38 vjet nga Revolta e Burgut të Spaç it dhe Qafë-Barit 22-23 maj 1973

[email protected]
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <[email protected]>
_www.rilindjademokratike.com_ (http://www.rilindjademokratike.com)   
 
_http://www.rilindjademokratike.com/_ (http://www.rilindjademokratike.com/) 
 
 
 (http://www.rilindjademokratike.com/RD%2022%20maj/rd%2022.pdf) 
38 VJET NGA REVOLTA E BURGUT TË SPAÇIT DHE QAFË BARIT 22-23 MAJ 1973 
EDHE PADURIMI ISHTE BËRË I PADURUESHËM... 
Nga VISAR ZHITI 



Në burgjet e diktaturës komuniste, në atë të Spaçit dhe më pas  të 
Qafë-Barit ka patur dy revolta të burgosurish, rebelime kundër kushteve  çnjerëzore 
në burg, por me thirrje të hapura kundër diktaturës dhe komunizmit.  Të dyja 
revoltat, të vetmet në të gjitha burgjet politike të perandorisë  komuniste 
ndodhën në muajin maj, në data të njëjta, 22 e 23, ajo e Spaçit në  vitin 
1973 dhe 11 vjet më vonë në Qafë-Bari. U shtypën me gjak e hekur, me  burgime 
e pushkatime. Në kujtim të tyre, për të nderuar vuajtjen dhe qëndresën  po 
botojmë pjesë nga libri i Visar Zhitit, "Ferri i çarë", burgologjia e  
Qafë-Barit.  
REVOLTA 
...edhe durimi s'durohej më... 
...filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22  maj dhe 
quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit, po ja, nga që  ditët në 
burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu,  netët 
si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur  kishte 
shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur. 
Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer  nga puna, 
kishin 2-3 orë që prisnin më këmbë dhe s'jepej urdhri të shkonin në  
fjetore. Gjysma flinte më këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek  
telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej 
tmerrit,  që shihnin në atë copëz ëndërr.  
Urdhër i komandës. Prapë turni i parë!" "S'kemi pse kthehemi, -  
këmbëngulnin të burgosurit. - Jemi të lodhur, duam të flemë, të vdesim". "S'ju  lëmë 
të vdisni pa bërë normën". "Në darkë prapë". "Jo, tani!" "S'ka material,  mor 
zotni, s'ishte faji ynë".  
Po i kujt, yni? - bërtisnin policët.  
Po i kujt, juaji" - ia kthenin të burgosurit. 
Fytyrë më fytyrë. Kthetër më kthetër. U avitën dy Sokolat, ai  me mbiemrin 
Sokoli prapë dhe Progri. Çfarë doni? Ju çfarë doni? Normën! S'ka.  
Po plas më duket. Erdhën Tom Ndoja, Martin Leka, Kostandin  Gjordeni, Lush 
Bushgjoka. Të tjerë pas tyre. Po aty ishim. Ikni. Ikni ju.  Shtrëngim 
dhëmbësh, nofullash. Uli duart… 
Bamb një hekur - kumboi kafka? - me një hekur nisi revolta e  Spaçit, e 
rrëmbeu një i burgosur dhe doli nga birucat. Po i binin çangës për t'u  
mbledhur të gjithë në mensë. Shqeva sytë mbi çangën sikur të mos e kisha parë  
kurrë, një predhë topi e varur. Bosh është apo ka eksploziv brenda, mund të  
shpërthejë, kur, kur? Pse po na mbyllin? Mos duan të rrahin në praninë e të  
gjithëve ata që kundërshtuan? "Po vunë dorë, do t'u përgjigjemi, - mërmëriti  
dikush pranë meje. - Gati jemi. Atë që do ta bënim më vonë, ta bëjmë 
tani..." U  drodha i tëri. Të jetë themeluar vërtet parti në burg? 
Si...gur...isht... Çfarë  do të bënim më vonë, kryengritje? Vdekjen, vdekjen. Po shtoheshin 
policët.  Dyndjet e tyre të zeza si shpesh po i shihnim këto kohët e fundit. 
Vazhdonte  futja jonë një nga një në mensë. Një si kënetë e ngritur lart në 
qiell. Ajo e  ferrit, e tharë, plot me skelete të burgosurish. Si shi do të 
bjerë mbi ne  pluhur kockash, do të bien eshtra nga lart, vetëtima të 
plakura, kafka…  
U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën  policë të 
tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar ose të lidhur me tel,  veshur 
me leckat e punës, me fytyra të nxira aq sa s'njiheshin. Ata...  
Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i  rojës. Si 
zakonisht nuk përshëndeti, s'kishte pse.  
"Ce s'e betë normën (j)uve, të denuar? Ë, ce? Ce na hapni punë  pa punë... 
Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për istorira. Në galeri, marrsh, kush  të 
dëgjojë emrin. Maskarenj, pisa". 
Policët lëvizën. Filloi rrahja. Përballë nesh. Të burgosurit e  lidhur 
mundoheshin t'u shmangeshin goditjeve, mënjanoheshin, por shqelmi me  çizme, sa 
të mëdha, staliniste, u dërrmonte kërcinjtë e zhveshur, uleshin pak sa  për 
vetëmbrojtje, por grushti s'kuptohej nga vinte, rënkime, gjak. Paloseshin më 
 dysh për të pakësuar vetveten, por grushte të shumta, shkopinj gome binin 
mbi  ta, derisa binin edhe vetë mbi dysheme.  
U-u-u-u-u-u-u-u-u, u ngrit një ulurimë e kudoshme. U  kreshpërua. Hera e 
parë që e ngrinim zërin së bashku. Qenkësh i fortë.  
Po na jepte kurajë britma jonë, po i besonim asaj. Mjaaaft,  s'keni 
tuuuurp, thirrën zërat më të guximshëm. Kri-mi-ne-lë! Hapu, dëgjova një  gulç 
pranë, çohuni! Stoli i gjatë u shkul, u ngrit lart, u shty dorë më dorë dhe  hop 
u hodh drejt e mbi kokët e policëve duke dërrmuar ç'gjeti përpara, kapela me 
 yll, qafa e shpatulla, tabela, xhama. Grupi ushtarak s'pati kohë ta 
mblidhte  veten. Oficeri i rojës u pataks i pari dhe tregoi me gisht nga salla që 
po  dallgëzonte. Policë u vërsulën mbi rreshtat e parë, që të goditnin, por 
u  goditën ata nga stola të tjerë e fshesa e pjata. Kjo po ndodhte në krye. 
Të  burgosurit nga fundi hipën mbi tryeza për të parë ç'bëhej. Pluhur dhe 
britma dhe  shqyerje dërrasash, pastaj krahësh. Të guximshëm të tjerë, më të 
krisurit, po  çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës. 
Një tryezë u ngrit  lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri 
i rojës nuk po iknin  dot.  
Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje  xhamash.  
Të dalim jashtë dhe të na shohin kush jemi! Dera u përmbys e,  duke shkelur 
mbi të, u turrën jashtë policë e të burgosur. Një patericë  vringëllinte 
anë e kënd. Shih, shih, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthi me leva, ku  i gjetën? 
Po thikat? Janë të mencës. Ia nguli në bark? Kujt? Of-icerit... Lazër  
Shkambi rrokulliste parvazin e një dritareje. "Eviva! - thirri Vllas Koçi, -  
Poshtë Partia e këtyre!" Nëpër këmbë kapela ushtarake me yll të kuq e oficerit 
 të rojës. Rrekej ta merrte, desh ra edhe vetë dhe se kush e nxori nga 
këmbët e  të burgosurve për të mos e shkelur, Petriti m'u duk, e ka nga fshati 
maskaranë,  se kush klithi. Oficeri i rojës, i çoroditur, s'po kuptonte se 
pse urdhrat e tij  s'kishin më vlerë, nuk zbatoheshin, përkundrazi. Si është e 
mundur? Ç'po ndodh?!  Mosni, kuisi, ka pasoja të rënda kjoooo-oh!  
Po ç'të bëj? Të rri iki po nga? Ku? Dolën në oborr kacafytje të  tjera, të 
filluara që brenda, vazhdonin me kollotumba e rrapëllimë.  
Nuk e kupton, kryengritje? S'dihet ku do të dalë. Ikë, të  thashë… Një 
urdhër priste, nga kushdo qoftë që ta zbatonte menjëherë. Oficeri i  rojës 
nxitoi nëpër shtegun e thurur me tela me gjemba, më i madh iu duk vetja, u  ngut 
drejt portës, që të nxirrte te dalja në ballë të komandës. Ndjeu të  
thirrura, poshtë komunizmi, iu bë se dëgjoi fare afër, s'e paskan me mua, iu duk  
se mendoi, bo-bo, mori thellë kjo punë, iu duk sikur mendoi prapë mbi 
mendimin e  mëparshëm dhe gurë, shumë gurë mbas shpine, ku u gjetën gurët, 
ç'pastrim i keq  kështu, iu bë se po e ndiqnin hapa të tjerë, ndoshta policët e tij, 
mos ishin të  burgosurit, mos po donin ta kapnin rob, ta mbanin peng, ta 
linçonin… dhe ia dha  vrapit me ulërima për t'i dhënë kurajë vetes. Do të 
përgjigjej që e la kapelën  me yll të kuq në dorë të armikut. Por s'kthehej dot 
më. Vërtet po e ndiqnin  armiqtë, por ushtari te kulla sipër portës zbrazi 
automatikun. Ku, ku? Në ajër,  pse? Por nga dritarja poshtë e komandës një 
tjetër oficer qëlloi me revolver në  drejtim të të burgosurve. Njëri prej tyre 
ndali, u ul më gjunjë dhe vuri dorën  mbi shpatull afër qafës. Aty ku i 
përvëloi. Pa gjakun e vet mes gishtave,  s'ndiej ndonjë dhembje të madhe, tha, 
s'është gjë vdekja, oh. Plumbi për fat nuk  i qe futur thellë në mish. 
S'duhet të ketë rrezik jete, jo, po thoshin ata që e  rrethuan. Rrezik jete apo 
vdekjeje? Lërmë, shtyu, të sulmojmë. Kush është  plagosur, kush? Ai djali i 
ri nga Durrësi, Kosta Gjordeni. Një tjetër pranë hoqi  këmishën e vet dhe ia 
vuri mbi të çarën e përgjakur. Të dhemb? Jo, më djeg pak.  Ta lyejmë me 
duhan, e ndal gjakun, tha një malësor dhe shkoqi 4-5 cigare që i  kishte dredhur 
më pare. Mos e lini gjakun të shkojë dëm, ta bëjmë flamur si në  
kryengritjen e Spaçit. Pije më mirë, ndonjë i dobët që s'ka gjak. Mjaft, s'është  
ambulancë këtu, jemi në betejë. Kush do detyra, le të vijë… "Rroftë Flamuri pa  
yll! - kishte brritur Hysen Xhani në Spaç, - Poshtë qeveria e Tiranës!" "Ja  
vdekje, ja liri!", - dëgjuan thirrje të tjera. "Nuk punojmë në galeri…". 
"Rroftë  Bashkimi Europian!" - u ngrit mbi të tjerët zëri i Bedri Çokut. E 
padëgjuar kjo  thirrje, si, po bashkohet Europa, po ne? 
Ka organizim? Tmerr? P…arti ilegale…  
Përtej rrethimit, te ndërtesa fshatare e komandës së burgut,  shiheshin 
lëvizje të shqetësuara e dyfishim rojash.  
Në tarracën e vogël sipër portës u vu edhe një tjetër mitraloz.  Tytat e 
ngrehura për këtej shoqëronin daljen e policëve të fundit. Vërtet, s'ka  më 
fare? Çfarë? Policë. Jo, jo... Të li-rë!?... Na kapi një ndjenjë e flatërt,  
mund të fluturonim tani, pa policë, sa bukur, të lirë brenda robërisë sonë,  
qielli epohej, gati të binte. Shikoi retë.  
Ndodhi ajo që s'do të besohej kurrë. Të burgosurit zbythën një  dyndje 
policësh, donin të hynin në kamp, të paarmatosur ishin; por u plogështuan  
menjëherë, ndërsa binin mbi ta gurë, pjata, sharje, libra të trashë të Enverit.  
Policët morën urdhër të prapseshin. Gjendja diku lehtësohej dhe menjëherë  
rëndohej diku si për baraspeshë.  
Të çajmë rrethimin, të sulemi tek telat me gjemba. Të gjithëve  nuk na 
vrasin dot... Ja vdekje, ja liri! Nga erdhi kjo britmë prapë,  ç'kryengritës e 
sollën? E dija të mbetur nëpër libra, në teatër, në histori e  tani buçiti 
para meje, përbetim i gjallë! Ku jemi në Spaç, në revoltë. Si  atje... Do ta 
ngremë prapë flamurin? U gjend dikush që dha një urdhër: ti, ti,  ti, shkoni 
me vrap në lavanteri e mensë dhe mbushini me ujë gjithë bidonët,  kazanët 
dhe tenxheret. T'i kemi gjatë kohës së rrethimit. Do shkoj dhe unë, tha  
Skënder, më i riu, por fare i dobët, sa as dhe në galeri nuk e futnin, ende s'i  
kishte kaluar të 50 kilet. Mezi e kam pritur këtë ditë, prandaj jam dënuar, 
tha,  grupi ynë donte të armatoste të burgosurit dhe të sulmonim... Ata do 
të presin  ujin siç bënë në revoltën e Spaçit, dëgjoheshin zëra. Na lanë pa 
ujë pesë  ditë... Ti shko merr nën kujdes thikat dhe hanxharët e mensës dhe 
te berberi, të  mos keqpërdoren. Edhe lugët me garuzhdet. Dhe dërrasat e 
shqyera. Grumbulloni  gurë sa të jetë e mundur. Por dhe kurajë. Ia vlen të 
vdesim si kryengritës, jo  si të burgosur...  
Në Spaç kryengritësit hapën birucat përmes breshërisë së  plumbave. Hulusi 
Pashollari dhe Dashnor Kazazi s'pyetën fare për mitralozin e  truprojës 
përballë, po i liruan bashkëvuajtësit nga biruca. Dhe aksioni i dytë e  di cili 
ishte? Shqyerja e derës së bibliotekës së burgut, u mblodhën gjithë  librat 
e Enver Hoxhës dhe të klasikëve të marksizmit dhe iu vu zjarri. Anash  
flakëve vallëzonin të burgosurit dhe këndonin këngë patriotike.  
Në revoltën e Spaçit hipi mbi supet tona një djalë i ri,  Skënder Daja, dhe 
u foli ushtarëve, eeeeejjj, vëllezër, edhe unë sa ju jam, 21  vjeç, ulini 
armët, mos qëlloni mbi ne, jemi në burg se duam lirinë, atdheun,  juve, u 
rebeluam për lirinë dhe atdheun. Mos gaboni… Menjëherë hoqën ushtarët e  rinj 
nga rrethimi dhe vendosën policë, skuadra të zeza si ato të pushkatimit. Të  
vazhdojmë kryengritjen e Spaçit, u dëgjua një thirrje nga fundi i shkallëve! 
 Pse, ku jemi, s'është Spaçi ky? Qafa e Barit, or mixhë, por njëlloj janë. 
Po  dridhem. Ta ngremë flamurin e kuq me zhgabë, mezi po pres, turfullonte 
plaku.  
Ta ngremë flamurin kombëtar mbi tarracën e burgut, thamë, me  solemnitetet. 
Kërkuam muzikantët tanë, t'u binin veglave, ku t'i gjejmë, Himnin  e 
Flamurit. Kush ka frikë? Me të drejtë. S'u vumë faj. U grumbulluam ne, u  mbajtën 
fjalime para Flamurit. Ku ishin tërë ata oratorë të shkëlqyer! Kurse  përtej 
telave me gjemba, mes rrethimit të ushtarëve dhe policëve të armatosur  
deri në dhëmbë, oficerët shihnin këtej me dylbi, bënin fotografi, xhironin me  
kamera. E kënduam vetë Himnin me zërat tanë të ngjirur, u mblodhën aty  
vëllezërit Çoku, Luan Burimi, Dervish Bejko, Pavllo Popa, Jorgo Papa, Gëzim  
Medolli, Ylber Merdani, Naim Pashaj, Murat Gjonzeneli… dhe përmes lotësh e  
ngritëm Flamurin përmbi burgun. U alarmua qeveria, ulni flamurin, dërgonte  
mesazhe komanda. Dolën vullnetarë tërë ata të burgosur për të bërë rojë nderi  
pranë Flamurit, natë e ditë, duke u ndërruar me njëri-tjetrin. Tregomë, jemi 
në  Spaç, apo jo? A s'janë njëlloj Qafë-Bari, Aushvici, Buhenvaldi, 
Prishtina? Po,  po, ika, s'e kam punë. Këtu jemi. Priftërinjtë, ushtarakët? 
Ç'ushtarakë? Tanët  pra, të burgosurit. Ç'do të bëjmë, djema? Si, do të presim të 
qetë të na hanë?  Të sulmojmë. Të shihen mundësitë strategjike. Le të 
vritemi. Sa t'u marrim  ushtarëve automatikun e parë. Di unë pastaj se ç'bëj me një 
automatik në dorë.  
Të gjithë ushtarët e rrethimit zbraznin automatikët njëherësh,  me 
breshëri, vetëtima të shkurtra, të drejta si thika të shpejta, frushullimat e  tyre 
të njëpasnjëshme vezullonin me krisma shurdhuese kudo, tym në grykat e  
armëve, qëllohej pa ndërprerje nga të gjitha kullat e vendrojave. Një dorë  
ushtarake te porta e madhe, e pamë sërish, jepte sinjal, tundej për çdo batare  
të re dhe tytat e armëve po uleshin gjithnjë e më shumë, nga në ajër, në 
drejtim  të kampit, mbi kokët e të burgosurve. Ngrimë në vend. Pati nga ata që 
u shtrinë  rrafsh me tokën. Do të ketë ardhur urdhri për të na vrarë të 
gjithëve. Binin  copa të shqyera mbi ne, të rënda, të errëta, zhvoshje muresh, 
qielli. Dora dha  sinjalin ndal. Heshtja si një gropë shurdhuese u hap në 
ajër. Erdhi erë e  djegur, qe përzhitur gjithësia. 
Të gjithëve na vrasin, s'e ka për gjë diktatura. Burgu gropë e  përbashkët 
është. Na mbulojnë këtu e askush nuk e merr vesh. 
Helikopteri erdhi edhe një herë rrotull, kërcënueshëm dhe  trandshëm, u 
epua edhe më dhe u ul afër ndërtesës së komandës, mu në mes të  rrugës. Kalë 
Troje fluturues, eeejjjj.... Kur shpejtësia e rrotullimit të  helikave ra dhe 
vorbullat e tyre ajrore u tretën, u afruan oficerë dhe qëndruan  para derës 
së helikopterit "gatitu" duke nderuar me grusht. Pas një oficeri,  doli 
serioz një civil i shëndetshëm. Qenka zëvendësministri, e njohën disa nga  të 
burgosurit dhe s'po lëviznin, veç vëzhgonin se ç'do të bëhej përtej, në  
vijim. Më keq ky, thanë dy-tre zëra. Është kriminel profesionist dhe merr pjesë  
vetë në tortura. Dhe në skuadrat e pushkatimit. Grupi ushtarako-civil nxitoi 
 drejt komandës. Atje u mbyllën për ca kohë. U shtuan rojat te porta. 
Pastaj pamë  që rrethimit të telave me gjemba iu bashkëngjit një rrethim tjetër 
ngjitur.  
Mbi tarracën e komandës, te ndërtesa e parë në anë të portës së  madhe, të 
hekurt, mes një lukunie civilësh dhe ushtarakësh të kthyer këtej nga  burgu, 
një i trashë, me megafonin të ngulur në gojë, nisi të buçiste:  Dëëgjoooni, 
dëgjoniiiii. Ministri i Brendshëm. Jo, jo, zëvendësi. Mos është  sozia? - 
po zhurmëronin të burgosurit mes tyre sikur s'po merreshin vesh për  llojin e 
kafshës. Buçima e megafonit sa vinte e bëhej më çarëse, e sertë deri në  
kërcënime... Dorëzohuni, se... forca e diktaturës së proletariatit... do ju  
shtypë... vrasë... dorëzooohuni!  
Hutim. Habi. Po që guxuan të qeshnin? Edhe në Spaç  zëvendësministri, Feçor 
Shehu, thërriste nga pas telave me gjemba për dorëzim.  Të të vijë turp, 
more kriminel i fshatit tim, iu kthye atij me të thirrura i  burgosuri Hajri 
Pashaj, vjen dhe na kërcënon. Të është fryrë barku dhe zverku me  djersën dhe 
gjakun tonë. Harrove zotrote, kur të kapën gjermanët e Hitlerit dhe  të 
futën në burg, kalama ishe si unë, kur më futët ju. Ata të dhanë bukë e  
qumësht e të kthyen në shtëpi. Ne po plakemi këtu e ju po na rripni të gjallë,  
sepse donim të iknim nga regjimi juaj i fëlliqur. Turp, na turpërove fshatin! 
-  Dhe u qasej telave me gjëmba, ik andej e këndej, s'e mbante vendi. Vetë 
Feçor  Shehu e pushkatoi atë mbas dy ditësh. - Por edhe ti kështu do të 
përfundosh,  s'ke për t'u bërë ministër ndonjëherë, i kishte klithur sërisht 
bashkëfshatari i  tij. Partia jote do të të vrasë…  
Dorzooohuni! Feçor Shehu thërret ashtu? E kanë dërguar prapë?  Jo, jo, atë 
e kanë pushkatuar me kohë, ky tjetri tani është Zylyftar Ramizi, ai  tjetri 
është Agron Tafa, i njoh, por njëlloj janë, gjakpirës. Dooorzoohuuunii,  të 
dënuar… Ç'të dorëzoheshim, ashtu ishim, të dorëzuar. Ta ndërprisnim  
kryengritjen. Përfaqësia e kryesisë drejtuese të vijë deri te Porta e Madhe për  të 
paraqitur shkaqet dhe kërkesat… dhe lidhjet me armiqtë e jashtëm. Do të  
presim një orë e tridhjetë minuta. Kuptuat, të dënuuaaaar? Mbas dy orësh do të 
 hyjmë në kamp pa marrë parasysh asgjë. Nëse do të ketë kundërshtime dhe  
rezistencë, do t'ju shtypim me dhunë, pa mëshirë, me të gjitha mjetet që  
disponon shteti. Partia me shokun Enver në krye është më e fortë se kurrë, ka  
shpartalluar dhe shpartallon dhe do të shpartallojë çdo armik, çdo koalicion 
të  tyre dhe... nga çdo betejë ka dalë më e fortë. K-u-p-t-u-a-a-a-t....?  
Hinka e megafonit nga këtej ngjante me një shqyerje të  jashtëzakonshme 
goje, britmë sqollash. Ndërsa po zbriste nga tarraca tufa e  tyre, ultimatumi i 
shtetit vazhdonte të bënte jehonë në gropën e burgut. Na u  duk sikur pamë 
rrokullimat e aaaa-ve, ooooo-ve, shponin iiiii-të, gjyle të  përflakura ranë 
midis nesh. Fauna e shtetit kaloi në anë të  përbindëshit-helikopter, i 
cili bënte sikur flinte. Po tani? Askush nuk pyeti,  por shihej te balli i të 
gjithëve, te rrudhat.  
S'u mor vesh në u bë ndonjë përfaqësi jona. Thanë se u bënë tok  pesë veta, 
jo gjashtë, për te Porta e Madhe. Ja, ja shikoi... Po shkojnë apo po  
kthehen? Doli dhe një përmatanë nga komanda dhe mori mesazhin e të burgosurve.  
Me shkrim apo me gojë? Njëlloj është. Jo. Shpjegohej rebelimi ynë, si shkak i 
 dhunës së pandërprerë, gjithnjë e më të madhe, i padrejtësive dhe kërkohej 
 ndryshim i gjendjes. Të trajtoheshim si njerëz, edhe pse kundërshtarë… 
S'pati  kërkesa politike? Mesazhi vetë është qëndrim politik. Pa akuzuar dhe pa 
pranuar  faje.  
Qetësi, të mbajmë njëri-tjetrin. Bashkë… Ne s'kemi faj. Krimi  është matanë 
telave me gjëmba…  
Qetësi. Qetësia u gris befas me kërkëllima të forta metalike.  Shule 
armësh? Porta e madhe po hapej, zinxhirët e saj, çelësat dhanë kërcënimet  e para. 
Në tarracën e vogël të komandës, në anën e së cilës mbërrinin helikat e  
pezullta të helikopterit, u shfaq një grup ushtarakësh. Njëri me megafon  
urdhëroi: "Ne po hyjmë, në qoftë se dikush nga të dënuarit do të ngrejë dorë mbi 
 ne, do të na provokojë, do të bëjë lëvizjen më të vogël të dyshimtë, do të 
 qëllojmë me armë nga kudo për kudo, në turmë... Morët vesh? Asnjë 
lëvizje...  Jeni të rrethuar... Dorëzohuni!"  
U futën sampistë ushtarakë, shihnin si të tërbuar, mezi prisnin  të 
shqyenin këdo, mes tyre oficerë të shumtë, të komandës dhe të Ministrisë,  civilë 
që s'i njihnim, me kostume të jeshilta, në ngjyrë helmi, të ushqyer mirë,  jo 
si ne, të (u)shqyer keq, se kush mërmëriti kështu pranë meje, e pashë se po 
 zbehej, ç'ke, edhe ti po zbehesh, ja dhe komandanti, komisari, shefi i 
policisë  së burgut, mbahet dhe krenar, pederi, skorta e rojave, policë, policë 
prapë, me  egërsi të ngrirë si maska, kapterë, s'u dukërkan mjeranë, 
pa-pa-pa... Ndërsa  kreu mbërriti tek oborri i parë, bishti gjarpëronte ende te 
porta.  
Njëri nga nënoficerët nxori disa fletë dhe ia dha shefit të  policisë. Po, 
tha, fillojmë. Fillojmë dhe hodhi vështrimin e pistë mbi të  burgosurit e 
gjunjëzuar, gurë varresh, mes të cilëve kudo lartësoheshin policët,  tabela 
qiparisash të zinj si në lojërat ushtarake. Gjithçka iu duk në rregull,  top 
fare, rregulloi kapelën, shkëlqeu djegshëm ylli i saj dhe me zë  
pretencëdhënës lexoi një emër. Sokol... cili, të dy... shkrofëti korbi. Çohu,  ti, edhe 
ti... u çapëlyen disa gabzherrë njëherësh, kuturumshëm, sy të  çakërdisur 
vigjëlonin nga të gjitha drejtimet mbi ne, çohuuuu-uh! Pa u ngritur  mirë i 
pari, 7-8 policë iu vërsulën duke i zhvatur lecka dhe lëkurë bashkë, e  
tërhoqën osh deri pas murit të mensës, ku ne s'shihnim se ç'bëhej. Sokoli  
tjetër... Emër tjetër, u thirr: Tom Ndo... tjetër, Bushgjoka... dhe policë të  
tjerë, prapë të tjerë hidheshin, Haxhi... Vllasi, Kostandin... zvarritnin  
njeriun, i vinin prangat keq e keq dhe që andej, nga pas murit, vinin zhurma  
goditjesh, ulërima dhe mbytja e tyre. Emra të tjerë u thirrën gjëmshëm...  
Vuthi... Martin... Lazër... Tabaku... Pisha... përsëritej rituali barbar… dhe,  
sikur të gaboje, të lëvizje paksa nga mpirja dhe ankthi, policët vërsuleshin 
mbi  ty për të të zvarritur duke mos pritur në je ose jo ai që u thirr. 
Njëlloj janë,  armiq! Vazhdonte ngritja, gjithë habi dhe tromaksje. Ç'u bëjnë 
pas murit, mos i  asgjësojnë? Dëgjon ti krismë arme? Të shurdhëta po.  
Mos lëviz. Më shkeli dorën polici, m'u ngulën gozhdët në mish,  gjak, mos 
lëviz. Pse s'po mbaron? Sa gjyq i gjatë. Do të ngrihemi dot  ndonjëherë, 
ulokë do të mbetemi, do të zvarritemi, a do të ecim me këmbët tona,  do të kemi 
emër, apo lëvozhga të ngjitura në ballë, lëkura të rrjepura?  Komandanti dha 
urdhër të ngrihej mjeku, të gjithë mjekët, mos i prekni, u tha  policëve. 
Shpejt pas murit, i urdhëroi. Mbase ka të vdekur. Kë do të pushkatojnë  
pastaj, të vdekurit? Na duan të gjallë. Pas murit. U shkulën me forcë dhe  
kryetari i burgosur i riedukimit, Zhabolli... mure ulëritëse, të përgjakura, dhe  
inxhinieri i ndërtimit, Fratari, Dinia, ah, pse... policët qëllonin ku të  
mundnin, mure të çmendura, mure qelish, të komandës, të Komitetit Qendror të  
Partisë, Muri i Berlinit, Muri i Madh Kinez, m-uri, ka-m-uri për një 
ulërimë...  
... rënko(h)-i prapë: oh-h-h-h-ooo-ooh! Një rënkim tjetër,  nata, i fundmi 
i kryengritjes, ngji-iih-ste shka-ah-llë-ëh-t. Rrëzohej, oh,  ngrihej, ih, 
ngadalë, ah, shihte qiellin, plot me gozhdë yjesh, vrima plot, bien  rënkime, 
toka e zezë, me ofshama gropash, lëkundej, ej, of, op, uh, uf.  Rënkimet-et 
pikonin gjak-ak. Llavë… Ra prapë pezmi i rënkimeve, i gjatë, zuri  brinjët 
me dorë, të thyera, dy, tre, yyyyeeeeehhh, shfryu, uh! U rrëzua…  
E çuan pas murit... Zvarrë. Ah! Oh, oh... Hija e rënkimeve u  rrëzua prapë. 
Oh. U shtri... po rënkonte toka, muzgu sipër saj, gulçonte mbi  pellgun e 
gjakut të vet... "Çohu, i dënuar, - briti polici pas tij. - Ngjiti  shkallët, 
drejt birucave." Të burgosurit përreth s'po lëviznin si në një  mallkim. 
S'lejohej me regullore t'i jepje ndihmë tjetrit. Ah, sikur ta merrja  për 
krahu, brinjët e thyera i dhembnin tmerrësisht, ta mbartja deri te porta e  
vogël... e birucave të brendshme.  
Gulçe gjaku të ngrohtë shpërthenin nga goja mes dhëmbëve të  thyer... 
U-u-u-jë-ë-ëh! Kushështë... Nuredin Skrapari... Ujë… më digjnin plagët  brenda 
trupit, elektro…oh…vo…zi…sti Agroon Ho…xha më njomte buzët me një leckë,  
s'e di ku e gjeti ujin, ndoshta binte shi, po ti… në birucë, unë pashë që  
policia të ra me dru në kokë… qetësohu, mos fol… Roola(h)nd Too(h)li më mbante 
 kokën të mos më binte përdhe, e paskan arrestuar edhe atë, po ai është i 
gjatë,  ka më shumë vende se unë për plagë… dhe s'po më linte të vdisja… 
edhe  Çajuuu(j)iiii, ujëëëë… 
DËNIMI I REVOLTËS DHE DËNIMI I BURGUT 
Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë. Ai  myzeqari aty, ku 
e kishim lënë, I palëvizur, kështu dukej. Mos duan të  përsëritim rebelimin? 
Prapë erdhi ai oficeri nga Jugu, zv/komisari a ç'dreqin  është, që iu 
rrokullis kapelja me yll e iu ngatërrua nëpër këmbë si mace, si  ideologjia e 
vet, thuaj. Policët me shenjë plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me  fasho, copa 
krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i  fortë, i 
patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve. Batare  armësh. 
Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve... dhe... gjyqi i  
popullit... heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze...  
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në  ngarkim të së 
pandehurve... na u mor fryma, emra, emra... vendosi këto dënime:  Sokol 
Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim... Sokol  Progri, 
me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet  burg, 
Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue  
Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me  
10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet 
burg.  Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj... po e të 
pushkatuarve? E  Sandër Sokoli... me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët 
në makinë,  kufomë, kockathyer dhe të lidhur... firmat e tre gjyqtarëve të 
Gjykatës së  Lartë, Pukë, më 3.06... 
Në Spaç ridënuan mbi 100 veta. Ditët e fitimit u hiqen. Nuk u  quhen më. Po 
s'janë ditë, janë jetë... Koha s'është jona, por jashtë nesh si  sendet… e 
grabitura. I vranë... Të gjithë të burgosurit i lidhën me zinxhirë dy  e nga 
dy dhe i ulën përdhe. Dënuan me pushkatim dhe qenin e burgut, sepse mori  
hapur anën e të burgosurve, jo vetëm që u lehte policëve, por u hidhej te  
këmbët, i kafshonte...  
Në revoltën e Spaçit pushkatuan katër: Pal Zefin, Skënder  Dajën, Dervish 
Bejkon, Hajri Pashain. Duke konfiskuar pjesën e tyre nga pasuria  në familje. 
Çfarë, karriket, lugët? Dhe me heqjen e të drejtës elektorale 5 vjet  pas 
dënimit. Pas vdekjes? E tmerrshme, cinike. Nga që votuesit këtu janë të  
vdekur… 
* * * 
Pastaj u dha dënimi dhe për vetë vendin e vuajtjes së dënimit,  burgun! 
Ashtu siç qe dënuar dhe Spaçi pas revoltës. E ç'do të bëjnë, do burgoset  dhe 
burgu? Si? Çfarë, do shëmbin ngrehinat, shkallët, do përmbysin fjetoret?  
Nëse më thua se do të shtojnë dhunën, asaj s'ke ç'i shton më. 
Burg i dënuar, çudi! Truallin e tij mos do e mbushin me tela me  gjëmba e 
do të kalojmë çdo ditë mbi to, zbathur, kur të shkojmë në punë, që do  të 
jetë bërë akoma më e rëndë? Të dënuar malet përreth, uji, ajri. 
Gjithçka do të jetë më keq, edhe e keqja. Që nga ushqimi, do të  pakësohen 
kaloritë, megjithëse pak ishin, por familjeve do u vënë regulla, për  të mos 
sjellë gjë më dhe takimet sa më të rralla, dy herë në vit, mbase. Edhe  
letrat. Mund të heqin televizorin, - mirë do të bëjnë, - dhe leximin e librave  
të Enverit, jo atë do ta shtojnë. 
I dënuar në një burg të dënuar.  
* * * 
Në dosjen e Ministrisë së Punëve të Brendëshme 
Për revoltën e Qafë-Barit: 
"Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes  së 
veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të  
organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të  
theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës 
së  proletariatit..." - Fjalia e fundit e nënvizuar. -  
Akuza e Prokurorisë Pukë: 
"Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit Sokol Zef Sokoli, Sokol  Zef 
Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski,  Vllasi 
Llambi Koçi. Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol  Leka, 
Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në  bashkëpunim 
me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të terrorit kundër  përfaqësuesit 
të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal... 
PARA PUSHKATIMIT 
...Procesverbali është nënshkruar nga gjashtë veta... përbërja  e 
komisionit të caktuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë... me 60  
karikatorë kallashnikovi... nën drejtimin e shefit të policisë së rrethit....  Skeda 
më dridhej në dorë: 
Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952 nga fshati Gërni  i rrethit 
Tropojë, i dënuar me vendim Nr.3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të  Gjykatës 
së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me  
shkresën Nr.888 datë 7.6.1984 nuk i fali jetën. Tom Ndoja, i biri i Kolës, i  
datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me  
vendim Nr.3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje  
(Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888 datë  
7.6.1984 nuk i fali jetën... 
Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të  dënuarve, 
pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit. Po kush i  kanë 
shkruar, pushkatarët? Ja:  
Para ekzekutimit të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i  falej jeta 
dhe në fjalën e fundit ai tha: "Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap  vet. 
Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt"  
I dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: "Të rrojë  drejtësia!"  
Në fund firmat… 30 rreshta, një faqe gjithsej…  
Ku i vratë? Flisni! Hapeni gojën që ta hapim gropën për të varrosur dy 
shokët  tanë, dy njerëz. T'u hedhim nga një trëndafil, por dhe ata mua m'i 
dënuan.
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.