Aleksandër Ndoja: Mirditë, shuhet gjakmarrj a mes dy familjeve
Paul Tedeschini <[email protected]> Sun, 14 Oct 2012 06:54:28 +0100 (BST)
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
Aleksandër Ndoja: Mirditë, shuhet gjakmarrja mes dy familjeve Burrat shtrëngojnë duart e pajtimit duke u betuar për jetë të jetëve Fshati Prosek është vetëm pak km në të dalë të qytetit të Rrëshenit me drejtim Lurën. Dy muaj më parë në këtë fshat u lajmërua një ngjarje e rëndë, me shkëmbim zjarri mes dy familjeve dhe të plagosur. Nuk vonoi shumë dhe po nga ky fshat vjen mesazhi i pajtimit mes dy familjeve në konflikt. Një mesazh disi i rrallë në ngjarje të tilla, të cilat shërbejnë si pikë nisje për ngjarje të rënda të njohura tashmë. Janë familjet e Pal Gjin Lleshit dhe Kolë Gjetë Dedës që në mënyrë publike shtrënguan duar e pajtimit duke lëshuar mesazhin që kjo ngjarje të ketë ndikimin e vet në të tjera raste. Historia e një gjaku të pajtuar. Ka qenë data 23 korrik e këtij viti, kur një granatë tejet e rrezikshme ka shpërthyer në oborrin e Pal Gjin Lleshit në fshatin Prosek të Mirditës. Agresori ka marrë si kundërpërgjigje një breshëri automatiku, por fatmirësisht i gjithë ky teatër absurd është finalizuar pa viktima në jetë njerëzore, por vetëm me plagë të lehta. Tensioni është rritur në ekstrem mes dy familjeve të këtij fshati, asaj të Pal Gjin Lleshit dhe Kol Gjet Dedës, familje të mirënjohura për fqinjësinë e mirë mes tyre, por edhe për lidhje të ndërsjellta miqësore. Pas kësaj ngjarje të rëndë “natyrshëm” vjen ngujimi, precipitimi i ngjarjeve fatkeqe. Skeptikët thonin se u shtua edhe një rast gjakmarrje në fshat. Shoqatat e shumta, ja edhe nja rast për përfitime, ndërsa nxitësit prisnin që të shënohej ndonjë tjetër “Marie Cuku” në rastin më të keq, apo ndonjë zinxhir tjetër ngjarjesh që jemi mësuar ti dëgjojmë më shumë se kurrë kohët e fundit. Por ndodhi që një ditë më parë, afro dy muaj e gjysëm pas kësaj ngjarje, në familjen e Pal Gjin Lleshit troket familja e Kol Dedës e sapo dalë nga ngujimi. I shoqëruar nga të afërm të familjes dhe individë ndihmës në këtë pajtim, Kola shtrëngon duart me të zotin e shtëpisë ku i biri kishte hedhur lëndën plasëse me rrezikshmëri të lartë për jetën. Me kokën ulur dy kryefamiljarët e familjeve në gjak ulen të heshtur përballë njëri tjetrit. Ndoshta imagjinata e tyre shkonte tej, në historinë e gjatë të përbashkët, dhe ngjarja e rëndë e ndodhur në fund korrikun e nxehtë i cili ngriti një “klon” të vështirë mes tyre. I pranishëm edhe deputeti i zonës z. Ndrec Deda i cili vlerëson lart aktin burrëror të atij që fal. Si u realizua shuarja e konfliktit mes dy familjeve të Prosekut. Pal Gjin lleshi, pasi kujdeset që të gjithë të zënë vend në dhomën e tij të ndënjes mundohet të shpjegojë disa detaje të konfliktit. Por shpejt e kupton se askush nuk e ka mendjen te ajo ditë e zezë, kur djemtë e tyre Alberti dhe Gëzimi gjeneruan atë konflikt. Tashmë ajo i përket të shkuarës që të gjithë nuk duan ta kujtojnë. Pali thotë se zakoni e donte që familja e Kolës të ngujohej brenda katër mureve. Dyshohej se djali i tij kishte hedhur granatën që kishte shpërthyer në oborrin e Lleshajve. Erdhën shumë, dashamirës dhe të tjerë. Askujt nuk ja hapa derën për këtë punë. Djali im edhe se shënjestër për viktimë, ishte dhe vazhdon të jetë i ndaluar në burg për këtë ngjarje. Por siç rrëfen më tej Pali, nuk u kishte besuar syve teksa në derë kishin trokitur tre burra, mes tyre “gjakësi” me duar të lidhura sipas zakonit. Mu errën sytë- thotë ai. Nuk mund të duroja më tej këtë skenë të vështirë në oborrin tim, ndaj dhe pa u menduar tentova ta zgjidh, por ishte e pa mundur. Toma që shoqëronte të lidhurin nxjerr një xhepi i tij një palë gërshërë. Duket se ky kishte paramenduar çdo detaj, madje edhe zënien në befasi të zotit të shtëpisë. Pas kësaj vijnë shtrëngimet e duarve dhe firmosja e një deklarate të përbashkët ku spikasin fjalët…. “në jetë të jetëve, kurrën e kurrës, miqësi dhe vëllazëri”. Ndërsa Kol Deda thotë se për dy muaj me rradhë situata ka qenë shumë e rëndë në familjen time. Nuk e kishim pritur kurrë një konflikt të tillë. Kur kam mësuar rreth ngjarjes në pak minuta kam sjellë në mendje raste të shumta, sidomos të kohëve të fundit, kur për konflikte edhe më të lehta palët kanë përfunduar të ngujuar, e aq me keq të vrarë. Ndaj kam bërë çdo përpjekje për të siguruar besë. Janë marrë shumë me këtë ngjarje të rëndë, por kthenin me kokë ulur pasi nuk mundnin ta shuanin konfliktin. Atëherë vjen Toma i cili më propozon ta ndiqja sipas një zakoni të vjetër. Pata dyzim të fortë për momentin, por edhe besim te burrëria e Palit. Ashtu bëmë. Mbërritëm në derën e Palit nga i cili kisha marrë ultimatumin për tu ngujuar brenda shtëpisë time. Për një moment pasoi heshtja. Si nëpër film përfytyroja momentin kur…pikërisht në atë vend ku ndodhesha unë, në oborrin e Palit, vetëm dy muaj më parë kishte shpërthyer një granatë që edhe mund të shuante jetë njerëzish. Pas kësaj e kam parë veten teksa shtrëngoja duart me të zotin e shtëpisë dhe familjarët e tij. Ndrec Deda deputeti i zonës thotë se jam shumë i privilegjuar që marr pjesë në këtë ceremoni të thjeshtë dhe kuptimplote nga e cila duhet të marrin shembull shumë familje në mbarë vendin. Ndreca thotë se akti i këtyre burrave është shumë fisnik. Akt që parandalon një të keqe që nuk i dihet fundi. Ai kërkon ti falënderojë publikisht për aktin burrëror, pasi siç dihet, burrat falin. Flet Tomë Biba, si arrita të pajtoj dy familjet? Sapo mësova ngjarjen e rëndë më erdhi shumë keq. I njihja dy familjet pasi profesioni i veterinerit kishte bërë që unë të shkoja shumë shpesh si në të gjithë fshatin, edhe në këto dy familje. Më rastisi që vizitën e rradhës ta bëja të familja e ngujuar, ku gjej të zotin e shtëpisë Kolën në gjendje pothuajse të shokuar. Pasi e pyeta nëse kishte bërë përpjekje për të shuar konfliktin Kola u përgjigj se disa persona kishin shkuar për këtë arsye te shtëpia e Palit, por ishin kthyer pa ndonjë fjalë të mirë. Në këto kushte jam menduar gjatë dhe kam udhëtuar në drejtim të Kashnjetit nga kam origjinën time dhe kam kontaktuar me njerëz të ditur të fisit Paluca në atë zonë, të mirënjohur për pajtimin e gjaqeve. Pas rrahjes se mendimeve varianti më efikas ishte ai që ti mbushja mendjen Kol Dedës të paraqiteshim sipas një rregulli të caktuar në shtëpinë e gjakësit. Me ndihmën edhe të z. Gjergj Përgega ashtu u bë. Dilema jonë mori fund kur dy burrat në gjak u përqafuan me njëri tjetrin. Në shuarjen e këtij konflikti ndihmë edhe drejtuesit e policisë vendore. Pal Lleshi thotë se që prej ngjarjes situate është mbajtur nën kontroll dhe vëzhgim edhe nga policia Mirditës. Një ndihmesë të drejtpërdrejtë ka dhënë shefi i këtij komisariati z. Alfred Nomani dhe inspektori i policisë z. Preng Kaçorri. Lleshi thotë se jam thirrur në zyrën e shefit të komisariatit, pasi policia ishte informuar për ngujimin e familjeve. Kemi biseduar gjerë e gjatë me shefin, nga ku kemi dalë të kënaqur për përkujdesjen e tij në shuarjen e këtij konflikti që nga një pa përgjegjësi e mundshme mund të precipitonte për më të keqen. http://www.tiranaobserver.al/2012/10/12/mirdite-shuhet-gjakmarrja-mes-dy-familjeve/