Si nisi protesta e studentëve në 8 dhjetorin historik të vitit 1990
by _Gazeta Metropol_
(http://www.facebook.com/profile.php?id=100000217381218) on Wednesday, 08 December 2010 at 06:33
Lëvizja Studentore lindi si rezultat i një serie protestash që u
përshkallëzuan në një konflikt të hapur me sistemin totalitar
Halil RAMA
Sot, pas 20 vitesh, ne jetojmë në një vend të lirë e demokratik, dhe për
këtë një meritë të padiskutueshme ka Lëvizja Studentore e 8 Dhjetorit të
vitit 1990, e kryesuar nga lideri i demokracisë, “Nderi i Kombit” Azem
Hajdari, si dhe mijëra studentët e intelektualët që me uraganin studentor
përmbysën regjimin më gjakatar që kishte njohur Evropa.
8 Dhjetori i vitit 1990, kjo datë historike, do të mbetet në memorien e
shqiptarit si prelud i ndryshimit të sistemit shoqëror në Shqipëri, nga
komunizmi njëpartiak në demokraci pluraliste
20 vjet më parë, në kryeqytetin e Shqipërisë, e pikërisht në qytetin “
Studenti”, studentët e Universitetit të Tiranës ngritën krye për herë të parë
në historinë 46-vjeçare të komunizmit, kundër këtij regjimi famëkeq. Ata në
datën 8 Dhjetor 1990 vendosën të bojkotonin mësimin dhe të protestojnë
kundra regjimit, fillimisht për ndërprerjen e energjisë elektrike, kushtet e
vështira ekonomike që po kalonte Shqipëria në ato momente, kushtet tepër të
vështira që kishin studentët në konvikte e në shkolla. Ata organizuan një
protestë, në të cilën ndodhi edhe një incident: policia e ushtria përdorën
dhunë për të shpërndarë studentët dhe disa protestues morën plagë nga dhuna që
përdorën forcat e pushtetit komunist. Kjo do të sillte dhe irritimin e
mëtejshëm të studentëve dhe kërkesat e tyre u zgjeruan. Përveç kërkesave për
plotësimin e kushteve të jetesës, ata kërkuan lejimin e pluralizmit si dhe
dënimin e dhunuesve të studentëve.
Ngjarjet rrodhën shumë shpejt dhe pas shumë protestave, ku zëri kryesor që
dëgjohej ishte "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa", një përfaqësi
studentësh e kryesuar nga Azem Hajdari, iu drejtua më 11 Dhjetor 1990 Pallatit të
Brigadave, ku priteshin në takim nga Sekretari i Parë i Partisë së Punës të
Shqipërisë, Ramiz Alia, njëkohësisht edhe President i vendit. Ky është dhe
momenti më kyç i lëvizjes studentore. Në atë mbledhje Ramiz Alia, duke parë
që studentëve u ishin bashkëngjitur tashmë dhe qindra mijëra qytetarë nga
Tirana dhe e gjithë Shqipëria, dhe pushteti nuk kishte më fuqinë ti bënte
ballë Lëvizjes për Demokraci, pranoi pa kushte pluralizmin politik në
Republikën e Shqipërisë.
Lëvizja Studentore Shqiptare lindi si rezultat i një serie protestash
studentore e demonstratash që u përshkallëzuan në një konflikt të hapur me
sistemin totalitar e partinë-shtet. Ndërmjet arritjeve të shënuara të kësaj
lëvizjeje janë mbajtja e zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri, formulimi
i qartë i kërkesave politike që sollën pluralizmin në Shqipëri, galvanizimi
i masave të popullit në mbështetje të forcave politike opozitare që lindën
më pas, organizimi i grevës së urisë, që çoi në rrëzimin e statujës së
Enver Hoxhës, dhe kontributi i jashtëzakonshëm në shmangien e luftës civile në
një moment shumë kritik të tranzicionit të Shqipërisë prej sistemit
totalitar.
Sot, pas 20 vitesh, ne jetojmë në një vend të lirë e demokratik, dhe për
këtë një meritë të padiskutueshme ka Lëvizja Studentore e 8 Dhjetorit të
vitit 1990, e kryesuar nga lideri i demokracisë, “Nderi i Kombit” Azem
Hajdari, si dhe mijëra studentët e intelektualët, që me uraganin studentor
përmbysën regjimin më gjakatar që kishte njohur Evropa.
8 Dhjetori i vitit 1990, kjo datë historike, do të mbetet në memorien e
shqiptarit si prelud i ndryshimit të sistemit shoqëror në Shqipëri, nga
komunizmi njëpartiak në demokraci pluraliste.
Shqipëria ishte i vetmi shtet totalitar policor në Evropë
Dhjetori i vitit 90 vendosi në axhendën e shqiptarëve ballafaqimin.
Dhjetoristët dhe gjithë populli shqiptar, në këtë ditë historike nderojnë
kujtimin e liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, i cili u vra më 12
shtator 1998 nga social-komunistët, që u rikthyen në pushtet nëpërmjet rebelimit
mafiozo-komunist të 97-s. Rrugën për fitoren e demokracisë e të pluralizmit
shqiptar, rinia studentore e nisi 20 vjet më parë nga ai vend që sot quhet
sheshi "Demokracia", në krye të së cilës ishte tribuni Azem Hajdari.
Studentët e udhëhequr nga Azemi mbushën rrugët e Tiranës, sheshet dhe shpirtrat e
shqiptarëve me dritën e lirisë. Në dhjetor të vitit 1990, Shqipëria ishte
i vetmi shtet totalitar policor në Evropë. Në atë kohë të acartë, kur bisha
komuniste ishte në përpëlitjet e fundit, barra e përplasjes me regjimin më
gjakatar që kishte njohur njerëzimi ra mbi studentët e universiteteve të
Tiranës dhe të qendrave të tjera të arsimit të lartë në Korçë, Shkodër,
Elbasan e në Gjirokastër. Në periudhën ndërmjet dhjetorit 1990 dhe prillit
1991, studentët shqiptarë demonstruan ndjenjë të lartë përgjegjësie politike
dhe dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në proceset e tranzicionit prej
sistemit totalitar në një sistem demokratik. Këto ngjarje kanë lënë gjurmë të
thella në zhvillimet e mëvonshme politike, ekonomike e shoqërore në
shtetin shqiptar. Studentët që morën pjesë në veprimtaritë e Lëvizjes Studentore,
kanë qenë kontribuues shumë aktivë në të gjitha nivelet e politikës
shqiptare.
Drita e shpresës për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë
20 vjet më parë, Shqipëria ishte zhytur në mjerimin dhe izolimin më të
tmerrshëm të historisë. Ajo që kishte pllakosur vendin ishte zija e urisë.
Dyqanet e boshatisura, si pasojë e mungesës së prodhimit të brendshëm, kishin
detyruar sistemin që të aplikonte prej vitesh tollonat, ku një familje nuk
mund të merrte më shumë se një pako 200-gramëshe gjalpë në javë apo një
gjysmë kilogram djathë. Radhët për ushqime sa vinin dhe shtoheshin, ndërsa
durimi kishte kaluar të gjitha kufijtë.
Paralelisht me këtë situatë mjaft të rënduar politike, duke parë edhe erën
e ndryshimeve që po frynte në shumë vende të Evropës Lindore, diktatura
vendosi të reagonte me ashpërsi. Ishte e vetmja mënyrë për të siguruar
mbijetesën e sistemit. Burgjet ishin të tejmbushura me të burgosur politikë dhe
numri i tyre sa vinte dhe shtohej. Diktatura po tregonte dhëmbët edhe në
kufi, ku raportoheshin me dhjetëra raste të vrasjeve.
Synohej të krijohej një situatë frike për të mbajtur nën presion popullin,
përndryshe çdo tërheqje apo tolerim do të kuptohej si një dobësi. Në
shkollat e mesme dhe të larta u dha alternativa që çdo ditë të zhvilloheshin
biseda me nxënësit, ku të flitej se Shqipëria ishte një rast i veçantë dhe nuk
mund të kishte ngjashmëri as me Gjermaninë Lindore dhe as me Rumaninë, ku
ishte ekzekutuar diktatori Çaushesku.
Ndërkaq në Tiranë, Shkodër, Kavajë dhe qytete të tjera të vendit sa vinte
dhe shtohej revolta e brendshme. Sinjali ishte dhënë me ambasadat, ku mijëra
të rinj shpërthyen muret e izolimit mu në zemër të diktaturës, duke e
sfiduar hapur sistemin e saj të dhunës. Mitingu famëkeq i atyre ditëve, ku ata
mijëra të rinj u konsideruan huliganë, vandalë dhe armiq të popullit, nuk
solli asnjë efekt, përveçse rriti dozat e zemërimit popullor.
Për çdo natë në Tiranën e atyre ditëve pëshpëritej për një reagim, i cili
mund të niste në sheshin “Skënderbej”, ku ishte edhe epiqendra e asaj kohe
e rinisë.
Ndërkaq, sinjali erdhi pak metra më tutje qendrës së Tiranës. Atje ku disa
dhjetëra studentë, të drejtuar nga Azem Hajdari, vendosën të përballen me
aparatin e diktaturës. Ajo lëvizje u bë drita e shpresës për Tiranën dhe për
të gjithë Shqipërinë.
Misioni i dhjetorit 90 është i realizuar
Shqipëria sot është në mënyrë të pakthyeshme ajo që donin studentët dhe
shumica e shqiptarëve në dhjetor të 90-s. Mesazhi dhe misioni i Lëvizjes
Studentore është i realizuar. Shqipëria sot është shumë më tepër se ajo që
mendonim dhe shpresonim në atë kohë të ishte. Dhe vërtet këtu është një meritë,
së pari, e vetë PD-së, që përgjithësisht në gjithë jetën e saj historike e
mbajti këtë flamur të mesazhit të lëvizjes studentore të 90-s, është meritë
e gjithë shqiptarëve, që demokracinë e bënë shumë shpejt mentalitet të
qenies së tyre dhe të shtetit të tyre.
Ëndrra e studentëve dhe e shumicës së shqiptarëve për integrimin e
Shqipërisë në strukturat euroatlantike është bërë realitet me anëtarësimin e
Shqipërisë në NATO dhe me pranimin e kërkesës për të qenë vend kandidat për në
BE.
Lëvizja studentore u kthye në një lëvizje mbarëkombëtare
Dhjetori i vitit 1990 ka hyrë në historinë e demokracisë në Shqipëri si
dhjetori i bardhë, dhjetori i lirisë, dhjetori i demokracisë. Djemtë dhe
vajzat studentë, të rinjtë, të moshuarit, punëtorët fshatarësia, të gjithë dolën
në shesh. Sheshi “Skënderbej” në Tiranë dhe të gjitha sheshet e
Shqipërisë u mbushën plotë e përplot me demokratë. Nga goja e tyre dolën si zjarr i
një vullkani dy fjalë: liri-demokraci. Artikulimi i këtyre fjalëve kishte
peshë të madhe, aq të madhe sa ngriti peshë zemrën e një kombi, i cili kaq
shumë kishte vuajtur për lirinë, demokracinë dhe qytetërimin evropian. Por
jo vetëm kaq. Zëri i shqiptarëve për liri dhe demokraci zgjoi jo vetëm
Evropën, por dhe vëmendjen e demokracisë perëndimore, në veçanti politikën e mad
he amerikane. Pas lëvizjes studentore, që u kthye menjëherë në një lëvizje
mbarëkombëtare për demokraci dhe rrëzimit të miteve të diktaturës
komuniste, prezenca e SHBA-së në Shqipëri nuk vonoi. Përkundrazi, ajo erdhi me
gjithë fuqinë e saj. Muaji dhjetor i vitit 1990 ka hyrë në historinë e
Shqipërisë dhe analet e demokracisë shqiptare, si muaji i lindjes së demokracisë dhe
lëvizja studentore si lëvizja e parë për demokraci në Shqipëri.
Ditari i 8 Dhjetorit 90, si i provokuan studentët Çarçani dhe Isai
Ora 10:00.
Kryeministri Çarçani shkon pa njoftuar për vizitë tek studentët në Qytetin
Studenti. Kalimi i tij nga godina 27-28 krijoi ilaritet të madh, pasi
baltës nuk i rezistuan as çizmet që Çarçanit ia dërgoi me shpejtësi policia. Në
godinën 10-11, ai priti një grup studentësh. Gjysma e sallës ishte mbushur
me sampistë. Studentja A. B iu drejtua Çarçanit me fjalë dhe tone të
ashpra. Ajo tha se "unë nuk mund të lind kurrë fëmijë për ju dhe partinë tuaj…"
Ora 20:30.
Kabina elektrike në Qytetin Studenti merr flakë. Gjithçka fillon nga e
para. Fillojnë parullat kundër diktaturës, të thirrurat dhe të sharat ndaj
qeverisë komuniste dhe thirrjet për të lëvizur të organizuar. Për herë të parë
u këndua nga të gjithë kënga: "Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri/ O
djem rrëmbeni pushkët/ Ja vdekje, ja liri"! Pastaj u hodhën parullat: "Poshtë
komunizmi!" dhe "Komunistët në litar!".
Ora 21:00
Nga godina 20-21 erdhën thirrjet për tu mbledhur të gjithë. Brenda 10-15
minutave u mblodhën rreth 200-300 studentë, të cilët filluan marshimin drejt
drejtorisë. Kur u arrit tek godina 17, u pa se i gjithë trupi pedagogjik i
universitetit kishte ardhur i shoqëruar me autoblinda të policisë në
përpjekje për të ndërprerë demonstrimin. Meqenëse sheshi para drejtorisë ishte i
mbushur plot vetura qeveritare, studentët morën rrugën për në sheshin që
sot quhet "Demokracia".
Ora 21:00
Në përpjekje për të pasur sa më shumë solidaritet, demonstruesit shkuan
drejt godinës 15 për të kërkuar bashkimin e tyre. Ndërkohë dritat kishin
ardhur, por askujt nuk i binte ndër mend për to. Pas godinës 15, studentët
shkuan tek godina 14. Aty një moment qetësie u kërkua që dikush të zgjidhej për
drejtues. Ishin 6-7 djem të tillë. Si më i vjetri, si i vetmi prind u
zgjodh pa asnjë diskutim Azem Hajdari. Pastaj itinerari për solidaritet kaloi
godinat 6, 13, 11, 12, 9-10, 7-8, dhe uragani i studentëve mori drejtimin e
bulevardit qendror të daljes nga Rruga e Elbasanit, me synimin për takim me
R. Alinë ose demonstrim në sheshin "Skënderbej".
Ora 22.00
Në hyrje të lagjes, afër çerdhes, policia kishte vënë postbllok. Aty foli
Pirro Kondi. Dikush e goditi me kokrrat e pemës zbukuruese, të tjerët
fishkëllyen. Dikush e pyeti Pirron se sekretari i cilës parti ishte.
Ora 24.00
Tek studentët shkon Hekuran Isai, i cili filloi të qeraste studentët me
cigare. I bombarduar me pyetje provokuese, ai u acarua së tepërmi më shumë se
një herë. Në këtë orë, 14 studentë u nisën për takim me R. Alinë.
Delegacionit iu la afat 30 minuta për kthim, ndryshe ata do të ishin të arrestuar.
“Ndjeva se kërkesat e studentëve ishin të sinqerta dhe i mbështeta me
jetën time”
Azem Hajdari: Ja pse u vura në krye të lëvizjes studentore
Dobësi të veçantë kam nënën e babën. Më kanë rritur me një mijë mundime,
njëri punëtor dhe tjetra pastruese
Unë dhe studentët nuk dolëm në demonstratë me kërkesa të thjeshta vetëm për
bukën e gojës e për ca kushte minimale. Ne dolëm për demokraci, për
pluralizëm politik, që i mungonte njësoj gjithë popullit shqiptar
Kam dëgjuar se kanë thënë se kushedi se kush jam. Jam thjesht një student
në vitin e tretë të Fakultetit të Filozofisë. Shkollën e mesme e kam mbaruar
me mesatare 9 dhe këtu nuk jam keq me mësime. Kam qenë sekretar i sektorit
të vullnetarëve studentë vitin e kaluar në Priskë. Si të të them. Më duket
se këta që flasin këto fjalë nuk bëjnë mirë edhe ndaj shokëve të mi
studentë që më kanë zgjedhur në këtë punë.
Edhe familja ime është një familje e ndershme e patriote. Babai është
dekoruar disa herë. Veçse këto kohët e fundit po heq keq, për shkak se unë u
vura në krye të demonstratës së studentëve dhe u radhita në radhët e
komisionit organizues të Partisë Demokratike. Ja p.sh. vëllai im ish-anëtar i PPSH
dhe instruktor në Komitetin e Partisë së Rrethit, mbasi dorëzoi teserën e
partisë e anëtarit të partisë e morën inat dhe e dërguan në një punë nja
katër orë larg.
Thonë se jam shumë i pasur dhe se kam para në libreza kursimesh. I pasur?
Kam punuar gjithnjë punëtor. Sigurisht aty realizoja dhe tri norma dhe nuk
kam jetuar keq. Ndërsa tani jetojmë me 400 lekë rrogë të gruas sime dhe 240
lekë që marr unë si student, bursën. Unë dhe studentët nuk dolëm në
demonstratë me kërkesa të thjeshta vetëm për bukën e gojës e për ca kushte
minimale. Ne dolëm për demokraci, për pluralizëm politik që i mungonte njësoj
gjithë popullit shqiptar.
Me që erdhi fjala tek jeta ime personale, po ju them se dëgjohen disa fjalë
sikur unë merrem me femra, se paskam ndare tri gra etj. Ja pra, që kam
vetëm një grua, me të cilën jam rritur. Jemi martuar, unë isha 17 vjeç dhe ajo
15. Fëmijët do të na bëhen shokë. Të gjithë thonë se në familjen tonë
sillemi mirë me njëri-tjetrin. Unë gruaja dhe dy fëmijët. Dobësi të veçantë kam
nënën e babën. Më kanë rritur me një mijë mundime, njëri punëtor dhe
tjetra pastruese. Nuk e di sesa do ta plotësoj dëshirën e tyre për tu shërbyer
atyre sa më mirë. Kam edhe unë të metat e mia padyshim. Por nuk më ka
rastisur kurrë që të më dërgojnë në Degën e Punëve të Brendshme ose të dënohem
ndonjëherë nga organet e gjykatës. Shokë kam shumë, shumë. I dua dhe të
gjithë dhe më duan shumë. Kjo besoj se nuk është e metë.
E thashë këtë të shokëve edhe me synimin për të sqaruar atë moment të
kohëve të fundit të jetës sime, çastin e demonstratës, kur u ndodha në krye të
masës të studentëve. Aty më nxorën dëshira të mëdha demokratike, forca
shpirtërore krejt të pastra dhe studentët që më besojnë si shok. Nuk kam menduar
kurrë për tu bërë udhëheqës i kësaj lëvizjeje. Ndjeva se kërkesat e
studentëve ishin të sinqerta dhe i mbështeta me jetën time. Unë atyre jua di për
nder që më besuan që ta vë jetën dhe sinqeritetin tim në shërbim të
çështjes së tyre të lartë.
Dua të flas edhe për problemin e studentëve dhe të shpreh një dëshirë.
Dëshira është që të jem gjithmonë i lidhur me ta. Shkoj çdo ditë në Qytetin
Studenti dhe i takoj. Më vjen keq që nuk mund të jem në auditor me ta. Kam
vendosur ta lë shkollën. Unë studioj filozofi, por e shoh në të vërtetë mësoj
vetëm politikë. Politika e PPSH është futur në çdo rresht të leksioneve të
filozofisë.
Po studentët i kuptoj dhe do ti kuptoj gjithnjë. Por dua të theksoj se kjo
nuk kuptohet mirë nga disa qarqe burokratike.
Por vazhdon që studentët të mos përfillen në kërkesat e tyre të drejta e
nuk ka asnjë ndryshim në jetën e studentëve nga ajo ditë kur ata u ngritën në
demonstratë. Po ai ushqim, po ato baltëra si kantier ndërtimi në degradim,
po ajo papastërti po pa dritë. Kam edhe një dëshirë, që të vazhdoj më vonë
studimet në degën e filozofisë, por vetëm atëherë kur kjo të jetë vërtetë
shkencë filozofike.
(Intervistë e Heroit të Demokracisë dhe Pluralizmit, e datës 9 janar 1991)
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not
affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for
the content of articles, which is written by their respective authors.