I nderuari Shtefan Fule
Hamdi Nuhiju <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <CABPCUF=f=ksObBF7oRMyvSSLXzHYHxRHo-tjiT-oW30XQiahXw@mail.gmail.com> |
*I nderuari Shtefan Fule* *Hamdi Nuhiju* Kjo letër nuk do të arrijë kurrë deri tek ti, pasi që nuk ta kam dërguar. Dhe nuk e kam plan të bëjë një gjë të këtillë. Simbolikisht po të drejtohem ty, por po i thirrem vetëdijes se ekzistencës së popullit shqiptar në Maqedoni. E shoh që deklarata jote ka tërbuar Nikolla Gruevskin dhe qeverinë e tij, dhe kjo gjë shihet nga një reagim i këtillë i palës maqedonase. Bëre mirë që i tërbove maqedonasit. Jo pse ia dua të keqen, por ngaqë po del në shesh kontrolli i VMRO-DPMNE-së. Ato sfera të shoqërisë që i kontrollon Gruevski, edhe reaguan ndaj deklaratës tënde. U bë mirë që i ngacmove maqedonasit në nacionalizëm, pasi që doli në shesh ushqimi shpirtëror i Nikolla Gruevskit që i jep popullatës maqedonase. Në vend të bukës, punës, lirisë së lëvizjes, lirisë së mendimit, ai i ushqen me nacionalizëm. Ushqimi i tij është vetëm për popullatën maqedonase, dhe jo për banorët e Republikës së Maqedonisë. Jam i vetëdijshëm se e di më mirë se të gjithë, se në Maqedoni, maqedonasit nuk munden të janë shumicë absolute asnjëherë. Por, sipas definicioneve që ju i mbani në sirtarët tuaj, mund të quhet shumicë e privilegjuar nga ana e Evropës dhe SHBA-ve. Këtij privilegji shqiptarët e Ballkanit gjithmonë ia kanë parë sherrin. Kësaj here do ta ruajmë hidhërimin që kemi me ju, dhe do ta shndërrojmë në një ‘gështenjë’ e lirë që pritet ti hip çmimi më vonë. I nderuari Shtefan, Maqedonia është një vend i vogël ballkanik i cili gjithherë që do mund t`ia ngacmojë nervat tërë korit politik të Shqipërisë e Kosovës. Në Shqipëri, politikanët e atjeshëm tërë kohën merren ndërmjet veti dhe asesi ti konsolidojnë forcat për ta mbrojtur vetveten fillimisht nga vetvetja, pastaj edhe nga të tjerët. Atje po bëhet zhurmë mediatike për deklaratën e Jozefina Topallit. Nëse i tërë opinioni publik i Republikës së Maqedonisë është i orientuar drejtë deklaratës tënde që na vjen nga jashtë Maqedonia, i tërë opinioni publik në Shqipëri është i orientuar në deklaratat e kota midis politikanëve shqiptar ndërmjet vetvetes. I nderuari Shtefan, para do kohësh Maqedoninë e vizitoi mbreti i Katarit me një delegacion të gjerë, dhe ai u prit në Maqedoni më mirë se në ndonjë shtet arab jashtë Katarit. Shihet në fytyrën e këtij shteti interesi ekonomik që kanë ndaj pispillosjes së korit politik të Maqedonisë ndaj mbretit të Katarit. U premtua që Katari do të investoj shuma marramendëse në bagëti. Maqedonia ka kapacitete të rëndësishme për kultivimin e bagëtisë, dhe Katari ka interesa të saja që më shumë të merret me bagëtinë sesa me politikbërjen. Përndryshe, me bagëtinë, po merren edhe shumë shoqata jo qeveritare në Maqedoni, tash, para Kurban Bajramit, festës së popullsisë shtetformuese në këtë vend. I nderuari Shtefan, Maqedonia përjetoi luftën e 2001, por nuk po i përmbahet Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Shqiptarët janë të diskriminuar në shumë sfera të jetës. Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë detyrohet që të blej tokë për varrezat e myslimanëve me kontributet e vet besimtarëve. Ndërsa besimtarët mysliman të Republikës së Maqedonisë nuk kanë mundësi ti rregullojnë varrezat e tyre pa bërë pagesën prej 30 eurove në Ndërmarrjen Publike për Higjienë dhe Gjelbërim. Nëse ato 30 euro do të shkonin në Bashkësinë Fetare Islame të Republikën e Maqedonisë, prapë do të ekzistonte ndonjë logjikë. Çfarë logjike ekziston dhënia e 30 eurove një ndërmarrje shtetërore publike, në një shtet i cili as tokë nuk të ndan për të vdekur? I nderuari Shtefan Fule. Regjistrimi i popullsisë në Republikën e Maqedonisë u ndërpre, jo pse kishte parregullsi gjatë regjistrimit, por ngaqë e tërë puna ishte në rregull. Në bazë të këtij procesi, numri i maqedonasve ulej dukshëm dhe numri i shqiptarëve dilte në shesh, nuk shtohej, sepse shqiptarët gjithmonë kanë qenë mjaftueshëm në numër. I nderuari Shtefan. Në Maqedoni këto vitet e fundit dinë të shiten mirë tre gjëra: gështenja ( që di të shkoj deri në 150-300 den), arpaxhiku si dhe gënjeshtrat e Nikolla Gruevskit. Nëse do të nisim ndonjë biznes së bashku, të sugjeroj që të investojmë në këto tre gjëra. Nga gështenja dhe arpaxhiku mund të ngele ndonjë para, por të siguroj se nga gënjeshtrat e Gruevskit do të ngelin vetëm kujtimet e hidhura të disa popullsive të shtypura. Fetyllah Gulen ka thënë:” Kur hajet e pijet, pasi i fusim në gojë, ia japim trupit, ndiejmë kënaqësi dhe përfitojmë prej tyre. Kështu është edhe koha: në atë masë që i bëjmë tonat sekondat, minutat, ditët dhe javët, e shijojmë kënaqësinë e saj dhe nuk duam që të na ikë...” Por, ne nuk e kemi bërë tonën sundimin e Gruevskit. Një ditë pranvera arabe do të vijë edhe në Ballkan, dhe do të nisë nga Tunizia e Ballkanit, Maqedonia, për të rrëzuar Ben Aliun e Ballkanit, Nikolla Gruevskin. Botuar ne te perditshmen Zhurnal Plus, Maqedoni, 28.10.2011