DIKTATURA E HISTORISHKRUESVE
[email protected] Thu, 2 Aug 2012 09:34:15 -0400 (EDT)
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
_www.gazetadielli.com_ (http://www.gazetadielli.com) DIKTATURA E HISTORISHKRUESVE Nga Eugjen Merlika / Nga viti 1991 në Shqipëri kanë ndryshuar mjaft gjëra që dëshmojnë se sa dëm i ka sjellë regjimi komunist banorëve të këtij Vendi, duke i mbajtur të mbyllur në oborrin e burgut të tij të madh. Normalisht, ndryshimet materiale të një shoqërie pasohen me të njëjtat dukuri në sistemin e jetesës, në marredhëniet me mjedisin e afërt e të largët, duke ndikuar edhe në ndryshimin e mendësisë që, dashje pa dashje, ndjek hullinë e vet. Kështu shqiptari i 2012-ës nuk e sheh botën me syzet e fundit të viteve 80. Në fjalorin e tij kanë hyrë me forcë fjalët demokraci, liri, në të gjitha shtjellimet e saj të mundëshme, pronë, reforma politike e institucionale, Evropë e SH.B.A. Madje këto të fundit që, për gjysëm shekulli, u lakuan vetëm nëpër hetuesitë e gjykatat duke i binjakëzuar me fajet imagjinare të fatkeqëve që duhej të nxirrnin mineralet nga nëntoka pa shpërblim, sot janë në gojën e të gjithëve, që nga politikanët tek populli i thjeshtë. Çuditërisht emrat e kontinentit tonë dhe të federatës amerikano – veriore përmënden sot më shumë nga ish përndjekësit e fatkeqëve se nga këta të fundit, që kuptuan shpejt se iluzionet e ushqyera për kaq kohë ishin të paracaktuara t’i përkisnin vetëm botës së përfytyrimeve. Në këtë mori ndryshimesh vihet re dhe një qëndresë e fuqishme e së shkuarës së afërt, që është ngulur në llogore si ushtari i famshëm japonez i fundit të viteve 40. Kjo trupëzohet në figurat e historishkruesve, apo të mëtuesve të këtij roli, të cilët mendojnë se për ta koha nuk lëviz, se dogmat e tabutë, me të cilat janë ushqyer gjatë jetës nuk kanë datë skadence, se prrallat e gënjeshtrat me të cilat e kanë nanurisur këtë popull për 70 vjet do të jenë të përjetëshme. Lum ata që ushqehen me elizirin e pavdekësisë ! Një dëshmi e kësaj mendësie qe më datën 30 korrik intervista e gazetares së Mapo-s, Aida Tuci, me historian politikanin diplomat Pëllumb Xhufin, një nga përfaqësuesit e “brezit të ri” të studjuesve marksistë-leninistë të regjimit të Enver e Nexhmije Hoxhës dhe pasardhësit të tyre Ramiz Alisë. Pëllumb Xhufi huazon nga stili i Zërit të popullit të viteve të luftës një titull bombastik : “Mustafa Kruja dhe Xhafer Deva, monumente të turpit tonë kombëtar”. Në përfytyresën e tij ky është vendimi i “pakundërshtueshëm” i një gjykate që, dikur, kishte pamjen e Koçi Xoxes, të Bedri Spahiut, të Aranit Çelës e të sa e sa rrogtarëve të diktaturës së kuqe, për të cilën, simbas historianit të mirënjohur At Paulin Margjokaj “Serbët e përsrisin edhe tash e thonë se kurrë nuk ka dalë në shesh ma fort shpirti gjaksuer i racës shqiptare sa nën këtë rezhim Hoxha-Shehu. Vetëm kanibalt e kohës s’Ali Pashës munden disi me u ndejë afër kanibalvet të kohës Hoxha-Shehu…” ( Át Paulin Margjokaj “Kush janë anmiqt e Shqipnisë?” f.78) Është interesant konteksti në të cilin del ky përfundim “gjyqi partizan” i Xhufit. Ai është vrasja e Qemal Stafës nga milicia më 5 maj 1942. Në përputhje me stilin e konsoliduar të mashtrimit komunist, “i riu” Xhufi, për të shfryrë urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve nacionalista, del në beleg me tri gënjeshtra në një frazë. E para, nuk ka kurajën të thotë se “ djaloshi i ri 22 vjeçar, student plot ëndrra të bukura për botën…” u çua në pusinë e milicisë nga kryetari i komunistëve, Enver Hoxha. Arsyet dhe motivet mund t’i dijë më mirë studjuesi Xhufi, i cili ka për detyrë t’i shpjegojë, me që e fut veten në rradhën e atyre që “paguhen për atë punë”. Gënjeshtra e dytë është termi “trimat e Mustafa Krujës”. Historiani Xhufi duhet t’a dijë mirë se Mustafa Kruja, gjatë gjithë luftës, në postet e senatorit të Mbretërisë, të Kryetarit të Institutit të Studimeve shqiptare, apo të Kryeministrit, nuk ka patur asnjëherë forca të tijat të armatosura, madje as skortë për roje. Kishte vetëm dy shoqërues që quheshin Sefë të dy, njëri i gjatë e tjetri i shkurtër. Nëri ishte kushëri i tij e tjetri ishte një mik. Njërin e vranë komunistët herët, ndërsa tjetrin në masakrën e vitit 1951, për ngjarjen në Ambasadën sovjetike. Për të plotësuar kuadrin kujtoj se Mustafa Kruja ka qenë në krye të forcave vullnetare të qytetit të tij të lindjes në dy raste : në verën e vitit 1914, i grumbulluar nën komandën e Avdi Toptanit për t’u shkuar në ndihmë çetave të Themistokli Gërmenjit, Spiro Bellkamenit e Sali Butkës, që përlesheshin me andartët grekë, e, më pas, në verën e vitit 1920, në Koplik për të mbrojtur Shkodrën nga malazezët. Edhe për këto raste historiani diplomat Xhufi mund të shkruajë nëse mendon se përbëjnë një “monument tradhëtie”. Gënjeshtra e tretë është e lidhur me makthin që e ka mbërthyer “politikanin e madh” pa parti se mos qytetet shqiptare i ngrenë monumente bijve të tyre antikomunistë. Edhe se i meritojnë plotësisht ata monumente, duke filluar nga ai i dëshmorit të Kombit Mark Gjomarkaj, nuk më rezulton se ekzistojnë projekte të tilla për personazhet e përmendura nga Xhufi. Nëse Kryeministri Berisha është shprehur në ndonjë rast për rivlerësimin e figurave historike të së shkuarës, me gjithë rezultatet e pakta n’atë drejtim, mendoj se është një qëndrim i lëvdueshëm e për t’u përkrahur. Xhufi, ashtu si kolegët e tij më të moshuar e mjeshtër të tij, është betuar të mbetet deri në fund apollogjet i komunizmit shqiptar, të kacavirret me thonj e me dhëmbë për të mbrojtur kauzën e humbur të tij, një kauzë që mban erë gjaku e “ngjyrën e zezë të shamive mbi kokat e grave shqiptare”, siç e ka përcaktuar shumë bukur një koleg i tij në fushën e politikës. I vetmi çengel ku varet e gjithë arkitektura e tij e mashtrimit dhe mbrojtjes së krimit komunist është se “për herë të parë populli shqiptar u rreshtua me luftën e madhe të popujve e demokracive të mëdha”. Është për t’u habitur me naivitetin e studjuesve si Xhufi që vazhdojnë ende sot të bëjnë levë mbi një argument që, për çdo mëndje të patrullosur, kthehet në një bumerang për ta. Asnjëherë komunistët, në çfarëdo niveli, kryesisht në historishkruarje, nuk na shpjeguan pse ata që nga 7 prilli 1939 e deri në verën e vitit 1941, gjysmën e kohës së pushtimit italian, qëndruan pasivë, madje duke duartrokitur fitoret e Boshtit ndaj vendeve “imperialiste”, siç bënte padroni i tyre në Moskë, deri më 22 qershor 1941, kur Hitleri vendosi të hedhë në kosh paktin Ribentrop-Molotov. Por ata u zgjuan nga letargjia kur ranë këmbanat e Kremlinit e të Kominternit, si ushtarë besnikë jo të Shqipërisë, por të Titos e të Stalinit.Teoria mbi “renditjen” në botën demokratike që, simbas korrentit të alternuar të interesave të kastës, herë mbetet e tillë e herë kthehet në “Rrezikun anglo-amerikan për Shqipërinë”, bën të qeshin edhe pulat e më kujton Esat Pashë Toptanin që mëtonte të njëjtën gjë në luftën e parë botërore, mbasi kishte ndërruar të gjitha aleancat e mundëshme. Renditja në anën e fituesve mund të jetë synimi i politikanëve që duan të kenë pushtetin, por nuk duhet të jetë arma e historianit. Një historian i vërtetë nxjerr përfundime e jep gjykime të ndryshme nga Xhufi apo disa nga kolegët e tij kriptokomunistë. Ai nuk përzien analizën e tij me llogaritë e pushtetmbajtësve dhe as nuk kushtëzohet nga opinione të huaja, qoftë dhe autoritare. “Akcjonet heroike qi kryen Shqiptarët mbas qershorit 1941 – i thrrasim akcjone heroike, pse kto lypen pernjimend therori të mdhaja nga vepruesat – u banë në sherbim të të huejit e jo gjithaq në sherbim të Shqipnisë. Po t’ishin krye kto akcjone ndermjet prillit 1939 e qershorit 1941, atëherë po do t’i kishim ndjehë si akcjone patrijotike shqiptare.” (Át Paulin Margjokaj “Kush janë anmiqt e Shqipnisë?” F.64.) Kjo është logjika e historianit shqiptar të paanshëm e të paindoktrinuar. Me pak fjalë le të kujtojmë se çfarë i solli Shqipërisë e ashtuquajtura “ Luftë Nacional-Çlirimtare”, që mundohet t’a paraqesë me nota poetike e romantike historiani ynë. Shqipërinë e bashkuar, në kufijtë e saj etnikë, ëndrrën gjysëm shekullore të gjithë bijve më të vlefshëm të këtij Kombi, disa prej të cilëve i kujton edhe Xhufi, fituesit e luftës e dorëzuan sa hap e mbyll sytë, madje duke ndihmuar edhe me armë ushtrinë jugosllave të rimerrte ato treva që dikur u a kishin dhuruar Fuqitë e Mëdha. E ky qëndrim nuk mund të quhet ndryshe veçse turp kombëtar se është shprehje e hapur e një tradhëtie kombëtare. Vetëm fanatikë trundryshkur të regjimit komunist mund t’i japin një tjetër emërtim kësaj dukurie. Krahas saj duhet nënvizuar fakti se fituesit e luftës nuk ndërtuan një sistem demokratik në Shqipëri, nuk bënë që ajo të ishte “pjesë e familjes së madhe evropiane e të vlerave të saj të lirisë e të demokracisë”, siç mëton, duke e ditur se gënjen, vetë Xhufi. “Përkatësia” në atë familje ishte një tjetër mashtrim i madh që shërbente për të marrë ndihmat nga anglezët e amerikanët, të cilët në Teheran kishin pranuar të plotësonin të gjitha tekat e Stalinit në lidhje me perandorinë e tij të ardhme. Fitorja e aleatëve nuk i solli Shqipërisë sistemin e demokracive anglo-saksone, por diktaturën më të egër të gjithë historisë së saj, me të gjitha pasojat ogurzeza e të stërnjohura për të gjithë. Rreth gjashtëdhjetë vjet më pas, një President i madh i ShB.A., Xhorxh Bush, pati burrërinë e ndershmërinë të pranojë në Riga se 9 maji, “dita e fitores”, për popujt e Lindjes ishte dita e robërisë. Këtë pohim të Bushit, këtë të vërtetë të madhe që na përket edhe neve e historisë sonë, Xhufi e të ngjajshmit e tij, mundohen t’a lenë në harresën biblike, duke mos folur asnjëherë për krimet e komunizmit, mbasi nuk mund të “ shfrytëzojnë” arkivat, një tjetër gënjeshtër që përdoret si gjethe fiku për të mbuluar zellin e mbrojtjes së diktaturës. Vetëm një të vërtetë thotë Xhufi në intervistën e tij kur shprehet se “ vjen një ditë kur dhe historianëve u shkruhet historia”. Ajo ditë ka ardhur, por ai dhe disa kolegë të tij do t’a kuptojnë kur të ballafaqohen me mendimet e studjuesve të rinj, të paindoktrinuar, objektivë, që do të shkruajnë historinë e vërtetë të këtij Vendi. Atëherë do të kuptojnë se epoka e tyre ka perënduar së bashku me iluzionin se gënjeshtrat e tyre do të kenë ende të drejtë qytetarie tek shqiptarët. Sa i përket figurës së Mustafa Krujës, Xhufi është shumë i vogël të japë një mendim për të. Ai shumë shumë mund të shajë, një veprim që e ka mësuar bashkë me qumështin e nënës, por një proverb i njohur i yni thotë se “I shami të shan”. Personaliteti i fuqishëm poliedrik i M. Krujës, i shpalosur më së miri në Konferencën shkencore përkujtimore të 27 dhjetorit 2008 në Tiranë nga studjues të mirëfilltë, të njohur e objektivë, i vlerësuar nga shumë autoritete të jetës politike e kulturore të Kombit, gjatë një shekulli, i dëshmuar me një varg veprash gjuhësore, historike e publiçistike të botuara në vitet e fundit e të tjerash gati për botim, nuk mund të skalfitet e as të errësohet aspak nga shprehjet e një njeriu që nuk ka asgjë të re për t’i thënë opinionit publik shqiptar.