[AlbClub] Armiqtë hapin zemrat

"Pellumb Kulla" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <[email protected]>
                  *** AlbClub Discussion List ***



Gazeta "Panorama" boton procesverbalet e gjyqit të famshëm të
fajtorëve pa faj, të grupit të Kadri Azbiut. Them pa faj, ndaj
çështjes që mbronin ata që i gjykonin, se sa për fajet e vërteta ata i
kishin me okë dhe duheshin ndëshkuar jo aqë që s'patën bërë eliminimin
e Enver Hoxhës, por për besnikërinë ndaj  tij dhe për krimet në
zbatimin qenërisht e gjakësisht të porosive të tij.
Duke kërkuar ndjesë për gjykimin e mësipërm, më lejoni të qortoj ata
që i përbuzin leximin e këtyre procesverbaleve që boton "Panorama".
Është gabim të mendosh se ato i përkasin të kaluarës. Ato i përkasin
thelbit të së tashmes. Unë veçoj hera herës fragmente nga ato shënime
dhe zbavitem pa masë me një nga farsat më të përkryer që prodhoi ajo
kohë.

Ja sa interesante janë "hapjet e zemrës" së gruas së kryeministrit,
Fiqrete Shehut, që gjatë gjithë deponimeve të saj nuk pushoi së thëni:
"Ne me tim shoq, e bëmë në Paris planin që të helmonim shokun Enver…
Mehmetin e hante meraku se mos nuk arrinte dot misionin që kish marë
përsipër nga UDB-a. Mehmetit i dilte shpesh gjumi natën e më thosh:
"ah moj Fiqrete, kur do vijë ai cast që të vras shokun Enver, se për
ideal të Partisë, nuk do ketë gëzim më të madh!"

   	Por gazeta e sotme është e mbushur me hapje zemre ku e ku më
përrallore se ato të Fiqretit! Në vëmendjen tuaj, nga procesverbali i
botuar, po citoj pjesë të deponimit të Mihallaq Zicishtit, Gjeneral,
Deputet, Shef suprem i Sigurimit, Zëvendësministër i Brendshëm, i Pari
i Korçës dhe i Durrësit për dekada. Vini re, sa madhështor është ai në
vetgoditjet e tij:

"….Ishte viti '66. Pas një jave më thirri Mehmet Shehu. Qëllimi i
kësaj lëvizjeje ishte që të shtrinim veprimtarinë armiqësore edhe në
fushat e tjera ideologjike, politike dhe ekonomike. Aty do shkoja
sekretar i Parë. Mehmeti më porositi që aty të ngrija figurën e tij si
udhëheqës i zoti jo vetëm në fushën ushtarake, por në të gjitha fushat
e tjera. …Tashti disa momente të veprimtarisë armiqësore në Korçë. …me
porosi të Mehmetit rekomandova një studim, me tendencë, për të
shkurtuar oborret private të fshatarëve. Ashtu u bë. Qëllimi ishte që
të përkeqësohej furnizimi i fshatarëve me produktet jetësore dhe të
rritej pakënaqësia e tyre. Kështu që kjo shkaktoi pakënaqësi të madhe
në popull se marrja e kësaj mase, pa masa të tjera për furnizimin e
popullatës, ishte vetvetiu një sabotim…."

Dhe tani me lejën tuaj, miq të Albclubit, po e vazhdoj vetë, për ta
bërë më të qartë, deponimin e Mihallaq Ziçishtit:

           " Pastaj, unë armiku Mihallaq Ziçishti, siç e kanë pasur
zakon të gjithë armiqtë e Partisë e të shokut Enver, vura re se m'u bë
e përditëshme dëshira si e si të pengoja sukseset e mëdha ne tëra
fushat e udhëhequra nga Partia. Se, të them të drejtën, ato suksese ne
na verbonin. Na pushtonte tmerri kur mendonim se edhe grupi ynë do
thyente hundët, në kalanë e çeliktë, në kalanë e kuqe dhe të
pamposhtur të Republikës Socialiste të Shqipërisë. E për këtë, mua nuk
më zinte gjumi: çfarë të bëj që treni i pandalshëm, të ndalet? Si ta
prish ekonominë, ushtrinë, mbrojtjen? Si të luftoja, bre, ta zbehnja
këtë dashuri të madhe që kish populli për figurën më madhore
ndërkombëtare të revolucionit proletar botëror? Më besoni, zoti
kryetar i gjyqit, më besoni, zoti Prokuror: nuk më zinte gjumi! E
thotë mirë, bre, populli ynë i mençur: uji fle hasmi s'fle! Ja e
provova vetë unë: s'flinja! Këta hasmërit e tjerë, që gjithashtu tok
me mua nuk mbyllnin sy, nuk e pranojnë. Armiku Kadri Azbiu dhe këta
armiqtë e tjerë që kanë ulur kokat e damkosura, nuk pranojnë se ne
kemi qenë grup i gjërë, nën komandën e poliagjentit, armikut më të
rrezikshëm akoma, Mehmet Shehut. Hëhë! Pse more shokë të grupit, nuk
zbërtheheni, nxirreni, bre, helmin që me dekada po e ruani nën gjuhë!
A nuk jemi ne që patëm në dorë tërë gjeneralët, ushtrinë, armatimet,
raketat, tanket, avionat, Sigurimin e gjithëçka dhe Enver Hoxhën nuk e
eliminuam dot? Pse? Po sepse e mbronte populli. Populli e kish
rrethuar atë, që iu bëftë dita njëmijë!, me dashuri, me vigjilencë
Ne, more shokët e mi armiq, nuk e kuptuam këtë, prandaj e kemi hak
plumbin! E ky i nderuari trup gjykues, të ketë turp po nuk na e dha
atë të shkretë plumb!"

	Në fund, nga historia e dimë që këtij armiku, Ziçishtit, në dallim
nga të akuzuarit e tjerë, gjyqi nuk ia dha plumbin. Vecse ia bëri me
hile: i ruajti procesverbalet e gjyqit, që t'i lexojnë brezat e
shqiptarëve, që qysh tani mezi besojnë se ç'krijesa të ulta, imorale e
të pabesa kanë munduar shqiptarët e kanë poshtëruar virtytet e tyre
gjatë  historisë së përgjakëshme të shekullit 20.

Pëllumb Kulla
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.