[AlbClub] Dita e shenuar
"Pellumb Kulla" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
*** AlbClub Discussion List ***
Pa bërë krahasime efektoze, mund te them se jetuam ditën me të
madhe historike që kur kemi ardhur në dritë.
Më 28 nëntor të 1912 nuk kemi qenë, por arrijmë ta imagjinojmë.
Ka qenë një akt formal që la gjurmë, por vetë dita nuk mund të ketë qenë si
kjo e sotmja. Veç kësaj, ajo bëhej pa zhurmë ndërkombëtare dhe pa jehonën e
pro e kontrave që dëgjuam tërë këta vite. Dhe të themi atë që është, rreth
Vlorës të shpoje truallit, mund të gjeje e shumta një burim nafte. Kurse në
territorin e Kosovës rrëmihje e gjeje gjak. Dhjetra kryengritje për
afirmimin kombëtar u bënë atje. Pra ishte një paradoks, një nga fitoret më
të rralla kur fitorja është larg fushës së betejës. E bash ajo krahinë
luftëtarësh të zjarrtë, mbeti e zënë edhe një shekull më pas.
Fitoret më të bukura janë ato më të kushtueshmet!
Gëzuar këtë Ditë të Madhe! Gëzuar Shtetin e Ri të Evropës! Gëzuar
edhe këtë Shtëpi të Shqiptarëve!
Propozimi që bën GH është mjaft interesant. Ai thotë që Shqipëria
do te bente mirë të hiqte dorë nga flamuri Kuq e Zi dhe t'ia linte atë
Kosovës. Unë nuk e di se si do të mund të realizohej kjo nga pikpamja
proceduriale, e praktikës ndërkombëtare dhe si do të tingëllonte përballë
insinuatave për synimet e largëta për një Shqipëri të Bashkuar. Por është e
vërtetë, siç thashë më lart, që nga gjithë shqiptarët, ata tej kufijve të
Shqipërisë e meritojnëe KuqeZiun më shumë se kushdo. Neve të Shqipërisë na
është atribuar më shumë ftohtësi ndaj shenjave kombëtare. Dhe kjo e ka
shpjegimin se ato shënja kanë qenë ngushellimi, optimizmi, shpresa në një
vend ku pushtuesi i rrejtshëm, serbi, kish shenja të tjera. Tek ne
"pushtuesi" u tundëte të "pushtuarve" flamurin e tyre, të njëjtin flamur, e
këndonte në kongreset famëkeqë, të njejtin himn. Kjo e shpjegon ftohjen e
ndjesisë ndaj kulteve kombëtare në territorin jugperëndimor..
Dita e sotme! Që në mëngjes në orën 7.30, kur Nju Jorku ish ende i
përgjumur dhe rrugët e gjëra të së djelës kishin trafik të rrallë, unë pashë
kamioncina dhe vetura me flamurin tonë. I përshëndeta me buri. Dy orë më
vonë në Arthur Avenue makinat me flamurë ishin të shumta e nuk numëroheshin.
Pastaj flamurët u shtuan dhe fëmijët më thonë se në Tajms Skuere kish
bllokim nga flamurët kuq e zi e nga buritë. Unë bëra disa telefona miqve të
mi kosovarë, të cilët endeshin rrugëve festive të qyteteve të Kosovës dhe më
duhej të prisja mezin e natës (atje) që t'i gjeja në shtëpi. Urova
diplomatët në Uashington, si përfaqësues të shtetit të Shqipërisë. Urova dhe
ata të Misionit pranë OKB. Misioni për tërë këta vite ka qenë nyja më e
afërt ku luheshin mbështetjen dhe kundërshtimet për ndërkombëtarizimin e
shtetit që lindi sot.
Pastaj mora të uroj një kushuririn tim, që është rritur pa baba. I ati
e ka lënë një vjeç, se u nda nga kjo jetë në moshën 32 vjeçare. U nda pa
dashur vetë. E pushkatuan. Në ditën që u hap një varr nacionalistësh të
pushkatuar, dhe u bë në verë e 1992 një manifestim prekës, ky kushuri, iu
afrua professorit kosovar Zekherja Canës që asistonte në ceremony dhe i
zgjati kopjen e vendimit të gjykatës që bëri të mundur pushkatimin e të
atit. Profesori i Historisë, zoti Canaj e lexoi dhe u bë mehit në fytyrë.
Aty shkruhej tekstualisht: "Gjykata Ushtarake e Rrethit Korçë dënon Ajdin
Jonuz Kullën me vdekje, me pushkatim, si eksponent i Ballit Kombëtar dhe si
njeri që ka propaganduar Shqipërinë etnike, bashkimin e saj me Kosovën" Që
të dënohej se ka qenë me një parti politike kundërshtare me komunistët e
pakta është një veprim antidemokratik (për të cilën në 1945 ata nuk i hante
malli), por që të dënohej një njeri për ndjenjat e tij kombëtare
patriotike??!! Nuk mund të përfytyrohet një gjykatë kaq e paskrupullt, ta
lerë të shkruar, e zezë mbi të bardhë një turp të këtyre përmasave!
E urova këtë familje dëshmori kombëtar vetëm për mundësinë e lehtë
praktike, por sa do të desha që të uroja dhjetra mijëra, qindra mijëra,
familje dëshmorësh të historisë së Kosovës së martirizuar, të vdekur maleve,
përballë pashallarëve të dërguar si ndëshkues, atyre djelmoshave të vrarë
pabesisht shesheve të Tivarit, të fëmijëve të helmuar, të rënëve të UÇK-së
të viktimave të pastrimit.
Dhe e bëj në këtë shkrim në faqet e Albclubit! Me apelin LAVDI TË
RËNËVE! Me urimin për të gjithë: GËZUAR KËTË DITË TË SHËNUAR!
Pëllumb Kulla
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club