat janë të mbipopulluara, shpesh mungon ngrohja dhe ambienti i sallave është skandaloz; raportet pedagog/student janë jashtë çdo standardi; laboratorët kanë "mjete" që shpesh janë aty kot, se nuk përdoren fare për studentët etj. Pedagogët shpesh mungojnë e studentët sillen rrugëve; niveli i shumë pedagogëve është shumë i ulët, ose mungon interesi për mësim-dhënie; me atë pagë shumë të ulët, u duhet të merren me punë më të paguara, kështu që dhënien mësim e kanë "sa për një cv", për t'u mburrur me biografinë e tyre shkencore, kështu që shumë orë jepen nga pedagogë të jashtëm. Natyrisht, të gjitha këto janë me fish më mirë në UPF-të, prandaj dhe nuk ia mban asnjërit prej kritikuesve, të bëjë një krahasim me shifra. Nuk ka korrupsion më të madh sesa tek USH-të. Njohim disa persona, që kanë marrë diplomat universitare, pa pasë hapur libër, që nga shkolla e mesme, bile që nga fillorja, sepse edhe shkollën para USH-së, edhe atë e kanë marrë pa lexuar një faqe. E pra, këto diploma të pamerituara, janë marrë duke paguar me para të thata pedagogët shtetërorë (nga një herë, ryshfeti jepet edhe me favore, kur ai që kërkon provimin, apo dhe diplomën fals, është pushtetar). Këto ryshfete që marrin pedagogët, personalisht, direkt, është poshtërsia më e madhe që po i bëhet rinisë sonë: i jepet shembulli, nga tempulli i edukimit, se gjërat në jetë zgjidhen veçse me ryshfete-të shkretët studentë që studiojnë, u lëviz tepeleku, kur shohin shokun e vet që merr provimin, megjithëse është tapë-topi, e ata vetë edhe rrëzohen në provim! Natyrisht që është shumë më e mirë situata në UPF-të, pavarësisht se edhe aty lë shumë për të dëshiruar. Ç'është e vërteta, etika është shumë më e mirë në UPF-të: nuk para kemi dëgjuar shumë për pedagogë privatë që marrin ryshfete-ata rrezikojnë shumë më tepër se shtetërorët, po i kapën, sepse kanë pagë shumë më të mirë. Kritikuesit e UP-ve, nuk i lënë doktrinat etatiste që kanë në kokë, që të bëjnë një vlerësim relativ real, të UP-ve të krahasuar me USH-të. Pronari, më i mirë se nëpunësi i shtetit Vërtetë që pronari i UPF-së e ka mendjen tek fitimi-nuk ka sepse e sesi të jetë ndryshe. Por ama, që pronari të fitojë, duhet të japë në treg edhe mall të mirë, sepse përndryshe humb tregun. Prandaj edhe është i interesuar të ketë edhe standarde në aktivitetin e UPF-së, që është dhe malli i tij. Ky proces, përbën një prej shtytëseve që mbajnë UPF-të, po e quajmë kolona Tregu. Nga ana tjetër, në një shoqëri të lirë por të rregulluar, që pronari të fitojë, duhet edhe t'i ruhet humbjeve që mund t'i shkaktonin penalitetet (shtrëngimet, detyrimet) që i vë shteti, nëse nuk plotëson standardet etj. Kjo është kolona tjetër që mban UPF-të, po e quajmë kolona Shteti. Natyrisht, së bashku me këto dy këto dy kolona që sapo i përcaktuam, funksionon edhe një kolonë e tretë: vetë ndërgjegjja dhe qytetaria e pronarëve (thymos e Platonit dhe e Fukuyama). Kështu funksionon shoqëria ku kemi hyrë, ajo e lirisë dhe demokracisë, duke u mbështetur në këto "tri kolona", Tregu, Shteti dhe Ndërgjegjja, përndryshe çekuilibrohet. Është mbështetja në këto tri kolonat, që e bëjnë UPF-në me pronarin e tij, që të jetë shumë më eficient dhe efikas, sesa USH-në me nëpunësin e tij të shtetit. Ky i fundit, nëpunësi, meqë nuk është pronar, i mungon kolona e parë, Tregu. Mungesa e kolonës Tregu, dobëson edhe dy të tjerat, Shtetin dhe Ndërgjegjen. Nëpunësit e shtetit, ose i shohin USH-të si një lopë për t'i mjelë, ose nuk merren fare me to, kur nuk del gjë prej tyre (dobësim i kolonës Shteti). Ky qëndrim prish më tej edhe ndërgjegjen e tyre (kolona Ndërgjegjja). Në gjithë këtë ngrehinë të mbështetur në tri kolona, luajnë rol edhe karakteristikat konkrete të shoqërisë sonë. Shqiptari është shumë individualist (jo se s'janë të tjerët, xhanëm), dhe është shumë më eficient dhe efikas si pronar privat, sesa si nëpunës i shtetit. Prandaj është dhe më e vështirë në Shqipëri, të mbahet ajo ngrehina me dy kolona, ajo e USH-ve! Vërtetë që ka pronarë të UPF-ve, "që nuk kanë ngritjen akademike, apo edhe atë morale". Por ata, pronarët e UPF-ve, duhen krahasuar me alternativën tjetër të vetme, me drejtuesit shtetërorë nga varen USH-të. Pas këtij krahasimi, menjëherë do të rezultonin relativisht "shumë të mirë", edhe ata pronarë që i quajtën të këqij. Kjo sepse "biografia" e shtetërorëve është fare skandaloze. E pra, janë po vetë këta kritikuesit e sotëm të UPF-ve, që po ulërijnë gjithë ditën, se "administrata jonë shtetërore është amorale", se kjo bën që vendi ynë "të jetë kampion i korrupsionit" etj. Pra, për absurd, pikërisht kësaj shejtan administrate, duan t'ia lenë në dorë arsimimin universitar, duke lejuar vetëm USH-të, e asnjë tjetër! Pronari detyrohet të zgjedhë një staf akademik sa më të mirë, sepse përndryshe rrezikon milionat që ka investuar në UPF-në e tij. E pra, stafi akademik është primari, ai që drejton teknikisht universitetin, jo pronari. Edhe akademik të ishte pronari, prapë se prapë, nuk do të kishte kohë të merrej me drejtimin direkt të UPF-së, e aq më pak me mësimdhënie. Ka shumë pronarë që kanë ngritur gjigantë të biznesit në botë, pa qenë teknicienë të biznesit konkret, edhe pa qenë krejt të kulluar moralisht. * * * Në shkrimin që do të pasojë, "Pak universitete, pak fare private", do të merremi me faktin se jo vetëm që kemi pak universitete, por kemi relativisht fare pak universitete private; gjithashtu, do të analizojmë impaktin (influencën) e këtij fakti në tarifat e larta aktuale, duke provuar se zgjidhja e vetme eficiente, mbështetet tek shtytja që jep joshja pas fitimit. Bashkim Kopliku 7.11.2007 Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <[email protected]> optional: <[email protected]> Please, send important e-mails on both addresses. ______________________________________________________________ If you wish to unsubscribe, send a blank message to: [email protected] , or visit Alb-Club's page at: http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club