Liu Xiaobo dhe Xhihadi i Artan Kristos

Arben Nelku <[email protected]>
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <[email protected]>
Liu Xiaobo dhe Xhihadi i Artan Kristos
by Olsi Jazexhi on Monday, December 13, 2010 at 6:37pm
Olsi Jazexhi
 
1.
Më datë 10 dhjetor 2010 kryetari i Komitetit Norvegjez të Çmimit Nobel (KNÇN) 
Thorbjoern Jagland i dhuroi çmimin nobel disidentit kinez Liu Xiaobo. Ceremoninë 
e dekorimit unë e ndoqa drejtpërdrejtë në kanalin e BBC-së. Të ftuarit, të cilët 
ishin pjesë e audiencës politikisht të indoktrinuar që Komiteti i Nobelit zgjedh 
për të përligjur vendimet e tija të përvitshme, në momentet kur Jaglandi i 
akordoi çmimin disidentit kinez, u çuan në këmbë duke duartrokitur e krijuar 
idenë sikur audienca respekton Xiaobon për shkak se ai persekutohet për mendimet 
e tija ndaj sistemit politik në Kinë. Në momentet e akordimit të çmimit, 
kryetari i jurisë i cili mbante përpara tij një fotografi të pafajshme të Liut, 
i cili ndoshta nuk e dinte seç po bëhej me foton e tij në cepat e Evropës, 
deklaroi përpara pjesëmarrësve se vendimi për të dekoruar Liun ishte marrë në 
shenjë mirënjohje ndaj luftës së gjatë dhe jo të dhunshme që ai kishte bërë për 
të mbrojtur të drejtat bazë të njeriut në Kinë. Por siç fjalimi tregoi më pas, 
arsyeja pse KNÇN kishte vendosur të dekorojë Liun nuk ishte ngaqë ndonjë nga 
anëtarët e komitetit e njihnin apo e kishin takuar ndonjëherë, por thjeshtë pse 
e “kishin gjetur” dhe “vëzhguar nga larg”. Siç u pa më pas e gjithë ceremonia e 
dekorimit të Liut ishte një sulm politik që Perëndimi dhe Komiteti i Çmimit 
Nobel i bën vendeve të botës së dytë dhe të tretë duke dekoruar e promovuar 
njerëz që shpesh nuk kanë rëndësi në shoqëritë ku ata jetojnë, apo punojnë për 
shkatërrimin e vendeve të tyre, por që nobeli i kthen në ikona të medias 
perëndimore. Komiteti i Çmimit Nobel ka bërë dekorime të këtilla politike ndaj 
Burmës duke promovuar Aung San Suu Kyinë, me Iranin kur dekoroi oponenten e 
regjimit Shirin Ebadi, me Rusinë duke dekoruar Mikhail Gorbaçovin për 
shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik, me Tenzin Gyatson (të njohur si Dalai Lama) 
për rebelimin që ai udhëheq kundër Kinës, me Nënë Terezën në 1979 kur i duhej të 
ndërtonte imazhin e një blloku bëmires, me president Obamën që tashmë i ka hapur 
Amerikës fronte të reja lufte në Pakistan dhe Jemen etj. Çmimi nobel i cili i 
dedikohet shpikësit të dinamitit Alfred Nobel, financohet nga të ardhurat e 
armës së shkatërrimit në masë, dinamitit, që Nobeli shpiku në 1867. Terroristët 
e të gjithë botës dinamitin e kanë armën kryesore në vrasjet që i bëjnë 
civilëve. Por ndërsa dinamiti i nobelit përdoret për të vrarë miletin, paratë e 
kësaj arme i shkojnë çmimit nobel i cili përdoret si armë shkatërrimi mediatik 
në masë që Perëndimi përdor kundër oponentëve të tij nëpër botë.
 
 
2.
Në kohën kur isha duke ndjekur nëpërmjet BBC-së ceremoninë e dekorimit të Liut, 
nga Durrësi më erdhi një email ku një besimtar musliman më tregonte sesi Gjykata 
e Rrethit Durrës në një seancë që kishte zgjatur vetëm 30 minuta kishte dënuar 
me pesë vjet burg hoxhën Artan Kristo. Për lexuesit që ndoshta kanë harruar se 
kush është Artan Kristo, më duhet të kujtoj se ai është një hoxhë dhe besimtar 
musliman. Persekutohet prej shumë vitesh nga organet e ekzekutivit dhe policia 
sekrete në Shqipëri për shkak të besimit të tij Islam dhe është akuzuar ndër 
vite si radikal islamik, si i dyshuar në vrasjen e Sali Tivarit dhe mbi më shumë 
se një vit më parë është arrestuar dhe mbajtur në burg pa afat për shkak të një 
ligjërate të publikuar në internet ku ka deklaruar se muslimanët e kanë për 
detyrë të bëjnë xhihad (dmth luftojnë kundër padrejtësive), por se xhihadi është 
diçka e largët për muslimanët e Shqipërisë pasi ata nuk janë muslimanë të 
njëmendtë. Pra vetëm për këtë fjalim të mbajtur kohë më parë, autoritetet 
shqiptare dhe Shërbimi i frikshëm Informativ Shtetëror me kryespiunin Bahri 
Shaqiri kanë lëshuar kundër Kristos dhe familjes së tij dhunë fizike, mediatike 
dhe politike. Kriston e kanë arrestuar, diskredituar në media, persekutuar e 
tashmë dënuar me pesë vjet heqje lirie. Me dënimin e datës 10 dhjetor 2010, 
hoxhë Artani ka hyrë në librat e historisë si kleriku i parë që u dënua për 
shkak të bindjeve fetare dhe ushtrimit të fjalës së lirë në Shqipërinë 
paskomuniste.
 
Hoxhë Artani apo Muhamed Abdullahi siç ai njihet në Islam, akuzohet nga SHISH-i 
se ka nxitur dhe bërë thirrje për terrorizëm dhe në bazë të nenit  232/a – 
“Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime 
terroriste” dhe nenit 232/b – “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime 
terroriste” të Kodit Penal të adoptuar nga parlamenti shqiptar nën presionin e 
amerikanëve në shkurt të vitit 2007 është bërë shqiptari i parë që i bëhet 
legalisht kurban Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Them legalisht, pse në 
vendin tonë që pas rënies së komunizmit, në emër të SHBA-ve dhe për hesap të 
tyre janë zhdukur, arrestuar, dëbuar, kanë patur pasuritë e grabitura e në 
mënyrë ilegale shumë njerëz të pafajshëm të cilët nisin që me biznesmenin saudit 
Jasin Kadi e deri me të krishterin Kosta Trebicka.
 
 
3.
Që Artan Kristo do të dënohej me burgim nga Gjykata e Durrësit, unë e kuptova që 
në 29 nëntor të këtij viti, kur gjatë vizitës time në Shqipëri shkova në 
Institucionin e Ekzekutimit të Vendimit Penal në Durrës ku mbahej i izoluar 
Muhamed Abdullahi. Gjatë vizitës në repartin e paraburgimit i gjithë personeli, 
që nga policët e thjeshtë, psikologët e deri të drejtuesit e burgut më shprehën 
çudinë dhe revoltën e tyre me faktin që një njeri i mirë dhe i Zotit, siç ata e 
përshkruanin Artanin, të mbahej në atë vend me të burgosur ordinerë. Ndërsa nga 
njëra anë punonjësit e paraburgut ishin tejet të kënaqur me prezencën dhe 
sjelljen e tij dhe tregonin se falë punës njëvjeçare në burg kishte arritur të 
konvertojë në besimtarë dhe bindë që të largohen nga jeta e krimit disa dhjetra 
të ndaluar, punonjësit e burgut nuk arrinin të kuptonin se cili ishte krimi që 
Artan Kristo kishte kryer dhe pse duhej mbajtur i kyçur pas hekurave sikur të 
ishte kriminel. Por me gjithë dëshirën e mirë të punonjësve të paraburgimit për 
ta parë Artanin e lirë, pothuajsë të gjithë e kuptonin se burgosja e tij ishte 
diçka që qëndronte matanë botës së krimit. Kristo ishte burgosur sepse kështu i 
intereson atyre që janë sot në pushtet. Kur një polic roje më pyeti se kur 
mendoja se do të lirohet ky njeri i pafajshëm, unë ju përgjigja: kur Shqipëria 
të bëhët vend i lirë, dhe kur të mos kemi më ambasadë amerikane në Tiranë.
 
 
4.
Siç e kam theksuar edhe në shkrime të mëparshme, hoxhë Muhamed Abdullahi është 
një i burgosur politik në Shqipëri dhe nuk ndryshon shumë nga Liu Xiaobo. Ndërsa 
Liu kërkon ndryshimin e regjimit politik në Kinë, Artani që ka pranuar mesazhin 
e profetit Muhamed vite më parë, nëpërmjet predikimeve të tija, mosbindjes dhe 
mospranimit që tia shesë shpirtin shejtanit e të rekrutohet si spiun kundër 
shokëve të tij nga SHISH-i, është dënuar për hakmarrje nga ata që kanë në dorë 
sot rendin në Shqipëri. Muhamed Abdullahi është dënuar për të kërcënuar 
muslimanët dhe hoxhallarët e Shqipërisë, për tu bërë shembull dhe treguar atyre 
se nëse ata nuk i binden gestapos së SHISH-it dhe politikave që atyre u kërkohen 
të implementojnë nga amerikanët, dhe nëse Islamin nuk e interpretojnë siç kërkon 
SHISH-i ata i pret fati i Kristos. Duke qenë se Shqipëria nuk është vend i lirë 
por një protektorat amerikan dhe Islami është një fe të cilin Perëndimi i 
Krishterë e ka sulmuar, poshtëruar e shkatërruar në vendin tonë që prej vitit 
1913, ajo që po i ndodh sot hoxhës Muhamed Abdullah është diçka që ne kemi parë 
ti ndodhë edhe shqiptarëve të tjerë muslimanë përgjatë shekullit të XX. 
Hoxhallarë që nga Hafiz Abdullah Zëmblaku e deri të Hafiz Sabri Koçi u dënuan sa 
nga komunistët, fashistët e zogistët dhe e kaluan jetën nëpër burgje e 
internime, për shkak pse këta nuk i bindeshin tagutit të politikave 
antimuslimane që Evropa implementonte në Shqipëri.
 
 
5.
Me dënimin e Artan Kristos për një krim të cilin ai nuk e ka kryer, të gjithë 
qytetarët e vëmendshëm të vendit tonë e kanë të lehtë të kuptojnë se standartet 
e dyfishta që implementohen te ne, ndërmjet muslimanëve dhe të krishterëve nuk 
janë një aksident, por pjesë e një politike të mirëorkestuar e cila synon 
zhdukjen dhe poshtërimin e Islamit dhe muslimanëve shqiptarë. Çdo njeri që ka sy 
në ballë mund ta kuptojë pse në një kohë që presidenti i Republikës së Tiranës, 
Bamir Topi shkon dhe nderon në Rochester Hills në Michigan priftin terrorist Dom 
Anton Kqira i cili përpara disa vitesh glorifikoi Sllobodan Milloshevicin dhe 
kërkoi vrasjen e dy milionë muslimanëve shqiptarë, në Durrës hoxhë Artan Kristo 
dënohet me pesë vjet burg vetëm pse deklaron që xhihadi është detyrë për 
besimtarët. Në një kohë kur militanti katolik Kastriot Myftaraj bën thirrje në 
shtypin e Tiranës për terrorizimin dhe vrasjen e muslimanëve dhe dëbimin e tyre 
nga vendi, Gjykata e Tiranës refuzon ankimet e Komunitetit Musliman dhe Forumit 
Musliman të Shqipërisë qoftë edhe vetëm për thirrjen e tij në Gjykatë. Në një 
kohë kur Kastriot Myftaraj gëzon mbrojtje nga SHISH-i dhe repartet e 
antiterrorit për ofendimet dhe shpifjet që lëshon kundër Islamit përditë, 
Gjykata e Durrësit dhe SHISH-i mbajnë në burg pa afat dhe më pas dënojnë me pesë 
vite burgim hoxhë Artan Kriston vetëm pse ai thotë që duhet të ketë xhihad. Në 
një kohë kur nëpër sajte katolike të internetit tufa fanatikësh të krishterë 
kërkojnë vrasjen e muslimanëve shqiptarë e dëbimin e tyre nga Shqipëria, SHISH-i 
heton vetëm faqen Udhëzimi dhe Drita dhe forumet e muslimanëve nëpër internet në 
mënyrë që ti arrestojë e ti fusë në burg vetëm ata. Në një kohë që prokuroria e 
Tiranës me në krye prokurorin Arben Qosja refuzon të nisë kallzim penal për të 
dënuar Kastriot Myftarajn për thirrjet e tija terroriste, prokurori Edmond 
Kaloshi dënon me pesë vjet burg hoxhën Artan Kristo për një përgjigje që ai i ka 
dhënë një lexuesi të tij vite më parë. Në një kohë kur besimtarët muslimanë në 
Durrës përjashtohen nga universiteti vetëm pse mbajnë shami apo mjekra, në mes 
të Tiranës, Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë e drejton një fondamentalist 
vllaho-katolik, Aurel Plasari, i cili në shkrimet e tija himnizon dhe kthen në 
terrorist të krishterë Skënderbeun dhe mbron krimet e tij kundër Islamit. Në një 
kohë që Bashkia e Tiranës iu refuzon muslimanëve të drejtën për të ndërtuar 
xhami, katolikët dhe ortodoksët kanë katedrale në një qytet dhe vend me shumicë 
muslimane. E në një kohë kur Nënë Tereza me shami ka pushtuar institucionet 
shkollore, shtetërore, rrugët e sheshet e Shqipërisë dhe qeveria Berisha 
deklaron vitin 2010 vit të Nënë Terezës dhe shenjtëron ditën e lumturimit të saj 
katolik, Ministria e Arsimit në “Projektligjin për sistemin arsimor 
parauniversitar” ndalon me ligj hyrjen e vajzave me shami nëpër shkollat e 
Republikës. Duke gjykuar mbi këto pak fakte që po numëroj më lart, mund të 
konkludojmë që edhe dënimi i hoxhës Muhamed Abdullah dhe shpallja e tij si 
terrorist, nuk është një incident apo një zbulim i papritur që spiuni Bahri 
Shaqiri pretendon të ketë bërë në Shijak. Kemi të bëjmë me një kryqëzatë 
fetare-politike të Krishtërim-Laicizmit kundër Islamit që bëhet nga Republika e 
Shqipërisë.
 
 
6.
Personat që kanë parë seancat gjyqësore që janë zhvilluar në Durrës kundër 
hoxhës Muhamed Abdullahi, përveç mbrojtjes dinjitoze të hoxhë Muhamedit dhe 
pazotësisë së gjykatësve për të provuar krimin e tij, nuk kanë mundur të mos 
fiksojnë faktin që treshja e gjyqtareve Kastriot Selita, Rexhep Bekteshi dhe 
Arjan Alicka që dënuan hoxhën, përgjatë të gjithë seancave gjyqësore mbanin 
përpara tyre monitorë të zinjë të kompanisë Dell që mbanin sipër logon USAID. 
Nëpër biseda jo formale që kanë zhvilluar me avokatin mbrojtës të Kristos, ata 
raportohet ti kenë thënë atij që na vjen keq për klientin tënd pse është i 
pafajshëm, por nuk kemi çfarë ti bëjmë amerikanëve dhe duhet ta dënojmë. 
Kastriot Selita, Rexhep Bekteshi dhe Arjan Alicka dhe inkuizitori Edmond Kaloshi 
kur kanë dënuar Kriston nuk kanë patur parasysh drejtësinë me të pandehurin për 
të cilin ata e dinë se është i pafaj, por siç raportohet që ti kenë thënë 
avokatit të tij, dënimi i hoxhës duhej bërë pasi kështu kërkonte vëllai i madh, 
vula USAID e të cilit u qëndron mbi kokë monitorëve të gjyqtarëve përditë. Sikur 
të mos dënohej Artan Kristo, gjyqtarët dhe prokurori rrezikonin karrierën dhe 
vendin e punës. Rrezikohej edhe koka e Bahri Shaqirit dhe halabakëve të tij, të 
cilët kanë zhytur në burg një klerik musliman vetëm pse ai ka kryer detyrën e 
tij demokratike të shprehjes së fjalës së lirë. Gjyqtarët dhe prokurori që 
dënuan Artan Kriston kanë logjikuar se më mirë për ata do të ishte që të 
shkatërrojnë në burg jetën e një njeriu të pafajshëm sesa të shkatërrojnë 
karrierën e tyre. Por gjyqtarët kanë harruar se duke dënuar në burg një njeri të 
pafaj kanë zhytur shpirtrat e tyre në gjynah për të cilën do të përgjigjen në 
Ditën e Madhe të Gjykimit.
 
 
7.
Sido që të jetë e vërteta, fakti i trishtueshëm i këtij shkrimi është se në 
momentet që lexuesit do të jenë duke e lexuar këtë, hoxhë Muhamed Abdullahi do 
të jetë pas hekurave në ndonjë nga burgjet e Shqipërisë, duke vuajtur një krim 
që nuk e ka kryer. Ai nuk është terrorist dhe nuk ka bërë thirrje për 
terrorizëm. Ai nuk është as hajdut dhe kriminel si shumica e klasës politike të 
vendit tonë, por një besimtar i devotshëm që mendon se jeton në një vend 
demokratik, ku të qenit musliman nuk përbën ndonjë krim dhe liria e fjalës është 
e garantuar me ligj. Por strukturat e krimit që sot kanë kapur shtetin në 
Shqipëri nuk duan të dinë për drejtësi. Si pasojë nëntë fëmijët, nëna e sëmurë 
dhe gruaja e Muhamed Abdullahit do të pësojnë fatin e keq që të jetojnë larg 
djalit të tyre për vite me radhë, ndërsa do të përballen me varfëri dhe mungesën 
burrit të shtëpisë.
 
8.
Ndërsa Komitetit Norvegjez i Çmimit Nobel do ti jap një milion dollarë Liu 
Xiaobos për shkak se ai është dënuar nga autoritetet kineze për bindjet e tij, 
asnjë organizatë që nga Norvegjia e deri në Arabinë Saudite nuk besoj se do të 
kujtohet ti akordojë ndonjë çmim të burgosurit politik Artan Kristo. Pakush 
mendoj se do të kujtohet që Artan Kristo ka nëntë fëmijë në mes të rrugëve që 
kanë nevojë për bukë, strehim dhe veshmbathje. Por edhe sikur në botën muslimane 
të dalë ndonjë donator që do të kërkojë ti akordojë ndonjë çmim apo shumë me të 
holla, SHISH-i ynë me në krye Bahri Shaqirin dhe vëllezërit tanë amerikanë që 
qendrojnë pas tij do të bllokojnë fondet që mund të vinë nga jashtë në emër të 
tij dhe këtë do e legjitimojë padyshim në emër të luftës kundër terrorizmit.
 
Fëmijët, nëna dhe gruaja e Artan Kristos kanë vite të vështira përpara. Ndërsa 
ata që dënuan Kriston ndoshta do të kenë jetë të mirë, para të shumta, do të 
jenë të lumtur pranë familjeve të tyre, dhe ambasada amerikane dhe USAID-i mund 
t’ju dhurojë ndonjë vizitë në Amerikë si shpërblim për mundimin në dënimin e 
“hoxhës terrorist”, në Perëndim askush nuk do të qaj për Artan Kriston. Në 
raportin vjetor të departamentit të shtetit, protestantët e ambasadës amerikane 
në Tiranë do të shkruajnë që Shqipëria ka mbushur detyrimet në luftën kundër 
terrorizmit dhe ka dënuar një terrorist të rrezikshëm dhe për këtë do të marrë 
fletë lavdërimi. Kryeministri ynë dhe mediat pas tij do të mburren me këtë 
arritje të re të qeverisë, ndërsa opozita do të kërkojë që të bëhet edhe më 
shumë.
 
9.
Fati i keq i Artan Kristos është se ai nuk është Liu Xiaoboja që kundërshton një 
regjim kundërshtar të Amerikës. Ai është një hoxhë me mjekër të cilit i ra lapsi 
që të jetë kurban të cilin shteti ynë klient ia ofron padronit të tij amerikan. 
Pas Artan Kristos, pusht-shteti ynë do të sakrifikojë edhe muslimanë të tjerë 
për sa kohë që këtë tua kërkon padroni i tyre që i mban në pushtet. Ata që sot 
kanë pushtetin në Shqipëri e dinë fare mirë që muslimanët e Shqipërisë, të cilët 
përballen që prej shumë vitesh me dhunë policore, mediatike, ekonomike dhe 
institucionale nuk do të mund të bëjnë dot asgjë për lirimin e Kristos dhe 
gjetjen e drejtësisë. Dënimi i Kristos do të shërbejnë si masë frikësuese për 
shumicën e tyre, të cilët, siç koha tregoi kanë frikë edhe të protestojë për 
lirimin e tij dhe jo më që të bëjnë më shumë. Jo më kot hoxhë Muhamed Abdullahi 
konkludonte në hytben e tij se xhihadi është diçka e pamundur për muslimanët 
shqiptarë, pasi ata nuk janë akoma muslimanë të vërtetë. E vetmja gjë që ata 
mund të bëjnë për lirimin e vëllait të tyre në këto kohë, është të agjërojnë e 
luten Allahut, dhe kërkojnë ndihmë nga Ai që ka në dorë jetën e vdekjen, që të 
marrë hak për padrejtësitë që po ju bëhen hoxhallarëve të tyre në Shqipëri. 
Allahu ynë i madhëruar vonon por nuk harron! Besimtarët shqiptarë që nuk bëjnë 
dot xhihad kundër padrejtësisë, duhet që të paktën të luten për drejtësi. Ky ka 
qënë edhe mesazhi i xhihadit të Artan Kristos në hytben e tij.

gjyqtaret e USAID-it
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.