Koncerti i RTSH, do zhvendoset në SHBA

[email protected]
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <[email protected]>
_Gazeta  Metropol_ (http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=73797)     
_http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=73797_ 
(http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=73797) 
 

Koncerti i RTSH, do zhvendoset në SHBA 



BEQIR SINA 



20/01/2012  Intervistë me Edmond Xhanin, mjeshtri i muzikës,  ish-kitaristi 
i talentuar të orkestrës së RTSH-rë, dhe Ansamblit Shtetëror të  Këngëve 
dhe Valleve Popullore, drejtuesi i Orkestrës “Alba” në New York 
 
Xhani: "Shumë shpejt do të organizohet një aktivitet i madh artistik me  
pjesëmarrjen e disa emrave të njohur nga diaspora, si dhe nga vendlindja, këtu 
 në New York" 
 
NEW YORK CITY: Mjeshtri i muzikës, Edmond Xhani, ish-kitaristi i talentuar  
i orkestrës së RTSH-rë, dhe Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve  
Popullore, drejtuesi i Orkestrës “Alba” në New York, i larguar familjarisht 
nga  Shqipëria në vitin 1996 nëpërmjet lotarisë amerikane, i dha një 
intervistë  kolegut tonë Beqir Sina, pasi ai ishte anëtar i Jurisë në Festivalin e 
50-të të  Këngës në Radio Televizion. 
 
Xhani flet për aktivitetin e tij në New York, jetën artistike, muzikën  
shqiptare dhe festivalet kombëtare, ku ai përmendi pjesëmarrjen e tij për herë  
të parë në Festivalin e 9-të të Këngës në RTSH në dhjetor të vitit 1970.  
"Atëhere, tha ai, unë isha nxënës në shkollën 8-vjecare “Alqi Kondi” në 
Tiranë  dhe një ftesë e Drejtorisë së Radiotelevizionit (propozuar nga pedagogu 
im,  mjeshtri Robert Radoja) bëri që unë të jem instrumentisti më i vogël në 
 historinë e ndritur të festivaleve në RTSH, vetëm 14 vjeç". 
 
Ai mendon se mesazhi i këtij festivali, është se kënga shqiptare është në  
udhë të mbarë dhe se në Shqipëri po punohet me seriozitet dhe me kulturë të  
lartë profesionale. Frytet e kësaj pune u dukën qartë në këtë festival, ku 
fjala  profesionalizëm ndjehej në të gjithë komponentet e tij. 
 
Ndërkohë, që ai shprehet se shumë shpejt do të organizohet një aktivitet i  
madh artistik me pjesëmarrjen e disa emrave të njohur nga diaspora, si dhe 
nga  vendlindja, këtu në New York 
 
“Metropol”: Aktualisht jetoni në New York, por ushtroni një aktivitet  
pothuajse në të gjithë SHBA, a mendoni se e keni realizuar ëndrrën tuaj? 
 
E. Xhani: Për çdo artist ëndrra vazhdon nëse ai është në kontakt të  
vazhdueshëm me publikun e tij. Duke qenë se në SHBA është vendosur një numër i  
madh shqiptarësh dhe ky komunitet i fuqishëm është i shtrirë në shumë shtete 
të  Amerikës, është detyra jonë që të jemi vazhdimisht pranë tyre dhe kjo bën 
që të  jemi të lidhur me publikun në çdo moment. 
 
“Metropol”: Sa e vështirë është që një muzikan apo artist..., i cili vjen  
nga Shqipëria, e cila ka qënë totalisht e izoluar nga bota, të përballet me 
 tjetër muzikë, kulturë, tjetër mentalitet arti,dhe të integrohet, dhe ta  
përballojë "vështërsinë" ? 
 
E. Xhani: Është folur e shkruar shpesh për izolimin e Shqipërisë së asaj  
kohe. Në një farë mënyre, artistët kanë qenë pararojë e mendimit progresiv në 
 Shqipëri prandaj jo rastësisht në ato vite janë krijuar vepra muzikore që 
kanë  zënë vend të nderuar në fondin e artit kombëtar. Për sa i përket 
pyetjes tuaj në  lidhje me vështirësitë që ndesh artisti shqiptar në emigracion, 
unë mund të them  se vështirësia e vetme është integrimi me rritmin e lartë 
të jetës së  përditshme, ndërsa për mentalitetin artistik dhe kulturor, çdo 
gjë është më e  thjeshtë, pasi muzika përdor një gjuhë të përbashkët kudo në 
botë. 
 
“Metropol”: Për sa kohë i kishit munguar Festivalit të Radiotelevizionit  
Shqiptar? 
 
E. Xhani: Unë kam marrë pjesë për herë të parë në Festivalin e 9-të të  
Këngës në RTSH në dhjetor të vitit 1970. Atëherë unë isha nxënës në shkollën  
8-vjecare “Alqi Kondi” në Tiranë dhe një ftesë e Drejtorisë së 
Radiotelevizionit  (propozuar nga pedagogu im, mjeshtri Robert Radoja) bëri që unë të jem 
 instrumentisti më i vogël në historinë e ndritur të festivaleve në RTSH, 
vetëm  14 vjeç. Që nga ai vit deri në vitin 1991 (festivali i 30-të) unë kam 
marrë  pjesë si kitarist në 22 festivale dhe kam pasur fatin dhe nderin të 
punoja  përkrah 2 emrave tepër të nderuar të muzikës së lehtë shqiptare, 
kolegut e mikut  tim Edi Miso në kitarë dhe Muharrem Dauti – Xheku në bateri. Ne 
të tre kemi qenë  gjatë gjithë kësaj kohe baza (akompanjamenti) i orkestrës 
së RTSH. Gjatë viteve  80 nën drejtimin e të paharruarit Ferdinand Deda, ne 
ishim edhe orkestra e vogël  e Koncerteve të Pranverës, një risi e atyre 
viteve që solli freski në muzikën e  lehtë shqiptare. 
 
“Metropol”: Nga karriera juaj, cilin festival do quani të paharrueshëm dhe 
 keni nostalgji sot 20 vjet mbasi e latë Shqipërinë ? 
 
E. Xhani: Natyrisht, Festivali i 9-të, pjesmarrja ime e parë. Ky festival  
ka ngelur në kujtesë si ngjarja më e shënuar në karrierën time, pasi u bë  
pikënisje për shumë suksese të tjera në të ardhmen. 
 
“Metropol”: Po qe se do ti riktheheshim viteve kur ju merrnit pjesë në  
festivale, përzgjedhja a ishte e lehtë e drejtë dhe e merituar atëhere? 
 
E. Xhani: Në ato vite përzgjedhja e artistëve pjesmarrës, kompozitore,  
poete, këngëtare, instrumentistë, prezantues etj…bëhej mbi një kriter të drejtë 
 profesional. Nuk duhet ngatërruar censura politike dhe ideologjike (që 
ushtrohej  nga funksionarë partie) me kontrollin e rreptë profesional (që 
ushtrohej nga  profesionistë të vërtetë). Pra, çdo këngë që ngjitej në skenën e 
festivalit,  perjashto disa këngë që bëheshin “me porosi”, duhet të kalonte 
në sitën e  komisionit profesional dhe vetëm pastaj mund të konsiderohej e 
denjë për tu  futur në garë. Kjo gjë mendoj unë e ka ruajtur cilësinë 
krijuese dhe  interpretuese të çdo këngë si dhe deri diku edhe karakterin kombëtar 
të këngës  shqiptare, pasi kërkesat profesionale ishin të rrepta por të 
vlefshme e të  sakta. 
 
Metropol: Mendoni që diçka i ka munguar karrierës suaj, (por edhe artistëve 
 dhe muzikanëve të tjerë ) për të pasur atë suksesin që kishit 20 vjet më 
parë në  Shqipëri? 
 
E. Xhani: Unë jam larguar familjarisht nga Shqipëria në vitin 1996  
nëpërmjet lotarisë amerikane. Të largohesh nga Shqipëria e sidomos nga skena për  
tu inkuadruar në një jetë të panjohur, është diçka e dhimbshme. Megjithatë, 
unë  kam qenë disi me fat mund të themi pasi që në fillim e deri në ditët e 
sotme nuk  jam shkëputur për asnjë çast nga muzika. Kam punuar e vazhdoj të 
japë leksione  muzike në një shkollë private amerikane në New York, si dhe 
kam një studio  muzikore ku merrem me krijimtari artistike, bashkëpunime me 
këngëtarë e  instrumentistë, kolegë të mi. Gjithashtu, marr pjesë rregullisht 
në shumë  aktivitete artistike në komunitetin tonë e më gjerë. 
 
“Metropol”: Mendoni se kjo vështirësi është edhe sot, por është e  
disafishtë, mbasi ajo nuk përshtatet lehtë me evolimin që kanë bërë, të paktën  
Festivalet në Radio Televizion ... krahasuar me ato festivalet dhe atë muzikë 
që  ishte atëherë? 
 
E. Xhani: Është e vërtetë që koha ecën përpara dhe bashkë me të edhe muzika 
 pëson ndryshimet e saj. Nisur nga kjo, konstatohet me kënaqësi se 
festivalet e  RTSH në Shqipëri nga viti në vit kanë bërë një progres të kënaqshëm, 
sidomos në  mënyrën e konceptimit të drejtë të rrymave të ndryshme muzikore. 
Po rritet një  brez i talentuar, bile shumë i talentuar krijuesish, 
këngetarësh, poetësh, e  sidomos orkestruesit e këtij festivali thanë fjalën e tyre 
në mënyrën më të  bukur me orkestracinë të një niveli të lartë. Interpretimi 
i këngëtarëve  pjesmarrës ishte në lartësinë e duhur, sidomos po të 
mendojmë që ishte gjithçka  “live - drejtpërdrejtë” dmth më së fundi festivalit ju 
kthye normaliteti.  Gjithashtu, vlen për tu përmendur orkestra e 
mrekullueshme e RTSH, e drejtuar me  kompetencë nga dirigjentet e njohur të saj ku 
spikati në veçanti për  profesionalizmin e tij dirigjenti Jetmir Barbullushi. 
Ndërkohë, fjalët më të  mira i takojnë Drejtuesit Artistik të festivalit, 
mjeshtrit Shpëtim Saraçi, i  cili vuri të gjithë aftësitë e tij që ky festival 
të vinte shumë pika mbi “ i ”  dhe falë talentit e punës këmbëngulëse të 
tij, banda e tij në bashkëpunim me  harqet arritën të paraqesin një orkestër 
solide, e aftë të interpretojë në çdo  skenë prestigjioze botërore përfshirë 
edhe skenën amerikane. 
 
“Metropol”: Në festivalin e 50 të këngës në Radio Televizion, ju ishit  
anëtari i jurisë së saj...Çmund të na thuash diçka më shumë, si ju zgjodhën ju 
 dhe çrëndësi pati... që të ishit edhe ju muzikan që ushtron tani 
aktivtetin në  SHBA ? në Tiranë..... 
 
E. Xhani: Ishte një ftesë zyrtare e ardhur nga Drejtoria e Përgjithëshme e  
RTSH ku më kërkohej të isha anëtar i Jurisë së Festivalit të 50-të. 
Natyrisht që  e pranova menjëherë dhe me shumë kënaqësi. Me këtë rast, dua të 
falenderoj  personalisht ata që bënë të mundur pjesmarrjen time në këtë Juri të 
nderuar, z.  Petrit Beci, Drejtor i Përgjithshëm i RTSH, z. Martin Leka, 
Drejtor i Radio  Tiranës dhe njëkohësisht Drejtor i Festivalit, si dhe 
Drejtuesin Artistik të  festivalit, kolegun e mikun tim kompozitorin Shpëtim Saraçi. 
Kjo tregoi edhe një  herë respektin e këtij institucioni të nderuar për ata 
artistë që dhanë gjithçka  nga vetja për të mirën e festivaleve të Këngës në 
Radiotelevizion. 
 
“Metropol”: Çfarë lidhje ka Festivali i Këngës në RTSH me aktivitetet tona 
 këtu në Amerikë, bashkëpunimet e etj... 
 
E. Xhani: Gjatë ditëve të qëndrimit tim në Tiranë, takova dhe shkëmbeva  
mendime me shumë kolegë e miq, artistë të njohur. Kam biseduar me shumë prej  
tyre për të organizuar aktivitete të ndryshme cilësore e profesionale, për 
të  cilat ka aq shumë nevojë publiku ynë këtu në Amerikë. Në një të ardhme të 
afërt,  do të fillojmë nga puna për realizimin e tyre, në mënyrë që jeta 
artistike në  komunitetin tonë të gjallërohet e të jetë aty ku i takon, larg 
formave të  rëndomta që përdoren jo rrallë nga persona që nuk kanë aspak 
lidhje me artin e  vërtetë e që po i sjellin një dëm të madh komunitetit në 
përgjithësi e artistëve  në veçanti. Në këtë pikë, ftoj të gjithë artistët e 
vërtetë të më përkrahin në  iniciativa të tilla. Shumë shpejt do të organizohet 
një aktivitet i madh  artistik me pjesëmarrjen e disa emrave të njohur nga 
diaspora, si dhe nga  vendlindja. Në të ardhmen janë planifikuar edhe 
aktivitete të tjera të këtij  lloji. Natyrisht, në qendër të ketyre aktiviteteve 
do të jetë orkestra “Alba” e  përbërë nga muzikantë të njohur e me përvojë 
të gjatë në fushën e artit si Artan  Kushi, Sokol Asllani, Dritan Papa, Ilir 
Dangellia, Maks Vathi etj, si dhe disa  muzikante profesioniste amerikane, 
bashkëpunëtore të "Albës". 
 
“Metropol”: Ai ishte Festivali i këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, në 
 këtë edicion të 50-të, jo vetëm garë mes konkurrentëve, por edhe një 
spektakël  retrospektivë, si një festë të madhe të këngës së lehtë shqiptare? 
 
E. Xhani: Festivali në vetvete është garë midis konkurrentëve. Por,  
meqenëse ky ishte një festival-jubilar, RTSH kishte vendosur të organizonte  
(jashtë konkurrimit) natën retrospektivë (nata e 3-të) ku si në paradë u shfaqën  
disa nga figurat më të ndritura të muzikës së lehtë shqiptare në vite. Mund 
të  them se kjo ishte nata e nostalgjisë dhe e respektit për punën e 
sakrificat e  tyre dhe publiku në sallë, si dhe telespektatorët në ekranet e tyre 
i  duartrokitën gjatë këta artistë të nderuar që dhanë gjithçka kishin për 
këngën e  bukur shqiptare. Falë talentit e punës së tyre, këngët që u kënduan 
atë natë  tingëllonin sa të njohura e të dashura, aq dhe aktuale dhe të 
freskëta. Pra, një  mirënjohje e veçantë i takon këtij brezi të artë të muzikës 
së lehtë shqiptare. 
 
“Metropol”: Dihet që pas çdo Festivali ka edhe kritika, për organizmin, 
por  ka edhe të kënaqur edhe të pakënaqur ! 
 
E. Xhani: Organizimi i këtij festivali ishte në lartësinë e duhur.  
Pjesëmarrja ishte e gjerë. Merrnin pjesë emra të njohur si dhe të rinj që duan  të 
afirmojnë veten e tyre, në këtë gjini të muzikës. Në një festival është e  
vërtetë që ka fitues, por jo të humbur. Kjo do të thotë që pjesëmarrja në një 
 eveniment të tillë është vlerësim për çdo krijues apo interpretues. 
Natyrisht,  që do të ketë edhe pakënaqësi të ndryshme, por kjo është normale në 
një garë të  tillë. Si anëtar i jurisë së këtij festivali, dua të them 
publikisht se çdo  anëtar i Jurisë ishte i lirë e i pavarur në vlerësimet e tij. 
Vlerësimi ishte  personal, jashtë çdo trysnie apo direktive. Korrektesa me të 
cilën u trajtuam  nga organizatorët, vlen për tu përmendur dhe është diçka 
për tu marrë shembull.  Parimi kryesor i Jurisë ishte i qartë: 
 
Vlerësimi për çdo këngë duhej parë në të gjithë komponentët e saj, pra  
melodia, teksti, orkestracioni dhe interpretimi. Këto 4 elemente që përbëjnë  
këngën, duhet të jenë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën për të dhënë  
maksimumin e mundshëm e për të arritur tek suksesi i këngës. Nisur nga ky parim  
bazë, mendoj se Juria e këtij festivali dha vlerësime serioze për këngët 
dhe  klasifikimi përfundimtar është pasqyra më e mirë e seriozitetit të kësaj 
jurie.  Gjithashtu, dua të theksoj se në shumicën e rasteve, përkrah Jurisë 
ishte edhe  publiku i pranishëm në sallë dhe të mos harrojmë se publiku 
është gjykuesi më i  mirë në çdo rast. 
 
“Metropol”: Çfarë mendoni për të ardhmen e këtyre festivaleve? Çfarë  
mesazhi ishte ky që përcolli Festivali i 50-të, i këngës në Radio Televizion? ku 
 ju ishit anëtari Jurisë së saj... nga Amerika 
 
E. Xhani: Përpara nisjes time për në Tiranë, bisedova me disa miq e kolegë  
të mi amerikanë, të cilët i informova për këtë festival dhe i dhashë 
adresën e  websitetit për ta ndjekur atë live online - drejtpërsëdrejti në 
internet. Mbas  kthimit tim këtu në New York, mora mendimet e tyre. Ata ishin të 
befasuar dhe të  impresionuar nga gjithçka që kishin parë në ato katër net “
magjike” siç u  shprehen ata. Mendimi i tyre është absolutisht edhe mendimi 
im: "Në Shqiperi ka  kaq shumë talente sa që po të dinë të menaxhohen drejt 
dhe me efikasitet, mund  të bëjnë pa frikë xhiron e botës me produksionet e 
tyre, e të hyjnë denjësisht  në fondin e muzikës së lehtë botërore. Ky ishte 
pak a shumë edhe mesazhi i këtij  Festivali, që kënga shqiptare është në udhë 
të mbarë dhe se në Shqipëri po  punohet me seriozitet dhe me kulturë të 
lartë profesionale. Frytet e kësaj pune  u dukën qartë në këtë festival, ku 
fjala profesionalizëm ndjehej në të gjithë  komponentet e tij. Urimet më të 
mira Festivalit të 50-të të Këngës në RTSH". Ju  Faleminderit !
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.