lexo gazeta Metropol: _http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=72211_
(http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=72211)
Nisma, sigurimsat jashte politikes por dhe medias
NOREL ZAIMI
27/09/2011 Intervistë me Gëzim Peshkëpia, ish-i burgosur politik, autor i
librit memuaristik “O njeri!”
Bashkëpunëtorët e sigurimit jo vetëm jashtë politikës por dhe medias
Gëzim Peshkëpia lindi në Tiranë në vitin 1940. I ati, poeti Manush
Peshkëpia, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë në vitin
1951, ndërsa vetë Gëzimi u dënua me 8 vjet për “agjitacion e propagandë në
fushën e artit e të kulturës”. Në vitin 1990 arratiset me familjen në Gjermani.
Ka jetuar në Soest. Ka krijuar lidhje të qytetit të Soestit me rajone të
ndryshme të Shqipërisë, veçanërisht me qytetin e Kavajës. Shquhet për
sensibilitetin e opinionit gjerman ndaj çështjes shqiptare. G. Peshkëpia ka qenë
organizator i demonstratës së fuqishme në Soest në përkrahje të Kosovës më
1999. Me rastin e 60-vjetorit të lindjes iu akordua titulli “Krenaria e
Qytetit” nga këshilli bashkiak i Kavajës. Prej disa vjetësh njihet si publicist
aktiv në faqet e shtypit. Është anëtar i bordit të Institutit të Studimeve
të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
- Në një shkrim para do kohësh me titullin “Profesori kriminel” ju bëni
një denoncim të drejtpërdrejtë publik me emër e mbiemër (Kosta Gazeli) të një
ish-hetuesi, torturuesit tuaj, për karrierën e tij para dhe pas rënies së
komunizmit. Sa u dëgjua zëri juaj? A dini të jenë marrë masa për shmangien
nga postet e larta të personave që kanë qenë të identifikuar me makinën e
dhunës në diktaturë?
- Ju faleminderit! Pyetja juaj i referohet një problemi tejet delikat, që
ka të bëjë drejtpërdrejt dhe tërthorazi me integrimin e të persekutuarve
politikë, shtresë e cila nga pikëpamja numerike zë një pjesë të konsiderueshme
të shoqërisë sonë. Fatkeqësisht, për mendimin tim modest, me gjithë
përpjekjet e lavdërueshme drejt integrimit të kësaj shtrese në rrjedhën normale
qytetare mbetet prapë shumë për tu bërë, duke filluar që nga legjislacioni
përkatës dhe zbatimi i tij në jetë. Duke iu referuar personit Kosta Gazeli,
për shembull, bie fjala, por edhe persona të tjerë të kësaj kategorie, më
rezulton se ai vazhdon të punojë në administratën shtetërore dhe në një
sektor mjaft delikat siç është diplomacia. Për mua kjo ishte si jehonë e
shkrimit tim që botova atëherë. Dikush më njoftoi se ai vazhdon të punojë përsëri
në diplomaci në një shtet tjetër. Si mund të bëhet fjalë për dënimin e
gjenocidit kur me këtë rast konkret që i paraqita publikut unë prita, të them
të drejtën, një reagim krejt tjetër, në daç nga media, në daç edhe nga
shoqëria. Mendova se do të hapet një debat politik. Kjo indiferencë nuk më
pëlqeu, sepse ka ardhur koha që të tillë persona duhet të shmangen një herë e
mirë nga detyra shtetërore, persona të cilët kanë dhënë një ndihmesë të
gjithanshme, shpeshherë dhe përtej kërkesave të masave represive karshi
shtresës sonë, të persekutuarve politikë. Nuk ka nevojë për ndonjë imagjinatë të
sofistikuar që të përfytyrosh se sa paradoksale është që për një njeri që i
ka shërbyer dekada me radhë armës famëkeqe të Sigurimit, sot të jetë
përfaqësues diplomatik i një shteti që aspiron për tu futur në Bashkimin
Europian! Shembuj të tillë, nga sa kemi parë, mungojnë njëqind për qind në shtetet
e tjera ish-komuniste, kryesisht vendet e Lindjes. Përfitoj edhe një herë
nga rasti për të shprehur e ritheksuar domosdoshmërinë e pastrimit të të
gjitha hallkave të sistemit tonë administrativ. Pastrim nga të gjithë njerëzit
që kanë qenë të lidhur direkt ose indirekt me aparatin e Sigurimit, edhe
atyre që kapërcenin kompetencat shtetërore e që tregonin një zell të tepërt
për të shfryrë instinktet e tyre epsharake, çfarë kishin instinktive kundër
nesh, që ishim viktima thjesht jo të një veprimtarie që ishte kushedi se
çfarë. Mjaftonte që nuk ishim në unison me disa të tjerë, që duartrokitnin,
edhe kjo përbënte për ta krim, të mos ishe dakord me vijën ose të mos
pëlqeje një sistem. Ky ishte një faj që ata nuk ta falnin. Këto, pra, ishin
ingranazhet e asaj makine shtypëse mizore, që për gati pesë dekada me radhë
ushtroi atë dhunë të pashoqe në historinë e të gjitha vendeve të
ish-komunizmit. Vendet e tjera ku ishte instaluar regjimi totalitar mund të na e kalojnë
me shifra, por mendoj për nga ana mizore, duke pasur parasysh edhe numrin e
popullsisë karshi së cilës u ushtrua ky gjenocid, mendoj se kemi një "vend
nderi".
- Cila ishte familja juaj përpara vitit 1944?
- Është një familje intelektuale prej gjashtë brezash. Po e filloj nga
gjyshi. Ai ka qenë në Vlorë mjaft aktiv në lëvizjen patriotike për formimin e
shtetit shqiptar. Në një atentat organizuar nga komiteti “Labëria”, anëtar
i të cilit ishte dhe im gjysh, ai arrestohet dhe internohet në Xhide të
Arabisë. Për ti shpëtuar burgut, u desh ndërhyrja e shokut të tij të klasës,
Ferit Pashë bej Vlorës, i cili me ndikimin e tij ia kthehu burgun në
internim. Në kohën kur bëhej gati të kthehej nga internimi, vdes si rezultat i një
epidemie kolereje (meqë kishte qenë dhe vetë mjek, e mobilizuan) dhe nuk
mundi të kthehej në Shqipëri. Vëllai i gjyshit, Dalip Peshkëpia, edhe ai
intelektual me dy fakultete, juridik dhe teologji, ka qenë në qeverinë e
Ismail Qemalit këshilltar juridik. Më vonë babai dhe xhaxhai, që lindën në
Vlorë, u përmendën mjaft në vitet 30 si intelektualë aktivë. Natyrisht, ata
përfaqësuan atë rrymë që kishin për traditë - frymën e nacionalizmit. Xhaxhai,
Nexhat Peshkëpia, ka punuar në shkollën e Tiranës ndërsa im atë ka qenë
punonjës në Bankën e Shtetit. Që të dy ishin letrarë. Në kohën e fashizmit,
kur u dha urdhri për të veshur këmishët e zeza, të dy refuzuan dhe i
transferuan në Elbasan. Më vonë, në vitin 1944, në një nga ato dy varkat që u nisën
nga veriu i bregdetit shqiptar, Nexhati largohet për në Itali e më vonë u
vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku duke qenë dhe anëtar i
komitetit "Shqipëria e Lirë", ushtroi dhe një veprimtari tjetër - atë letrare si
kryeredaktor i gazetës “Shqiptari i lirë”. Ka botuar dy libra letrarë dhe
ka qenë aktiv edhe në shoqatën “Vatra”. Ka qenë mik me Fan Nolin, madje
është bërë shkak edhe për një përkthim të Fan Nolit, përkthim ky i
dokumentuar. Ishte i vetmi njeri që Fan Noli i drejtohej me fjalët “i dashur vëlla”.
- Babai juaj, Manush Peshkëpia, ka qenë një njeri i letrave dhe i kulturës,
poet e publicist, pjesë e intelektualëve të viteve 30, që shpresonte në
një rilindje kulturore të Shqipërisë. Si e shpjegoni ju fatin tragjik të tij,
duke pasur parasysh se M. Peshkëpia ishte një njeri i butë, i dhembshur e
i respektuar në të gjitha rrethet intelektuale shqiptare e të huaja?
- Kjo është një pyetje që ma kanë bërë shumë njerëz, sepse kanë marrë
spunto nga librat e diktatorit. Ai e përmend në dy prej librave të tij. Tregon
se në shtëpinë tonë, meqë kishim një lidhje familjare, gruaja e xhaxhait
ishte kushërira e tij e parë, vinte e hynte si ti donte qejfi, siç thotë ai,
si në shtëpinë e tij, madje thotë se merrte dhe borxh. Megjithëse borxh i
thuhet atij që lahet (qesh). Ai kishte një mënyrë të veçantë larjeje: të
hante bukën e të përmbyste kupën. Në rastin më të parë që iu paraqit, ai e vuri
tim atë në listën për ta pushkatuar. Ai nuk harronte lehtë. Ai përmend se
në shtëpinë e Peshkëpijve valonin diskutime intelektuale, flitej edhe për
politikë, nuk kishin shumë kontradikta. Sidoqoftë, kontradikta themelore
ishte kur vinte puna për fatet e ardhshme të Shqipërisë, sepse ata nuk mund ta
konceptonin si një republikë të shtatë të Jugosllavisë. Ata, në vazhdën e
traditave të familjes, mendonin për një Shqipëri të shqiptarëve - edhe në
këtë pikë diktatori u mbush me urrejtje derisa shkoi në likuidimin fizik të
babait tim.
- Ju kujtohet kur dhe në çmënyrë e arrestuan?
- Babai im në vitin 1945 u dënua nga gjyqi special si nacionalist. Pasi u
lirua, arrestohet papritmas në shkurt të vitit 1951 dhe një javë pas
arrestimit na vjen lajmi se “Manush Peshkëpia është pushkatuar”. Ka qenë data 25
shkurt kur na është komunikuar dhe më datën 3 mars na thonë të bëheshim
gati për tu internuar.
- Çfat pati familja juaj pas pushkatimit të atit tuaj të ndjerë?
- Siç ju thashë, më 3 mars erdhën me një kamion bashkë me dy familje të
tjera te dera, na morën dhe na internuan në kalanë e Beratit. Një familje
tjetër e çuan në Skrapar, familjet e tjera i çuan në Lushnjë e vende të
ndryshme. Atje u përballëm me një punë me të vërtetë mizore. Nëna ime, e cila
ishte shëndetligë dhe në rininë e saj vëllezërit e kishin marrë dhe e kishin
dërguar në Austri në një kolegj për amvisë, ishte një grua delikate nga ana
fizike dhe iu desh të përballonte një tmerr, që e pati fundin pas arrestimit
të djalit. Duke e pritur, nuk mundi më, u lodh mjaft, fizikisht e
shpirtërisht. Një vit para se të lirohesha unë nga burgu, ajo vdiq. Nuk munda ti
hidhja një grusht dhe si djali i vetëm që isha.
- A ka pasur ndonjëherë, me gojë apo me shkrim, ndonjë shprehje të ndjesës
nga organet dhe strukturat e diktaturës komuniste për tragjedinë tuaj
familjare?
- Nga kush mund ta presësh ndjesën? Mea culpa e kujt duhet të tingëllojë në
veshët tanë? Ne po flasim për kriminelë që po shkojnë e konvertohen në
diplomatë! Asnjëri prej këtyre nuk qe burrë që të thotë: "Po, unë kam qenë
kriminel dhe kam marrë pjesë në këtë akt barbar ndaj familjes Peshkëpia", apo
të thotë: "Kam persekutuar me mijëra familje të tjera." Deri diku Bedri
Spahiu, tjetër njeri nuk kam dëgjuar. Nga kush ta pres këtë kërkesë ndjese?
- Si ka ndodhur arrestimi juaj, me çfarë preteksti?
- Unë jam arrestuar në vitin 1975, kur neni i agjitacion-propagandës
përfshiu një sasi të madhe njerëzish. Unë jam arrestuar më datën 18 tetor dhe
pasi kaluam izolimin dhe u takuam në vendin e quajtur “kaush”, u bashkuam 18
veta të arrestuar atë ditë. Ishte vazhda e arrestimeve që kishin filluar
pas Plenumit IV në fushën e artit dhe të kulturës dhe unë u përfshiva në këtë
kategori. Për të thurur legjenda nuk ishte shumë e zorshme për Sigurimin,
sepse ata kishin krijuar një përvojë shumë të madhe, saqë ishin bërë
mjeshtër të kësaj pune, mjafton që më gjetën disa libra të Gjergj Fishtës, që i
pata mbledhur në një qoshk të bibliotekës, për të më thurur legjendën se
dikujt i pata thënë se “poeti ynë më i madh është Fishta” dhe u kisha ofruar
të lexonin librin “Lahuta e Malësisë”. Përralla të tipit se gjoja kisha
folur për Frojdin, për piktorë dekadentë. Dhe e gjitha pastaj ishte diçka
shabllon. Dënimi përgjithësisht ishte 8 vjet për këta individë, ndërsa për ata
në grup 10 vjet.
- Libri juaj “O njeri!” përpiqet të japë vetëm një mozaik të thukët të
fatit të bashkëvuajtësve tuaj, nëpërmjet njohjes direkte që keni pasur ju me
ata. Ai është më shumë një seri vizatimesh, etydesh e portretesh të
shkurtra, të shkruara me gjuhë të kursyer, lakonike dhe shpesh me impresione. A
mendoni se do të kishte qenë më i suksesshëm një rrëfim i gjerë e i imtësishëm
në disa libra?
- Ashtu është. Unë kam shumë, shumë për të thënë. Ai nuk është vetëm një
detyrim, por që të gjithë duhet ta bëjnë këtë. Ne na lypset shumë kujtesa
historike. Një prej qëllimeve që ka instituti ynë i krijuar për studimin e
krimeve të komunizmit dhe të pasojave të tij dhe ne do të përpiqemi.
- Sot ju jeni anëtar i bordit në Institutin e Studimeve të Krimeve dhe
Pasojave të Komunizmit, çfarë misioni pritet të përmbushë ky institut dhe a
keni mirëkuptim të shtetit dhe shoqërisë në mbështetjen e punës dhe të rolit
që duhet të përmbushë ky institut?
- Unë shoh me kënaqësi pikësëpari bashkëpunimin midis nesh. Kjo për mua
është një garanci për një mbarëvajtje të punës. I gjithë stafi ynë i votuar
prej Kuvendit dhe i përzgjedhur janë të zellshëm, që punojnë me devotshmëri,
me kompetencë, njerëz të njohur e të rrahur me këto probleme, që kanë
ngritur vazhdimisht në shtyp e kudo në të gjitha mediet kauzën për
dekomunistizim. Për mua është kjo që ka një vlerë të veçantë. Mendoj se duhet të kemi
edhe mirëkuptimin e institucioneve të tjera. Ky mirëkuptim duhet shprehur më
konkretisht për të na përkrahur, sepse ne kemi përpara një punë kolosale.
Këtë nuk mund ta bëjnë 20 apo 25 veta që mund të përfshihen në punën e
Institutit. Këtu mendoj se ne duhet ta fillojmë që nga klasa e parë. Do tu
përmend një shprehje të Bismarkut. Kur i besuan rolin e arsimdhënies, ai tha atë
shprehjen që është mjaft e çmueshme: “Doni që të keni Gjermani? Atëherë
përgatitni mësuesit e fillores!” E për ta zbërthyer këtë shprehje me vlerë,
ne që nga klasat e fillores duhet të përgatitim fëmijët në atë mënyrë që të
mos jenë të huaj karshi kësaj ngjarjeje kaq tragjike, që është injoruar në
tekstet e shkollës. Që këtu duhet të nisë puna jonë. Nuk më harrohet një
rast në Francë, në pavijonin e gjenocidit komunist. Një grua kishte marrë një
vajzë të vogël për dore dhe i tregonte dhe i shpjegonte me mjaft durim të
gjitha eksponatet, duke i treguar se çfarë ishte gjenocidi me një durim të
madh. Ajo ecte paralel me ne, duke i shpjeguar fëmijës. Kjo te ne mungon.
Edhe ai pavijon gjenocidi që ishte u zhduk.
- A mund të ngjallë Instituti juaj një debat mbi lustracionin? A është i
domosdoshëm lustracioni, dhe pse ka kaluar kohë, dhe pse jemi vendi i vetëm
ku ka dështuar?
- Mendoj se po. Unë jam prononcuar sa herë që më është dhënë rasti për
këtë ligj, madje përherë kam mbetur dhe i habitur kur persona të caktuar të
rangjeve diplomatike nuk e kanë përkrahur. Ne jemi të vonuar me ligjin e
lustracionit. Gjatë një interviste në Televizionin Publik Shqiptar unë kam
përmendur eksperiencën gjermane. Kam treguar se nuk mund të punojë askush në
administratën shtetërore që ka qenë anëtar i Gestapos apo i Stasit,
përkatësisht dy struktura kriminale. Këtu te ne nuk ka ndodhur një pastrim i tillë
për mungesë të këtij legjislacioni. Mjafton përvoja çeke që të mos shkojmë te
gjermanët, për të kuptuar se edhe një gazetar sportiv nuk lejohet të
punojë si gazetar, sepse ka qenë i përfshirë në këto struktura. Ne kemi projekte
që drejtoria e Institutit i ka detajuar dhe puna e parë është nisja e
korrigjimit të teksteve shkollore, ku ka akoma absurditete, madje mendoj të
shtrihemi edhe më tej se kaq.
Po probleme të tjera që kanë të bëjnë me dekomunistizimin?
- Do të ngrija për të diskutuar, edhe pse është një diskutim i madh, edhe
problemet që duken në pamje të parë që skanë të bëjnë me krimin, por në
fakt ato hyjnë në atë hulli. I bëj thirrje kryetarit të ri të Bashkisë së
Tiranës që të reagojë dhe me një mbledhje sa më të shpejtë të heqë emrat e
personave kriminelë që ekzistojnë, sidomos në emërtimet e reja. “Myslym Shyri”
, për shembull, është një prej tyre, që i përket një periudhe të vonë, por
janë me qindra të tjerë. Rrugës sime i patën vënë emrin “Kadri Hoxha”.
Mendova se hoxhë Kadria është një figurë e njohur patriotike dhe mu bë qejfi. I
them mbesës: “Rruga ime ka emrin e gjyshit tënd.” –“Jo, - më tha, -
është Kadri tjetër.” U interesova dhe kishte
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not
affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for
the content of articles, which is written by their respective authors.