PatriotE dhe pak...dallkaukE-Nga Ben Andoni

moisiuR212 <[email protected]>
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <1003794131.826384.1323276618204.JavaMail.root@sz0101a.westchester.pa.mail.comcast.net>

PatriotE dhe pak...dallkaukE » Dërguar më: 05/12/2011 - 15:47 

Nga Ben Andoni 

Të shara dhe ofendime me njëri- tjetrin, flirte dhe shpesh edhe shumë klientelizëm. Kjo ishte në një farë mënyre paraqitja e disa prej intelektualëve shqiptarë të viteve 20-30 ose atyre që se pëlqenin aq shumë idealizmin e një grupi të tjerë kolegësh të pagojë. Mundohen të imitojnë Perëndimin, por në shumicën e rasteve flirtojnë hapur me regjimin. Që nga Faik Konica, Fishta, Koliqi, Çika, Çekrezi, apo dhe të pjekurit si Mitat Frashëri dhe Mehdi Frashëri do mundohen ta mbajnë mirë me regjimin, por nga ana tjetër dhe të kënaqin ...interesat e tyre. Sot në lartësinë e viteve ka mundësi, që studiuesit të ulen e të shkruajnë më ftohtë për ta. 
... 
Vitet 30 do të mbahen mënd gjatë në kujtesën historike për varfërinë e skajme, por më shumë akoma një kthese të jashtëzakonshme në jetën kulturore të vendit. Dhe, shtetit të dobët shqiptar, sikur të mos i mjaftonte skamja e përbotshme e viteve 20, që pasonte vitet e Luftës së Madhe, i shtoheshin pasojat e luftërave të fundit të bëra në vend. Sapo ishte ngritur ndërkohë ngrehina e shtetit, ndërsa politika e Ahmet Zogut, protagonistit të kësaj kohe, mundohet të mos lërë shtigje kundërshtie për vizionin e tij. Në vend vjen disi qetësia, ndërsa një rrjet i gjerë spiunësh, që shërbejnë për këtë qëllim, i raportojnë për gjithçka Mbretit Zog, që sapo ka vendosur kurorën mbretërore në kokë. Nga jashtë vendit, një pakicë emigrantësh mbledhur në metropolet e huaja vigjëlojnë. Më radikalët janë në Vjenë. Ata i bëjnë Zogut një atentat dhe ky i fundit i shpëton vdekjes falë një rastësie. Ndërkohë në Rumani, një gazetë e emigrantëve atje, mundohet ta anatemojë ashpër politikën e tij. Janë tejet agresivë dhe notat e larta justifikohen sepse kuptohet ... janë larg. Por, ka mjete dhe kundër tyre. Një seri e tërë numrash reviste të “Shqipëria e re”, që shtypej në ato vite në Rumani, nuk lejohet të vi në shqip. Mes tyre, atëherë një djalë fare i ri me pseudonimin Brumbulli (Gjergj Bubani), e stigmatizon rëndë regjimin. Njësoj si ai dhe mbase më shumë akoma, janë një grup idealistësh në Shqipëri, shumë syresh të shkolluar jashtë, që se përtypin këtë gjendje të vendit. Situata sështë larg të sotmes. Patriotët e pavarësisë kanë mbetur në hije dhe shumë syresh, as marrin pensionet që u takojnë. Si gjithnjë kanë mbirë dallkaukët dhe ata që mundohen të përfitojnë në çdo rrethanë. Brumbulli i fshikullon ashpër. Dhe, emrat e tyre, që jemi mësuar ti shohim me aureola lavdie ose edhe shumë keq, të frikësojnë me flirtet e tyre. Ndërkohë është një grup intelektualësh që përpiqet të zgjojë një kulturë ndryshe, kurse lufta e denigrimit në parlament vjen duke u egërsuar. Kësaj i shtohet nga jashtë lufta që bën Faik Konica me anë të gazetës “Dielli”; ashpërsia e “Shqiptarit” të Amerikës, që botohej në Korçë nën drejtimin e Loni Kristos, deputet i Korçës si edhe me atë që bënte gazeta “Ora e Maleve”, që drejtohej e botohej nga kleri katolik në Shkodër, referohet në kujtimet e Vllamasit. Kjo luftë e organizuar drejtohej nga Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau dhe nga Ali Këlcyra por edhe Mehdi Frashëri. Në këtë luftë, ska kulturë ka thjesht anatemë nga këta intelektualë. 
Pena të ndryshme vërtetë nuk falin, ndërsa ka prej tyre syresh të cilët flirtojnë hapur. Një grup i madh intelektualësh do i gjejë pushtimi në krah të Italisë. Fishta varroset me flamurin Italian i mikluar prej saj deri në fund të jetës, kurse Koliqi, nuk e heq më nga trupi rrobën fashiste. Në ato vite ka pak pamfletistë, që vërtetë godsin. Bubani, njëri prej tyre, që edhe vetë do mbajë një konjukturë të mirë pak më vonë me mbretin, nuk fal dhe në dokumentin, që po botojmë dhe që është gjendur falë një kërkimi të njerëzve të tij në një arkiv të Rumanisë, stigmatizon pa mëshirë. Ndërkohë të tjerë e paraqitsin situatën ndryshe. Realizmi i Mjedës në krijimtarinë e tij është nga pikat më tërheqëse të artit të kohës. Kleriku i tejet-arsimuar, i lënë në harresë nga kolegët e tij në një fshat të humbur, u vë emrat e kolegëve të tij qenve të fshatit. Të ashpër janë në kohë edhe Asdreni dhe Grameno. Kanë një realizëm disi të papërcaktuar, por që i përshtatet kohës. Të tjerë hahen hapur me njëri-tjetrin. Zavalani përplaset me Merxhanin, ndërsa Naim Frashëri, poeti kombëtar do atakohet ashpër nga Konica. Tirana ndahet sipas preferencave. Konica bën një tallje të ashpër dhe tejet cinike ndaj Frashërit, që do mbahet pastaj në anale si një pararendësit e publicistikës therrëse. Ali Asllani na jep “Hanko Hallën”. Ndërsa Fishta, sikur të ketë zbritur nga shekujt e shkuar, merret me epikën shqiptare, kuptohet me parametra të lartë, por duke mos lënë pa atakuar të metat shoqërore të shqiptarëve. Në muzg të moshës beson se protagonizmin mund ta zgjidhë duke pritur dhe shfrytëzuar favoret e italianëve. Një kritik shkon dhe më tej, kur e justifikon me moshën, por kjo gjithsesi, nuk e ul para shqiptarëve. Kristo Floqi shkëlqen me komeditë e tij me një akt, kurse Fan Noli nga emigracioni ia përvesh të gjithëve, ku kuptohet se kundërshtari i tij më i madh mbetet Zogu, figura që i ka zënë vendin. Vite më vonë, në emigracion, Noli do ti kërkojë para për një operacion dhe është pothuaj gati, që të jetë në një qeveri emigracioni. Në Gjirokastër, një grup ende i panjohur, përgatitet të sjellë një nga botimet më interesante të kohës. Vangjel Koça dhe Branko Merxhani vinë në Tiranë dhe bëhen ideatorët e Neoshqiptarizmës…. Në kritikë shquhet “Pika” ( Tasi Mio). “Hylli i Dritës”, “Leka” dhe “Albania” e Konicës bëjnë opinionin e ditës kryesisht në vitet 20, por si lënë edhe kusurin njëra-tjetrës …Në revistën “Minerva” të Nebil Çikës, Merxhani boton artikullin “Lëvizje mendore” që jo vetëm do trasojë rrugë, por do të tregojë se çfarë duan në të vërtetë njerëzit e kulturuar nga vendi i tyre. “Duhet të bashkohemi të gjithë rreth përpjekjes shqiptare të kohës, që ka si qëllim të transformojë Tiranën e sotme, këtë kryeqytet të thatë dhe të pa jetë të Shqipërisë administrative, në një kryeqytet të ndritur, qendër të kulturës dhe të lëvizjes sintetike kombëtare, jo vetëm të Shqipërisë por edhe të tërë shqiptarizmës”…shkruan ai. Në fakt sështë kaq e lehtë. Këtë më mirë se kushdo e di një grup shkrimtarësh të rinj, që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit të kohës. Sterjo Spasse, Petro Marko, Andrea Varfi, Millosh Nikolla,...bëhen shpejt idhuj. Komunistët i afrohen nga pak Migjenit, por djaloshi i brishtë i mban me kujdes larg. Spasse është për pak kohë idhulli i vërtetë kur mbaron Pse-në: “Bota e hiçit prej hiçit, rrotullohet rreth qëllimit të hiçit”, shkruan ai një ide ekzistenciale… 
Ndërkohë, ata, që janë më të pjekur kanë qëllime të tjera. Faik Konica dhe Mitat Frashëri, mbahen mënd gjatë për pabesinë sesi iu kundervunë Ismail Qemalit, që sipas kujtimeve të Vllamasit, veç gabimeve të tij kanë edhe gjëra personale ndaj tij. Faik Konica del shpesh e shpesh në kronikat e kohës, paçka kontributit të madh. Flirton hapur me Zogun dhe megjithëse e ka atakuar ashpër pranon një nga vendet më komode të Shqipërisë së asaj kohe, postin e ambasadorit në SHBA. Pak kohë më parë, bashkë me avokatin Jorgji Çako, hyn në bisedime me italianët për Sazanin… Është tejet i ashpër me Gurakuqin në një takim në Durrës, duke e akuzuar si proitalian. “Kështu ke marrë urdhër nga konsullata italiane”, i thotë publikisht. Sikur të bëhej lista e ofendimeve dhe atakimeve ajo sdo kishte fund dhe në një farë mënyrë do të na sillte edhe njëherë Shqipërinë e sotme, por ndërkohë disa intelektualë idealistë nuk dorëzohen. Ata e bëjnë rregjimin që të mendojë mirë dhe ato nota lirie, që Zogu jep pak me qeverinë e Mehdi Frashërit, i merr sërish pas. Totot persekutohen ashpër, ndërsa një grup tjetër burgoset. Në këtë shkrim, mbase nuk do duhej të përmendeshin të gjitha këto, por kur shikon paralelizmat me kohën dhe flirtet e artistëve dhe intelektualëve shqiptarë, atëherë ia vlen ti kthehesh nga fillimi. Përzierja e kohës është bërë mbase për ta dhënë sa më të saktë këtë rrokupujë. Mbase, prandaj pamfletet e asaj kohe, si ajo e Brumbullit dhe e pak të tjerëve e ka peshën e madhe edhe në ditët tona.
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.