Veshtiresoni e mos lehtesoni
Hamdi Nuhiju <[email protected]> Sat, 22 Sep 2012 14:49:26 +0200
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <CABPCUFkHE+BtCEOpO1Qbu_7aQqiCB4i1=bm+r=--arpNkiMtRA@mail.gmail.com> |
*Vështirësoni e mos lehtësoni* *Hamdi Nuhiju* Njeriu është i prirur që të jetoje midis dy ekstremeve. Herë futet në njërin ekstrem duke mënjanuar tjetrin, e herë sulmon ekstremin e tij për interesa të ekstremit tjetër. Nuk ka dyshim, se kjo krijesë është shoqërore, aspak individuale, përderisa individualizmi pengon prosperitetin e tij edhe vertikal. Kjo krijesë homogjene, ka mundësi që të riciklohet deri në përmasa të frikshme, po asesi të robëroj mendjen në disfavor të epshit. Epshi është njëri ekstrem, ndërsa logjika ekstremi tjetër. Po qe se nuk do t`i mendonim drejt këto dy terme, do të më akuzonin për blasfemi. Si është e mundur që logjika të jetë ekstrem, kur Islami është fe e logjikës, e mendjes, e diturisë, e planifikimit, e avancimit, e prosperitetit, etj? Qasja e shpirtit dhe e trupit, pa prezencën e mendjes është një lloj ekstremizmi në vete. Ekzistenca e mendjes pa zemrën është lloji tjetër i ekstremizmit. Allahu Fuqiplotë ka krijuar diversitete të ndryshme, por nuk e ka lënë njeriun vetëm në njërin skaj të pasqyrës pa i dhënë mundësi për ta shijuar ose perceptuar edhe skajin tjetër. Përderisa njeriu jeton midis ekstremeve, ai normalisht që nuk do të ketë mundësi që gjithmonë ta kontrolloje vijën e kuqe, ose atë vij të artë e cila mban në balancë ekstremet. Ndonjëherë do të tentohet që të thyhet ajo vijë, pasi që njeriu është krijesë e ngutshme. Paramendoni sikur porosia e Pejgamberit alejhi selam të ishte në formën e titullit tonë, çfarë pamje do të merrte shoqëria islame? Vështirësoni e mos lehtësoni është slogani tendencioz i cili po aplikohet nga shumë grupe të myslimanëve. Një grup i caktuar i myslimanëve sektar thirren në ajetet e paqes, duke manipuluar me to, vetëm pse rrezikohet ndikimi dhe ekzistenca e tyre biologjike. Grupi tjetër i myslimanëve thirren në pamjen e jashtme duke mënjanuar totalisht logjikën e brendshme, shpirtërore, të individit dhe shoqërisë myslimane, me të vetmen arsye për të rritur numrin e ndjekësve të tyre, po edhe për të mbajtur gjallë diktaturën e tyre politike në një shtet të caktuar. Shtrirja ose kultivimi i ideologjisë mbisunduese nëpër shumë rrethe të myslimanëve me tendenca të këtilla asimiluese nxjerr në pah idenë e vështirësisë para lehtësimit. Myslimanët nuk duhet të ndjekin myslimanët sektar që gjithçka kanë të lejuar, po as ato grupe të myslimanëve që gjithçka ndalojnë duke u bazuar vetëm në pamjen e jashtme të individëve dhe shoqërisë. Myslimanët janë popull i mesit, e asesi i ekstremit. Pejgamberi alejhi selam dha arsyetimet e tij për paganizmin që ndodhte rreth Qabes duke i lënë ndjekësit të tij hapësirë për ta rrënuar dhe rindërtuar këtë tempull të shenjtë. Ai tha në një hadith të tij:” Ajshe, po të mos ishte populli yt, në distancë kohore aq afër paganizmit , unë me siguri do të kisha urdhëruar ( për Qaben të rrënohet) dhe ajo do të ishte shembur, e pastaj do ta kisha përfshirë aty atë pjesë e cila ka mbetur jashtë saj, do ta kisha bashkuar ( derën ) me tokë dhe do t`i kisha bërë dy dyer: derë nga lindja dhe derë nga perëndimi dhe me këtë do ta kisha vënë në themelet që ia pat vënë Ibrahimi”. Mos njohja e Zotit, ose shoqërimi i idhujve në adhurim ndaj Zotit nga ana e arabëve të asaj kohe, ishte njëra prej arsyeve që Pejgamberi Muhammed të thoshte këtë hadith. Më vonë, Ibën Zubejri ka shembur Qabenë për ta rindërtuar. Ka shembur idenë që kthente arabët në paganizëm, në jetesën e ekstremeve ku epshit i jepet përparësi para logjikës, për ta rindërtuar, për ta rikthyer në mesin e artë, ku logjika, arsyeja, kontrollimi i epsheve janë gjella kryesore dhe e përditshme e jetës së besimtarit. Disa grupe të myslimanëve, mistike, doktrinë kryesore kanë shkatërrimin e epshit, ndërsa doktrina e Pejgamberit Muhammed alejhi selam është kontrollimi i epshit përmes martesës, si njëri prej mjeteve efikase për ndalimin e prostitucionit, parregullsive psikologjike, shpërndarjes së drogës, alkoolit, mos stabilitetit politik, ekonomik e shoqëror. Akuzohen grupet e caktuara të myslimanëve pse në udhëheqësin e tyre nuk kanë përfshirë asnjëherë nacionalitete tjera. Harrojnë të përmendin përshtatjen me rrethanat shoqërore, ekonomike dhe politike që mbretërojnë në botë, duke i dhënë hapësirë myslimanëve që të janë në të njëjtin grup të mesit, por me nacionalitete të ndryshme. Zoti njerëzit i krijoi në popuj dhe fise të ndryshme me qëllim që të njihen ndërmjet veti e jo që të luftojnë ndërmjet tyre. Islami është fe e lehtësisë e aspak e vështirësisë. Pejgamberi alejhi selam, gjithmonë ka preferuar më të lehtën për ummetin e tij, përpara më të vështirës, ndërsa grupet e caktuara të myslimanëve sot, për të tjerët proklamojnë më të vështirën duke bërë të ndaluar gjithçka, ndërsa për veti preferojnë më të lehtën. Ky është defekti i shekullit, i cili mund të mënjanohet vetëm se me sinqeritetin në qëllimin e bërjes së veprave në rrugën e Allahut.