[AlbClub] Ministri i brendshëm dezinformon, p o kryeministri?!
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <015401c86243$144cfda0$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List *** Ministri i brendshëm dezinformon, po kryeministri?! [Gazeta Shqiptare, 29.1.2008] Më 17.1.2008, në një bisedë televizive, ministri i brendshëm dezinformoi se Shqipëria qenkësh më mirë se shumë vende perëndimore, për sa i përket aksidenteve automobilistike që përfundojnë me vdekje. Ai, ministri Bujar Nishani nuk paskësh asnjë faj që gjatë vitit 2007 që ai ishte ministër, në rrugët që ai policon kanë humbur jetën 95 njerëz më shumë (37% më shumë) se një vit para, vitin që policonte ministri Sokol Olldashi. Po kryeministri, a do të vendosë të kërkojë shkarkimin e këtij ministri?! Dezinformimi Ja pjesë nga biseda televizive e ministrit: "Janë disa statistika që kanë të bëjnë me numrin e popullsisë dhe me sipërfaqen, që në mënyrë të tillë i hartojnë të gjitha organizmat e specializuara. Numri i popullsisë llogaritet për 1 milion banorë, dhe numri i sipërfaqes sipas vendit përkatës. [...] Shqipëria në vitin e saj më problematik, që është 2007-a, ka pasur 105 vdekje për 1 milion banorë [...], Austria ka 119 vdekje për 1 milion banorë, dhe për sipërfaqen që ka." Më tej ministri vazhdoi me listën: Franca 122, Greqia 150. Kur drejtuesi i emisionit televiziv e pyeti, "po, sa makina kanë këto vende", pra cila është influenca e numrit të automjeteve në krahasimin e vendeve, ministri gënjeu "hazër-xhevap": "Po pra, ky [tregues-sh.y.] i përfshin të tëra". Në fakt, treguesi (indeksi, apo indikatori) në të cilin kufizohej ministri, nuk ka asnjë lidhje as me numrin e automjeteve që kanë vendet, as me sipërfaqet (?!), dhe as me gjë tjetër përveçse me numrin e të vdekurve dhe me numrin e banorëve. Ky tregues llogaritet fare thjeshtë: pjesëtohet numri i vdekjeve, me numrin e popullsisë. Kështu, numri 351 vetë të vdekur në Shqipëri, pjesëtohen me numrin 3,45 milion shqiptarë, dhe del treguesi, 105 të vdekur për 1 milion banorë. Po i plotësojmë të dhënat edhe më tej: Amerika (SHBA) ka pasur 144 të vdekur për 1 milion banorë", Italia 103 etj. Po të kufizohemi në treguesin që këmbëngul ministri, i bie që i gjithë perëndimi të vijë e të marrë "shembullin e mirë" nga Shqipëria: ia paskemi kaluar ku e ku edhe Amerikës, qenkemi njësoj me Italinë. Bota, por edhe institucionet shqiptare kanë edhe një tregues tjetër, që e përdorin vazhdimisht: "numri i aksidenteve me vdekje, për çdo 1 milionë automjete (apo për 10 000 automjete)". Nga ky tregues menjëherë zbulon se sa keq është Shqipëria. Kështu, ndërsa për Shqipërinë e vitit 2007, ky tregues është 975 vdekje për 1 milionë automjete (është një raport, sepse ne, në vlerë absolute paskemi vetëm 360 mijë automjete!), për SHBA-në është vetëm 175 vdekje për 1 milion automjete, e me radhë: për Italinë 149, Francën 202, Austrinë 217, Greqinë 288 etj. Tani, duke shqyrtuar vlerat e këtij treguesi që "na e fshehte ministri", del e qartë se jemi shumë më keq se shumë vende të globit, jemi "me mbi 6,5 herë" më keq se Italia etj. Merakosemi se mos jemi edhe më keq se kaq: po sikur edhe numri i deklaruar, "351 vdekje nga aksidentet rrugore", të mos jetë i vërtetë, pra numri real të jetë edhe më i madh; apo edhe numri "360 mijë automjete" të mos jetë i vërtetë, pra reali të jetë më i vogël?! I rekomandojmë Kuvendit t'i verifikojë, se mbase ministri ka "harruar" të regjistrojë disa persona që kanë vdekur pasi janë nisur për në spital, apo ka "harruar" të heqë disa automjete që nuk funksionojnë më fare, e ka numëruar targat si automjete etj.- në llogaritjen e treguesit nga vendet e tjera, janë marrë parasysh të gjitha këto. I themi këto sepse shohim kundërthënie shqetësuese në të dhënat e institucioneve të ndryshme shqiptare, që na bëjnë të dyshojmë për mashtrimet përkatëse! Edhe treguesi i mësipërm ka kufizimet e veta. Ka tregues që marrin parasysh edhe sesa rrugë bëjnë automjetet: llogariten raporti i numrit të vdekjeve, me numrin e kilometrave gjithsej të përshkuar nga të gjitha automjetet e vendit. Një tregues tjetër merr parasysh edhe të gjithë pasagjerët etj. Natyrisht, këta tregues janë shumë më të vështirë për t'u llogaritur, meqë mungojnë të dhënat: tabelat ndërkombëtare janë bosh, kur vjen tek Shqipëria. Ja fjalët me të cilat ministri hodhi edhe një dezinformim tjetër: "Çështja e aksidenteve me vdekje, është një problem global. Unë mund të servir dy shifra, të cilat janë tronditëse gjithashtu. Vetëm natën e vitit të ri, në Greqinë fqinje, vdiqën 26 vetë nga aksidentet. Vetëm në Italinë fqinje, vetëm në 1 janar dhe 2 janar, vdiqën 58 vetë në aksidentet...". Me demek, "në vendet tjera bëhet nami, e sidomos në Itali dhe Greqi, kurse tek ne është shumë më mirë"! Një ministër italian apo grek, mund të "tronditet" nga këto vdekje, sepse do që vendi i tij të jetë edhe më mire. Por është hipokrizi t'u qajë hallin atyre vendeve (mendoni se Italia hyn në një nga 8 vendet më të përparuara të botës!), një ministër i Shqipërisë, që i ka vdekjet nga automjetet në vendin e vet, me fish më të mëdha se ato. Mund të llogarisim sesa është edhe ky dezinformimi i fundit. I përllogarisim numrat e mësipërme, 26 dhe 58, për krahasim me Shqipërinë. Ata duhen ulur së paku me dy raporte. I pari, raporti i numrit të automjeteve në secilin vend , me numrin tonë të automjeteve. Së dyti, raporti i numrit të kilometrave të përshkruar nga çdo automjet në secilin vend, me numrin tonë të kilometrave. Rezultati konkret është: për Italinë i bie 1 i vdekur gjatë të gjithë periudhës prej 8 ditësh të fillimit të janarit 2008 (kjo duke supozuar se një automjet në Shqipëri, bën mesatarisht së paku 2 herë më pak kilometra se në Itali). Gjeni sa vetë janë vrarë në rrugët tona gjatë atyre 8 ditëve, dhe aq herë më keq se Italia jemi ne. Po e lëmë Greqinë, se besojmë se mjafton Italia, që të kuptoni se ç' thotë ministri ynë. Në të gjitha këto dezinformime publike, por edhe në këtë mungesë të trajtimit të kryesores, "fajit të ministrit në krye të policisë", nuk mbeten pa faj edhe bashkëbiseduesit televizivë të ministrit, ku njëri ishte edhe ish-ministër i brendshëm i opozitës. Përse u "hipnotizuan" ashtu, saqë nuk reaguan si duhet?! Nuk pengon hyrjen tonë në NATO, as edhe pavarësinë e Kosovës, thënia e të vërtetave-përkundrazi. ShkaKu i VDEKJEVE dhe masa që duhet marrë Gjatë vitit të përgjakshëm 2007, nuk ka ndodhur asnjë ndryshim tjetër i rëndësishëm, veçse ardhjes në krye të ministrisë së brendshme të z. Nishani. Pra shkaku kryesor i këtij shtimi të të vrarëve në rrugët tona, është personalisht ministri Nishani. Shkarkimi i tij është masa kryesore që duhet marrë, të tjerat i di ministri i ri. Ky ministër zëvendësoi ministrin Olldashi, i cili pati bërë një punë serioze për përmirësimin e qarkullimit rrugor, që në vitin 2005, e gjatë të gjithë vitit 2006 (kemi shkruar në Gazetën Shqiptare më 9.7.2006, shkrimin "Policia, për mbarë"). Olldashi i uli vdekjet me 10%, në vitin 2006, krahasuar me 2005. Ministri Nishani duket e shkatërroi krejtësisht atë punë të filluar mbarë: i rriti vdekjet me mbi 37% në vitin 2007, krahasuar me 2006. Nuk dimë të ketë bërë vaki gjëkundi në botë një shtesë e tillë-mbase e di opozita, deri sa nuk pipëtin. Nuk ka sesi të ndodhte ndryshe, derisa ky ministër e quan dytësore punën e policisë, siç deklaroi me gojën e vet: "Policia është një nga elementët që ka ministria e brendshme. Apo jo?! Problemet e pushtetit lokal janë shumë herë më madhore dhe më dinamike se pjesa e policisë." Nuk besojmë të ketë një ministër të dytë në botë, që të ketë pasur kaq mosrespekt për policinë që ka në varësi. Policia ka detyrën më të vështirë, sidomos në vendet në tranzicion, si ky yni: "prefekturat" (shteti mbase funksionon më mirë pa to!) nuk ka si të jenë "shumë herë më madhore" se policia e shtetit-nuk po e përmendim pushteti lokal sepse në demokraci ai tashmë është krejtësisht autonom, nuk varet as nga ministri, e as nga pushteti qendror, siç varej në enverizëm! Diagnoza e drejtë e kryeministrit Kryeministri, si njeri që i punon truri, e diagnostikoi mungesën e punës parandaluese të policisë së drejtuar nga ministri Nishani, dhe kërkoi shtimin e përpjekjeve të saj. Ja fjalët e kryeministrit në analizën me policinë, të para disa ditëve: "...Sikur në çdo kilometër të vëmë një polic për të kursyer jetën e njerëzve-le që s'ka nevojë, por ne edhe atë mund ta bëjmë. Por nuk mund të pranojmë këtë shkallë të lartë aksidentesh të tmerrshme në rrugë." Më qartë se kaq nuk mund të thuhej. Por ministrit i interesoi që në bisedën e tij televizive që po komentojmë, të luaj pjesën sikur nuk ka kuptuar gjë. Dilema që duket se akoma nuk po e zgjidh dot kryeministri është sa vijon. Të ulë vdekjet në rrugë, gjë për të cilën duhet të shkarkojë këtë ministër, meqë ai nuk e kryen dot atë detyrë, apo të mos e shkarkojë këtë ministër, që ta ketë për futjen e policisë për të vjedhur votat në zgjedhjet e ardhshme, ato të 2009-s: duket se vjedhja e votave është gjëja e vetme që ky ministër do ta kryente mirë. Gjithsesi, në situatën konkrete çdo kryeministër do të vendoste të propozonte shkarkimin e këtij ministri, e Presidenti e Kuvendi ta miratonte me urgjencë. Bashkim Kopliku 26.1.2008 Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <[email protected]> optional: <[email protected]> Please, send important e-mails on both addresses. ______________________________________________________________ If you wish to unsubscribe, send a blank message to: [email protected] , or visit Alb-Club's page at: http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club