[AlbClub] "Qemal Stafa", atavizëm komunist

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <01ac01c82da5$a412ac00$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




"Qemal Stafa", atavizëm komunist
[Gazeta Shqiptare, 23.11.2007]

Një fondacion rinor me prirje të majta, që ka mbledhur të rinj modernë 
intelektualë-sa mirë!  Por sa keq që ky fondacion mban një emër që vjen nga 
errësira e komunizmit: "Qemal Stafa"!  Është absurde që sot në vitin 2007, 
pas 17 vjetësh të rrëzimit të komunizmit, t'i vihet emri i një prej liderëve 
më të famshëm të komunizmit, një fondacioni, që edhe sepse është i majtë, 
duhet të ishte po aq antikomunist, sa ç'janë të gjithë fondacionet e tjera 
rinore në botën perëndimore.  Kjo ngjarje nuk e ka shkakun vetëm tek 
naiviteti, apo tek nostalgjia, apo tek dritëshkurtësia e atyre që e 
pagëzuan, pra të rinjtë e PS-së.  Shkaqet janë më të thella, dhe përfshijnë 
edhe lidershipin politik në pushtet, berishizmin, e më gjerë, të gjithë 
shoqërinë tonë.  Zgjidhja?!  E shpejta, t'i ndërrohet urgjentisht emri atij 
fondacioni; e gjata, të ndërrojmë mendësitë tona.

Para se te vazhdojmë më tej këtë shkrim, i sigurojmë veteranët komunistë të 
luftës së dytë botërore, se nuk kemi gjë me ta, e respektojmë sakrificën e 
tyre për atdheun.  Bile themi  se edhe ne, mbase në atë kohë do të vepronim 
siç vepruan ata.  Por sot arsyetohet dhe veprohet me mend e sotme, dhe jo me 
mend e para 70 vjetëve.

Emri "Qemal Stafa" lidhet me dy figura (simbole) historike në të njëjtin 
njeri.  E para, pozitivja, ajo "e mira", është ajo e patriotit, ajo e 
luftëtarit kundër pushtuesve, e anti-fashistit, e dëshmorit për mbrojtjen e 
pavarësisë së atdheut, e djaloshit letrar e të talentuar e liridashës, e 
luftëtarit për liri e barazi sociale.

E dyta, negativja, "e keqja", është ajo e politikanit.  Kemi figurën tipike 
të një komunisti të kohës.  Ai burgoset nga shteti shqiptar, si pjesëmarrës 
në grupe subversive komuniste që kërkonin rrëzimin me dhunë të regjimit 
kushtetues.  Ai ka si shembull Bashkimin Sovjetik (BS), dhe udhëheqësin të 
tij të lavdishëm, Stalinin.  Burgosja e tij, pranimi i fajit, duke deklaruar 
në gjyq se "po, jam komunist", janë ngjarje të vitit 1939 (shkurt), kur 
tashmë komunizmi e kishte treguar praktikën e vet: dihej se në BS ishin 
vrarë miliona njerëz thjeshtë për bindjet e tyre politike apo ekonomike. 
Ndër kohë dihej edhe se BS po flirtonte me nazi-fashistët, flirt që u 
konkludua me paktin Molotov-Ribbentrop, më 23.8.1939, në dëm të vendeve 
evropiane (një javë pas paktit, plasi lufta e dytë botërore).  Edhe 
Shqipëria u pushtua në këtë frymë miqësie sovjeto-fashiste, vetëm 4 muaj 
para formalizimit të atij pakti, dhe dy muaj pas gjykimit të Qemalit.

Është pikërisht në Shqipërinë e pushtuar nga fashistët, që Qemali gjen 
lirinë, megjithëse ishte dënuar me 6 vjet burg si komunist.  Ai del 
menjëherë nga burgu edhe bile shkon për studime në Italinë fashiste!

Vetëm pasi nazi-fashistët u prishën me Stalinin dhe sulmuan BS-në (më shumë 
se pas dy vjetëve që Shqipëria lëngonte nën pushtimin fashist), atëherë 
Qemalit me shokë, u kujtohet për të luftuar fashistët.  E nis me krijimin e 
një partie komuniste (dy vjet e gjysmë pasi vendi ishte i pushtuar nga 
fashistë, dhe vetëm rreth 4 muaj pasi u sulmua BS).  Partia e tij 
organizohet nga dy të huaj (jugosllavë), që vinin nga një shtet që atdheut 
të tij, të Qemalit, i kishte grabitur gjysmën e vet, Kosovën.

Nuk ka veprimtari politike më negative sesa krijimi i asaj partie, 
komuniste.  E keqja e saj e dukshme lehtë, ishte që për 49 vjet me radhë 
vrau-preu popullin shqiptar, që e frenoi ekonomikisht, dhe që e futi në 
kampin anti-perëndimor, anti-amerikan, anti-evropian, anti të gjithë miqve 
të sotëm të Shqipërisë, që janë edhe miq të PS-së, edhe të PD-së aktuale, 
edhe të gjithë partive parlamentare shqiptare.  E keqja që nuk para shihet 
lehtë, është krijimi i mendësive komuniste tek shqiptarët, mentalitet i cili 
ka zënë vend edhe në sa e sa antikomunistë (i quajmë "antikomunistë 
komunistë"), dhe që vazhdon të jetë shkaku i shumë të këqijave që kemi si 
shoqëri aktuale.  Po le të kthehemi më afër temës konkrete.

Sado mashtruese të jetë historia jonë, nuk sajon dot disidentin kundër 
komunizmit, nga kryetari i rinisë komuniste, Qemali.  Nuk e zbut "figurën e 
keqe", as versioni se "Qemalin e vrau Enver Hoxha".  Edhe e vërtetë të 
ishte, nuk ka fare të bëjë, sepse nuk është e vërtetë thënia që u pëlqen 
shumë vetëve: "armiku i armikut tim, është miku im".  Nuk e zbut figurën e 
keqe politike, as veshja e tij me sofizmin: "Qemal Stafa solli në kohëra të 
vështira frymën e lirisë, reformimit dhe modernizmit, duke pasqyruar vlerat 
që politika e sotme ka nevojë"-kjo jo vetëm që nuk është e vërtetë 
historikisht, pra është një sajim, por as që mund të ngjante një gjë e 
tillë, sepse nuk mund të rrijnë bashkë komunizmi me lirinë.

Nejse, mos të zgjatemi më në detajet e figurës së Qemalit si politikan, 
sepse edhe sa thamë, qenë të nevojshme për mendësitë tona, sepse për shumë 
popuj të tjerë të botës, do të mjaftonte vetëm fakti i thjeshtë: ai ishte 
një nga krijuesit e përbindëshit "partia komuniste shqiptare".

Të vijmë tek e sotmja: vënia e emrit të Qemal Stafës, një fondacioni rinor. 
Për t'i dalë përpara çdo sofizmi, le të gjykojmë me nge, duke shtruar 
paraprakisht pyetjen: cila nga figurat e mësipërme është pasur parasysh në 
pagëzimin e fondacionit, ajo e patriotit dhe e humanistit, apo ajo e 
politikanit terrorist komunist?  Për t'i dhënë përgjigje kësaj pyetje, duhet 
të shohim se cili është qëllimi i krijimit, cili do të jetë aktiviteti i 
fondacionit aktual "Qemal Stafa".  Ja se çfarë shkruhet në një dokument të 
tij: "Fondacioni synon të rritë përfshirjen publike në procesin politik, 
duke përafruar kështu praktikat perëndimore dhe duke ndihmuar konsolidimin e 
demokracisë në Shqipëri [...] është thjeshtë një fondacion politik, ku çdo 
shqiptar mund të gjejë veten nëpërmjet pjesëmarrjes dhe përfshirjes."  Pra 
nuk ka asnjë mëdyshje se ky është një fondacion politik, dhe nuk ka të bëjë 
fare me luftën kundër Italisë fashiste etj.  Si i tillë, natyrisht që është 
zgjedhur një figurë politike për emrin e fondacionit, pra fatkeqësisht është 
zgjedhur pikërisht ajo figura e dytë,  "Qemali si politikan", pra është 
zgjedhur ajo e keqja!

Ky pagëzim kalon caqet e një fondacioni rinor, përfshin të gjithë 
Shqipërinë.  Tregon sesa e pashëruar politikisht, por edhe sa hipokrite, 
është shumica e shoqërisë sonë aktuale.  Themi se shoqëria jonë është 
politikisht e sëmurë, edhe sepse ky fondacion ka marrë bekimin direkt të 
PS-së, edhe sepse ka drejtues të bordit të tij këshillmor, ish-sekretarin e 
PS-së, ish-presidentin e vendit pas rënies së komunizmit, kryetarin e 
Akademisë së Shkencave, të sapo "zgjedhur" në regjimin berishist, Rexhep 
Mejdanin.  E ky, me "përkufizim" duhet të ishte antikomunist, prandaj edhe i 
dilte detyrë "të këshillonte" drejtuesit e fondacionit, me ngulm (deri në 
mospranimin e kryesimit të bordit):

"Nuk vete ky emër, të rinj të dashur, sepse e majta shqiptare ka nevojë të 
shkëputet krejtësisht nga trashëgimia komuniste, duke parë para drejt 
perëndimit.  Nuk mundet të "ndihmojë modernizimin e PS-së, duke konsoliduar 
kanalet e komunikimit me shtetasit dhe grupet e interesuara", siç shpreheni 
ju, nëse niset nga shembulli i keq, shembulli i një kryekomunisti deri në 
vdekje.  Ky emër do të na i largojë të rinjtë, do të na i largojë "shtetasit 
shqiptarë" nga fondacioni."

As edhe nga berishizmi nuk po ndjehet njeri, megjithëse ka uzurpuar emrin e 
PD-së, të partisë që rrëzoi komunizmin në 1991-92-shin.  Asgjë nuk është e 
rastit tek ata, pra as edhe kjo heshtja e liderëve të tyre, as edhe heshtja 
e zëdhënësve: ata nuk lënë gjë pa kapur, por këtë herë nuk kanë komentuar 
fare për këtë pagëzimin skandaloz që po diskutojmë.  Thuhet se në shtëpinë e 
të varurit, nuk përmendet litari-litari i berishizmit është fakti që shumica 
e udhëheqësve të tij, janë vetë sekretarë partie të Enver Hoxhës, apo të 
niveleve të ngjashme.

Edhe pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare tregon se i mungon pjekuria, edhe 
"shoqëria civile shqiptare", edhe ata kanë preferuar heshtjen.  Vetëm në 
kafene dëgjon diskutimet fataliste: "dihet se komunistët e kanë në dorë!"

Themi se e gjithë kjo tregon sesa hipokrite është shoqëria jonë aktuale, 
sepse bëhet një veprim që edhe formalisht nuk ka fare koherencë.  Pikërisht 
sot kur Perëndimi kërkon që të dëshmojmë antikomunizmin tonë, së paku duke 
kujtuar krimet e komunizmit, kur të gjithë shqiptarët, duke filluar nga 
Kuvendi, bëjmë be e rrufe se jemi antikomunistë tashmë të bindur, po ne, po 
këta antikomunistë, lejojnë të pagëzohet një fondacion rinor me emrin e një 
kryekomunisti.

A vërtetë mendojmë se komunizmin tonë, po ua kalojmë nën hundë, ashtu pa u 
vënë re, miqve tanë të sotëm, atyre që po na ndihmojnë të mësojmë dhe të 
zbatojmë lirinë dhe demokracinë, atyre që na çliruan Kosovën, 
perëndimorëve?!  E pra, nëse shumica jonë po i harrojmë të zezat që i ka 
bërë komunizmi vendit tonë, nuk i harrojnë të zezat e komunizmit, për asnjë 
moment, miqtë tanë, vendet e tjera, popujt e tjerë perëndimorë.  Nuk i 
harrojnë, jo vetëm si konkluzion i doktrinave politike, por edhe sepse nuk i 
harrojnë të vrarët e tyre në luftërat antikomuniste, si ato të Koresë së 
Jugut, të Vietnamit, të Amerikës Latine etj.  Nuk harron njerëzimi as 
gulagët rusë, as krimet e Pol Potit në Kamboxhia, as ato të Mao Ce Dunit në 
Kinë etj.   Shqipërinë e largon nga Perëndimi, një harresë e tillë.  Ne 
duhet të pikëllohemi për veten tonë: po bëjmë gabime të mëdha.

Ne shqiptarët, kemi nisur rrugën drejtë shoqërisë perëndimore, e cila është 
e papajtueshme me komunizmin.  Nëse duam të ecim drejt saj, drejt pranimit 
në BE, duhet t'i heqim urgjent emrin fondacionit në fjalë, me hir apo me 
pahir.  Nëse duhet vënë emri i një personaliteti, atëherë ka mjaft figura 
historike shqiptare, që janë shembuj të politikave të majta perëndimore, si 
Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, Skënder Muço etj.

Bashkim Kopliku
21.11.2007

Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses. 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.