[AlbClub] Miratimi i moszbatimit të ligjit
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <033c01c8420f$8c340060$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List ***
Miratimi i moszbatimit të ligjit
[Gazeta Shqiptare, 19.12.2007]
Kuvendi po ndërpret me ligj (me amendament, ndryshim ligji) veprimin e
ligjit për tokën ("7501"). Ndërprerja u kërkuaka sepse "toka po u
shpërndaka në shkelje të ligjit", nga gjithfarë mashtruesish, si nga ata që
kishin, si dhe ata që kanë në dorë për ta keqpërdorur tokën-dhe është e
vërtetë që është vjedhur toka. Pra Kuvendi, bile i gjithë shteti, po
miraton paaftësinë e tij për të zbatuar këtë ligj. Po bëjmë absurditetin e
radhës, i cili ka shkaqet e veta. Ne mendojmë që shteti nuk duhet të
tkurret para keqbërësve, por duhet t'u tregojë dhëmbët e zbatimit të ligjit,
e jo të heqë nga qarkullimi ligjin.
Absurditeti
Kjo ndërprerje e ligjit, është absurde, në radhë të parë sepse nuk bëhet me
motivin se ligji është i keq, por se keqbërësit po e keqpërdorkan ligjin.
Ky absurd ngjan vetëm në Shqipëri, ose në ndonjë shtet si yni, ku ligjet nuk
zbatohen dot. Çdo shtet normal do të ndiqte rrugën e kundërt: ligji nuk
hiqej nga funksionimi, por strukturat e shtetit rrisnin punën për zbatimin
me korrektësi të tij.
Është absurde edhe pabesia që po kryhet ndaj fshatarëve. Tani kuvendi dhe
qeveria po i pret në besë ata. Ligji për tokën, që kur u bë në vitin 1991,
nuk kishte ndonjë afat, as deri më 2008-n: do të vepronte derisa të
përfundonte ndarja e tokës, derisa të gjithë fshatarët të merrnin tokën që
ju takon! Ka mjaft raste që toka nuk është shpërndarë, jo për faj të
fshatarëve, por për faj të shtetit, të organeve të ngarkuara me shpërndarjen
e tokës. Një shtet normal, jo i pabesë, nuk do t'u shkelte të drejtat
fshatarëve, pavarësisht se "kanë mbetur pak".
Por nuk është kjo ndërprerja e ligjit për tokën, absurdi i parë që kemi bërë
në këto dy vjet të kësaj qeverisjeje. Ky është vetëm njëri nga llojet e
absurdeve, ai i "heqjes së ligjeve që u japin të drejta shtetasve, që
hajdutët të mos kenë mundësinë t'i cenojnë këto të drejta". Po brenda këtij
lloji, ka edhe absurde të tjera. Po ju kujtojmë disa.
Edhe para më pak se dy vjetësh, hoqëm "ligjin e së drejtës të pronësisë" mbi
mjetet e shpejta të lundrimit (skafe, varka të shpejta etj.). Edhe atëherë,
me atë absurd patëm pranuar paaftësinë e zbatimit të ligjit. Edhe atëherë,
në vend që të ndalonim trafikantët e drogës, të prostitucionit apo edhe të
klandestineve, ndaluam ligjin: praktikisht u sekuestruam shqiptarëve pronën,
duke i detyruar të mos e gëzojnë atë.
Edhe me "ligjin e legalizimeve" (përveç "paaftësisë së zbatimit të ligjit,
këtu ishte dhe blerjes e votave në fushatën elektorale të 2005-së), kjo
qeverisje hoqi praktikisht ligjin që dënon pushtuesit e tokës. Po, sepse me
"ligjin e legalizimeve", synohet të legalizohet pushtimi i tokës së tjetrit,
duke bërë pronarë hajdutët dhe grabitësit e tokës, pra praktikisht "u
ndërpre" ligji që mbron të drejtën e pronës, qoftë të shtetit, qoftë të
privatit. Shqiptarët kanë marrë mesazhin e qartë absurd: "vidhni e
grabitni, sa të keni z. Sali Berisha, sepse vijnë zgjedhjet, dhe ai, për të
blerë votat, do t'jua falë vjedhjet, bile me ligj."
Po u vazhdua kështu, do t'i bjerë të nxjerrim p.sh., një ligj që mos të kemi
makina, sepse "pasja makinë u bëka shkak që vjedhësit të mund të vjedhin
makina". Kështu me radhë, mund të bënim një listë pa fund absurditetesh, që
nuk është çudi fare të bëhen realitet në një vend si yni.
Shkaqet
Kjo që po ndodh nuk e ka shkakun vetëm tek paaftësia e shtetit tonë për të
zbatuar ligjet, por edhe tek paaftësisë e të gjithë shoqërisë sonë për ta
detyruar shtetin të zbatojë ligjin. Më tej, kjo është dhe një dëshmi e
vërtetësisë së thënies: "çdo popull (shoqëri) ka qeverinë (shtetin) që
meriton".
Në një farë mase, ka si shkak edhe "nevojën" për legjitimimin e shkeljeve të
më përparshme të ligjit: u thuhet keqbërësve që rrini rehat, se nuk do t'ju
dënojë njeri, sepse e hoqëm edhe ligjin. Po, i ngjashëm do të jetë mesazhi
që u dërgohet prokurorëve dhe gjykatësve që merren me çështjet e shkeljeve
me tokat: "hë mo se u ndërpre Ligji, e mos u merrni më me krimet e kryera në
shkelje të një ligji që nuk vepron më; kemi sa e sa punë të tjera më me
vlerë...". Hajdutët e tokave njihen, por shteti, politika i ka marrë në
mbrojtje. Ata, hajdutët, kanë aktivitet të gjerë, kryesisht gjatë pushtetit
të PS-së, në vitet 1997-2005. Por mbrojtësja më e ndyrë e hajdutëve,
rezulton të jetë kjo qeverisje, sepse kjo i di kush janë, i ka parë dhe kur
ishte në opozitë, premtoi luftën kundër tyre, kur donte të merrte votat, dhe
tani i mbron, meqë i ka vënë në shërbim të vet.
Ne jo-deputetët, ne jo-ministrat, ne të gjithë "të tjerët", ne populli, jemi
bashkëfajtorë me qeverisjen, sepse jemi këtu kur po ndodhin këto gjëra, e
nuk mund të justifikohemi se "nuk dinim gjë", apo "nuk kishim ç'të bënim"!
Ne i kemi hak pasojat e indiferencës sonë, prandaj mos të qahemi se "na i
bënë të tjerët, e jo ne", siç e kemi zakon.
Bashkim Kopliku
15.12.2007
Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>
Please, send important e-mails
on both addresses.
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club