Miraka: Rama ka dështuar si politikan, s'mund të ketë sukses në romane

[email protected]
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <[email protected]>
 
_Gazeta  Metropol_ (http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=73326)  


_http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=73326_ 
(http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=73326) 


 
 
Miraka: Rama ka dështuar si politikan, s'mund të ketë sukses  në romane 

14/12/2011 Metropol :  Intervistë me drejtorin e Institutit të të 
Burgosurve dhe të Përndjekurve  Politikë Simon Mirakaj 
 
Këto ditë për vizitë në SHBA ishte zoti Simon Mirakaj, drejtor i  
Përgjithshëm i Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë dhe  kryetar 
i shoqatës antikomuniste të ish-të përndjekurve politikë në Shqipëri.  Për 
të folur mbi vizitën e tij dhe problemet e ish-të burgosurve politikë dhe të  
internuarve, integrimin e tyre, dëmshpërblimin dhe ecurinë e këtij procesi, 
që  Mirakaj e quan në rrugë të mbarë, por edhe mbi gjendjen e kësaj shtrese 
të  shoqërisë shqiptare, flet gjerësisht në një intervistë, dhënë për 
gazetën  METROPOL, me gazetarin tonë në Nju Jork - Beqir Sina. 
 
Më shumë se dy dekada pas rënies së diktaturës komuniste, çështja e  
dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë vazhdon të mbetet e pazgjidhur,  
ndërkohë që qeveria shqiptare ka miratuar disa ligje dhe është duke shpërblyer 
 me këste ish-të burgosurit dhe ish-të persekutuarit, Mirakaj thotë se ende 
ka  vështirësi. Por ai shpreson se çdo gjë "do të vejë në vendin e duhur". 
Ai flet  edhe pse sot në shtyp me pompozitet po flitet për trashëgiminë e 
ish-diktatorit  komunist Enver Hoxha. Mirakaj tregon se si e kanë pritur 
ish-të përndjekurit  përfshirjen në programin e PS dhe a e gjen veten kjo shtresë 
brenda këtij  programi. Ai e quan me plot bindje këtë një hilizëm, 
hipokrizi elektorale dhe  propagandën e radhës së pinjollëve të komunizmit 
 
Për më shumë ndiqni intervistën e plotë: 
 
Cili është qëllimi i vizitës suaj në SHBA? 
 
Mirakaj: Të gjithë shqiptarët sot, atyre që aspiruan për liri e demokraci  
ju janë mirënjohës të gjithë atyre që u sakrifikuan e kontribuuan për 
shembjen e  diktaturës komuniste në Shqipëri. Një kontribut të madh në rrëzimin e 
komunizmit  ka edhe familja Biberaj, dhe prijësi i kësaj familjeje z. Hysen 
Biberaj, i cili  u nda nga jeta pak kohë më parë. Ndaj këtij brezi të artë 
burrash ne do të  përulemi gjithmonë me respekt. Ata do të hyjnë në faqet e 
ndritshme të historisë  shqiptare. Unë si drejtues i një institucioni që 
përfaqëson ish-të përndjekur  politikë, e ndjeva si obligim moral që ti paraqes 
Presidentit të Republikës, z.  Bamir Topi, kërkesën për dekorimin me 
medaljen e Artë të Shqiponjës, zotit Hysen  Biberaj, pas vdekjes. Kërkesa u mor në 
konsideratë dhe më 26.11. 2011 në  ambasadën tonë në Uashington D.C. u bë 
dhe ceremonia e dekorimit. Kjo dekoratë e  propozuar nga instituti ynë, u dha 
nga ambasadori jonë zoti Gilbert Galanxhi, të  birit të tij, zotit Elez 
Biberaj. Pra, ky ishte qëllimi kryesor i ardhjes sime  në SHBA. Mirëpo vizitën 
time e shfrytëzova në pjesëmarrjen time në festën e 28  Nëntorit, tek shoqata 
patriotike “Vatra” dhe takimet që pata me bashkëvuajtësit  e mi këtu në 
Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 
 
20 vjet mbas rënies së komunizmit tranzicioni duket i tejzgjatur - ende nuk 
 ka përfunduar rishikimi i historisë -, vitin e ardhshëm do të festojmë  
100-vjetorin e lindjes së shtetit shqiptar, shpalljen e pavarësisë së  
Shqipërisë, në shtyp me pompozitet po flitet për trashëgimin e ish-diktatorit  
komunist Enver Hoxha. A mendoni se vërtet Shqipëria komuniste është ndarë nga e  
kaluara e saj e errët? 
 
Mirakaj: Komunizmi, kjo dogmë u interpretua ndryshe në vende të ndryshme;  
në vendin tonë ka qenë më i egër se në çdo skaj të botës. Në Shqipëri,  
interpretimi dhe përdorimi që i bëri ai regjim kësaj filozofie mafioze u  
interpretua dhe u vendos në përdorim për 45 vjet, në mënyrën më të egër dhe më  
çnjerëzore për ne që e hoqëm mbi kurrizin tonë. Ju e dini që më 1988, kur  
komunizmi kishte filluar të tronditej në Shqipëri, varet në litar një poet, 
Avzi  Nela, në mes të qytetit të Kukësit, për të ngjallur frikën në të gjithë 
qytetin.  Njerëzit që tentonin të kalonin kufirin nuk dënoheshin më me burg, 
por  ekzekutoheshin pa paralajmërim dhe tërhiqeshin zvarrë me traktor ose 
IFA në  fshatrat kufitare. Kjo egërsi e dorëzimit të pushtetit që po i vinte 
fundi, bëri  që edhe tranzicioni në Shqipëri të jetë i tejzgjatur. Pra, i 
gjithë populli, jo  vetëm klasa politike, tani po vuan nga ky virus. Në disa 
media të shkruara ka  herë pas here shkrime për diktatorin Hoxha, libra më 
bëmat e tij, shkruhet edhe  për gjuetinë e tij ndaj shokëve të vet, por 
gjithmonë ata me nostalgji e  nxjerrin "të larë" nga mëkatet e tij të pafund. 
Gjithsesi, emri i tij nuk ngjall  më interes; tek pjesa më e madhe e shqiptarëve, 
për emrin e tij ka vetëm neveri.  Pjesa e injorantëve dhe e të 
inkriminuarve sigurisht që ka ende nostalgji për  të, por ajo kohë, sidomos në Shqipëri, 
ka mbaruar bashkë me mbarimin e tij.  Shqiptarët janë evropianë dhe duan 
demokracinë perëndimore. Komunizmi dihet se  shqiptarëve iu imponua me dhunë. 
Dhe për këtë mund të them me plot bindje se nga  komunizmi ne shqiptarët 
jemi ndarë qysh në 1992. Pavarësisht individëve të  veçantë e të verbër si tipi 
Puto e kompani. 
 
Mirëpo lind pyetja: "Pse po bëhen përpjekje për të ringjallur të shkuarën  
komuniste në Shqipëri nga këta tipa? Në mos gabohem ka tre-katër libra, 
madje  njëri i së vesë së diktatorit komunist Hoxha, Nexhmijes, ku diktatori 
paraqitet  krejt ndryshe... 
 
Mirakaj: Keni të drejtë! Është më se e vërtetë që ka një vërshim librash,  
ese, tregime dhe artikuj këto kohët e fundit, ku njerëz të veçantë e  
"glorifikojnë" emrin e tij duke e lidhur me këtë ngjarje apo një tjetër. Librat  e 
shkruara për diktatorin, qofshin edhe ato që flasin për bëmat e tij janë pa 
 vlerë, pavarësisht bujës mediatike që i bëjnë ish-njerëzit e tij në 
televizione,  gazeta dhe mjetet e të tjera të informimit, rëndësi ka që sot në 
Shqipëri, ashtu  si dhe në të gjithë botën, vlerë ka dhe do të ketë fjala liri, 
ajo është si  muzika e pavdekshme, Enveri vdiq një herë e përgjithmonë. 
 
Libri "Kurban” është botimi më i fundit, ku kryesocialisti Edi Rama nuk i  
ka kushtuar as edhe një faqe vuajtjeve tuaja gjatë regjimit të diktaturës në 
 vendin tonë. Madje ai ka edhe vende ku mundohet të denigrojë figurën e 
Mbretit  Zog, ashtu si veproi Enver Hoxha me propagandën e tij për 50 vjet. Po 
qe se e  lexonit këtë libër, cili do të ishte mesazhi që do të përcillte tek 
shtresa  juaj, meqenëse është një libër 100 për qind politik? 
 
Mirakaj: Librin "Kurban" të Edi Ramës "fatmirësisht" nuk e kam lexuar deri  
tani. Por do ta përkufizoja kështu edhe pa e lexuar: " Një njeri që nuk ka 
qenë  i suksesshëm as edhe një herë në jetë, pra ashtu si ka qenë edhe jeta 
e tij, as  në pikturë, as në sport, dhe tashmë së fundi as në politikë, 
sigurisht, nuk mund  të jetë i suksesshëm dhe nuk diskutohet më si romancier. 
Pra, ky libër mendoj se  duhet të jetë në vazhdën e dështimeve të Edi Ramës. 
 
Një çështje që ka hapur shumë debate kohët e fundit ka qenë ligji i  
Lustracionit. Pse Shqipëria ende nuk e ka miratuar një ligj të tillë dhe pse  
Shqipëria ende nuk i ka dënuar krimet e komunizmit dhe mbetet e vetmi vend në  
ish-kampin komunist, që nuk e ka bërë një gjë të tillë? 
 
Mirakaj: Shqipëria është vërtet i vetmi vend i Evropës juglindore, që se ka 
 aprovuar ende ligjin e Lustracionit. Është Partia Socialiste ajo që nuk e 
votoi  projektligjin e paraqitur nga maxhoranca. Gjykata Kushtetuese, e cila 
udhëhiqej  atëherë nga ish-gjyqtarë të kohës së komunizmit, kishte në 
përbërjen e saj edhe  njerëz të inkriminuar, që kishin marrë pjesë në krime ose 
kishin miratuar vetë  vendime për pushkatime, burgosje dhe internime. Andaj e 
hodhi poshtë ligjin e  Lustracionit. Mazhoranca, me ardhjen në pushtet, ka 
ngritur Institutin e  Studimeve e të Dënimeve të Krimeve të Komunizmit. Jam 
i bindur se ky ligj shumë  shpejt edhe në Shqipëri do të gjejë zbatim ashtu 
si në gjitha vendet  post-komuniste. 
 
Si e pritën ish-të përndjekurit përfshirjen në programin e PS dhe a e gjen  
veten kjo shtresë brenda këtij programi? A mund ta quani ju këtë hilizëm 
apo  hipokrizi elektorale? 
 
Mirakaj: Përfshirja në programin e Partisë Socialiste të shtresë sonë, "se  
ajo do ta zgjidhë çështjen tonë", sështë gjë tjetër vetëm një hipokrizi. 
Një  lloj propagande e këtyre specialistëve të këtyre lloj deklaratave. Partia 
 Socialiste dhe vetë kreu i saj, në të gjitha ligjet si në atë të Rezolutës 
 Evropiane për dënimin e krimit të komunizmit, të ligjit të Lustracionit e 
të  dëmshpërblimit, ka votuar kundër. Ne kurrë nuk mundet ti besojmë 
socialistëve të  Ramës. Ish-të përndjekurit kanë mbështetur e do të mbështesin të 
djathtën, që  është në krye me mazhorancën me Partinë Demokratike. 
Pavarësisht gjendjes së  tyre jo të mirë ekonomike, shtresa e ish-të persekutuarve ka 
një ideal dhe  principe perëndimore, dhe këtë ideal në këta 20 vjet të 
paktën e kanë gjetur të  mishëruar tek forca më e madhe politike në vend, Partia 
Demokratike. 
 
Sa vlen kjo për shtresën tonë, madje do të thosha brezin e shqiptarëve që  
nuk e arriti diktaturën dhe nuk u njoh me krimet e diktatorit, kur ai ende 
nuk  është dënuar, qoftë edhe moralisht, për ato krime? 
 
Mirakaj: Janë bërë shumë shkrime nga ish-të burgosurit dhe ata që përjetuan 
 kalvarin e vuajtjeve të atij regjimi, që shkruajnë e flasin për ferrin 
komunist,  si At Zef Pllumbi, Vizar Zhiti, Agim Musta, Uran Kostreci, Bedri 
Qoku e të  tjerë. Është detyrë e Institutit të sapokrijuar që këto shkrime të 
futen në  libra shkollorë për tu studiuar dhe edukuar e mësuar brezin e ri me 
gjëmën e  madhe që hoqi populli ynë nën regjimin e Enver Hoxhës. 
 
Aktualisht në Shqipëri veprojnë disa shoqata të ish- burgosurve politikë  
dhe ish-të persekutuarve politikë, dhe njëri prej tyre jeni edhe ju si 
drejtori  i Institutit të Ish-të Përndjekurve Politikë dhe kryetar i shoqatës  
antikomuniste të ish-përndjekurve politikë. Sa ka qenë e efektshme puna juaj 
për  realizimin e të drejtave tuaja? 
 
Mirakaj: Është më se e vërtetë që ekzistojnë disa shoqata. Por duhet të  
pranojmë se jemi në pluralizëm. Mendoj se që të gjithë kanë një qëllim të  
përbashkët: integrimin e ish-të përndjekurve politikë sa më shpejt në shoqërinë 
 shqiptare. Përpjekjet tona kanë qenë e do të jenë të vazhdueshme në 
drejtim të  shkollimit e të punësimit të nxjerrjes së vlerave për njerëzit që kanë 
vlera dhe  që diktatura ua u mohoi, pavarësisht moshës së tyre sot. 
 
Si po vijon procesi i dëmshpërblimeve të përndjekurve politikë? 
 
Mirakaj: Dëmshpërblimi po ecën mirë deri tani. Ka vështirësi, por gjithmonë 
 ky ligj ka pasur përmirësime në mënyrë që tu vijë sa më shpejt në ndihmë 
të  përndjekurve politikë tek ne. 
 
Pak kohë më parë u tha që në mars pritej fillimi i këstit të dytë të  
dëmshpërblimeve, pse po ndodh kjo vonesë? 
 
Mirakaj: Kësti i dytë apo dhe këstet e tjera do të fillojnë sipas  
parashikimit të ligjit. Kemi kërkuar që kësti i dytë për ish-të burgosurit që  janë 
gjallë të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. 
 
Po përveç dëmshpërblimit financiar, çfarë mund të na thoni për  
dëmshpërblimin si të pastrehë për ish-të përndjekurit? 
 
Mirakaj: Për sa i përket strehimit, ai u ka kaluar bashkive tani, por  
sigurisht që ne do të kërkojmë të kenë përparësi ish-të përndjekurit, kur të  
plotësojnë kriteret që kërkon ligji. 
 
Mendoni se qeveria aktuale ka pasur vëmendjen e duhur ndaj ish-të  
përndjekurve dhe ndaj procesit të dëmshpërblimit të tyre? 
 
Mirakaj: Do të thosha se qeveria deri tani ka bërë më të mirën e mundshme  
dhe besoj se do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë edhe në të ardhmen. 
Gjithmonë  ka vend për përmirësim, por kur ka vullnet, e ky vullnet nuk i ka 
munguar  mazhorancës, me përjashtim të disa aleateve të majtë brenda koalicionit 
të saj. 
 
Atëherë së fundi, kur do të kemi një Shqipëri të pastër, një Shqipëri  
dinjitoze, një Shqipëri që ta meritojmë të jemi vend anëtar i Bashkimit  
Evropian, të jemi të barabartë me kombet e tjera? 
 
Mirakaj: Shqipëria, nuk ka nevojë vetëm për pastrimin e ajrit dhe  
mosndotjen e tij. Shqipëria ka nevojë shumë për "pastrimin" politik, largimin në  
kuptimi e mirë të fjalës nga e kaluara e errët komuniste. Ne do të jemi të  
barabartë me kombet e tjera kur të çarmatosemi fillimisht mendërisht. Kjo do 
të  thotë kur të fitojmë të festojmë fitoren, edhe kur të humbasim të 
pranojmë  humbjen. Kështu fiton Shqipëria e kështu do jemi më dinjitozë për në BE.
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.