[AlbClub] Kallëzim publik: moszbatimi i ligjit në 96-n

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <046f01c84471$b68a9db0$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Kallëzim publik: moszbatimi i ligjit në 96-n
[Gazeta Shqiptare, 22.12.2007]

I drejtojmë këtë shkrim edhe zonjës Ina Rama, prokurores së Republikës, që 
të shërbejë, edhe formalisht, si kallëzim penal për mosveprimin e personave 
të caktuar për ndalimin e firmave piramidale mashtruese, duke mos zbatuar 
ligjin nr. 8076, datë 22.2.1996, "Për Bankën e Shqipërisë".  Ne besojmë tek 
kryeprokurorja e re, se ajo do të zbatojë ligjin ndaj kujtdo.

Një nga çuditë që lexuam në një intervistë të një ish-prokurori të lartë të 
vitit 1996, ishte sa vijon: "Ato [firmat piramidale mashtruese-sh.y.] ishin 
njëlloj veprimtarie siç kishte ndodhur dhe në SHBA me Ponzin. [...] Në atë 
kohë legjislacioni ynë nuk e ndalonte marrjen e parave me hua nga individët 
dhe se marrëdhëniet që krijoheshin midis këtyre firmave dhe individëve që 
jepnin këto para me përqindje ishin totalisht civile.  Pra ata hynin në 
marrëdhënie kontratash me njëri-tjetrin."  Pra, ai prokurori thotë se nuk 
paskësh pasur faj as ai, as qeveria, as kurrkush për lulëzimin e atyre 
firmave mashtruese, sepse nuk paskësh pasur ligj për t'i ndaluar.  Nuk po i 
përmendim emrin ish-prokurorit, sepse kjo e pavërtetë që thotë ai, 
përsëritet nga shumë prokurorë të tjerë, nga gjykatës, nga politikanë si dhe 
nga historianë, kështu që emri i tij nuk i shton asgjë mashtrimit kolektiv 
që ka 12 vjet që bëhet publikisht.  Nga ana tjetër, nuk po duam ta "dënojmë" 
ne prokurorin, duke i përmendur emrin: dënimin duhet ta bëjë gjykata.  Ne po 
bëjmë publikisht, për të disatën herë, hapin e parë formal, kallëzimin e 
asaj që ka ngjarë në fakt.

Do të vërtetojmë edhe një herë, se ka pasur ligj për t'i ndaluar firmat 
mashtruese piramidale.

Ja se ku e mbështesin sofizmin e tyre, ata që thonë se "ligji i lejonte 
fajdetë": në Kodin Civil (ligji nr. 7850, datë 29.7.1994, "Për Kodin Civil 
të Republikës së Shqipërisë") ku shkruhet:

"Neni 1050

Me kontratën e huasë njëra palë (huadhënësi) i jep në pronësi palës tjetër 
(huamarrësit) nje shume të hollash ose sende që përcaktohen në numër, me 
peshë ose me masë dhe huamarrësi detyrohet t'i kthejë huadhënësit aq të 
holla, ose aq sende të atij Iloji dhe të asaj cilësie, brenda afatit të 
caktuar në kontratë ose, kur nuk është caktuar afat, me kërkesën e 
huadhënësit."

Edhe në këtë, sipas nesh, bëhet fjalë për marrëdhënie në mes palëve që e 
njohin mirë njëri tjetrin, apo që kanë një lloj lidhjeje, dhe jo për hapje 
sportelesh për të marrë depozita nga publiku (nga kushdo që paraqitet), siç 
filluan të bënin firmat piramidale, pra një aktivitet sikur të ishin banka. 
Sidoqoftë, për të mos ia lënë në dorë interpretimeve të ndryshme, për të 
qenë më eksplicit (të qartë për këdo), u bë qëllimisht një ligj apostafat, i 
cili i jepte fund diskutimeve duke kërkuar që të vihej rregull në këtë 
aktivitet të marrjeve të depozitave nga publiku.

Kështu, shteti shqiptar, me insistimin me ultimatum të prerjes së 
marrëdhënieve nga ana e FMN-së (Fondi Monetar Ndërkombëtar), bëri dhe 
miratoi ligjin përkatës që i ndalonte këto skema (rreth një viti e gjysmë 
pasi kishte bërë Kodin Civil).  Ky ligj është (ligji nr. 8076, datë 
22.2.1996), "Për Bankën e Shqipërisë".  Ishte parandjerë qartë rreziku që i 
kanosej vendit nëse fenomeni i pranimit të depozitave nga publiku (i 
fajdeve) rritej në madhësi, duke kaluar nga "skemat Ponzi" (që përfshijnë 
një pjesë relativisht të vogël të popullsisë së vendit), në çmendurinë 
shqiptare të fajdeve, ku pothuaj i gjithë një popull futi para në to.  Ja 
pjesë nga neni 6 i këtij ligji:


"Neni 6

Ndalimet

     1. Asnjë subjekt nuk do të ushtrojë veprimtari bankare pa një licencë 
efektive të lëshuar nga Banka e Shqipërisë.

     2. Asnjë institucion financiar nuk do të kryejë veprimtari bankare pa 
një licencë efektive, në qoftë se Banka e Shqipërisë vendos në bazë të nenit 
1 se institucioni duhet të ketë një licencë.

     3. Asnjë subjekt tjetër, përveç një banke, nuk do të pranojë depozita 
nga publiku, depozita pa afat dhe depozita me një afat fillestar maturimi 
12-mujor ose më pak."


Ky Ligj ishte në fuqi, së paku që nga prilli i 1996, dhe ja sepse:

"Neni 79

Ky ligj hyn në fuqi më 1 mars 1996.

Shpallur me dekretin nr.1405, datë 11.3.1996 të Presidentit të Republikës së 
Shqipërisë Sali Berish"

Pra është e qartë, se që disa muaj para se piramidat të ktheheshin nga 
"skema Ponzi", në çmendurinë shqiptare të fajdeve (maj-nëntor 1996), ligji 
detyronte që "Asnjë subjekt tjetër, përveç një banke, nuk do të pranojë 
depozita nga publiku".  Për rrjedhojë, shteti duhej ose t'i mbyllte 
urgjentisht firmat piramidale, ose t'i kthente në banka, duke ia lënë 
kontrollin e tyre të imtë, Bankës së Shqipërisë.  Shteti ynë nuk bëri as 
njërën, dhe as tjetrën, pra nuk zbatoi ligjet e veta të kohës.  Si rezultat 
i mosveprimit kriminal të shtetit, çmenduria shqiptare e fajdeve ngjau: 
shteti u shkatërrua disa muaj pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të këtij 
ligji.

Prokuroria e sotme duhet të shpjerë çështjen në gjykatë, dhe ajo, gjykata, 
të japë vendimin e saj për këdo që do të rezultojë se ka faj, që nga ai 
ish-prokurori (që nuk paskësh hapur çështje penale, por paskësh "shkuar t'i 
referojë kryeministrit"), dhe deri tek presidenti i kohës (që nuk pushonte 
së përsërituri: "ligji e lejon", megjithëse e konfrontonim me të kundërtën, 
që "ligji e ndalon").

Ky mashtrimi me "ligji e lejon", ka shkaqe të caktuara, që nuk janë as 
injoranca dhe as amnezia (harresa patologjike).  E pra, shoqërisë shqiptare 
i duhet domosdo, jo vetëm t'i njohë të vërtetat, por edhe t'i dënojë fajet, 
sepse përndryshe mashtrimi dhe rrena do ta shoqërojnë edhe në të ardhmen, me 
gjithë pasojat e tyre.  Nuk duhet që shteti ynë të rrijë i qetë, kur 
fajtorët e shkatërrimit të Shqipërisë në vitin 1997 (përfshirë vrasjet dhe 
shkatërrimet e pasurisë), bredhin të lirë, e bile dhe janë në poste 
udhëheqëse të vendit.


Bashkim Kopliku
20.12.2007


Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses. 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.