Duke kujtuar nje mik patriot.....

"FB" <[email protected]>
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia,gmane.recreation.alb-club
Message-ID <004a01c83843$be76f350$2e01a8c0@hpxg837>
Ndahet nga jeta përkthyesi, gazetari dhe diplomati
                       Eqerem Mete

Për Eqeremin mund të qe shkruar një artikull, me
vlerësimet më të larta, qysh kur ai ishte akoma në
jetë, si një nga njohësit më të mirë të anglishtes e
si përkthyes i talentuar; për publicistikën e tij
objektive, të argumentuar dhe me një patos të thellë
patriotik e demokrat, apo për diplomatin, i cili
drejtoi me profesionalizëm, korrektesë e
përgjegjshmëri të lartë drejtorinë e Ballkanit e të
Lindjes së Mesme në Ministrinë e Jashtëme, në një nga
periudhat më të vështira e delikate që po kalonte
Shqipëria e sapodalë nga diktatura. Por, mbi të
gjitha, e vlente të shkruhej për Eqeremin si njeri, i
dashur e i sjellshëm me të gjithë, i ndershëm e me një
modesti të rrallë.

Eqeremi lindi në Roshanj të rrethit të Kolonjës, më 12
tetor 1943.
Pasi mbaroi me sukses studimet e larta për Gjuhën
Angleze, në Fakultetin e Histori-Filologjisë të
Universitetit të Tiranës, nisi punën si përkthyes e
komentator në Radion e Jashtëme, të RTSH-së ku i duhej
të punonte me orar e pa orar, për të përgatitur në
kohë materialet e kërkuara. Dhe ndonëse një punë e
mundimëshme që nuk do ta kishte pasur zili asnjë
përkthyes, Eqeremi, falë cilësive e virtyteve të tij
të larta, manifestoi dhe aty vlerat më të qënësishme
të personalitetit të vet: i papërtuar, korrekt në
marrëdhëniet me të tjerët dhe përherë i gatshëm për
t'i ndihmuar kolegët, si për përkthimet në anglisht,
ashtu dhe për probleme të tjera, nga më të ndryshmet.
Prapë nuk do ta kemi dhënë dot të plotë portretin e
tij të atyre viteve, nëse nuk do të nënvizonim edhe
njëherë ngrohtësinë, thjeshtësinë e modestinë e tij
deri të skajshme, në marrëdhëniet e komunikimin me të
tjerët. Ne që e kemi njohur nga afër, apo dhe që kemi
punuar me të për vite me radhë, e kemi zor të gjejmë
një shëmbull të dytë si ai. Nuk kujtojmë dot qoftë dhe
një rast të vetëm që ai të ketë prishur qejf me njeri
e aq më pak të sillej ftohtë apo dhe me sadopak
mëndjemadhësi, siç bënin plot të tjerë që as nuk i
afroheshin qoftë nivelit të tij si përkthyes apo dhe
si komentator.
Në vitet e para të pluralizmit, ai kalon në Ministrinë
e Jashtëme, ku emërohet drejtor i Drejtorisë së
Ballkanit dhe Lindjes së Mesme. Kjo i dha atij
mundësinë të shpalosë vlera të tjera të personalitetit
të vet, si diplomat e politikan i aftë, i shkathët e
me përgjegjësi. Me entuziazmin e natyrshëm që sollën
ndryshimet shoqërore dhe politike pas përmbysjes së
sistemit diktatorial, ai iu përkushtua punës me tërë
energjitë e veta, duke qënë i përgatitur si rrallë
kush, veç të tjerash dhe nga akumulimi që kishte bërë
për vite të tëra, në profesionet e mëparshme, por që
kushtet e atëhershme nuk i kishin dhënë mundësi për
t'i sendërtuar. Për këdo është e qartë se sa e
vështirë e me përgjegjësi ishte detyra e diplomatëve
tanë në ato vite, nga që u duhej të çanin në rrugë të
pashkelura më parë, në përshtatje me klimën e re që
krijoi shëmbja ë Komunizmit dhe fundi i Luftës së
Ftohtë. Nuk do ta tepëronim po të thoshim se për
Ballkanin e Lindjen e Mesme problemet ndërlikoheshin
dhe më shumë për vetë specifikat rajonale e historike
të këtyre rajoneve. Por dhe në këtë detyrë të vështirë
e me përgjegjësi, Eqeremi, siç u vu re dhe siç e
pohojnë gjithë ata që kanë pasur lidhje me të, e kreu
me ndershmëri e me sukses. Vëmendje të veçantë sektori
që drejtonte ai, i kushtoi çështjes së Kosovës, kur
Millosheviçi po ndizte motorët për të filluar
raprezaljet e egra mbi të.
Ngjarjet e '97-ës, e detyruan dhe Eqeremin, si shumë
të tjerë, të marrë rrugën e mërgimit. Vitet e fundit
ai punoi e jetoi në Boston, por pa e ndërprerë punën e
tij si publicist e përkthyes, duke bashkëpunuar me
gazeta të vendit e të diasporës, si "Albania",
"Illyria" etj. Çdo publikim i tij ka lënë mbresa tek
lexuesit. Mjafton të kujotjmë, me këtë rast, vetëm
ndonjë syresh, siç janë një sërë shkrimesh për
pavarësinë e Kosovës dhe sidomos për ritheksimin e
përpjekjeve të nëpunësve të ndershëm e patriotë të
shtetit shqiptar, për të respektuar embargon e naftës
ndaj Jugosllavisë. E këtu Eqeremi ngriti zërin në
kundërshtim me deklaratat e mbarsura politikisht e me
spekullime nga ish eprorë të tij. Qëndrimi i Eqerem
Metes mbi kete çështje ishte dinjitoz dhe i
përkushtuar ndaj të vërtetës.
Eqeremi ishte bashkëpunëtor cilësor i Illyria-s.
Madje artikullin e fundit që pat dorëzuar në redaksi
me rastin e numrit special të 28 Nëntorit, "Kalash,
Hunza, Pathan, Burusho, Nuristanis What is Their
origin?, nuk arriti që ta shihte të botuar.
Eqerem Mete ka përkthyer, shkruar e botuar duke
shetitur në tema të tjera, jashtë politikës, por që
lidhen direkt apo indirekt me Shqipërinë. Kohët e
fundit ai përgatiti për botim e shpërndau në miq e
shokë, siç e kishte zakon, një material shumë
interesant, "Nostradamusi dhe shqiptarët",
("Nostradamus and Albanians"). Mund të themi, madje,
se në këtë fushë ai qe në kulmin e krijimtarisë së vet
dhe ne me të drejtë prisnim aq shumë nga ai. Por, nuk
qe e thënë: ne që e kemi njohur atë, sikur nuk duam ta
besojmë se nuk do të ndeshim më buzëqeshjen aq të
sinqertë të tij, zërin e tij të ngrohtë dhe shkrimet e
tij në faqet e gazetave.
Ai la pas të shoqen, Elin dhe vajzën Erjonën, të
cilave ne u shprehim, me këtë rast, dhimbjen tonë më
të thellë.


Andon Dede
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.