C`t`i bëj zemrës

Hamdi Nuhiju <[email protected]> Sun, 30 Sep 2012 12:07:35 +0200
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <CABPCUFnr9YNk209b4Cqh2r86cYvHG_ZNdwQrKJNyJUXXcJFijg@mail.gmail.com>
C`t`i bëj zemrës

Hamdi Nuhiju



“C`t`i bëj zemrës, s`u lodh së dashuruari;

Shkon e bje në dashuri pa më pyetur gjësendi,

Kthehet zemra e më këshillon për mirë;

I dashuruari s`lodhet së dashuruari...”-Junus Emre

Zemra mund të lodhet nga mendja, ajo mund të traumatizohet nga sytë, nga
bukuria vet. Por, dashurinë, nuk mund as ta përjashtojë, as ta izolojë, as
ta zvogëlojë, as ta mënjanojë, as ta shtyp, as ta përbuzë, e as ta
përdhunojë. Dashurinë ajo e zgjon, e gjen, e zbukuron, e afron, e ledhaton,
e përkëdhel, hidhet në prehrin e saj, sikur të ishte fëmija që kërkon sisë.
Dashuria nuk mund që të ketë kuptim tjetër jashtë zemrës. Ndërsa zemra nuk
mund të ketë kuptimin e dashurisë po qe se nuk është e stolisur me besimin.
Të gjitha shkojnë bashkë në drejtimin e njohur, po askush nuk ndalon të
mendojë se mund që të shkapërderdhet gjithçka përveç mendjes dhe zemrës për
dashurinë.

Zemra është si hiri, shkon e bje në dashuri pa e pyetur askënd. Kryelartë,
lozonjare dhe mjaftë thumbuese. Ajo lëshon mjaltë si bleta, erë si
trëndafili, xhevahir si toka. Në të gjendet dashuria. A mund ta
paramendojmë ngritjen e njeriut nga ana e Allahut xh.sh. me përmendjen e
gjetjes së tij në zemrën e robit të sinqertë?

Jo çdo zemër është e përvëluar nga dashuria. Dhe jo secila shkëlqen si yll
ndriçues që orienton shpirtrat e besimtarëve drejtë horizonteve të
Krijuesit.

Kthehet zemra e më këshillon për mirë. Allahun duhet ta besosh, adhurimet
duhet ti kryesh, në haxhin e shpirtrave patjetër të shkosh. Përndryshe
çfarë kuptimi do të kishte ashku, pa ashikët e rrugës së të Vërtetës? Si do
të mund ta definonim vetveten në vetvete, po qe se harrojmë se jemi krijuar
vetëm për ta adhuruar Allahun e për asgjë tjetër? Këshillat e zemrës merri
seriozisht, ato mos i mënjano anash e as mos mendo se janë të dëmshme për
shëndetin shpirtëror tëndin. Edhe pse sytë lëngojnë nga lotët e përvëluar
nën ashkun e ashikëve, zemra duhet që të jetë pjellore me ujitjen e
vazhdueshme nëpërmjet dhikrit, sadakasë e zekatit tënd. Paramendo të mos
përmendësh Zotin dhe të shpresosh në zemrën e gjallë! Si të duket jeta pa
prezencën e zemrës në secilin skaj të saj? Njeriu i ditur e di, se ekziston
vetëdije e mendjes, po edhe vetëdije e zemrës. Po qe se do të ekzistonte
vetëm vetëdije e mendjes, pa vetëdijen e zemrës nuk do të kishte kuptim,
ashku, mirësia, dëlirësia, zemërgjerësia, butësia. Në të do të mbilleshin
syefaqësia, smira, xhelozia, dashuria për këtë botë dhe jo për botën e
përtejme.

I dashuruari s`lodhet së dashuruari për asnjë moment, për asnjë sekondë. Ai
e di se vlera e dashurisë karshi urrejtjes është më madhja vlerë në këtë
botë. Të urresh të keqen dhe ta dashurosh bërësin e të keqesh me qëllim
përmirësimin e tij, nuk është gjë e kot. E as mendim i verbër, që të
gjendemi përballë gjykatave dhe të gjykohemi me burgim të përjetshëm.

Pejgamberi Muhammed Mustafa alejhi selam, ylli i Pejgamberëve, ka
thënë:” Shfrytëzo
pesë gjëra, para se të arrijnë pesë gjëra të tjera: Rininë para pleqёrisё,
shëndetin para se të sëmuresh, pasurinë para se të varfërohesh, kohën e
lirë para se të jesh i zёnё dhe jetën para se të vdesësh”.

Të gjitha këto pesë gjëra lidhen me dashurinë. Ajo i mbledh në vetvete dhe
i shtrydh për të nxjerr lëngje të dobishme për njerëzimin. Shfrytëzimi i
rinisë para pleqërisë, në rrugën e mirësisë, devotshmërisë, thirrjes, e
moralit, a nuk është në saje të shfrytëzimit të dashurisë? Apo ndoshta
është urrejtje rinia e kaluar në mirësi, devotshmëri, thirrje, e moral?
Shëndeti, para sëmurjes i mundëson ashikut që ti kuptoj shkallët e ashkut.
Si mund të jetoj ashiku me ashkun pa kryer adhurimet të cilat janë të
lidhura direkt me shëndetin e tij? Ato janë të rënda për njeriun e sëmurë,
dhe në ashk, dashuri nuk ka rëndesa, por vetëm lehtësi. Pasuria a nuk të
bën të kënaqur dhe të dashur për njerëzit dhe për Krijuesin e dashurisë kur
ndihmon njerëzit, dhe varfëria të rrejtur për njerëzit kur bëhesh barrë e
tyre? Koha e lirë dhe jeta para vdekjes, nuk do të kishin kuptim pa
dashurinë....

“Ashiku që mbetet në shpirt, s`bëhet ashik;

S`arrin te i dashuri kush shpirtin s`e braktis...

Ashiku është një vetë; pasuria në këtë botë

Është vuajtje për ahiret;s`e vlen asgjësend...”-Junus Emre

Ashiku që mbetet në shpirt, s`bëhet ashik, por ngelet shpirt. Si mund të
dashurosh dhe të mos funksionosh në këtë botë? Dëshiron që të marrësh
rrolin e murgjërve, priftërinjve në këtë botë që deklarojnë shpirtin dhe
shtypin trupin? Ashiku nuk deklaron asnjërën, por jeton në zemra. Nuk arrin
te i dashuri kush shpirtin s`e braktis për të dashurin. Kush është i
dashuri, po qe se nuk është Krijuesi i dashurisë?

Ashiku është një vetë; pasuria në këtë botë, vuajtje për ahiret, s`e vlen
asgjë sendi, pasuri dhe vuajtje gjenden dy dyer në mendjen e ashikut.
Pasuri e mbushur nga ena e pafundme e Krijuesit, me frymëzim, meditim, dhe
vuajtje nga mungesa e mallit dhe takimit me të dashurin. Pasuri e peshuar
me peshojat e ahiretit dhe jo të dynjasë dhe vuajtje e nxitur nga peshojat
e dynjasë dhe për në rrugën e ahiretit.

“Ashiku vdiq-thonë-këndojnë sala;

Ashiku s`vdes, vdes kafsha...

Brenda kësaj bote, brenda te përjetësia,

Ashiku e ka vendin e vet, askush s`e di...”-Junus Emre

Njerëzve i duket se ashiku vdiq dhe dëgjuan sala. Por, me rëndësi është që
të dukemi si jemi dhe jo të bëhemi ashtu si nuk jemi. Ashiku s`vdes, thotë
Junusi, por vdes kafsha, që gjendet brenda ashikut. Kush është kafsha, po
qe se nuk është epshi? Dhe kush është epshi, po qe se nuk i përngjan
kafshës? Epshin mbyte nëse nuk mundesh ta kontrollosh, ky është rregull i
mistikëve, kontrolloje pasi që nuk mundesh ta mbytësh, ky është rregull i
ortodoksëve. Të dy rregullat vlejnë në shpirtin, mendjen dhe zemrën e
ashikut. Ai, pra ashiku, e ka vendin e tij, askush s`e di, as Junusi vet.
Të kërkosh në të djathtë e në të majtë, lartë e poshtë, do të gjesh frymën
e ashkut, por ashikun se gjen dot. Të kërkosh në lartësi e në brendësi, në
thellësi, e në yjësi, frymë ashku gjen, ashikët, nuk i gjen dot. Ata
gjenden në safin e parë të namazit të sabahut, në vijën e parë të frontit
për mbrojtjen e nderit të besimtarit, në karvanin e ndihmuesve ndaj të
varfërve, në rrugën e Haxhit, në mexhliset e dijes e dhikrit.

“Sheshi ashikëve, më i larti se Arshi;

E tundin shkopin, s`duket ku është topi;

Kur Junusi të humbasë në këtë besim,

S`do t`i thotë mendja të kthehet përsëri...”-Junus Emre