Dijetar e luftëtar

Hamdi Nuhiju <[email protected]> Fri, 19 Oct 2012 12:20:53 +0200
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <CABPCUFm+uod6tX9OoM7pG2wqauL4GK9WQUcYQG3Gc43EeUHJwA@mail.gmail.com>
Dijetar e luftëtar
http://zhurnal.mk/content/?id=12101911175027


 <http://zhurnal.mk/image.aspx?img=hamdi-nuhiu-210x210_21.jpg>
Është e vërtet se Kumanova gjatë luftës së 2001 ka dhënë bijtë e saj më të
mirë, po jo vetëm kaq. Ajo edhe në të gjitha betejat vendimtare të popullit
shqiptarë ka dhënë burra e gra të cilat i kanë shërbyer kauzës së çlirimit
të tokave tona nga pushtuesit sllav, bizantin, romak, italian etj. Këto
njerëz e treguan veten duke u bërë fli për kauzën. Po si ishte kthimi i të
mirave nga flijimi i tyre?

*Hamdi Nuhiju*

Këto ditë, në qytetin e Kumanovës u bë përurimi i objektit të ri të
Fakultetit të Administratës së Biznësit, fakultet që funksionon në suaza të
Universitetit Shtetëror të Tetovës. Nuk ka dyshim se ky lajm është shumë i
rëndësishëm për qytetarët e Kumanovës dhe të Komunës së Likovës. Është një
akt historik, i cili tregon vëmendjen minimale të qendrës ndaj këtij vendi
periferik.

E mbaj mend, agjentët e Universitetit “ Shën Kirili dhe Metodi”, para shumë
viteve, nëpër shkollat e mesme të Kumanovës, bënin një anketë se çfarë
fakulteti duan kumanovarët. Qëllimi i asaj ankete ishte që në Kumanovë të
hapet ndonjë fakultet për kërkesat e kumanovarëve e të tjerëve. Kur u
kuptua se numri më i madh i kumanovarëve, nxënës të shkollave të mesme,
janë shqiptarë, dhe se duan Fakultetin Ekonomik në Kumanovë, pa marrë
parasysh se cili universitet do të vendoste që ta sjell, menjëherë u
ndërpre iniciativa, dhe tashmë së voni, ky universitet, hapi universitete
të reja vetëm në pjesën maqedonase të Maqedonisë. Në atë kohë, ne, nxënësit
e shkollave të mesme shqipe, mësonim në kushte katastrofike, në tre
ndërrime. Shkaktar kryesor të kësaj ishin, rrahjet e vazhdueshme që
bëheshin midis nxënësve shqiptar me nxënësit maqedonas, në objektet e
përbashkëta. Atëherë u mor hapi historik për ndarjen e paraleleve shqiptare
nga shkollat e përbashkëta me maqedonasit, dhe hapjen e shkollave tërësisht
shqipe.

Ajo që sot nxënësit shqiptarë  të Kumanovës e gëzojnë, është arritur me
shumë mund dhe sakrificë. Po tashmë ato kanë edhe një objekt modern të
Fakultetit të Administratës së Biznesit.

Është e vërtet se Kumanova gjatë luftës së 2001 ka dhënë bijtë e saj më të
mirë, po jo vetëm kaq. Ajo edhe në të gjitha betejat vendimtare të popullit
shqiptarë ka dhënë burra e gra të cilat i kanë shërbyer kauzës së çlirimit
të tokave tona nga pushtuesit sllav, bizantin, romak, italian etj. Këto
njerëz e treguan veten duke u bërë fli për kauzën. Po si ishte kthimi i të
mirave nga flijimi i tyre?

Komuna më e pazhvilluar në Republikën e Maqedonisë është Komuna e Likovës.
Ndërsa, kushtet më të mira klimatike në tërë Republikën e Maqedonisë i ka
Komuna e Likovës.

Është e habitshme që nga këto anë të dalin aq trima e luftëtar të mëdhenj
që mbrojtën qenien shqiptare të gjitha trojeve tona, ndërsa kujdesi për
zhvillimin bujqësor shkon në Komunat përreth Tetovës, e as një për qind e
atij kujdesi nuk derdhet në Komunën e Likovës.

Njeriu çuditet, kur kupton sakrificën e këtyre njerëzve, ndërsa fëmijët e
tyre jetim, sot janë të papërfillur nga askush.
Të gjitha investimet në blegtori shkojnë në disa komuna të Tetovës e të
Kërçovës, ndërsa Komuna e Likovës, vendi ku u derdh gjaku shqiptarë,
zbrazet për shkak të varfërisë së skajshme.

Me këtë nuk dua të them se bëhet keq që investohet në komunat e Tetovës e
Kërçovës, po duhet të ekzistoj tretmani i njëjtë edhe për Komunën  e
Likovës dhe të Kumanovës.

Fshati Nikushtak është vetëm një shembull, vetëm një pjesë e kësaj ane, e
cila me rrush e me bostan mund ta furnizoj komplet gadishullin Ballkanik, e
jo vetëm Maqedoninë, ndërsa m`u në fshatin Nikushtak gjen njerëz që janë
skajshmërisht të varfër, për shkak të mos përfilljes së pushtetit politik
të resurseve natyrore dhe ekonomike që ekzistojnë në atë vend.

Likova është një vend turistik, i cili më pak përkushtim dhe investim nga
ana e pushtetarëve tanë, mund të marr pamjen e Mavrovës, ose të Sharrit. Po
ajo nuk përfillet aspak, dhe përveç disa investime individuale të disa
biznesmenëve të caktuar, fatkeqësisht nga pushtetarët tanë nuk ka asnjë hap
konkret për zhvillimin e këtij vendi.

Bellanoci është një fshat malor, ku mund të zhvillohet turizmi malor, në
qoftë se investohet në infrastrukturën e këtij fshati, po edhe në qoftë se
ky fshat paraqitet si atraksion turistik para investitorëve të huaj.
Gati të gjitha fshatrat e kësaj ane, i plotësojnë të gjitha parametrat
natyrore për një zhvillim të mirëmbajtshëm ekonomik. E vetmja gjë që duhet
bërë, është zhvillimi i infrastrukturës dhe krijimit të kushteve për
investime në këto vende. Si duket këto gjëra nuk janë në vëmendjen e
politikanëve tanë as të tanishëm as të dikurshëm. Në listën e prioriteteve
të tyre nuk është zhvillimi i Komunës së Likovës dhe të Kumanovës.

Mund të themi se është e vërtet që nga universitetet mund të dalin dijetar
të ardhshëm që do t`i shërbejnë popullit shqiptar. Atyre dijetarëve të
ardhshëm do t`u duhen punësime, kushte për mbijetesë, se përndryshe përveç
ngrënies së diplomave universitare, do të fillojnë ta hanë edhe vetveten
nga uria.