Permendore per KHG

Hamdi Nuhiju <[email protected]> Mon, 2 Jul 2012 15:33:50 +0200
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <CABPCUFk+g=XwgFfi55fYFFsAU9-1BQDaRDxQX1y5ZGO_u8Q8Eg@mail.gmail.com>
Përmendore për KHG
  <http://zhurnal.mk/image.aspx?img=hamdi-nuhiu-210x210_16.jpg>
Hamdi Nuhiju
http://zhurnal.mk/content/?id=127211111127

Ministri i punëve të jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, para disa ditëve
ishte në vizitë zyrtare në Maqedoni. Vizita e tij, duhej bërë ende më
herët, qysh me pranimin e Republikës së Kosovës, nga ana e Republikës së
Maqedonisë. Po, edhe pse e vonuar, ajo ndihmon së paku në ndërtimin e
raporteve diplomatike midis dy shteteve të vogla në Ballkan. Pak para
ardhjes së tij, në vizitë zyrtare si diplomat kosovar, u bë një skandal
diplomatik midis Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, duke i pranuar
letrat kredenciale të ambasadorit kosovar në Maqedoni, në nivel shumë të
ulët. Edhe pse ky skandal ndodhi para syve të botës demokratike, diplomacia
maqedonase as nuk u ndëshkua, e as nuk u lëmua.

Aktivizimi i politikës së Kosovës dhe Shqipërisë në Maqedoni, është një
domosdoshmëri për mbijetesën e shqiptarëve të Maqedonisë. Këtij aktivizimi
më shumë i gëzohen shqiptarët e këtushëm, të cilët në mënyra të ndryshme
ofendohen e injorohen nga ana e politikës maqedonase. Paramendoni, sikur
Kosova dhe Shqipëria të ishin të zëshme për çështjen e shqiptarëve të
Maqedonisë, aq sa janë të zëshëm maqedonasit për shumë të ashtuquajtura
çështje në Greqi, Serbi, Kosovë e Shqipëri. Maqedonasit për interesat e
tyre, japin edhe përgjigje skandaloze si ajo e kryeministrit Nikolla
Gruevski pak para Samitit të NATO-s në Çikago, që ishte sulm direkt ndaj
fuqive të mëdha evropiane dhe botërore. Edhe Akademia e Shkencave të
Maqedonisë, për t`i arritur qëllimet e saj, përmes Enciklopedisë së Turpit,
sulmoi edhe ushtarët amerikan, si trajnues të ushtarëve të Ushtrisë
Çlirimtare Kombëtare.

Diplomacia kosovare dhe ajo shqiptare e Shqipërisë, duhet që të mos shohin
vetëm interesat e tyre ekonomike, e tregtare, ndërsa interesat politike
t`ia vizatojnë ambasadorët amerikan në Tiranë e Prishtinë. Në kuadrin e
interesave politike, ekonomike, tregtare e diplomatike duhet që të
ekzistojnë edhe interesa nacionale që do të ishin shtysa mbrojtëse për
qenien shqiptare në Maqedoni. Është e vërtet që problemet tona të
brendshme, nuk do të na zgjidh as Prishtina e as Tirana. Ato duhet që t`i
zgjedhim vet, përmes përfaqësuesve tanë dhe mekanizmave shtetëror dhe
politikë. Po zgjidhjes së atyre problemeve i ndihmojnë mjaftë, ndërhyrjet
nga Tirana e Prishtina. Si është e mundur, që Maqedonia të interesohet për
çështjen gorane në Kosovë, që nuk ka as lidhje indirekte me Maqedoninë,
ndërsa diplomacia kosovare të mos bëj asnjë reagim të vetëm në shenjë
proteste ndaj Maqedonisë, për fyerjen dhe përbuzjen e nderit të motrave
tona shqiptare? Në vend që të reagonin në formë institucionale, ata bënin
apele që protestat e Shkupit, Tetovës, Kumanovës, Gostivarit, të mbahen me
flamuj kombëtar e jo me flamuj fetar. Ky ishte problemi i tyre thelbësor
dhe kryesor. Përderisa shqiptarët e Maqedonisë identifikohen si shqiptarë
mysliman, ata lihen në heshtje dhe bojkot total nga ana e pushtetit të
Tiranës e Prishtinës. Ndërsa, kur do ta ndryshonin identitetin e tyre, dhe
këto shqiptar të paraqiteshin si ateist, ose edhe si shqiptarë të
krishterë, atëherë me siguri se do të reagonte edhe Prishtina edhe Tirana
zyrtare.

Zëri i tyre do të dëgjohej nga Shkupi e në Bruksel. Unë jam i bindur, se po
të identifikoheshim si shqiptarë ateist, ose edhe shqiptarë të krishterë,
nuk do të kishim probleme me Nikolla Gruevskin, sepse atij, nuk i pengon
gjuha shqipe, e as heronjtë shqiptarë të krishterë e ateist. Atij, i
pengojnë minaret, e xhamitë, shamia, literatura islame, edukata islame,
etj. Në fund të vitit 2011, Nikolla Gruevski ishte i ftuar në një emision
në TV Alfa, ku në mesin e shumë temave që bisedoj, ai përmendi edhe Gligor
Përlicevin si heroin e tij, në sferën e shkrimeve, duke e quajtur edhe si
‘Homeri i Maqedonisë’. Kryevepra e Gligor Përlicevit është një libër,
elozhe, e shkruar për Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Nëse i shohim gjërat
logjikisht, atëherë hero i Nikolla Gruevskit është vet Gjergj Kastrioti
Skënderbeu, që shqiptarët e kanë mitizuar e hyjnizuar. Për t`u bindur ende
më shumë në këtë që po them, mund ta shohim, ardhjen e bustit të
Skënderbeut në Shkup, lejimin e bustit të Pjetër Bogdanit në projektin
Shkupi 2014, ndërtimi i bustit të Nënë Terezës, 30 metra i gjatë, pastaj
pranimi si figurë poliedrike shqiptare e Josif Bagerit, si një shqiptarë
ortodoks, etj. Këto janë disa figura të përgjithshme dhe të përbashkëta për
të gjithë popujt e Ballkanit, prandaj edhe Nikolla Gruevski i pranon me
lehtësi të gjitha këto. Pse, për shembull, nga ana e figurave shqiptare nuk
u pranua të ndërtohej një bust me emrin e Hasan Tahsinit, Sami Frashrit,
Jakup Asipit, Hafëz Refik Ajetit, por me kaq lehtësi u pranuan, Gjergj
Kastrioti Skënderbeu, Pjetër Bogdani, Josif Bageri, Nënë Tereza etj?
Përgjigjen e kësaj pyetje, mendoj se mund ta gjeni vet, po qe se bëni një
përsiatje në ato që shkruaja deri më tani.

Të kthehemi tek esenca e temës. Deklarata e ministrit të punëve të jashtme
të Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe ajo e ministrit të punëve të jashtme të
Maqedonisë, Nikolla Poposki, ishte hedhje pluhur syve. Dytë, thanë se
Kosova me Maqedoninë, nuk kanë çështje të hapura. Sipas tyre, raportet
midis Kosovës dhe Maqedonisë janë në nivelin më të mirë të mundshëm, dhe
bashkëpunimi i tyre është në nivelin më të lartë. Shqiptari i thjeshtë i
Maqedonisë, e di se këto deklarata nuk kanë të bëjnë aspak me realitetin.
Ndoshta Kosova, me Maqedoninë, nuk kanë probleme sikur, qysh ka Kosova me
Serbinë, ose Maqedonia me Greqinë, por raportet e tyre nuk janë bash të
gjitha në nivelin e duhur.

Si është e mundur që të thuhet se raportet janë në rregull, kur ambasadori
kosovar në Maqedoni, përbuzet nga ana e diplomacisë maqedonase?
Pastaj, e harruam aq lehtë dhe aq shpejtë përbuzjen e ministrit të punëve
të brendshme të Kosovës, i cili në Maqedoni, u fye dhe u ofendua në mënyra
të ndryshme nga ana e politikanëve maqedonas në mënyrë institucionale?

Edhe depërtimi i mallrave nga Kosova për në Maqedoni, hasë në pengesa të
ndryshme, ndërsa zëri nuk dëgjohet asnjëherë.

Indirekt politika maqedonase, po edhe mediumet maqedonase, si faktor
destabiliteti, e llogarisin Kosovën dhe shpesh herë e akuzojnë atë, për
gjithçka që ndodh në Maqedoni. Edhe po qe se thyhet një kazino në Veles,
fajet i ka politika kosovare, e jo huliganizmi i skajshëm maqedonas.

Në bazë të gjithë kësaj, deklarata e ministrit të punëve të jashtme të
Kosovës, është e thatë, jo diplomatike, dhe nënçmuese. Çka është më
interesantja në gjithë këtë turbullirë, duke qenë prezent vet ministri i
punëve të jashtme të Kosovës, në vizitë zyrtare në Maqedoni, Kosova Haker
Groups, bëri një sulm heroik ndaj sajtit zyrtar të ministrisë së punëve të
brendshme të Maqedonisë. Ishte veçse koha që dikush ta thyej heshtjen
platonike të shqiptarëve ndaj përbuzjeve të njëpasnjëshme që vijnë nga
maqedonasit.

Kosova Haker Groups, si duket, po e di, se në Maqedoni të gjitha gjërat nuk
janë në rregull, dhe se ministri i punëve të jashtme të Kosovës, po
mundohet që me fjalë të ndryshme, ta mbulojë tymin e shkaktuar nga djegia
në kurriz të shqiptarëve. Qeveria e Maqedonisë, po e ndez zjarrin
ndëretnik, ndërsa ministri i punëve të jashtme të Kosovës, po mundohet që
ta shuaj.

Kosova Haker Groups, ktheu dinjitetin e shqiptarëve të Maqedonisë. Si
duket, ajo po e di saktë, se prej ku po rrjedhin problemet. U bë rasti
‘Monstër’, njerëzit e pafajshëm u akuzuan para kohe si radikal islamik,
vajza, e gra të pafajshme u morën nga policët maqedonas sikur të ishin
luftëtare talebane kundër NATO-s, askush, askujt nuk i dha llogari.
Menjëherë pas këtij rasti, u hap edhe një konkurs nga ana e ministrisë së
punëve të brendshme të Maqedonisë, për pranimin e 300 policëve të rinj.
Edhe përkundër deklaratave të zëvendës ministrit Xhelal Bajrami, se në këto
300 polic të rinj do të përfshihen edhe shumë shqiptarë, vet ministrja
Jankullovska e demantoi këtë deklaratë të tij, duke thënë, se nuk do të
merren parasysh përkatësia etnike e të pranuarve, por kualiteti. Nuk e di
për çfarë kualiteti mund të flas ministrja Jankullovska kur për pranimin e
300 policëve me shkollë të mesme në këtë ministri kanë konkurruar jo
zyrtarisht 10.000 persona që jam i bindur se shumica janë me fakultet,
ndërsa zyrtarisht 7000 persona?

Mendoj se vet këto shifra të njerëzve të pa punë janë tmerr i Qeverisë së
Nikolla Gruevskit. Ky i fundit, për asgjë në mos e meritoftë të dal prej
kësaj qeverie, mjaftojnë këto shifra tmerrues, për t`ia treguar rrugët për
në Sofje, ose Beograd.

Mendoj se në projektin Shkupi 2014, projekt i vetmbytjes së Qeverisë së
R.M., do të duhej të zinte vend edhe një përmendore e ndërtuar për nder të
Kosova Haker Groups, grupi i cili këto ditë i tregoi shqiptarëve të
Maqedonisë, se nuk janë gjërat në rregull.

Shqiptarit të këtushëm, nuk i ka mbet derë tjetër, përveç derës e cila nuk
mbyllet kurrë, dera e Zotit.

Imam Ahmedi tregon se njëherë, tek po bënte tavaf rreth Qabes, dëgjon një
burrë që lutej:” O Zot, unë jam i paaftë siç e sheh, gruaja ime është e
dobët siç e sheh, vajza ime është e dobët siç e sheh, rrobat e mia të
vjetra siç i sheh vetë. O Ti që na shikon dhe nuk shikohesh, na ndihmo!”