Re: [AlbClub] E leme me kaqe...

"Pellumb Kulla" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <[email protected]>
                  *** AlbClub Discussion List ***



     E zgjatëm pa lezet, temën e mjeshtrit Kadare… Dhe më duket se i
ngatërrojmë me dashje, vlerën e trashëgimisë letrare, marrëdhënien e
tij me diktaturën dhe politikën e tij të pasdiktaturës…
    Pas purgave të Stalinit, shfarrosjes së bashkëpunëtorëve dhe
gjeneralëve të tij, pas shtërngimit të darës diktatoriale në BS, Ilia
Ehrenburgu, shkrimtar e publicist zbriti në Nju Jork aty nga vitet 50.
Në Amerikë atmosfera mbytëse e repressive e Rusisë staliniane njihesh
mirë. Ehrenburgut iu drejtuan shumë gazetarë i bënë pyetje provokuese.
Njëra ishte mjaft interesante dhe e pacipë: -  Zoti Ehrenburg, ne e
dime se ç'heqin njerzit tek ju e tani tek të shohim këtu në Nju Jork
na vjen të të pyesim: ty a nuk të vjen turp që ke mbetur gjallë?
     Cfarë i kërkohet Kadaresë? I kërkohet që ta kish tronditur
diktaturën me penën e tij. E bënte dot?! I kërkohet të mos fuste
figurën e diktatorit në veprat e veta (të cilat as një gram nuk e
shtuan dashurinë për Enverin, siç edhe nuk e pakësuan urrejtjen për
të. I kërkohet ajo që nuk i kërkohet Agollit, Siliqit, Al;eks Cacit,
Skënder Bucpapës, Arapit e të tjerëve. I kërkohet ajo që nuk i
kërkohet Gëtes, Molierit e plot të tjerëve. I kërkohet që të mos
vepronte si ne të tjerët, që kur ndonjë shoku të ngushtë i dërgonim
ndonjë anekdotë kundër Enverit (dhe këtë në vitet e para!), mbi zarf
deshim nuk deshim, do lëpinim e ngjisnim një pullë me fytyrën e
Enverit, që të shkonte letra!
       Të jemi të drejtë e të ndershëm! Pas ndërgjegjësimit të plotë,
pas 1973, Kadareja nuk shkroi  një rresht për Enver Hoxhën. Në temat e
tij nuk u panë kurrë kooperativistët e lumtur dhe Sekretarët e Parë si
heronj vetmohues. A nuk është vënë re se Kadareja i vërtetë u tërhoq
nën strehën e temave historike, duke u munduar të gjejë alegori të
holla, tepër të holla e bile të rrezikëshme që i rrinin ngushtë
diktaturës? Si mund të kërkojmë  t'i përjashtohet nga trashëgimia edhe
"Koncerti"?! Nuk ka një vepër aq të bukur e të mprehtë sa ajo kundër
diktaturës! Kadarenë nuk e mori malli për kinezët. Në atë roman vjen e
plotë kinezëria shqiptare e shoqërisë socialiste të Enver Hoxhës. Këtu
në vend të thellësive historike, Kadareja u strehua në Kinë e foli për
përgjimet, për cienticitë (mikrofonat përgjues) për hierarkinë e
emrave në Byronë… kineze! Në krahasim me Koncertin, Dimri është
diletantizëm i gjallë dhe vërtet, për mua, ajo është një nga veprat më
të dobëta të Ismailit. Lexoni parathënien e Migjenit, (1988),  ku
Kadareja merr guximin të shajë malësorët që vrasin njëri tjetrin pse i
bien lopës së tjetrit, me pëllëmbë në vithe dhe (citoj:) "në historinë
e tyre mbeten një popull që nuk ka bërë asnjë vrasje e atentat
politik". Ishte e kollajtë kjo?
       I kërkohet të Kadaresë të sillej si Pasternaku, në Bashkimin
Sovjetik, si Saharovi e Sozhellnicini të cilët kur e mbushnin kupën,
Byroja Politike i dëbonte … e shumta… i dëbonte jashtë kufijve të
Bashkimit Sovjetik! Megjithë familje! Kurse Kadareja tek ne e kish të
sigurtë plumbin. E kish të sigurtë vdekjen në një vend, ku nuk kish
asnjë këmbë zhurnalisti të huaj që të verifikonte dhe kundërshtarët e
regjimit ose "vrisnin veten", ose "vriteshin nga burrat xhelozë që i
zinin në flagrancë me gratë e tyre"
     Ismail Kadarese, ne, ulur në një kolltuk interneti i kërkojmë
tani që të kish dhënë jetën! I themi siç i tha ai gazetari
Ehrenburgut: "Të te vijë turp qe nuk vdiqe!" Bukur! Të vdiste!" E për
kë? Për ne të kulltukut të internetit. Po ç'bëmë ne të kulltukut të
internetit më shumë se ai, kundër diktaturës, gjatë diktaturës?

pk
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.