[AlbClub] Më së fundi, privatizime!

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <002901c851d0$35755af0$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Më së fundi, privatizime!
[Gazeta Shqiptare, 8.1.2008]

Tani në fillimin e vitit 2008, kryeministri aktual dha një sihariq vërtetë 
të mirë: do të kemi privatizime!  Ja fjalët e tija: "2008-ta do të jetë viti 
i privatizimeve të mëdha, KESH-it, ARMO-s, INSIG-ut, Drejtorisë së 
Kontrollit të Automjeteve dhe i koncesioneve të tjera të mëdha".  Nuk thuhet 
se në cilin muaj të vitit 2008, do të jetë kryer privatizimi për secilin 
prej tyre, por nejse: mjafton të kryhen brenda vitit 2008 (pa ato dredhjet e 
muhabeteve, "jo po filluan, por nuk i bëmë dot se patëm këto e ato 
vështirësi...").  Ishte një surprizë sepse, kur u formua qeveria në vitin 
2005, privatizimet nuk i ka pasur fare në defter.  Kryeministri do të na 
jepte siguri se vërtetë do t'i bëjë këto privatizime, nëse rezulton të ketë 
ndonjë leverdi personale me to, si, p.sh.: mbajtja e postit të 
kryeministrit, pasi mund ta kenë kushtëzuar të huajt, që po vazhdoi të mos 
privatizojë gjë fare, atëherë...; apo frika nga kolapsi ekonomik, sepse këto 
biznese janë drejtë falimentimit, dhe i mbesin në dorë, po vazhduan më tej 
të jenë akoma shtetërore etj.  Gjithsesi, këto privatizime do të jenë një e 
mirë e madhe për Shqipërinë, për secilin prej nesh.  Në vijim disa komente, 
meqë dikur jemi pasë marrë shumë me privatizimet.

Privatizimi më i rëndësishëm është ai i KESH (Korporata Elektroenergjetike 
Shqiptare).  Është shumë lajm i mirë, që për privatizimin e shpërndarjes 
paskan asistuar (ndihmuar) USAID (United States Agency for International 
Development), si dhe IFC (International Finance Corporation), që është një 
grup i BB (Bankës Botërore).  IFC ka eksperiencë shumë të madhe dhe të 
suksesshme në privatizimet, gjë që shton shumë besimin tonë se kësaj here 
vërtetë që do të bëhet edhe ky yni, ai i KESH-it.  Sidoqoftë, na ha meraku 
nëse ia kanë hequr nga dora ministrit përkatës, vendimmarrjen për 
privatizimin, sepse po të vazhdojë ta ketë ai, zor se bëhet gjë: ai është i 
famshëm për mosprivatizime, dhe mund të keqorientojë edhe ekspertët e huaj, 
duke e zgjatur privatizimin edhe nja "20 vjet", duke nxjerrë gjithfarë 
justifikimesh "logjike dhe akademike".  Le të urojmë që brenda vitit 2008, 
së paku do të privatizohet shpërndarja e KESH-it.

Po ju kujtojmë se çfarë kemi pasë shkruar rreth 14 vjet përpara (në vitin 
1994), për privatizimin e elektrikut, meqë jemi shqiptarë dhe mëtojmë ta 
njohim më mirë natyrën e shqiptarit.  Në "Strategjinë e Privatizimit 
1994-1996" të miratuar në vitin 1994, nga Bordi Qendror i Privatizimit, 
shkruanim (po e citojmë me shkurtime):

"4.2 Ndërmarrjet elektrike do të privatizohen të disintegruara [të 
ndara-sh.s.] vertikalisht, në kuptimin që të tri pjesët përbërëse, 
gjenerimi, transmetimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike duhet të 
privatizohen veç e veç.

[...]

Gjeneratorët elektrikë (hidrocentralet, tec-et etj.) duhet të privatizohen 
veç e veç, duke u përpjekur që një pakete kontrolluese (jo me pak se 20%) të 
secilit prej tyre, ta ketë një firmë me eksperience në këtë fushe.  Do të 
aplikohen principe të ngjashme me sa shpjeguam në pikat 3.2b dhe 3.2c. 
Gjeneratorët duhet të fillojnë procesin e privatizimit menjëherë, në mënyre 
që deri në fund te 1995 të jetë privatizuar jo më pak se 60% e fuqisë 
ekzistuese.

Rrjeti i shpërndarjes duhet të copëzohet, të ndahet në maksimum, sipas 
principeve të dhëna në piken 3.1 . Ai duhet të privatizohet duke formuar 
SHPK, SHA apo shoqëri tregtare të ndryshme e të çdo forme.  Procesi i 
privatizimit duhet të fillojë menjëherë, në mënyrë që deri në fund të 1994 
të jetë privatizuar .jo më pak se 30% e tij dhe deri në fund të 1995 jo më 
pak se 80% e tij.

Transmetim-Dispeçeria të mbahet shtetërore deri nga mesi i vitit 1995, që të 
ketë fituar eksperiencë enti i kontrollit (rregullator).  Duke filluar nga 
gjysma e dytë e vitit 1995 duhet të fillojë procedura për privatizimin edhe 
të transmetimit.

Transmetimi duhet të jetë privatizuar jo më vonë se fundi i 1996. "

Po të ishin realizuar planet tona të para 14 vjetëve, problemi i dritave 
tashmë do të kishte vite që do të ishte zgjidhur: 24 orë drita, si kudo në 
botën perëndimore.  Por le të shohim se çfarë shkruanim në pikën 3.1. të 
Strategjisë:

"3. Privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha

3.1 Privatizimi me copëzim i ndërmarrjeve

Ndërmarrjet e mëdha duhet të ndahen, (copëzohen apo fragmentizohen), duke 
krijuar njësi që mund të funksionojnë teknologjikisht në vete.  Në radhë të 
parë këtu përfshihen [...]  Ndarja duhet të bëhet edhe kur njësia e ndarë në 
vete, në gjendjen e saj shtetërore nuk ka bashkëpunuar me të tretë, por 
vetëm me njësitë e ndërmarrjes, mjafton që të këtë mundësi që në aktivitet 
privat të bashkëpunojë me disa ndërmarrje, ose me disa njësi të veçanta të 
dala nga ndarja e ndërmarrjes shtetërore.  Gjithashtu, ndarja bëhet kur në 
përgjithësi mendohet se do të ketë blerës e se ndarja e saj nuk është se bën 
të pamundur privatizimin e pjesëve të  tjera.

[...]

Në asnjë mënyrë nuk duhet që njësitë që rezultojnë nga ndarja, të kthehen 
fillimisht në ndërmarrje shtetërore, dhe pastaj të privatizohen.  Copëzimi 
duhet që si rregull, të jetë vetëm në letër, duke krijuar njësi më vete 
vetëm "në letër".  [Fatkeqësisht, pas vitit 1994 u bë e kundërta: 
ndërmarrjet u ndanë, u transformuan në SHA etj., jo "në letër" por 
fizikisht, duke shkaktuar humbje të mëdha kohe dhe fondesh, gjë që vazhdon 
edhe sot, me bordet e tyre (këshillat mbikëqyrës) që veçse u japin paga kot 
ca partiakëve-sh.s.].  Vlerësimet e godinave, makinerive, pajisjeve e mjetet 
e xhiros që përfshihen në këto njësi, do të jenë më vete, duke i supozuar të 
shkëputura nga pjesët e tjera të ndërmarrjes.  Edhe dorëzimi i vlerësimeve 
të këtyre njësive, në hallkat e ndryshme të procesit të privatizimit të 
bëhet veç, i shkëputur nga pjesët e tjera të ndërmarrjes, papritur që të 
paraqiten së bashku për gjithë ndërmarrjen.  [Kemi pasur merak të mos lemë 
shkas që nëpunësi ynë të nxirrte justifikime për mosprivatizim, me gjoja 
nevojën e "kompletimit të të gjithë ndërmarrjes e pastaj të privatizohet" 
etj.-sh.s.]

3.2 Privatizimi i ndërmarrjeve që nuk ndahen dot

Ndërmarrjet e mëdha që nuk ndahen dot [...] do të privatizohen duke i 
studiuar rast pas rasti. [...]

c.         Vetëm në rastet kur nuk arrihet të realizohet sa thuhet [...], 
atëherë shteti do të nxjerrë në shitje të gjitha aksionet e ndërmarrjes, 
duke mbajtur vetë 20% të aksioneve, deri 12 muaj.  Gjatë kësaj periudhe deri 
12 muaj, organi që ka në vartësi ndërmarrjen (dikasteri, pushteti lokal 
etj.) kontribuon në zgjidhjen e menaxhimit të ndërmarrjes, organizimin e 
mbledhjes së asamblesë etj.  Sapo këto organe të stabilizohen, shteti u shet 
privatëve të gjithë pjesën e vet të aksioneve."

Sot duhet të pranohet çdo lloj privatizimi për shpërndarjen, si nga një 
kompani e vetme në të gjithë Shqipërinë, si dhe në forma të tjera.  Ka shumë 
vende në botë që e kanë privatizuar shpërndarjen e elektrikut të tyre, jo 
duke ia lënë në dorë një kompanie të vetme (pra, jo si në rastin e 
Maqedonisë që tani shpesh merret si shembull).  Privatizimi në shumë 
kompani, është një eksperiencë shumë e vyer edhe për Shqipërinë.  Ne jemi 
një vend që ka zyrtarë të korruptuar, dhe prezenca e shumë kompanive, sikur 
ul korrupsionin, pra ul çmimin e elektrikut për konsumatorët.  Privatizimi 
me disa kompani (copëzimin ekstrem), do t'i jepte mundësi edhe bizneseve të 
vogla shqiptare që të merrnin pjesë në privatizim.  Nejse, tani nuk ka kohë 
më: po e përsërisim se tani kryesorja është që privatizimi të bëhet, e sa më 
parë.

Për privatizimet e tjera që përmendi kryeministri, nuk jepet informacion se 
cilat janë firmat konsulente që kanë asistuar për privatizimin e tyre.  ARMO 
("Albanian Refining and Marketing of Oil", apo shkurtimisht "nafta"), duhet 
të privatizohet menjëherë, me 100% të pronarëve privatë, pa mbajtur shteti 
asgjë, sepse tregu i karburanteve tashmë është i liberalizuar dhe 
konkurrues.  Po kështu edhe INSIG (Instituti i Sigurimeve).  Kontrollit i 
Automjeteve duhet privatizuar dhe liberalizuar, që të jenë disa firma që 
bëjnë të njëjtin shërbim.

Do t'i këshillonim që të mos harrohen edhe disa privatizime të tjera shumë 
të rëndësishme, si ai i mjekësisë, që do të zhdukte korrupsionin dhe ulte 
koston efektive të shërbimit mjekësor; privatizimi i Postës Shqiptare, gjë 
që do të liberalizonte realisht tregun e shpërndarjes së gazetave, letrave 
etj., duke rritur efektivitetin dhe ulur çmimin e këtyre shërbimeve; 
privatizimi i porteve, sidomos i atij të Durrësit, pa mbetur në zgjidhje 
gjysmake, si "mbajtja shtetërore e autoritetit portual" dhe "privatizimi i 
shërbimeve"; privatizimi i ujësjellës-kanalizimeve: kot që ua kaluan 
pushteteve lokale, sa zgjatet kohë e shpenzohen para kot.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja: nuk dëgjuam gjë për letrat me 
vlerë?!  U kanë mbetur në dorë njerëzve.  Duhet kërkuar që një pjesë e 
pagesave të privatizimeve të vitit 2008, të bëhen me letra me vlerë, gjë që 
do t'ua rriste vlerën e tyre në treg, paçka se do të uleshin të ardhurat në 
buxhetin që menaxhon qeverisja e vendit (Kuvendi dhe Qeveria), meqë paratë 
do të shkonin direkt në xhepat individualë të shqiptarëve.


Bashkim Kopliku
6.1.2008



Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses. 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.