Dituria dhe edukata
Hamdi Nuhiju <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
*Dituria dhe edukata* *Hamdi Nuhiju* Dituria është urdhër islam i ngritur mbi të gjitha urdhrat tjerë. Ai është urdhër edhe para besimit, ngaqë pa dijen njeriu e ka të pamundur edhe të besoj. Nuk mund të arrijmë deri tek stadet e vetëdijes së besimit islam pa u pajisur fillimisht me dijen në emër të Zotit. Thotë Zoti në Kur`an:” Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte. Por vërtet që njeriu shkel çdo cak, kur mendon se është i vetëmjaftueshëm. Në të vërtetë, kthimi është te Zoti yt!” ( el Alek:1-8) Ka shumë ajete në Kur`an që pasqyrojnë nevojën e njeriut për të kërkuar dijen. Edhe vet Pejgamberi i Zotit, Muhammedi s.a.v.s. në shumë thënie të tij urdhëron kërkimin e dijes. Fillimi i shpalljes ishte me këto urdhra të Zotit për kërkimin e dijes. Nisja në këtë rrugëtim të këtij botëkuptimi sa të vjetër aq edhe të ri në qenien shoqërore është e bazuar mbi këtë vlerë. Jo që vlerat tjera janë inferiore karshi dijes, por dija është prijatare e tyre ku mbi dijen mund të qëndroj vetëm edukata që është thelbi i moralit të një njeriu, një populli dhe të gjitha civilizimeve. Tek këto ajete kur`anore të cituara më lartë mund të gjejmë edhe orientimin e besimtarëve kah edukata ose morali. Ata besimtar që nuk janë të orientuar kah edukata ose morali i dijes në thelb janë të zhdukur me dijen e tyre qysh në këtë botë. Edhe pse janë qenie që shohin, ecin mbi tokë, hanë, pinë, ata, janë qenie të pavlera aq sa ishte i pavlerë edhe djalli i mallkuar kur refuzoi urdhrin e Zotit për t`i rënë në sexhde njeriut. Këto ajete kur`anore të zbritura qysh në Mekë në periudhat e para të lulëzimit të Islamit mbi shkretëtirën e mosdijes në nivel botëror, janë aktuale edhe në ditët e sotshme. Sikur po i troket në derë ajo pjesa e vetëmjaftueshmërisë sot akademisë së shkencave të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës etj, dhe po i thotë se njeriu shkel çdo cak duke e menduar veten të vetëmjaftueshëm. Janë të vetëmjaftueshëm, të pavarur prej besimit, ose të larguar nga mëshira e Zotit të gjitha ato krijesa që e shohin veten mbi Zotin duke shkelur mbi çdo vlerë që urdhëron Zoti i Madhërueshëm. Njeriu kur sheh mbi Zotin, në atë moment e ndien veten të pavarur, të dhënë pas logjikës dhe mendjes së tij deri në nivelin e shndërrimit të saj në idhull. Kjo d.t.th. se gjithçka që bën ai, që vepron në këtë botë, duhet patjetër të llogaritet në parametrat e logjikës së tij. Sikur gjërat të ishin të tej-logjikshme atëherë ai nuk do ti pranonte ato dhe do të jetonte i verbër në shpirt dhe i ngurtë në këtë botë. Shpirti çel sytë vetëm në saje të besimit në Allahun xh.sh. dhe ndjek verbërisht rrugë të gabuara në momentin e shenjtërimit të logjikës. Njerëzit që thërrasin në kaotizëm duke kërkuar mënjanimin e rregullave të lojës deri tek arritja e diturisë, duke mos përfillur hierarkinë e kërkimit të dijes dhe sistematizimin e saj, ata zakonisht janë të prirur që të mos kenë ndjenja dhe emocione të forta për botën e mëtejme ose për një Fuqi Absolute e cila është më e madhe se të gjitha krijesat tjera. Në mungesë të kësaj ndjesie ata tentojnë të largohen nga Mëshira e Allahut dhe në këtë mënyrë të e ndjejnë veten të pavarur nga ligjet e të Lartësuarit. E gjithë kjo definohet tek pjesëza e mos edukatës së dijes, ngaqë njerëzit që kërkojnë dijen dhe nuk njohin Krijuesin e Madhërueshëm për Krijues, ata, kanë prirje për të shkatërruar vetveten. Kërkimi i dijes në krahasim me mosdijen është raport i njëjtë sikur ai i luftës dhe paqes. Mahatma Gandi tha:” Nuk ka rrugë deri te paqja, paqja është rruga.” Edhe pse e thënë në kontestin e një kauze të lartë racore dhe morale, përsëri në kuadrin e saj mund të gjejmë interpretimin e dijes dhe mosdijes, ose edhe raportin ndërmjet edukatës të lidhur ngushtë me dijen, dhe dijen të zhveshur nga edukata. Dija në esencë është paqe. Ashtu si thotë edhe Xhelaludin Rumi se kjo botë për hir të dashurisë është krijuar, edhe ne parafrazojmë idenë duke e lidhur dashurinë me paqen dhe urrejtjen me luftën. Paqja përveç që është e lidhur ngushtë për dashurinë, ajo qëndron stoike edhe me dijen. Rrugëtimi i saj është i njëjtë..!!! Qëllimi i gjithë këtij rrugëtimi është arritja e kënaqësisë së Zotit. ‘Rrugë deri tek paqja nuk ka’; është fillimi i një tragjedie meskine të dijes pa edukatë. Njeriu kur kërkon dijen jashtë edukatës ai shndërrohet në rob të saj dhe i mbyll të gjitha dyert e suksesit dhe paqes për shkak të mungesës së edukatës. Po qe se bëhemi më praktik, llogaria e veprimtarisë së këtij njeriu na del shumë e zymtë. Paqja është rruga, dashuria, suksesi, dija, besimi... Pa paqe e rehati shpirtërore njeriu nuk mund ta njoh as Krijuesin e Madhërueshëm e as nuk mund të identifikoj gjurmët e diturisë. Të jetosh në paqe d.m.th. para se të bësh gjumë t`ia falësh të gjitha krijesave në rruzullin tokësor që të kanë bërë keq dhe të mos mendosh keq për askënd. Përveç që do të jetosh i lumtur dhe me edukatë, ti edhe nëse nisesh në rrugën e dijes, frytet e saj do ti shijosh qysh në këtë botë, por edhe shumë krijesa tjera do të kenë mundësi të përfitojnë prej fryteve të dijes tënde. O kërkues i dijes...!!!! Mos harro porosinë e Junus Emres nga vetja për veten:” Junus, çlirohu nga egoja..” Po, çlirohu nga egoja, kërko dijen, furnizohu me edukatë, dhe nuk ka dyshim se do të jetosh në paqe që është rruga drejtë rehatisë me Allahun xh.sh.