Re: [AlbClub] Sulmet ndaj Kadaresë
"Pellumb Kulla" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
*** AlbClub Discussion List ***
I dashur Vasil, bashkohem me ty kundër gjithë këtij vreri e kësaj
stuhije që e ka bërë shkrimtarin tonë të shquar objekt goditjesh,
shpifjesh, ngacmimesh dhe – siç thotë ai vetë në një intervistë në
Tirana Observer "Kam parë në shtypin tonë, nga të 18-të kandidatët për
çmim, (Man Broker Prize), shqiptarët ishin të vetmit që e kundërshtuan
kandidatin e tyre".
Mua më duket se Ismaili e tepëron dhe krijon një vetdefamacion me
shprehje të tilla. Unë kam patur rast të dal në mbrojtje të Kadaresë
disa herë (ende, bile, një shkrimi im, "Dekoratat e Kadaresë", qëndron
në bllogun e Shekullit) dhe kam shpjeguar se nga kush vijnë në të
vërtetë sulmet kundër tij. Nuk janë shkrimtarët ziliqarë, i dashur
Vasil, Kadareja është tepër lart, për ta zënë nga paçet e pantallonave
dhe për ta ulur poshtë! Ka shkrimtarë të tjerë që mund të arrihen e po
jetojnë qetësinë e parajsës. Sulmet nuk janë drejtuar aspak kundër
veprës së tij letrare. Andej ai është i paatakueshëm. Unë kam
përshtypjen se miku ynë Ismail Kadare, pas vitit 90 është angazhuar
ters. Ai taktikisht u është ekspozuar goditjeve dhe pastaj të zinj e
të bardhë, horrat dhe qorra, janë vërsulur kundër tij. Mua më vjen keq
dhe kam patur rastin ta diskutoj me të personalisht këtë "hapje në të
tërë frontet e luftës" Unë e çmoj veneracionin tënd për Kadarenë, gjë
që padyshim ai e meriton, por jam i bindur që tërë ajo hordhi
fanatikësh islamikë, rapsodësh e amatorësh që shkruajnë kundër tij,
nuk do ta mbyllin gojën pas mbrojtjes tënde edhe pas times. Nuk dua ta
përsëris veten duke thënë se për shumë mëndje të bytynta, nga
diktatura nuk paska mbetur pa dënuar, - pas Ramizit, Hekuranit dhe
Aranit, - veçse Kadareja dhe i lame duart! Pra një nga të paktat stoli
që solli e na la nga diktatura, dhe ajo do rëzuar! Bravo, për nder!
Por nga ana tjetër, në këtë rreth të ngushtë, ku fute shkrimin ti,
(flas për Albclubin se ve re që e paske futur dhe në shumë rrethe të
tjerë) ne na takon të gjykojmë edhe gabimet e tij jashtëletrare që i
pleqësojmë shpesh mes vedit….
Unë jam totalisht me Kadarenë, në tërë stacionet e jetshkrimit të
tij dhe ia çmoj pa rezerva krijimtarinë, duke përfshirë dhe "haraçet"
e tij ndaj diktaturës.
Shpesh, të rinj, të afërm, apo të njohur të çdo moshe na venë
përpara pikpyetjes, nëse jemi të lirë të themi mendimet tona të
vërteta, apo pesha autoritare e shkrimtarit më të mirë qe ka sot vendi
ynë, na bën të rrimë gojëkyçur.
Mbase nuk është nevoja të shprehemi për kufizimet që shihen në
horizontin politik dhe qytetar të Ismail Kadaresë. Po kursesi nuk na
pengon ai, të shfaqim opinionin tonë për këtë përpjekje të tij dhe të
miqve të tij në ndriçim të së kaluarës. Kjo luftë e tyre, në vetvete,
është thjesht jo dinjitoze. Unë do të vazhdoj ta dua Ismailin edhe për
"Shqiponjat" edhe për "Koncertin" edhe për "Pallatin" edhe për
parathënien e romanit "Thikat". Kadareja , Agolli e të tjerë kanë
meritën e jashtzakonshme që me glorifikimet e partisë dhe udhëheqjes
së tyre, paguan haraçin më të madh. Por ama fituan lartësitë me të
mëdha për të gjuajtur që andej me artileritë e tyre të fisme dhe të
efektshme, diktaturën e Hoxhës. Meritat e shkrimeve të tyre, në
përmbysjen, sado të ngadaltë, të diktaturës komuniste janë të
padiskutueshme.
Por Kadareja na dëshpëron, kur kërkon edhe tani një skeptër që
nuk i takon. Janë dy tre libra, (të cilëve Ismaili u ka bërë
parathëniet), që thonë se dërgimi i shkrimtarit tonë të shquar në
Libofshë të Fierit, ka qenë një internim. Termi "internim" është
përdorur jo saktë dhe pa vërtetësi historike. Parathënësi, të paktën,
duhet ta ketë lexuar, se ai në librat e Balliut dhe Maks Velos
klasifikohet "i internuar". Atëherë, ose shkrimtari ynë i madh nuk ka
patur rast të njohë të internuar të tjerë, ose nuk e ka ditur çdo të
thotë të të internojnë!
Të të internojnë, nuk do të thotë të të dërgojnë në Libofshë me
veturën e "Les lettres albanaises" të martën në mëngjes dhe, po me atë
veturë, të vijnë të të marrin tok me Luan Qafëzezin, të premten mbas
dite, që të të kthejnë pranë familjes në Tiranë!
Së pari, edhe kaq dënim sa thashë, për një talent të përmasave
botërore, ai ishte dënim mizor dhe i pamerituar! Por gjithësesi, nuk
kemi të bëjmë me internim dhe ky talent pikërisht, pati dyzet vjet
kohë e duhet ta kish vënë re, se internim i thonë aktit transportativ
të gjithë familjes në orën 4, në një mëngjez dimri, kur në kabinën e
ngrohtë të Skodës rrinë policët internues me armët mbi gjunjë, teksa
në karrocerinë e zbuluar, udhëtojnë motakët apo bebet me mama lehona,
bashkë me gjyshet, që mbajnë mbi gjunjë furnelën e vajgurit. Dhe pas
kësaj degdisje në Myzeqe, i internuari, jo në Tiranë, por edhe për të
vajtur në Fier, duhej t'i paraqiste kërkesën operativit të zonës dy
muaj më parë!!!
Nuk po i kërkojmë për këtë llogari shkrimtarit më të fuqishëm
evropian, se përse nuk ndikoi ai, që kjo të mos ndodhte. Nuk ia
kërkojmë këtë as deputetit dhe as nënkryetarit të Frontit Demokratik -
e as mesagjerit antikomunist që dilte në Evropën e lirë, (se as edhe
më i humburi shqiptar, nuk dyshonte se antari i PPSh, Ismail Kadare,
ishte nga antikomunistët më të vërtetë e më të ndërgjegjësuar të atij
komunizmi enverian, ashtu si shumë gjëra paradoksale që kish vendi ynë
- dhe lavdi Zotit për këtë!). Nuk i a kërkojmë, se të tërë e dinim sa
fuqi kundërshtuese prodhonin gjithë ato funksione e mundësira të
njeriut tonë të shquar. Ne i kërkojmë bashkëkohësit tonë Kadare të
ketë pak më tepër respekt për internimin e dikurshëm.
Para nja dy vjetësh, shkrimtari ynë qe shfaqur në Shekulli me një
artikull. Ia vlen që te ky artikull i Kadaresë, të ndalesh. "Botimi i
paketës së parë të dokumenteve për përgjimin e shkrimtarëve dhe të
artistëve", - shkruan atje Ismaili - "përpiluar nga drejtori i
përgjithshëm i Arkivit Shtetëror të Shqipërisë, dr. Shaban Sinani,
krijoi bashkë me nervozizmin, një solidaritet të sëmurë kundër librit
dhe autorit"…
Për mendimin tim, doktorit tregtar, Shaban Sinani, nuk i ka
thënë asnjeri që të mbyllë e të mos shfaqë dokumenta që reflektojnë
historinë e diktaturës. Le të thotë Ismaili një emër, që i ka
kundërshtuar Sinanit! Përkundrazi! Njerëzit i kërkonin ish pronarit
arkivial Sinani, ta shpinte deri në fund idenë e tij fikse, pas të
cilës ai është dashuruar. Sipas asaj ideje, ata që vuajtën nga
diktatura kanë qenë farefisi i nomenklaturës!!!. Le të mendojë ashtu,
Sinanit i ka hije kjo përrallë, por, ama, le të botojë dokumente të
hapur krejtësisht: pra jo vetëm objektin e denoncimit (Kadarenë), por
edhe denoncuesin(?). Se kështu historia dhe kolera do të
pasqyroheshin më vërtetësisht. Nëse Sinani zbulon se Sigurimi ndiqte
Kadarenë dhe Xhelil Gjoni, nga ana tjetër, paturpësisht, shkruan, se
po ky Sigurim, ndiqte Dritëro Agollin, aha, nuk mbeti më Sigurim, për
të ndjekur të tjerët këtej nga nahija jonë!
Ky jo vetëm është falsifikim. Është devijim dhe përvetësim
çertifikatash persekutimi! Me këtë nuk mund të jetë njeri dakord. Janë
shumë vepra të shpifura, dokumentet, ku i kallxuari është fv Kadareja
dhe kallxuesit janë R.F ose M.L. ose TT. Boll më, se nuk kemi dinjitet
po nuk reaguam! Se po vdiqa unë, të jeni të sigurtë që historitë e
trukuara të Sh. Sinanit, djali im nuk do të mundet t'i kundërshtojë
dot! Partizanët e dokumentimit te historisë nuk mund të përdorin
përjetësisht trukun, që "një shkrimtar nga diaspora, kërceu i
revoltuar, kur unë zbulova diçka nga arkiva në dëm të Kadaresë" (thënë
nga Sinani) dhe "një shkrimtar deputet i majtë dhe një shkrimtar
deputet i djathtë në parlament, kundërshtuan me zjarr e ishin kundër
hapjes së dosjeve" (thënë nga Kadareja). Cili shkrimtar në diasporë?
Cilët deputetë të majtë dhe të djathtë?! Partizanët e zbulimit të
lakrave, duhet të na i thonë këto emra të ditëve tona, që t'i dimë! A
janë ata për vërtetësi absolute! Ata janë partizanë të hapjes së
dosjeve të vjetra e nuk thënkan dot emrat e "gjynahqarëve" të ditëve
tona që flasin nga foltorja e parlamentit?! Le t'i thonë! Kush?
Nuk mund të dalë një hetues e të thotë se ekspertiza që i kërkoi ai
dikur Ismailit, ishte shpëtimtare për një poet amator, minator që pat
qenë arrestuar dhe hetuesi, për të gjetur në ishte a po jo poezia e
rrezikshme, i drejtohej kryepoetit të Shqipërisë. E na thotë se ia ka
harruar emrin minatorit -poet! Edhe Ismailit nuk i kujtohet emri i
poetit! Atëherë ky nuk është dokumentim i historisë, por një hartim i
shpifur, letërsi rozë, në formë "kujtimesh të një hetuesi" Pse nuk
del emri i poetit? Mos ndoshta ky hetues i mirë, ka frikë, se mos
ngrihet të flasë poeti dhe të tregojë, se si hetuesi-kujtimtar e pat
shqepur poetin-vjershëtar, në dru?!
Fatkeqësia, në thonjëza, e Ismail Kadaresë është se ai ka meritën
e rrallë, shumë të rrallë, që ne ia lexojmë çdo varg, çdo frazë, çdo
deklaratë, çdo opinion. Të lumtur njerëzit e parëndësishëm, që nuk
janë fare nën skanerin tonë! Unë, përfaqësues i thekur di un tempo che
fu, kam qenë e vazhdoj të jem njeriu që kam pasur idhull një Ismail
Kadare e mundohem të mbroj çdo gjë që shkroi ai. Mundohem të ruaj
kujtime të bukura nga festa e botimeve të librave të tij. Kam dëshirë
të them, se jam i lumtur që kam qenë lexues i tij dhe ai në Shqipëri e
shumë të tjerë në botë dhe në histori, më ndihmuan t'i qasem
letërsisë. Me keqardhje them, se ky Kadare sot, (versioni
postdiktatorial), më le shteg ta diskutoj të padiskutueshmin, bile të
guxoj të ve re gabimet e tij njerëzore, bile të mos jem dakord me të,
bile të duroj me dhimbje muaj të tërë pa folur kundër tij e pa i
thënë: Boll! Mjaft!
Dhe, si ndodh shpesh në diskutimet e shqiptarëve. qofshin të rinj
apo te vjetër, qofshin intelektualë apo jo, mbas një shkrimi të tillë
të sinqertë, si ky i imi, fillon stuhia!
Po vrapoj t'u dal përpara:
Ky i imi, nuk është qëndrim anti Kadare, që përfaqëson opinionet
e shkrimtarëve ziliqarë, nga ata që po mundohen të hyjnë në portat e
ruajtura mire, të panteonit të letërsisë. Më duket se unë sonte u
shfaqa më shumë si roje, që ruaj mos të internuarve, të burgosurve, të
pushkatuarve, u hyjnë akoma të tjerë, në atë barrakën e tyre të madhe
pa çati.
Bashkohem me YD, se temën Kadare, ne duhet ta lemë ashtu si
është. Le të shijojmë artin e tij e le të shpresojmë se tëra energjitë
ai do t'ia kushtojë planeve të tij krijuese. Përgjithësimet janë të
dëmshme. Në tërësi, i dashur Vaso, shqiptarët krenohen me të. Vepra e
tij është e pavdekëshme. Të tjerat do të harrohen. Dhe vepra pa radhë
e doktor Sinanit pro tij, dhe sulmet dhe lehjet kundër tij. Bile dhe
gabimet që i përmenda unë, tok me këto dy shkrimet tona në Albclub.
pk
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club