Renditja e prioriteteve
Hamdi Nuhiju <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <CABPCUF=SRPHBiSuOGsrV80_1_iEDgzGetVNX=usd-CHjrYKE6w@mail.gmail.com> |
*Renditja e prioriteteve* *Hamdi Nuhiju* Islami është feja e pastër, e cila erdhi që ta nxjerr njerëzimin nga errësirat e shumta në dritën e vetme. Si fe e tillë, ajo e udhëzon besimtarin mysliman që të jetojë në bazë të rregullave dhe principeve të caktuara nga ana e Allahut xh.sh. dhe Pejgamberit të Fundit, Muhammed Mustafasë alejhi selam, e asesi të jetojë në anarki. Anarkia është baza e skëterrës dhe themeli i humbjes. Islami është feja e punës, ajo e cila kërkon nga besimtari mysliman që të mos kapet pas dembelizmit dhe të ankohet tërë kohën. Besimtari i padobishëm në rrethin e tij, në familjen e tij, në mënyrë normale është edhe i padëshiruar nga ana e Allahut xh.sh., ndërsa besimtari i dobishëm për familjen e tij, për rrethin e tij, është besimtari më i mirë, të cilin e do Allahu xh.sh. dhe Pejgamberi Muhammed alejhi selam. Të qëndrosh pa bërë asgjë, dhe të ankohesh në kadanë dhe kaderin, ose ta arsyetosh paaftësinë tënde me kadanë dhe kaderin është njëra prej shenjave të dobësimit të besimit-imanit. Nëse problemin e shikojmë esencialisht, se çka sjell pa puna e besimtarit, përgjigja do të jetë e vetme: përveç problemeve, pa puna nuk sjell asgjë. Dhe Islami është zgjidhje e problemeve, pasi që kërkon nga besimtari mysliman të mos rrijë duar kryq dhe të pres prej qiellit ar e argjend. Islami është feja e mëshirës dhe humanizmit. Mund ta paramendojmë kohën e vështirë të dimrit, kur njerëzit izolohen nga dëbora dhe nuk kanë mundësi që të furnizohen me produktet elementare për jetë. Në anën tjetër, mund ta paramendojmë edhe nxehtësinë e diellit, kur lumenjtë shteren dhe mungesa e ujit, krijon thatësi dhe dhimbje në mesin e njerëzve të caktuar. Humanizmi dhe mëshira nuk duhet që të janë monopol vetëm për besimtarët mysliman. Në shumë vende në Kur`an, Allahu xh.sh. na drejtohet me fjalën ‘o njeri’, dhe nuk na drejtohet vetëm me fjalën ‘ o mysliman’. Nëse privojmë veten dhe të tjerët nga mëshira dhe humanizmi, nëse zemrat tona ngurtësohen dhe fillojmë që secili të interesohet me shumë për miun dhe macat, sesa për krijesat njerëzore atëherë me të vërtet kemi probleme esenciale. Problem nuk është varfëria dhe kushtet e vështira ekonomike, por ngurtësimi i zemrave dhe në këtë mënyrë edhe humbja e ndjenjës së mëshirës, solidaritetit dhe humanitetit. Islami është fe e paqes dhe e dijes. Dituria dhe paqja janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Lufta dhe tradhtia janë motra. Ka thënë Pejgamberi Muhammed alejhi selam:” Lufta është tradhti”. Paramendoni ende në kohën tonë, në mesin e myslimanëve, gjen të tillë që jetojnë me paragjykime për diturinë dhe kërkimin e saj njëjtë si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat. Ende sot e kësaj dite, myslimanët nuk janë të bindur që vet dituria sjell paqe në botë. Paramendoni sikur Perandoria Osmane të bazohej vetëm në fuqinë e saj ushtarake e asesi në dituri, sa do të zgjaste ekzistimi i saj? Dhe, a do të kishte sukses një Perandori e tillë, po qe se do të zhvlerësonte rrolin dhe rëndësinë e diturisë? Dituria sjell paqen, nuk ka aspak dyshim në këtë gjë. Padituria shpesh herë është nëna e gjitha të këqijave. Edhe pse, kur jemi tek dituria, duhet që të bëjmë dallim midis diturisë dhe vetëdijes. Ne, kemi shumë njerëz të ditur, por pak të vetëdijshëm për atë dituri, dhe kjo gjë nuk është si rezultat i urdhrit për kërkimin e diturisë nga ana e Allahut xh.sh., por mos kërkimit të diturisë në emër të Zotit nga ana jonë, si urdhërohemi në Kur`an:’ Lexo me emrin e Zotit Tënd’. Islami është pjesë aktive në jetën e besimtarit mysliman. Myslimani duhet që ti përshtat sjelljet dhe veprimtarinë e tij individuale dhe shoqërore në bazë të rregullave të Islamit, dhe jo Islamin ta përshtat me sjelljet dhe veprimtarinë e tij, sipas tekave personale, që fatkeqësisht është dukuri evidente në shoqërinë tonë. Nga Ebu Hurejre r.a., transmetohet se ka thënë:” I Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë:” Prej përsosurisë ( plotësimit) së Islamit të njeriut është lënia e gjërave që nuk i interesojnë”.( Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe). Mbi të gjitha, Islami, e mëson besimtarin mysliman që të jetojë në bazë të prioriteteve. Ne, nuk kemi Islam të plotësuar në vetveten tonë, po qe se nuk i lëmë anash gjërat që nuk na interesojnë. Ne jetojmë në errësirë, po qe se zhvlerësojmë kohën me thashetheme dhe përgojime të pandashme. Madje, humbim edhe shpërblimet e pafundme në Xhennetul Firdeus si rezultat i marrjes tërë kohës me gjërat që nuk na interesojnë dhe lënien anash të gjërave që duhet të janë prioritare në jetën tonë.