Aneksimi i Bregut Perëndimor nga ana e Jord anisë
ajni sinani <[email protected]> Tue, 29 May 2012 12:16:29 -0700 (PDT)
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
9 - Aneksimi i Bregut Perëndimor nga ana e Jordanisë (1950-1988) Ajni Sinani Me iniciativën e qeverisë jordaneze, disa personalitete të shquara palestineze organizuan në dhjetor të vitit 1949 mbajtjen e një konference në Xheriko (Ariha). Kjo konferencë e shpalli mbretin Abdullah ibn El Husein mbret të Jordanisë. Ky hap u pasua nga aneksimi formal, nga ana e Jordanisë, i Bregut Perëndimor, që përbënte territorin më të madh (rreth 5878 km katrorë, afërsisht rreth 21. 77%) të sipërfaqes së përgjithshme të Palestinës të asaj që kishte mbetur nga territori i Palestinës. Po ashtu, si pasojë e këtij aneksimi rezultoi edhe deklarata e muajit prill të vitit 1950, që kishte të bënte me bashkimin e Bregut Lindor dhe atij Perëndimor. Nga ana tjetër, kontrolli administrativ i rripit të Gazës (rreth 363 km katrorë, afër 1. 34% e sipërfaqes së përgjithshme të Palestinës) i kaloi Egjiptit.[1] Prandaj, më 1947-48, Abdullahu bëri një marrëveshje me sionistët që, në rast konflikti, forcat e tij të pushtonin dhe të aneksonin zonën qendrore të Palestinës, d.m.th. Bregun Perëndimor, duke u lënë sionistëve pjesën tjetër të Palestinës. Si pasojë e kësaj marrëveshjeje dhe e aneksimit të përmendur më lart, Transjordania u bë shtet i Jordanisë dhe Emiri u bë mbret i këtij shteti. Megjithatë, më 1948, asnjë shtet arab nuk e njohu aneksimin e Bregut Perëndimor nga Jordania. 19 vjet më vonë mbreti i Jordanisë, Husein Ibn Talal, nipi i Abdullahut, e humbi Bregun Perëndimor, i cili u pushtua nga forcat izraelite gjatë luftës së qershorit të vitit 1967.[2] Muhammed Haxhi Aminin që ishte caktuar kryesues i qeverisë palestineze në vitin 1948, dhe për kolegët e tij u vendosën kufizime duke përfshirë dhe embargon për aktivitetet politike në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës. Në Egjipt që nga viti 1947, Haxhi Amini ishte në pozitën e një pengu, prandaj në vitin 1958 ai u detyrua të shkonte në Liban. Qeveria e tij së bashku me këshillin e saj u reduktuan në trupa ceremonialë, pa asnjë fuqi apo ndikim.[3] Në vitin 1988, kur mbreti Huesin hoqi dorë nga lidhjet ligjore dhe administrative në Bregun Perëndimor, Jaser Arafati shpalli ekzistencën e shtetit palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Gaza dhe e shpalli veten president të këtij shteti.[4] 10- Plani i Xhonsonit (në vitin 1954) Xhonson, i ngarkuari i posaçëm i kryetarit amerikan Ajzenhauer për çështjen palestineze, paraqiti në vitin 1954 një raport të hollësishëm që bazohej në tre pika kryesore: 1. Ndarja e ujërave të lumit Jordan mes arabëve dhe hebrenjve, ku Sirisë dhe Libanit do t’i takonin nga 10 %, kurse Jordanisë dhe Izraelit nga 40 %. Me këtë sasi uji Izraeli do të mundësonte popullimin e shkretëtirës së Negevit, në mënyrë që të strehonte në të 3 milionë emigrantë hebrenj; 2. Përcaktimi i përkohshëm i kufijve ndërmjet entiteteve hebraike dhe shteteve fqinje arabe, të cilat definitivisht do të përcaktoheshin më vonë; dhe 3. Ulja e arabëve dhe e hebrenjve në tryezën e rrumbullakët për zgjidhjen e problemeve të mbetura.[5] Plani i Xhonsonit u refuzua nga ana e arabëve, ndërsa hebrenjtë nxituan ta zbatojnë. 11 - Kufijtë e Izraelit Hebrenjtë besojnë se Zoti u ka premtuar atyre një shtet që do të shtrihej nga lumi Nil deri në lumin Eufrat, ku do të përfshihej një pjesë e Egjiptit (Sinai), Palestina, një pjesë e Irakut, Libani, Siria, Jordania Lindore si dhe një pjesë e Hixhazit, madje edhe qyteti i ndritur i Medinës.[6] Në vitin 1937 Ben Gurioni hartoi kufijtë e Izraelit duke u mbështetur te Bibla. Sipas mendimit të tij, toka e Izraelit duhej të përfshinte pesë regjione: 1. Pjesën jugore të Libanit deri te lumi Litan; 2. Sirinë jugore; 3. Transjordaninë ( Jordaninë); 4. Palestinën dhe 5. Sinain.[7] Ben Gurion shkruan: “Shpatën e kimi futur në mill, por vetëm përkohësisht. Ne do ta nxjerrim përsëri nëse kërcënohet liria e atdheut tonë, vendit të profetëve të Torës. Atëherë i gjithë populli çifut do t’i rikthehet kolonizimit të tokës së baballarëve dhe stërgjyshërve, që shtrihet që nga Nili deri në Eufrat”.[8] Menahem Begin shkruan : “Që nga koha e Torës, toka e Izraelit është e konsideruar si toka e kombeve për bijtë e Izraelit. Më pas kjo tokë u quajt me emrin Palestinë. Gjithmonë në të kanë qenë të përfshira të dy brigjet e lumit Jordan, Libani jugor dhe jugperëndimi i Sirisë. Copëtimi i atdheut është një veprim i paligjshëm, ndaj e gjithë toka e Izraelit do t’i kthehet popullit të Izraelit për jetë”.[9] Izraelitët, gjatë konceptimit elastik të kufijve, bazoheshin kryesisht në Bibël në mënyrë që të arsyetonin lëvizjen e kufijve, të legalizonin agresionin dhe pas aktit të kryer ta justifikonin aneksimin.[10] 12 - Mospërcaktimi i kufijve të Izraelit Kufijtë e Izraelit nuk janë përcaktuar kurrë në mënyrë të qartë dhe nuk janë njohur prej fqinjëve të tij. Vija e ndalim-zjarrit e vitit 1948, që erdhi si rrjedhojë e luftës, u zgjerua në vitin 1967 me pushtimin e Bregut Perëndimor, Rripit të Gazës dhe lartësive Golan.[11] Në deklaratën për formimin e Izraelit, shteti i ri është quajtur Eretz Izrael, që nënkupton tërë territorin mes lumit Jordan dhe detit Mesdhe. Në të nuk përmenden kufijtë e shtetit të Izraelit. Ben Gurioni në Memoaret e tij shkruan se në deklaratën për formimin e Izraelit, më 14 maj 1948, qëllimisht nuk është bërë përcaktimi i përpiktë i kufijve të shtetit të ri, për shkak të pavendosmërisë që dominonte atëherë në aspektin e zhvillimit të konfliktit të mëtejmë me arabët.[12] Izraeli e ka refuzuar vazhdimisht përcaktimin e kufijve.[13] Ai ka këmbëngulur në arritjen e një paqeje formale me kufij të hapur, kërkesë që ka qenë e vështirë për t’u pranuar nga udhëheqësit arabë.[14] Pas luftës së vitit 1967, Izraeli i zgjeroi edhe më tepër kufijtë e vet, Moshe Dajani, kur është pyetur se çfarë do të bëjë Izraeli me territoret e pushtuara, ka thënë: “Hartën e vendit tonë do ta bëjmë të tillë që fëmijët ta vizatojnë më lehtë në shkollë”.[15] ________________________________ [1]Muhsin Muhamed Salih, op. cit., f. 61. [2]Iain McLean, op. cit., f. 213. [3]Muhsin Muhamed Salih, op. cit., f. 61. [4]Iain McLean, op. cit., f. 393. [5]Dr. Xhemil El Misrij ... në: Dosja Kuds, op.cit., f. 121-123. [6]Muhamed Fethi Rifai, op.cit., f. 115. [7]Roger Garaudy, Rasti Izrael ... op.cit., f. 26. [8]Abdulaziz Mustafa, op. cit., f. 60. [9]Ibid, f . 60. [10]Roger Garaudy, Rasti Izrael ... op. cit., f. 26. [11] Joshua S. Goldstein., op. cit., f. 205. [12]Vojimir Sobajić, op. cit., str. 202. [13] Ingmar Karlsson, op. cit., str. 258. [14]Henry Kissinger, Diplomacia, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë, 1999, f. 528. [15] Dara Janeković, op.cit., str. 15-16.